Home Jehona 27 “Duaje armikun tënd”

“Duaje armikun tënd”

I biri i themeluesit të Hamasit i kthen shpinën dhunës

Biri i udhëheqësit të Hamasit, Sheik Hasan Jusef i ka kthyer shpinën ideologjisë ekstremiste të babait të vet dhe është bërë ndjekës i Jezusit. Masab Jusef, i biri i një prej figurave më të njohura në Hamas tregon historinë se si u rrit mes anëtarëve të organizatës ekstremiste, e cila inkurajon vetvrasjen me bomba: “Si fëmijë jam rritur në një familje shumë fetare dhe më mësonin të urreja izraelitët.

Për herë të parë jam ndeshur me ta kur kam qenë rreth moshës 10 vjeç, atëherë kur ushtarët hynë në shtëpinë tonë dhe arrestuan babanë. Deri në atë kohë nuk isha ndarë asnjëherë prej tij.” Babai i tij ishte një nga themeluesit e Hamasit në West Bank (Cisjordan): “Pjesëmarrja e tij në Hamas ishte çështje sekrete dhe ne nuk e dinim se ai qe një ndër themeluesit.

Unë nuk kuptoja asgjë. Dija vetëm se ushtria izraelite më kishte arrestuar babanë dhe për mua kjo qe gjithçka.” “Në 1996, kur isha vetëm 18 vjeç, më arrestuan sepse isha kreu i një Shoqërie islamike militante në shkollën e mesme. Deri në atë kohë e njihja Hamasin vetëm përmes babait tim. Në fillim e admiroja me të vërtetë organizatën, kryesisht sepse admiroja babanë.

Por gjatë 16 muajve që kalova në burg m’u zbulua haptas fytyra e vërtetë e Hamasit. Është një organizatë negative. Udhëheqësit e saj nuk kishin aspak integritet. Ata merrnin para në mënyrë të pandershme dhe i investonin në vende të fshehta. Kuptova se asnjë në Hamas nuk është si im atë. Ai është një burrë i këndshëm e miqësor.

Por zbulova se sa të ligj janë kolegët e tij.” Edhe pse Masabi e kishte humbur besimin e vet në Hamas, ai vazhdoi të kishte kontakte të ngushta me ta dhe të ndihmonte të atin në punën e tij kur doli nga burgu: “Për vite me radhë ndihmoja babanë, udhëheqësin e Hamasit. Pavarë- sisht se s’isha terrorist, unë isha pjesë e tyre, i rrethuar nga ata gjatë gjithë kohës.

Kurrë nuk nuk kam qenë ndonjë prej tyre, megjithatë ndihmoja dhe shoqëroja tim atë.” Gjatë kësaj kohe ai u takua me disa të krishterë dhe filloi të lexonte Biblën: “Nisi rreth 8 vjet më parë. Isha në Jeruzalem dhe mora një ftesë të vija dhe të dëgjoja për Krishtin. Shkova nga kurioziteti. U entuziazmova shumë nga ato që dëgjova. Fillova të lexoja Biblën çdo ditë.

Sigurisht që e bëja në fshehtësi. Udhëtoja drejt kodrave dhe ulesha atje në qetësi me peisazh të mahnitshëm dhe lexoja Biblën. Një varg si “Duaje armikun tënd” pati ndikim të madh tek unë. Kjo dashuri kishte një kontrast të mprehtë nga ideologjia e Hamasit, e cila i inkurajonte ndjekësit e vet t’i vrisnin armiqtë e vet.”

“Mësuesit e Hamasit u tregojnë studentëve të tyre për ‘heroizmat e martirëve’ dhe kjo i bën të rinjtë të imitojnë vetvrasësit me bombë në mënyrë që të arrijnë lavdinë. Ata udhëhiqen nga një grup mizor që u shpëlajnë trurin fëmijëve dhe i bëjnë të besojnë se po të kryejnë ndonjë sulm kamikaz do të shkojnë në parajsë!”

“Çdo ditë shihja gjërat e tmerrshme që kryheshin në emër të fesë prej atyre që e konsideronin veten ‘besimtarët e mëdhenj’. Doja të ndihmoja tim atë të kuptonte se të lëndosh njerëzit e pafajshëm është e ndaluar dhe nëpërmjet tij ndoshta të ndryshoja të menduarin e njerëzve të tjerë.

Jezusi u mësoi ndjekësve të tij se ‘nëse dikush të godet në faqen e djathtë, ktheji atij edhe tjetrën’ dhe i urdhëroi ata ‘duani armiqtë tuaj dhe lutuni për ata që ju përndjekin’.” Pasi Masabi shpalli besimin e tij te Krishti, u detyrua të linte vendin, miqtë dhe familjen dhe të kërkonte strehim politik jashtë vendit: “Nuk kam para, nuk kam shtëpi. Isha gati të bëhesha si njerëzit e pastrehë, por njerëzit nga kisha këtu po më ndihmojnë.”

Pavarësisht këtyre vështirësive, ai mbetet optimist. Ai ka plane të mëdha për të ardhmen dhe dëshiron të ndihmojë ata që janë mbërthyer në aktivitete terroriste:“Po përpiqem të krijoj një organizatë për të rinjtë në Lindjen e Mesme. Dua t’u mësoj të rinjve si të duan dhe të falin, sepse kjo është e vetmja rrugë që dy kombe të mund të mposhtin gabimet e së shkuarës dhe të jetojnë në paqe.”

Për shkak të kthimit të tij në një besim tjetër jeta e tij është në rrezik: “E di se po rrezikoj jetën, madje rrezikoj të humbas babanë, po shpresoj se ai do të kuptojë dhe se Zoti do t’i japë atij dhe familjes sime durimin dhe gatishmërinë të hapin sytë për Jezus Krishtin. Shumë njerëz do të më urrejnë, por po u them se i dua që të gjithë, edhe ata që më urrejnë. I ftoj të gjithë ata njerëz, përfshirë edhe terroristët, të hapin zemrat dhe të besojnë.”

Most Popular

NUK TË GËNJEN SYRI

S’të gënjen syri, jo Brenda pak sekondash syri thith gjithë ato imazhe. Si të jesh duke ecur në krah...

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

Recent Comments