HomeAktualitetHALLOWEEN-I SHQIPTAR

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet me kostume të frikshme janë kthyer në modë në shumë vende, kjo na tregon më shumë për mendjelehtësinë e brezit tonë sesa na mëson ndonjë gjë lidhur me Halloween-in origjinal.

E vërteta e kësaj pune është që nuk ekziston vetëm një version i festës, sepse kemi të bëjmë, realisht, me një fenomen që ka qenë duke evoluar në shtetet perëndimore prej disa brezash. Gjithsesi, se si shkuam nga ‘festa e gjithë shenjtorëve’ (siç është përkthimi tamam i fjalës halloween) e përfunduam te ‘festa e errësirës’ hajde ta marrësh vesh!

Por në fakt, del që nuk është aq i vështirë shpjegimi i transformimit të Halloween-it, të paktën ai transformim që ndodhi gjatë 30-40 viteve të fundit, i cili e ka shkëputur përfundimisht festën nga rrënjët e saj të krishtera. Dirigjenti kryesor në këtë histori është Hollywood-i, ajo superfuqia e botës kulturore (sidomos gjatë shekullit të kaluar) që është treguar mjaft e zonja në magjepsjen e publikut.

Mirëpo, Hollywood-i ka gjetur ca bashkëpuntorë në radhët e kulturës shqiptare, duke përfshirë median dhe segmente të arsimit publik e privat, që e kanë përqafuar Halloween-in aq fort se thua që mezi kishin pritur që të vinte kjo ditë! Nuk duhen harruar tregtarët në këtë mes, sepse janë pikërisht ata që ju furnizojnë me kostume të gatshme për ‘zbukurimin’ e fëmijëve tuaj. Jo më vonë se dje hyra në një market në Tiranë ku vura re një shumëllojshmëri veshjesh të frikshme dhe sende shtrigash në shitje. Kur ia shpreha mospëlqimin tim shokut që kisha në krah, ai më korrigjoi me vëzhgimin që, “Nuk e kanë fajin këta jo…” duke e lënë të nënkuptuar përgjegjësinë e tjetërkujt, e sigurisht nuk e kishte fjalën për fëmijët.

Por ndërsa flasim për Halloween-in nuk mund të rrimë pa konstatuar që versioni i kësaj feste që praktikohet më shumë në SHBA nuk është ajo që shikoni në ekran. Sepse për pjesën dërrmuese të qyteteve amerikane, Halloween-i ngjan thjesht si karnavalet ku fëmijët vishen si personazhi i preferuar i përrallave apo me kostumin e ndonjë superheroi. Domethënë, s’ka fare konotacione djallëzore. Ajo që të bën përshtypje pra, është fakti që Shqipëria arrin të importojë vetëm versionin më të errët të kësaj feste. Çfarë do të thotë kjo për mentalitetin e shoqërisë sot?

Dikush shprehet se Shqipëria ka plot festa pa qenë nevoja të imitojë festat e vendeve të tjera. Deri diku e simpatizoj këtë opinion, por realiteti është që popujt gjithmonë kanë bërë shkëmbime idesh e zakonesh. Puna është të dimë çfarë ia vlen të zhdoganojmë e çfarë jo. Edhe pse në familjen time nuk e kemi festuar ndonjëherë Halloween-in, kjo nuk do të thotë që jam kundër atyre që duan të festojnë një version të Halloween-it që mbart një domethënie pozitive. Megjithatë, duket se versioni shqiptar i Halloween-it ngeli ai i horrorit dhe i shtrigave. Në këtë, nuk jeni vetëm, se duket që i njëjti shqetësim ka lindur edhe në vende të tjera. Prandaj ju rekomandoj një praktikë që është bërë e njohur në Angli, ku shumë kisha organizojnë një “Light Party” për fëmijët e lagjes natën e Halloween-it, domethënë një aktivitet që përfshin moshat e reja në lojëra të bukura, duke mos i lënë të bëhen pjesë e ambienteve të padëshirueshme. Ka edhe familje që organizojnë lojëra tavoline atë natë, po me të njëjtin qëllim pozitiv, ose shikojnë një film familjar së bashku. Ajo që është e qartë është se ka alternativa, kështu që në datën 31 tetor nuk je i detyruar të ndjekësh turmën në festimin e një Halloween-i tashmë të shtrembëruar plotësisht, nëse nuk do, kuptohet.

Most Popular

Recent Comments