Fryma e Besimit te Liverpuli

0
274

Klubi i Liverpulit ka fituar një reputacion si një organizatë që respekton ndjenjat fetare të lojtarëve dhe të stafit të saj. Në ambientet e stadiumit dhe te kampi i trajnimit të Liverpulit ka hapësira të dedikuara për lojtarët që duan të marrin kohë të meditojnë, të lexojnë apo të luten.

Prej vitesh trajneri i Liverpulit, Klopp, ka mbajtur një qëndrim të hapur përsa i përket rolit të rëndësishëm që luan besimi në jetën e tij. Dhe nuk është i vetmi pjesëtar i klubit me një reputacion të tillë.

Raportohet që lojtarë si Mohamed Salah, Sadio Mane dhe Gini Wijnaldum janë frekuentues të ambjenteve të lutjes. Ndërsa së fundmi portieri i klubit, braziliani Alisson Becker, ndihmoi shokun e skuadrës Roberto Firminjo në pagëzimin e tij, ku ishin të pranishëm familjet e tyre dhe miq të tyre.

Firminjo, gjatë kohës që po pagëzohej u emocionua aq shumë saqë i dolën lot. Vet Firminjo shpërndau një video të pagëzimit të tij me anë të Instagramit. Ai citonte edhe thënien e Biblës që thotë: “Nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re.”

Pagëzimi, sipas ritualit kristian, nënkupton pastrimin e mëkatit, që lidhet me besimin në Jezus Krishtin. Disa kisha e praktikojnë pagëzimin me anë të spërkatjes, por ka shumë bashkësi të krishtera që praktikojnë pagëzimin me zhytje totale, siç bëri edhe Firminjo. Gjatë pagëzimit të tij ai bëri edhe një lutje: “Po të jap gjithë dështimet e mia, por do të të dedikoj edhe gjithë fitoret e mia. Çmimi më i madh është dashuria e Jezusit!”

Po, aq i çiltër tregohet Alisson-i për besimin e vet. Ai ka zbuluar që i bie kitarës dhe bashkë me Firminon kalojnë kohë duke kënduar këngë për Zotin dhe duke lexuar Biblën.

Portieri i rangut botëror thotë, “Duhet të jesh i fokusuar si futbollist. Dhe mendoj që besimi luan një rol këtu gjithashtu. Duke besuar te Perëndia, mundohesh të bësh më të mirën dhe e do jetën me gjithë shpirt.”

Kur e thirrën të luajë për kombëtaren e Brazilit, postimi i Alissonit ishte, “U realizua një ëndërr!!! Lavdi Zotit!”

Edhe sulmuesi Divock Origi, që shënoi dy gola vendimtarë kundër Barcelonës në gjysëmfinalen e Ligës së Kampionëve (që u fitua nga Liverpuli 4-3), ka qenë i hapur se si besimi i tij e ka ndihmuar, sidomos gjatë periudhës që ka qenë i dëmtuar. Siç bëjnë edhe shumë lojtarë të tjerë, në momentin që shënojnë një gol edhe ai drejton gishtin qiellit, duke pohuar në këtë mënyrë që gjithë dhuntia e tij e ka burimin te krijuesi.

“Feja ime më ndihmon të kuptoj që duhet të punoj fort, duke u fokusuar mbi ato gjëra që janë pozitive në jetë. Patjetër që do ketë dështime. Unë bëj gabime. Por prej atyre gabimeve mësojmë diçka që na ndihmon.”

Klubi Liverpulit është një dëshmi e qartë se si njerëz të talentuar të besimeve të ndryshme mund të bashkëpunojnë në mënyrë pozitive.