Home Jashtë Kategorie Familja është e shenjtë!

Familja është e shenjtë!

Krizat politike janë më të përfolurat, më të diskutuarat dhe zënë më shumë faqe në shtyp, por kriza e familjes është ajo që po shkatërron më shumë jetë dhe po lë pasoja më të pakapërcyeshme për njerëzit. Probleme të tilla si droga, imoraliteti, bixhozi, dhe sjellje të tjera shkatërruese kanë kohë që po gërryejnë themelet e shoqërisë. E kush mund të llogarisë dëmin që vjen nga ndarjet, rebelimet ose sherret e vazhdueshme që plasin brenda gjirit të familjes? Kjo pra, është kriza moderne. Është prishja e familjes që po nxitet nga humbja e moralit në shoqëri.
Sado i sikletshëm që mund të ketë qënë kalimi nga një shoqëri totalitare në atë që ka një shkallë të gjerë lirie, nuk mund të pretendojmë që fajin e kanë vetëm sistemet. Dikush i’a vë gishtin perëndimit të shthurur, por perëndimi ka shumë gjëra të mira që ne nuk i kemi marrë. Pse zgjodhëm të merrnim të këqijat?
Po përballemi përditë e më shumë me të rinj që janë të dhunshëm në familje, të rebeluar në shkollë, e të vrazhdë në shoqëri. Nga pikëpamja morale shoqëria jonë është në gjendje kaotike. Është koha të pyesim çfarë lloj njerëzish jemi bërë?
Ndonëse janë shtuar hapësirat për të përmirësuar veten, pak njerëz po i shfrytëzojnë. Kemi arritur në një situatë të tillë ku e keqja quhet e mirë dhe e mira quhet e keqe, ku imoraliteti ka nisur të kthehet në moral, dhe gënjeshtra shitet si e vërtetë.
Kur bisedat e përditshme dominohen nga tema vulgare dhe të kota, dhe niveli i kulturës ka rënë aq shumë sa po lëmë njerëz të fëlliqur të hynë në shtëpitë tona përmes ekranit dhe të tallen me ne ndërsa rrimë ulur me fëmijët duke bërë sehir, ç’do të thuash më?
Duket sikur jemi të pafuqishëm për të ndaluar rrjedhjen e gjërave. Madje dhe Bibla thotë: “Kur themelet janë shkatërruar, çfarë mund të bëjë i drejti?” Në këtë situatë, sociologët jo vetëm që s’japin dot përgjigje, por disa prej tyre janë bërë pjesë e problemit, po të marrim për bazë deklaratat dhe këshillat e tyre imorale.
Njeriu idealist nis të dëshpërohet. Padyshim që duhet të reagojmë. Në të kundërt, s’kemi bërë gjë tjetër vetëm se kemi pranuar fatin që do të shkojmë hap pas hapi drejt greminës. Por çfarë mund të bësh? Është e qartë që individi nuk mund të ndryshojë shoqërinë, madje ai e ka mjaft të vështirë të ndryshojë veten e tij, edhe sikur të dojë ta bëjë.
Dikush thotë që edukata familjare është faktori kyç, por sa forcë ka edukata familjare nëse ajo nuk përfshin besimin përbrenda saj? Në fund të fundit ku bazohet morali nëse ai nuk ndërtohet mbi faktin që njeriu u krijuar nga Zoti, i cili caktoi disa norma të pandryshueshme për të?
Kemi një fije shpresë. Në shoqërinë tonë, shumica pranon që jeta është një dhuratë që vjen prej Perëndisë. Kjo është diçka pozitive. Por që kjo bindje të ndikojë në mënyrë konkrete te ne ai duhet të kultivohet. Dhe rrugët që zhvillohet besimi në Zotin janë të ditura. Midis tyre do të doja të rekomandoja një praktikë të përbotshme, siç është lutja familjare para vaktit të drekës apo darkës. Dhe leximi i disa vargjeve të Biblës çdo ditë. Pas krizës së pandemisë, njerëzit kanë shansin të shkojnë në një kishë apo të gjejnë një bashkësi të mirë ku e gjithë familja mund të pasurohet shpirtërisht.
Më duket se për shumë prej nesh është vonë të kuptojmë këto gjëra, megjithatë përse t’i lëmë fëmijët tanë të bëhen viktima të një bote të pamoralshme e të prishur? Kriza e vlerave na ka përfshirë në vorbullën e saj dhe përmasat sa vijnë dhe rriten. E kush është aq i zoti sa të dalë prej kësaj e keqe pa ndihmën e Zotit?

Previous articleKONSPIRACION!
Next articlePërse e lejon Zoti?

Most Popular

SHËN SOFIA

Dy fjalë. Një fjalë drejtuar atyre që do të shkojnë të falen te Hagia Sofia ditën e premte. Edhe një tjetër...

HOLOKAUSTI DHE BESA SHQIPTARE NË NJË MONUMENT

Shumë shtete mund të kenë memoriale për holokaustin, por shumë pak mund të ngrejnë monumente si ky i fundit që u përurua...

A NDODHIN MREKULLI SOT?

Jeta është një mrekulli. Pa i marrë në konsideratë të gjitha llojet e gjërave që ekzistojnë në botë, mendo vetëm për ekzistencën...

“BESO, POR MOS BESO SHUMË”?!

Sa kollaj që zgjohen ndjenjat anti-fetare në Shqipëri! Mjafton të dalë në shtyp një lajm i kobshëm me konotacione religjioze dhe menjëherë...

Recent Comments