Home Jehona 29 Gëzuar Krishtlindjet

Gëzuar Krishtlindjet

“Përshkruani krishtlindjen me dy fjalë”. Kjo ishte sfida që u bëhej klientëve të një supermarketi anglez ndërsa xhirohej një reklamë televizive. “Shumë ushqim”, thotë një sportist i njohur. “Filma të rinj”, thotë një aktore e njohur. Sugjerimet e tjera ishin: “Çorape të mbushura”, “Fjalimi i mbretëreshës” dhe pas këtyre vjen e pashmangshmja: “Supermarketi X!”.

Kjo reklamë më trazoi mëndjen dhe më la me një pikëpyetje. Ku shkuan përkufizimet e thjeshta si: “Lindi Krishti”, apo “Festojmë Krishtin”? A nuk ishin këto të përshtatshme? Është e lehtë në kohën e Krishtlindjeve të jemi të preokupuar aq shumë me pazaret dhe punët festive sa harrojmë thelbin e asaj që po festojmë.

Bibla e përshkruan ardhjen e Jezusit si një ngjarje me rëndësi të madhe për marrëdhëniet e Perëndisë me botën që ai krijoi, dhe për çdo njeri që jeton në të. Unë kam zgjedhur dy fjalë për të përmbledhur kuptimin e vërtetë të krishtlindjeve. Ato dy fjalë janë histori dhe lumturi. Këto janë të vërtetat kyçe të festës që kanë prekur jetët e miliona njerëzve në të gjithë botën. Ato mund të prekin jetën tuaj.

Histori

Krishtlindja ka ndodhur me të vërtetë. Shumë njerëz e vënë Jezusin në të njëjtën kategori me Santa Klausin apo me Babagjyshin e Vitit të Ri. Disa prej nesh e kemi mësuar historinë e lindjes së tij në grazhdin e Betlehemit që kur ishim fëmijë. Por në përballje me realitetin e vështirë të jetës, e kemi lënë mënjanë Jezusin, ashtu siç nuk besojmë më Plakun e Vitit të Ri. Jo!

Bibla këmbëngul se Jezusi nuk është vetëm një karakter mitik, ai me të vër­tetë ka ekzistuar. Mënyra më e mirë për të mësuar më shumë rreth tij është për të lexuar Dhiatën e Re të Biblës. Katër ungjijtë u shkruan pak vite pas ngjarjeve që ata i përshkruajnë dhe autorët kanë treguar kujdes të madh për të regjistruar histori të sakta. Dhjata e Re nuk është një mit apo fantazi.

Jezusi me të vërtetë ka lindur në Betlehem. Ai u rrit për t’u bërë njeriu më i shquar që ka parë bota ndonjëherë. Nuk ka pasur kurrë një person tjetër si Jezusi. Ai jetoi një jetë me një mirësi, me një dhembshuri dhe me një përulësi të habitshme. Ai i donte të gjithë: të pasur dhe të varfër, hebrenjtë dhe johebrenjtë, edhe pse ata nuk e donin. Ai mësoi si askush tjetër.

Edhe pse ai ishte një marangoz pa shkollë nga një pjesë periferike e Perandorisë Romake, fjalët e tij ende frymëzojnë jetën e miliona njerëzve megjithëse kanë kaluar 2.000 vjet që kur ai ka jetuar në tokë. Dhe ai bëri mrekulli të jashtëzakonshme, të cilat edhe armiqtë e tij nuk mundën ti mohonin. Me fuqinë e fjalës së tij, sytë e të verbërve u hapën, të çalët ecën dhe të sëmurët u shëruan.

Nga smira, njerëzit që ishin në pushtet e vranë me një vdekje mizore. Në qoftë se historia e tij do të kishte përfunduar këtu, jeta e tij tashmë do të ishte harruar, por ai nuk qëndroi në varr. Perëndia e ringjalli prej së vdekuri dhe ai iu shfaq shumë njerëzëve. Ky nuk ishte një njeri i zakonshëm. Prandaj lindja e Krishtit është një ngjarje historike; ajo me të vërtetë ka ndodhur!

Lumturi

Njeriu ka nevojë për lumturi. Lumturia është urimi më i madh që ne i japim njeri tjetrit si dhe dëshira më e lartë që ne shprehim. Çdo njeri kërkon të jetë i lumtur. Kjo është e natyrshme. Por sa pak njerëz e gjejnë me të vërtetë lumturinë! Përse nuk gjejmë lumturi? Mëkati. Mëkati te njeriu është shkaku përfundimtar i të gjitha ligësive në tokë.

Padrejtësitë, shtypjet, shfrytëzimet, vrasjet, vjedhjet, ndarjet, të gjitha të këqijat dhe të gjitha të zezat janë pasojat e mëkatit! Mëkati e prish jetën e njeriut nga jashtë sepse e prish njeriun nga brenda. Për sa kohë që mëkati infekton shpirtin e njeriut ai nuk mund të jetë i lumtur. Mëkati nuk është vetëm një problem për njerëzit, por ai e shkatërron botën e përsosur të Perëndisë.

Nuk është habi që Bibla thotë se Zoti është i zemëruar me ne. Por një engjëll i dërguar nga Zoti, njoftoi lindjen e Jezusit me këto fjalë: “Unë po ju lajmëroj një gëzim të madh që do të jetë për të gjithë njerëzit”. Lajmi i gëzueshëm i krishtlindjes është se Perëndia ka kapërcyer hen­dekun midis atij dhe nesh duke e dërguar birin e tij në këtë botë të humbur për të na shpëtuar nga mëkati.

Krishti lind për të na çuar në rrugën e mirë të Perëndisë dhe drejt lumturisë! Ndofta ti nuk mund të kuptosh pse ka aq shumë vuajtje në botë, por së paku mund të jesh i sigurt se Zoti nuk është indiferent ndaj teje. Ai nuk të ka dërguar ngushëllimet e tij me një thirrje telefonike, por ai është përfshirë në këtë botë plot trazira me Birin e tij që vjen në tokë për të vuajtur për ne. Kjo është historia e krishtlindjes dhe kjo është shpresa e lumturisë që lind në Betlehem.

 

Most Popular

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

NJË ZË NGA QIELLI

Këto ditët e para të shkollës, dëgjova një mësues që ankohej që i ngjirej zëri, se duke dashur të dëgjohej përmes maskës,...

Recent Comments