Home Jehona 38 Dy fjalë për përmbytjen e Noeut

Dy fjalë për përmbytjen e Noeut

Askush nuk mund të shpresonte se do t’i shpëtonte një katastrofe kaq të tmerrshme, nëse nuk mbrohej nga vetë Zoti. Dhe para kalimit të një kohe të gjatë vdiqën gjithë njerëzit mbi faqen e dheut, me përjashtim të Noeut dhe familjes së tij. Perëndia, pastaj, bëri që niveli i ujërave të binte. Së fundi gjithçka ishte gati që Noeu të dilte nga arka e të niste një jetë të re.

Është tragjike që njerëzit, bekuar kaq shumë materialisht prej Perëndisë, të kenë ndezur zemërimin e tij me sjelljen e tyre gjithnjë e më të pështirë e më të mëkatshme. Mohimi i plotë që njeriu i bëri Perëndisë dhe standardeve të Tij, natyrisht që, në fund të fundit, do të sillte gjykimin e tmerrshëm të Tij. U la vetëm një njeri që ia kishte frikën Perëndisë, Noeu.

Për këtë arsye Zoti vendosi që Noeu dhe familja e tij të shpëtonin nga gjithë ato ngjarje që kishte për të ndodhur më pas.

Provat?

Cilat janë provat që vërtetojnë se një gjë e tillë ka ndodhur vërtet? Provat janë të bollshme dhe më se të mjaftueshme – kaq të shumta sa është e vështirë të caktosh nga ta fillosh përshkrimin e tyre. Disa nga provat janë historike. Në çdo cep të botës tregohen legjenda që flasin për një përmbytje të madhe që dikur mbuloi Tokën dhe shkatërroi gjithë racën njerëzore, me përjashtim të një mbetjeje tepër të vogël të saj. Shumë prej tyre flasin për një arkë të madhe me anën e së cilës shpëtuan disa njerëz e kafshë, arkë kjo e cila më në fund qëndroi në majën e një mali. Provat mbi të cilat do të përqëndrohemi këtu janë shkencore. Pavarësisht nga mohimet e disa gjeologëve, zbulimet gjeologjike na tregojnë në një mënyrë të padiskutueshme për një katastrofë të madhe.

Shkëmbinj Sedimentarë

Të paktën 3/4 e sipërfaqes së Tokës, duke përfshirë këtu edhe majat e maleve, është e mbuluar me shkëmbinj sedimentarë. Sedimenti duhet të jetë shkaktuar si pasojë e gërryerjes së sipërfaqes së mëparshme dhe pastaj duhet të jetë transportuar dhe depozituar në këto vende. Kjo është pikërisht ajo që ndodh gjatë një përmbytjeje. Shumë prova na tregojnë se këto shtresa të trasha sedimentare u formuan brenda një periudhe shumë të shkurtër dhe jo gradualisht gjatë milionë e milionë vitesh.

Fosilet

Fosilet na pajisin me prova që vërtetojnë Përmbytjen. Ekziston një numër jashtëzakonisht i madh fosilesh. Kushtet e krijuara prej një përmbytjeje janë ideale për formimin e tyre, pasi një krijesë duhet të varroset brenda një kohe tepër të shkurtër që të mos prishet a hahet nga kafshët grabitqare që të fosilizohet. Fshirja e papritur e dinozaurëve nga faqja e dheut dhe gjetja e shumë tufave të peshqve të fosilizuar që duken qartë se kanë ngordhur papritmas, janë që të gjithë faktorë që tregojnë për një katastrofë të tmerrshme si Përmbytja.

Sasia e madhe e qymyrit

Prova që vërtetojnë një përmbytje gjejmë edhe në studimin që u është bërë qymyreve. Shumë fakte tregojnë se shtresat qymyrore u formuan kur bimësia u shkul nga rrënjët dhe u ridepozitua nga ujërat e një përmbytjeje, në vend të akumulimit të ngadalshëm në një moçalishte torfe siç besojnë evolucionistët. P.sh. janë zbuluar trungje drunjsh deri në mbi tre metra të gjata që qëndrojnë vertikalisht nëpër shtretër qymyresh. Disa drunj, në këto shtresa qymyrore, qëndrojnë në pozicionin me kokë poshtë, gjë që tregon se nuk ka mundësi që ato të jenë rritur në këtë mënyrë aty ku ato gjenden tani. Nëpër shtresat qymyrore janë gjetur edhe fosile qeniesh ujore.

Renditja e fosileve

Renditja në të cilën gjenden fosilet përputhet plotësisht me pasojat e Përmbytjes. I gjejmë këto krijesa të varrosura në sedimente pikërisht në atë renditje të përgjithshme që do të prisnim t’i gjenim pas varrimit të tyre nga një përmbytje. Katastrofa në fillim duhet të ketë pasur efektet e saj në krijesat ujore që jetonin pranë fundit të detit. Sa më e thjeshtë që të ketë qenë kafsha, aq më të pakta kanë qenë mundësitë që ajo t’i shpëtonte këtij fati të keq me anë të lëvizjes apo mendjemprehtësisë.

Në shtresat më të poshtme të shkëmbinjve sedimentarë pra, do të prisnim të gjenim mbetjet e organizmave të thjeshtë jokërbishtorë të ujit dhe pikërisht kjo është ajo që është zbuluar. Përmbytja, nga vetë natyra e saj, ishte diçka kaotike dhe e çrregullt dhe kjo na bën të arrijmë në dy përfundime:

së pari, nuk duhet të çuditemi nëse gjejmë shumë përjashtime nga kjo renditje e përgjithshme që përshkruam; dhe, së dyti, nuk duhet të presim që të gjejmë renditjen e plotë në asnjë vend. Të dhënat që kemi i vërtetojnë këto përfundime, megjithëse këto fakte përbëjnë diçka jashtëzakonisht të vështirë për t’u shpjeguar nga evolucionistët.

Most Popular

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

NJË ZË NGA QIELLI

Këto ditët e para të shkollës, dëgjova një mësues që ankohej që i ngjirej zëri, se duke dashur të dëgjohej përmes maskës,...

Recent Comments