Risqe në peshore
Jeta është e mbushur me rreziqe të vogla e të mëdha. Çdo ditë të duhet të llogarisësh riskun e asaj që do të bësh apo koston e asaj që do të lësh pas dore: Të ruash punën apo shëndetin? Distancën apo mendjen? Ta vesh maskën këtu apo pastaj? T’i rri shokut më afër apo më larg? Kjo situatë e qartësoi që jeta është e mbushur me zgjedhje, shpeshherë midis dy të këqijave. Mirë e ka thënë populli: Zoti na ruajtë mendtë e kokës!
Njeriu kërkon përgjigje
Sa të etur ishin njerëzit për të marrë shpjegime mbi situatën, sidomos gjatë muajve të para të pandemisë! Se i kërkonin në vendin e duhur, apo ishin në gjendje të dallonin cilat sqarime ishin të sakta dhe cilat jo, prapë së prapë, të gjithë njerëzit ishin të uritur për informacion. Pse? Se ashtu na ka krijuar Zoti. Jemi qenie që e ndiejmë të nevojshme të kuptojmë botën përreth.
Gënjeshtra përtypet kollaj
U vërtetua në mënyrë përfundimtare që njerëzit e kanë më kollaj të besojnë gënjeshtrën sesa të vërtetën. Teoritë konspirative nga më të çuditshmet pushtuan faqet e gazetave, mbushën portalet dhe u shpërndanë në mënyrë të rrufeshme si asnjëherë tjetër. Kush e ka fajin? Media që i promovon lajmet e rreme apo publiku që merret me llafe kot? Por kjo s’është ndonjë gjë e re. Edhe në kohët e vjetra, Zoti e komentoi situatën e popullit të tij me këto fjalë: “Është kryer një gjë e shëmtuar: profetët profetizojnë në mënyrë të rreme, ndërsa popullit tim i pëlqen që gjendja është e tillë. Por çfarë do të bëni kur të vijë fundi?”.
Nuk e dimë të ardhmen
Cili horoskop parashikoi që do të binte kjo flamë? Cili drejtues shteti? Madje, edhe ata virologë që kishin paralajmëruar rrezikun e një pandemie, nuk e parashikuan që do të binte një virus i tillë. Vetëbesimi ynë i tepruar merr përgjigjen e merituar nga Bibla: “Mos u mburr me ditën e nesërme, sepse nuk di atë që mund të sjellë një ditë”.
Kotësia e shumë gjërave
Ndoshta e keni ditur që prioritetet nuk i keni patur ashtu siç duhet, por tani është qartësuar më shumë kjo gjë. Ai zëri i brendshëm që të thoshte që ato plane, projekte, e dëshira për të cilat po e vrisje mendjen kaq shumë nuk janë aq të rëndësishme, tani të bërtet me zërin e Predikuesit: “Kotësi e kotësive. Gjithçka është kotësi”. Pra, nëse kjo krizë nuk të bën të rivlerësosh rëndësinë e gjërave, çfarë ngelet për të thënë?
S’jemi zotër
Shkenca ka bërë përparime të mëdha. Në krahasim me brezat që erdhën para nesh, disponojmë shumë më tepër tekonologji, e jemi mësuar të zotërojmë pjesën më të madhe të gjërave që na rrethojnë. Por, mos ndoshta kjo na ka krijuar ide të ekzagjeruara përsa i përket pushtetit tonë mbi jetën? Vjen pastaj një pandemi, duke shpuar flluskën e iluzionit që ne jemi në kontroll.
O sa e brishtë!
E morëm vesh që jeta është më e pasigurtë nga sa menduam. Njerëz që njohim kanë ikur papritur. Të tjerë kanë ngelur duke luftuar për të rifituar shëndetin e humbur. Fjala e psalmistit është me vend: “Ditët e njeriut janë si bari; ai lulëzon si lulja e fushës;në qoftë se era i kalon sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet më”. Kjo na çon te konkluzioni: “Na mëso, o Zot, të numërojmë ditët tona, që të fitojmë një zemër të urtë”.
Fati është mister
Edhe pse virusi ka goditur më shumë ata që janë në moshën e tretë, ka edhe 90 vjeçarë që e kanë hedhur e 40 vjeçarë që kanë ngecur. Kush mund të thotë se cili do të jetë fati i tij? Në kohët biblike, i moçmi Isak tha: “Ja, unë jam plak dhe nuk e di në ç’ditë kam për të vdekur”. Bibla shton: Sepse njeriu nuk e njeh orën e tij; ashtu si peshqit që kapen në një rrjetë dhe si zogjtë që kapen në një kurth, kështu bijtë e njerëzve kapen në kurth në kohën e fatkeqësisë, kur ajo bie papritur mbi ta.
