Home Jehona 23 Historia e Bariut të Krishtlindjes

Historia e Bariut të Krishtlindjes

Duhet të filloj duke prezantuar veten time. Nuk jam i sofistikuar si shumë prej jush. Nuk kam shkuar asnjëherë në shkollë. Që në moshë të vogël babai më stërviti në mjeshtërinë e vetme që dinte – të ishte bari. Nuk jam teolog. Sigurisht që prindërit më treguan historitë e të parëve tanë – të atyre burrave dhe grave të mëdhenj të besimit si Abrahami dhe Davidi.

Ne këndonim Psalmet si të gjithë hebrenjtë e mirë dhe, me raste, shkonim në sinagogë për të dëgjuar mësimin e ligjit. Por nuk përziheshim shumë me të tjerët. Jo se ne ishim kundër shoqërimit. Por për shkak se ruajtja e bagëtive nuk ishte një punë që vlerësohej shumë. Mjafton të them se njerëzit na shikonin me përçmim.

Qëndrimi i drejtuesve fetarë ndaj nesh më inatoste. Unë isha pjesë e një grupi barinjsh që rrisnin qengjat që përdoreshin për flijime në tempullin e Zotit. Ne punonim me zell për të rritur ato dele. Zgjidhnim qengjat meshkuj më të mirë për priftërinjtë. Ata nuk kishin njolla apo të meta. Asnjëherë nuk veçonim dele të verbra ose të gjymtuara.

Ne kuptonim se Perëndia meritonte më të mirën, prandaj ia jepnim ato. Njerëzit fetarë nuk i vinin re përpjekjet tona. Ne nuk i ndiqnim festat aq me përpikmëri sa ata. Kishim dëshirë, por nuk ishte e mundur. Për shkak se punonim aq shumë nuk ishte e mundur që të ishim të pranishëm në të gjitha ritet fetare. Pra, ata që e konsideronin veten njerëz të shenjtë na përbuznin.

Fillova të pyesja veten nëse edhe Perëndia vepronte po kështu. Ai mendim u fashit përgjithmonë nga mendja ime natën kur engjëlli u shfaq. E di që do të duket si çmenduri, por ndodhi me të vërtetë. Shpresoj që ndryshe nga bashkfshatarët e mi, ju do të më besoni në dëshminë që do të ndaj . . .

Ndodhi një natë vonë kur sa kishte filluar dimri. E mbaj mend mirë stinën, sepse në atë kohë bien shirat në vendin tonë. Të gjithë barinjtë kishin mbledhur delet së bashku në një lëndinë jashtë Betlehemit. Disa nga burrat flinin ndërsa të tjerët bisedonin, tregonin histori ose i binin fyejve të tyre. Një heshtje e çuditshme ra mbi njerëzit dhe kafshët.

Ata që po pushonin u zgjuan njëri pas tjetrit nga delet e tyre. Në një çast të vetëm një figurë e stërmadhe si e një njeriu u bë e dukshme pranë deleve. Rrobat e tij ishin shumë të bardha, si borë, por veçse më të shkëlqyeshme. Atë që ndodhi më pas e kam të vështirë ta përshkruaj edhe sot, shumë vite pasi ndodhi. Më ishte ngritur çdo qime e trupit.

Para se ndonjë prej nesh mund të reagonte ndaj vizitorit tonë të papritur, diçka si një dritë e fortë shkëlqeu rreth nesh. Nuk ishte ndonjë lloj drite tokësore, sepse nuk na i verbonte sytë. Drita ishte e pastër dhe e gjallë. Mund ta ndieja tek përshkonte trupin tim deri në thellësitë e shpirtit. U hutova nga fuqia e kësaj drite dhe brenda saj ndieva një prani të shenjtë.

Dëshiroja të vrapoja dhe të fshihesha. Ndihesha sikur isha i zhveshur dhe i frikësuar. Nuk e dija çfarë do të kisha bërë sikur engjëlli të mos kishte folur. Ngrohtësia e paqes mbushi zemrën time kur ai tha: “Mos ki frikë. Të sjell lajm të mirë prej gëzimi të madh që do të jetë për të gjithë njerëzit.” Perëndia kishte një mesazh për ne, për të gjithë botën.

Ai nuk kishte ardhur të na gjykonte, por të na zbulonte lajmin e mirë. Pastaj engjëlli foli për qëllimin e shfaqjes së tij. Ai tha: “Sot në qytetin e Davidit ka lindur për ju një shpëtimtar; ai është Krishti i Zotit”. Populli ynë kishte qenë duke e pritur këtë çast. Koha erdhi dhe Perëndia na lajmëroi ne – barinjtë në fushë.

