Home Jehona 38 Filmi “Noeu”

Filmi “Noeu”

“Noeu” është filmi i fundit i holivudit që trajton një prej historive të Biblës. Me një buxhet 150 milion dollarësh, i kompletuar me yje si Russell Crowe, Anthony Hopkins, Emma Watson e Jennifer Connelly, dhe i pajisuar me efektet speciale të fjalës së fundit, ky film duket se do të jetë mjaft mbreslënës.

Studio Paramount po e reklamon “Noeu”-n si një film biblik për të afruar pranë kinemasë pjesën e shoqërisë me ndjenja fetare, dhe njëkohësisht po e reklamon si një film me aksion për publikun e gjerë dhe për të tërhequr klienët e zakonshëm drejt sporteleve të kinemasë.

Duke i bërë pritë kritikave që filmi është më shumë i trilluar sesa një trajtim i ndershëm i historisë së Biblës, studioja prodhuese Paramount ka pranuar hapur që filmi i tyre është një punë artistike që vetëm sa është frymëzuar nga historia origjinale e Noeut. Në të gjitha reklamat e filmit sqarohet se “Ky film frymëzohet nga historia e Noeut.

Është përdorur liçensa artistike dhe… historia biblike e Noeut që gjendet në librin e Zanafillës.” Megjithatë, ekziston rreziku që publiku, sidomos moshat e reja, do ta marrin për bazë filmin artistik për të krijuar përshtypje të gabuara lidhur me një nga historitë më kyesore të botës.

Sa ndryshon “Noeu” nga Noeu? Producenti Scot Franklin ka thënë, “Historia e Noeut është një pjesë shumë e vogël e Biblës me shumë boshllëqe, kështu që duhet patjetër të sajonim një pjesë të filmit”. Shqetsimi i besimtarëvë është që filmi “Noeu” kalon përtej ‘mbushjes së boshllëqe’ dhe ai në realitet e tjetërson historinë e këtij personazhi që konsiderohet shenjtor si nga krishterët ashtu edhe nga besimtarët musliman.

Rënditim disa nga pjesët më të kritikuara në përmbajtjen e filmit: Një nga pjesët imagjinare e filmit tregon që lëkura e gjarprit mashtrues (gjoja e djallit) u gjet në kopshtin e Edenit dhe i jep fuqi magjike mbajtësin e saj. Sipas filmit, kjo me të vërtetë i takonte Noeut, por ja që një mbret me emrin Tubal-Kain ja vodhi atij.

Filmi “Noeu” tregon sikur vetëm një prej djemve të Noeut ishte i martuar. Ndërsa Bibla tregon se që të tre djemtë e Noeut ishin të martuar dhe morën gratë e tyre në varkë. Paraqitet sikur kafshët u ngjeshën për të siguruar vend në varkë. Kjo e krijon përshtypjen e gabuar se varka nuk qenka planifikuar me kapacitetin e duhur.

Noeu duket sikur e humb toruan dhe mendon se shpëtimi i familjes së tij shërben vetëm për shpëtimin e kafshëve të pafaj. Në këtë vijë “Noeu” i filmit thotë se ata janë familja e fundit në tokë dhe s’u lejohet të bëjnë fëmijë të tjerë, madje kërcënon se do të vrasë fëmijën e djalit.

Aktori i famshëm Russell Crowe (që e luan pjesën e Noeut) vërteton se portretizimi i Noeut në këtë mënyrë ishte i qëllimshem kur thotë: “Njerëzit e konsiderojnë Noeun si njeri dashamirës sepse u kujdes për kafshët. Po tallësh? Ky është personi që qëndroi indiferent ndërsa njerëzia krejt po shkatërrohej”.

Crowe vazhdon, “Ai s’ishte dashamirës. Kur i thotë i biri “Mendova se u zgjodhe se një njeri i mirë”, Noeu i filmit përgjigjet “U zgjodha se di të mbarojë punën!””. Ideja e Biblës që Noeu e dëgjon zërin e Zotit, filmi e zëvëndëson me vegime të çuditshme, duke e bërë Noeun të ngajë më shumë me një person që vuan nga fiksime dhe me shendet mendor jo të mirë.

Kjo përshtypje forcohet kur e shikon Noeun, pas përmbytjes, duke u dhënë pas verës dhe duke e shpërfillur familjen e tij. Pjesë të tjera të sajuara, që nuk përshtaten aspak me historinë e Biblës: Gjoja disa ëngjëj e ndihmojnë Noeun me ndërtimin e varkës; gjyshi i Noeut paraqitet si një lloj magjistari mjaft i çuditshëm; mbreti TubalKain hipën pa leje në varkën shpëtuese të Noeut; dhe së fundmi, në vend të ulet varka në malin Ararat (sipas Biblës), ajo përfundon në anë të plazhit.

“Noeu” i Holivudit, nuk është Noeu i historisë. Si i tillë, filmi “Noeu” mbetet një shtrëmbërim i madh i historisë biblike. Disa komentues të krishterë shqetësohen se filma të tilla, në vend të ndihmojnë njerëzit të njohin besimin, e bëjnë atë bajate dhe i largojnë prej tij.

Për Noeun e vërtetë shkruan Dhiata e Re: “Me anë të besimit Noeu, i lajmëruar hyjnisht për ato që ende nuk shiheshin, u frikësua dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së tij, me anë të së cilës e dënoi botën dhe u bë trashëgimtar i drejtësisë që është me anë të besimit.”

 

 

Most Popular

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

NJË ZË NGA QIELLI

Këto ditët e para të shkollës, dëgjova një mësues që ankohej që i ngjirej zëri, se duke dashur të dëgjohej përmes maskës,...

Recent Comments