Shpresa të mban gjallë
Shumë njerëz kanë përjetuar sëmundje gjatë vitit që shkoi, jo vetëm KOVID. Por akoma më shumë njerëz kanë përjetuar kriza shpirtërore, duke luftuar me frikën, izolimin e fajin. U bindëm se sa e domosdoshme është shpresa në jetën e njeriut. Mund të bësh pa shumë gjëra në jetë, por shpirti që ka ngelur pa shpresë, është vërtetë në hall. Kritikohet njeriu përse i hedh sytë Zotit vetëm kur e zë e keqja. Por unë them më mirë vonë sesa kurrë! A nuk tha Jezusi vetë: “Unë kam ardhur të shpëtoj të humburit”?
Ku po beson?
Siç ndodhi me Titanikun po na ndodh neve. Thanë që ajo ishte e pambytshme. Kryelartësia shkoi deri aty sa thoshin “S’ka perëndi ta mbysë këtë anije!”. Por ajo që u konsiderua më e sigurta, u përplas papritur me një akullnajë gjigante dhe u fundos. Disa nga njerëzit më të pasur humbën jetën atë ditë. Por edhe të tjerë që ishin të varfër e të panjohur. Deti i ftohtë nuk bëri dallim. Dallim bëri vetëm Zoti, i cili mori shpirtrat e tyre e duke i ndarë i çoi në një nga dy vendet.
Besimi nuk është imunitet
Disa besimtarë janë shprehur se virusi nuk i prek se i mbron Zoti. Koronavirusi, si asnjëherë më parë, ka nxjerrë në pah që këto lloj pretendimesh janë të gabuara. Besimi te Zoti nuk të përjashton nga rreziqet që ka kjo botë. Besimtari i urtë e di që jeta ka prova, por ai vazhdon të besojë te Zoti edhe në kohëra të mira edhe në kohëra të vështira. Edhe Jezusi kështu i tha dishepujve të tij: “Në këtë botë do të keni shqetësime”. Ai nuk i premtoi që jeta do të ishte fushë me lule, por që në çdo hap, ata do të përjetonin paqjen e Perëndisë në zemrat e tyre dhe në fund do të ishin me Zotin.
Jeta vazhdon
Sado probleme që shkaktoi pandemia, jeta vazhdon. Gjatë këtij viti janë martuar, kanë lindur, dikush filloi një shkollë, një tjetër e mbylli diplomën, dikush po ndërton shtëpi, një tjetër ka blerë makinë. Edhe pse disa e kanë humbur vendin e punës, shumë të tjerë kanë vazhduar të ngrihen në 6 të mëngjesit se janë turni i parë. Zë vend urtësia biblike: “Për çdo gjë ka një kohë…”
“A vdekja a liri”!?
Kur e shikon më mbrapa, duket shumë e çuditshme sa shumë i kemi komentuar ato kufizimet e lirisë sikur qeveritë po na e bënin kastile çdo gjë për inat. Ndoshta masat nuk ishin efikase, por kujt i interesonte të na e bënte kot këtë punë? Akoma nuk e keni kuptuar që kur e shikojmë jetën me syzat e egoizmit tonë, e shohim shtrembër? Të tjerët po vdesin edhe unë mërzitem për faktin që jam mbyllur në shtëpi me familjen time pas orës 10. Ç’është kjo?
Ka akoma njerëz të mirë
I pamë ato skenat e shëmtuara në vendet e “qytetëruara” ku shumëkush mendoi vetëm për vete. Media këto raste i pret. Megjithatë, kush është i informuar, e di që ka shumë e shumë persona që kanë shfaqur mirësi pa interes ndaj të tjerëve në këtë kohë të vështirë. Bota ka probleme plot, por njerëzit e mirë nuk janë zhdukur ende. Më thuaj, a e kam gabim?
Jemi ankuar kot
Që jemi ankuar kot pa rënë kjo murtajë, të gjithë e themi. Përse nuk ishim më mirënjohës kur jeta ishte më normale?
A jeni mirë me shëndet? I ke mirë fëmijët? Je në punë? Ka njerëz që kujdesen për ty, që të duan dhe të qëndrojnë afër? A keni për të ngrënë? A gëzoni shtëpi edhe mjete komunikimi? Kur jemi mirë, shumica prej nesh nuk e marrim mundimin të falenderojmë Zotin për bekimet e tij. Përse jemi kaq mosmirënjohës?
Nuk vëmë mend
Një i mënçur ka thënë që “Historia na mëson që historia s’na mëson asgjë”. Shumë përmendore ka për ushtarët që humbën jetën gjatë luftës së parë botërore, por sa ka për ata njerëz (më të shumtë në numër) që u shuan nga gripi spanjoll? Mos vallë kjo ndodh sepse pandemitë e nxjerren bllof pretendimin e klasës drejtuese që gjithçka mund të zgjidhet? Por le të fokusohemi te indivdi. Sa veta do të ndryshojnë karakterin e tyre për mirë për shkak të pandemisë? Ka shumë njerëz që nuk zënë mend asnjëherë, edhe pse kalojnë në prova të forta. Gjasat janë që ai që ishte i mirë, do të vazhdojë të jetë i mirë, ndërsa ai që është i keq, do të vazhdojë të jetë i tillë. Veçse ndodh një mrekulli në shpirtin e tij…