Engjëlli e mbylli mesazhin e tij duke thënë: “Kjo do të jetë shenja për ju: do të gjeni një foshnjë të mbështjellë me pelena dhe të shtrirë në një grazhd”. Nuk kishte ndonjë gjë të pazakontë për pjesën e parë të shenjës. Të gjitha nënat e mira i mbështillnin foshnjat e tyre me pelena në ato kohë. Ishte metoda që përdorej për të mbajtur ngrohtë të sapolindurin dhe t’i mbronin gjymtyrët e tyre.

Pjesa e dytë e shenjës ishte një enigmë. Krishti kishte lindur dhe gjendej në një grazhdë? Shpëtimtari i vajosur i Perëndisë po fle në një shtrat me kashtë? Nuk e kuptoja, por i mora fjalët e tij si të sigurta. Akoma nuk e kisha marrë veten kur, papritur, aq sa sytë mund të shihnin, u shfaq një numër i madh engjëjsh.

Duhet të kenë qenë mijëra, të ndritshëm si një vetëtimë dhe me një zë ata thërrisnin: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta dhe paqe njerëzve mbi tokë mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij”. Do t’i kisha parë gjithë natën sikur të mos ishin zhdukur aq shpejt nga vështrimi im. Kur ne e morëm veten, u shfaq drita e parë e agimit.

Pothuajse menjëherë ramë dakort që të shkonim të gjenim këtë fëmijën Krisht. Ne që bëmë udhëtimin për në Betlehem atë mëngjes gjetëm gjithçka ashtu si tha engjëlli. Ishte foshnja, i mbështjellë dhe i lidhur ngrohtë, duke fjetur i qetë në stallë. Nëna e re më tha se emri i foshnjes ishte Jezus. Një emër i zakonshëm, por që do të thotë “Perëndia shpëton”.

U habita kur mësova se asnjë nga udhëheqësit fetarë nuk i kishte vizituar. Jeruzalemi ishte vetëm gjashtë kilometra larg. Ku ishin priftërinjtë dhe njerëzit e mirë fetarë? Më vonë mësova se asnjë prej tyre nuk kishte ardhur. Ne e rrethuam foshnjën për pak kohë. Kur ishte e qartë se nëna dhe fëmija kërkonin të flinin ne u kthyem te delet tona.

Brenda një nate gjithçka ndryshoi te unë. Dyshimet e mia ia lanë vendin besimit, mërzitja gëzimit. U ktheva në punën time me një siguri që unë kisha pjesë në qëllimet e Zotit. Edhe pas gjithë këtyre vjetëve, në mendjen time ende qëndron pyetja: përse? Përse Perëndia m’u shfaq mua? Përse ia dha lajmin e lindjes së Birit të tij një grupi barinjsh?

Më duket se ne ishim pjesë e një skice më të madhe atë natë. Përse Mesia të lindte në një grazhd dhe jo në një pallat si lindi biri i Çezarit? Përse Maria e lindi Shpëtimtarin në një qytet të vogël si Betlehemi dhe jo në qytetin e shenjtë, Jeruzalem? E vetmja përgjigje që kisha ishte: Perëndia iu shfaqet atyre që janë të përulur sa duhet për ta pranuar atë.

Diçka që thanë ata engjëj ngulitet në mendjen time. Ata këndonin: “Lavdi Perëndisë në vendet shumë të larta dhe paqe në tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij”. Engjëjt premtuan paqe me lindjen e atij fëmije. Lloji i paqes për të cilën po flisnin engjëjt ishte një paqe me Perëndinë.

Ka paqe kur di se pavërsisht në ç’luginë të errët duhet të ecësh Perëndia është përsëri atje, si një bari me delet e tij. Ai është atje edhe kur ne nuk mund ta shohim atë dhe ai po na drejton në shtegun e qëllimit të tij. Kjo është paqe e vërtetë dhe u vjen atyre që Perëndia i përkrah. Ai përkrah ata që janë të përulur. Ai përkrah ata që e kuptojnë që kanë nevojë për të.

Ai përkrah ata që i besojnë fjalës së tij. Ashtu siç thashë më parë, nuk jam një teolog. Nuk jam i arsimuar. Në sytë e botës jam askush. Por jo për Zotin. Kur ai zgjodhi kohën për të dërguar Birin e tij të vetëm në tokë, ai ma tha mua, një bariu. Unë jam një provë se nuk duhet të jesh i veçantë që Perëndia të të shfaqet. Vetëm se duhet të jesh i përulur sa duhet për ta pranuar atë.

E krijuar nga A.B. E bazuar te Ungjilli i Lukës kap.2

Most Popular

NUK TË GËNJEN SYRI

S’të gënjen syri, jo Brenda pak sekondash syri thith gjithë ato imazhe. Si të jesh duke ecur në krah...

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

Recent Comments