Çfarë është Krishtlindja?
Krishtlindja (edhe “Kërshëndellat” apo shkurt “Kshnellat” ndër besimtarët katolikë), është një festë fetare. Të krishterët në perëndim e festojnë çdo vit më 25 dhjetor lindjen e Jezus Krishtit, ndërsa disa kisha lindore e festojnë më 7 janar, për shkak të kalendarit të vjetër.
Pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për të krishterët. Ditëlindja e Krishtit (24-25 dhjetori) është thjeshtë simbolike, dhe nuk është menduar të jetë data e vërtetë e lindjes se tij.
Sot, dita e krishtlindjes, kremtohet me shfaqjen e skenës së lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe kartolinave, familjen e bashkuar, dhe ardhjen e Shën Nikollës (apo Santa Klausit) në prag të krishtlindjes apo mëngjesin e Krishtlindjes.
Çfarë kuptimi ka emri Krisht?
Fjala “Krisht” do të thotë “i vajosuri,” emri i dhënë shpëtimtarit të premtuar i cili një ditë do të vinte tek populli i Zotit. Besimtarët hebrenj, që u bënë themeltarët e krishterimit, ishin të bindur që Jezusi ishte jo vetëm Krishti i tyre i premtuar, por edhe shpëtimtari i të gjithë botës.