HomeMesazhi 8VITI I RI PA BIXHOZ?

VITI I RI PA BIXHOZ?

Fati i keq i lojërave të fatit

Sipas të gjitha të dhënave lojërat e fatit kanë lulëzuar në mënyrë të jashtëzakonshme jo vetëm në Shqipëri por edhe në të gjitha shtetet fqinje dhe më gjerë gjatë viteve të fundit. Në Shqipëri kanë funksionuar në mënyrë legale me mijëra kazino dhe ambjente bastesh ndërsa shumë emigrantë shqiptar janë bërë klientë të rregullt të kazinove në shtetet ku jetojnë.

Sociologët e shikojnë industrinë e lojërave të fatit si negative për përparimin e shoqërisë. Jo thjesht se u merr paratë të varfërve por ka një shumicë rastesh që njerëzit kanë humbur pasuri të shumta, pasi klientët e lojrave të fatit i përkasin një spektri të gjerë të shoqërisë.

Anët negative të lojërave të fatit nuk janë panjohura, prandaj ka lindur një diskutim se përse njerëzit janë vënë aq shumë pas tyre. Disa e gjejnë fajin te papunësia e lartë dhe varfëria.

Përqasja midis sportit, kafes dhe basteve është treguar shumë tërheqëse, sidomos për burrat, për të cilët ngjan se është një kombinim gati gati i parezistueshëm. Ndërkohë, dëshira për të fituar para ngelet faktori kryësor nxitës.

A është kumari mëkat?

Kumari ka shumë forma: llotaritë, “kompjuterat”, bingot, bixhozi, bastet sportive, edhe tani forma të ngjashme në internet. Fjala e Zotit na paralamëron të qëndrojmë larg lakmisë për para. Shkrimi i shenjtë na nxit gjithashtu të qëndrojmë larg përpjekjeve për t’u pasuruar shpejt. Padiskutim që kumari rrjedh nga lakmia për para dhe padyshim që i josh njerëzit me premtimin se mund të pasurohen në mënyrë të shpejtë.

Njerëzit shpërdorojnë para në shumë lloje aktivitetesh. Por fakti që paratë shpenzohen kot edhe në aktivitete të tjera nuk e justifikon kumarin. Lekët duhet të kursehen për t’u shpenzuar në mënyrë të dobishme. Jeta ka treguar se kumari e prish njeriun. Ai zëvendëson vlerat e mira me lakminë dhe vetkënaqësinë.

Kumari nxit neglizhencën e fëmijëve, të përfshin në shoqërinë e gabuar, kultivon përtacinë dhe e çon njeriun drejt veseve të tjera si pija dhe droga. Në të gjitha format e saj, ajo është e gabuar.

Një herë i thanë mbretit: “Yt bir po merret me dashuriçka dhe po prish një pjesë të pasurisë”. “Do të lodhet e do të kthehet” – u përgjigj mbreti. Pas disa kohësh i thanë përsëri: “Yt bir ka filluar të pijë e të harxhojë shumë kohë nëpër gostira”. “I keqi i vetes, por jo i mbretërisë. Do ta kuptojë një ditë e do të kthehet” – u përgjigj mbreti. Pas disa kohësh i thanë mbretit plak: “Yt bir luan bixhoz.” “Ah, i gjori unë” – tha mbreti. “Tani mori fund mbretëria ime!”

Si mund të ruhesh?

Prindi e ruan fëmijën duke e mësuar për rrezikun e saj. Miku i thotë mikut, “Mos e bëj!”. Por mënyra kryesore për të ruajtur veten prej këtij vesi skllaverues është të kesh këndvështrim e duhur për të mirat e tua materiale. Kur e kupton që të mirat materiale janë një dhuratë nga Zoti, fillon t’i shikosh ndryshe nga sa i shikoje më përpara. Kështu që, unë të jap këto këshilla:

E para, duhet të kuptosh që çdo gjë i përket Zotit. Ai është pronari i vërtetë i të gjitha gjërave. “Të miat janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male. I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat.”

E dyta, duhet të kuptosh që çdo gjë që ke – përfshi paratë, pronat, dhe kohën – është dhuratë nga Perëndia. Janë dhurata, jo në kuptimin që Perëndia t’i dhuron t’i përdorësh si të duash, por në sensin që mbreti i jep vartësit të drejtën për të qeverisur mbi një pjesë të mbretërisë së tij. I mençuri Solomon tha: “Çdo njeriu të cilit Perëndia i jep pasuri dhe të mira dhe të cilit i jep gjithashtu mundësinë t`i gëzojë ato, ta dijë që kjo është një dhuratë e Perëndisë.”

E treta, duhet të jesh i vetëdijshëm që Zoti të shikon dhe që Ai do të të kërkojë llogari një ditë për pjesën që të ka dhënë. Shëmbëlltyra e thesareve na mëson se duhet t’i japim llogari Perëndisë:

“Tani mbas një kohe të gjatë, u kthye Mbreti dhe i bëri llogaritë shërbëtorëve. Dhe ai që kishte pesë thesarë doli përpara dhe i paraqiti pesë të tjerë, duke thënë: “Zot, ti më besove pesë; ja, me ato unë fitova pesë të tjerë”.

Dhe Mbreti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd”. Në fund erdhi edhe ai që kishte marrë vetëm një thesar dhe tha: “Zot, unë e dija se je njeri i ashpër, që korr atje ku nuk ke mbjellë dhe vjel ku nuk ke shpërndarë, prandaj pata frikë dhe shkova dhe e fsheha thesarin tënd; ja, unë po ta kthej”.

Dhe i zoti duke i përgjigjur i tha: “Shërbëtor i mbrapshtë dhe përtac. Ti duhet t`ia kishe besuar denarin tim bankierëve dhe kështu, në kthimin tim, do ta kisha marrë me interes. Prandaj ia hiqni këtij thesarin dhe flakeni në errësirë këtë shërbëtor të pavlefshëm.”

E katërta, duke qënë i ndërgjegjshëm që gjerat materiale janë nga Zoti, duhet të kënaqesh me ato që ke pa kaluar në lakmi. Jo që s’duhet të përpiqesh të fitosh më tepër (me fuqinë që të jep Perëndia dhe brenda normave të tij) por ta bësh këtë pa e shëndërruar lekun në idhull.

Gjithsesi, duke qënë falendërues për ato që ke do të gjesh më shumë kënaqësi në to. Ki parasysh që mosmirënjohja është krimbi që prish shijen e frytit më të mirë.

Previous article
Next article

Most Popular

Recent Comments