HomeJehona 37DIJETARËT

DIJETARËT

Kush ishin dijetarët e Krishtlindjes?

Sipas Biblës, dijetarët ishin njerëz ‘nga lindja’, të cilët u frymëzuan nga shfaqja e yllit për të udhëtuar në Jerusalem. Atje ata takuan mbretin Herod të Judesë dhe e pyetën se ku kishte lindur mbreti i judenjve. Pastaj Herodi pyeti këshilltarët e tij se ku mund të lindte Krishti i premtuar.

Ata u përgjigjën në Betlehem, një qytet i vogël aty afër, dhe cituan një profeci nga Bibla. Ndërsa dijetarët ishin rrugës për në Betlehem, ylli u shfaq sërish. Duke ndjekur yllin, i cili ndaloi mbi vendin ku kishte lindur Jezusi, dijetarët gjetën Jezusin me nënën e tij, e nderuan, e adhuruan dhe i dhanë dhurata.

Sipas Ungjillit

Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, ja që disa dijetarë nga lindja arritën në Jerusalem, duke thënë: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve. Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar”.

Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë u shqetësua, dhe bashkë me të mbarë Jerusalemi. Dhe, mbasi i mblodhi të gjithë krerët e priftërinjve dhe skribët e popullit, i pyeti ku duhet të lindte Krishti. Ata iu përgjigjën: “Në Betlehemin e Judesë, sepse kështu ka shkruar profeti: “Dhe ti, o Betlehem tokë e Judës, ti nuk je kurrsesi më i parëndësishmi ndër qytetet princërore të Judës, sepse prej teje do të dalë prijësi, që do ta udhëheqë popullin tim, Izraelin.”

Atëherë Herodi i thirri fshehurazi dijetarët, dhe i pyeti me hollësi se kur e kishin parë yllin për herë të parë. Pastaj i dërgoi në Betlehem duke u thë­në: “Shkoni dhe pyesni me kujdes për fëmijën; dhe, kur ta gjeni, më lajmëroni që të vij edhe unë ta adhuroj”.

Dhe ata, pasi e dëgjuan mbretin, u nisën; dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u shkonte përpara atyre derisa u ndal përmbi vendin ku ndodhej fëmija. Ata, kur e panë yllin, u gëzuan me gëzim shumë të madh. Dhe, si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, të ëmën e tij, ranë përmbys dhe e adhuruan.

Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan: ar, temjan dhe mirrë. Pasi Perëndia i udhëzoi në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, ata u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër. Tani pasi u nisën Dijetarët, ja një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit dhe i tha: “Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe ik në Egjipt, dhe rri aty deri sa të të lajmëroj, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë”.

Jozefi, pra, u zgjua, mori fëmijën dhe nënën e tij natën dhe iku në Egjipt. Banoi atje derisa vdiq Herodi që të plotësohej fjala e Zotit e thënë me gojë të profetit: “Nga Egjipti e thirra Birin tim.” Atëherë Herodi, kur pa se e mashtruan Dijetarët, u zemërua së tepërmi dhe urdhëroi të vriteshin të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Betlehem dhe në mbarë rrethinën e tij dy vjeç e poshtë.

Atëherë u përmbush ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Jeremi: “U dëgjua një klithmë në Ramë vaj e gjëmë e madhe: vajton Rakela fëmijët e vet e nuk do të ngushëllohet sepse nuk i ka më!” Pasi vdiq Herodi, ja një engjëll i Zotit i shfaqet në ëndërr Jozefit në Egjipt, dhe i thotë: “Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe shko në vendin e Izraelit, sepse ata që donin ta vrisnin fëmijën kanë vdekur”.

Dhe ai u çua, mori fëmijën dhe nënën e tij dhe shkoi në vendin e Izraelit; Por, si mori vesh se në Jude mbretëronte Arke­lau në vend të Herodit, të atit, pati fri­kë të shkojë atje; dhe, mbasi u udhëzua nga Perëndia në ëndërr, iku në krahinën e Galilesë, dhe, mbasi arriti atje, zuri vend në një qytet që quhej Nazaret, që të përmbushej ajo që ishte thënë nga profetët: “Ai do të quhet Nazareas”.

Most Popular

Recent Comments