Home Jehona 32 Dy fjalë për lindjen e Krishtit

Dy fjalë për lindjen e Krishtit

Si mund të lindë një virgjëreshë një fëmijë?

E tillë ishte pyetja e Marisë kur u përshëndet me engjëllin i cili i dha lajmin se… ‘…ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vësh emrin Jezus.’ Dhe pak më vonë edhe Jozefi mori një lajm të ngjashëm, përsëri nga engjëlli: ‘Jozef, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë si gruan tënde, sepse ç’është ngjizur në të është vepër e Frymës së Shenjtë.’

Kur diskutojmë për lindjen e Jezus Krishtit, duhet të kemi parasysh që përballemi me një ngjarje të mbinatyrshme. Në fakt, jo se lindja e Jezusit ishte e veçantë (me sa dimë ne Maria e lindi atë sipas mënyrës normale) por se ngjizja ndodhi në mënyrë jo të zakonshme, ashtu sikurse fëmija nuk do të ishte një fëmijë i zakonshëm.

Por disa njerëz kanë hedhur dyshim mbi këtë histori duke pohuar se ajo është në kundërshtim me ligjet e natyrës. Po që kur qenka kufizuar Perëndia (që është “veçse” krijuesi i gjithësisë) nga ligjet e natyrës?! Për dëshmi të mëtejshme, i referohemi një letre që u botua para disa vjetësh në gazetën The Times të Anglisë, e cila u shkrua nga presidenti i shoqatës shkencore Linnaean Society, dhe u firmos nga 14 shkencëtarë të njohur:

“Nga këndvështrimi i logjikës nuk është e vlefshme ta përdorësh shkencën si argument kundër fakteve dhe ngjarjes së mrekullive. Ideja që mrekullitë nuk mund të ndodhin është vepër besimi, ashtu si dhe ideja që ato mund të ndodhin…. Mrekullitë janë ngjarje pa precedent.

Pavarësisht nga moda e sotme e filozofisë, është e rëndësishme të pohohet që shkenca nuk ka asgjë për të thënë në lidhje me këtë temë.” Përgjigjja e engjëllit për Marinë ishte: ‘Me Perëndinë asgjë s’është e pamundur.’

Përse lindi Krishti nga një vajzë e virgjër?

Lindja e Krishtit nga një vajzë e virgjër na kujton se shpëtimi për njerëzimin duhet të vijë nga jashtë njerëzimit. Asnjë njeri i lindur me prejardhje nga burri nuk mund të ishte “avokat mbrojtës” për njerëzimin, sepse jemi të gjithë mëkatarë.

Për këtë arsye erdhi Jezus Krishti në botë. Jezus Krishti lindi nga një vajzë e virgjër, sepse ai nuk është bir i një burri, por Biri i Më të Lartit. Ai zbriti nga qielli në tokë duke marrë trajtën e njeriut në mënyrë që t’u sillte shpëtim njerëzve. Ose Jezus Krishti ka lindur prej virgjëreshe, ose ai nuk ishte shpëtimtari i dërguar nga Perëndia.

Por jeta e tij e veçantë e vërteton se lindja e tij ka qenë e jashtëzakonshme, madje e mbinatyrshme. Profeti Isaia tha: “Prandaj vetë Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin  do ta quajë Emanuel (d.m.th. Zoti me ne).”

Most Popular

NUK TË GËNJEN SYRI

S’të gënjen syri, jo Brenda pak sekondash syri thith gjithë ato imazhe. Si të jesh duke ecur në krah...

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

Recent Comments