HomeMesazhi 6Të torturuar për Krishtin

Të torturuar për Krishtin

Policia sekrete e persekutonte shumë kishën e fshehtë, sepse dallonin tek ajo të vetmen rezistencë që kishte mbetur. Ishte rezistencë shpirtërore, e cila, nëse nuk ndalohej, do të shkatërronte fuqinë e tyre ateiste. E dalluan kërcënimin ndaj tyre ashtu siç mund ta bëjë vetëm djalli.

E dinin se, nëse dikush besonte te Krishti, nuk do të ishte më njeri pa vullnet apo mendim të vetin. E dinin se mund të burgosnin trupin, por s’mund të burgosnin shpirtin e njeriut, besimin e tij te Perëndia, ndaj e luftonin shumë ashpër. Të krishterët vareshin përmbys në litarë dhe rriheshin aq ashpër saqë trupat e tyre lëkundeshin sa në një anë në tjetrën prej goditjeve.

Vendoseshin edhe në kutitë e akullit ndryshe “qelitë frigorifer”, të cilat ishin aq të ftohta, ngaqë pjesa e brendshme mbulohej nga akulli. Më hodhën në njërën prej tyre ndërsa isha veshur mjaft hollë. Mjekët e burgut vështronin përmes një të çare dhe kur dallonin simptomat e ngrirjes për vdekje, atëherë jepnin sinjalin dhe rojat hynin brenda për të na marrë e për të na ngrohur.

Sapo ngroheshim, na dërgonin përsëri në qelitë e akullta për të ngrirë. Kjo gjë përsëritej e përsëritej! Ajo çka u kanë bërë komunistët të krishterëve ia tejkalon çdo kuptimi njerëzor! Kam parë komunistët t’u shkëlqente fytyra nga gëzimi kur i torturonin besimtarët. Thërrisnin ndërsa torturonin të krishterët:
«Ne jemi djalli!»

Pamë vërtetë se komunizmi nuk vjen prej njerëzve, por prej djallit. Është një forcë shpirtërore, një forcë e ligë, dhe mund të mundet vetëm nga një forcë më e madhe shpirtërore, Fryma e Perëndisë. I kam pyetur shpesh torturuesit: «A nuk keni dhembshuri?»

Zakonisht përgjigjeshin me citime nga Lenini: «S’mund të bësh omëletë pa thyer lëvozhgën e vezës» dhe «S’mund të presësh dru pa shpërndarë ashkla». Mizoria e ateizmit është e vështirë për t’u besuar. Kur një njeri nuk beson në shpërblimin e së mirës apo dënimin e  së keqes, atëherë nuk ka arsye pse të jetë human.

Nuk e pengon asgjë të shprehë gjithë ligësinë që gjendet tek ai. Torturuesit na thoshin: «Nuk ka Perëndi, nuk ka jetë pas vdekjes, nuk ka dënim për të keqen. Mund të bëjmë çfarë të duam». Dëgjova një torturues të thoshte: «E falënderoj Zotin, të cilit nuk i besoj, që kam jetuar deri në këtë orë që të mund të shpreh të gjithë ligësinë e zemrës sime».

Mësova prej tyre. Meqenëse nuk lejonin vend për Zotin në zemrat e tyre, vendosa të mos lija aspak vend në zemrën time për Satanin. Kam dëshmuar përpara Senatit të SHBA-së. Kam përshkruar gjëra të tmerrshme, si për shembull të krishterë të lidhur në kryqe për katër ditë e katër net.

Kryqet vendoseshin në dysheme dhe të burgosur duhej të kryenin nevojat e tyre personale mbi trupat e personave të kryqëzuar. Më pas, kryqet ngriheshin përsëri dhe komunistët talleshin dhe i përbuznin: «Shikojeni Krishtin tuaj!»

Të gjitha përshkrimet biblike të ferrit dhe dhimbjet e ferrit të Dantes s’mund të krahasohen me torturat në burgjet komuniste. Në burg, oficeri politik më pyeste  ashpër: «Sa gjatë do të vazhdosh ta mbash fenë tënde të marrë?»

I thashë: «Kam parë shumë ateistë që në shtratin e vdekjes u penduan se kishin qenë të paperëndishëm, dhe i thirrën Krishtit. A mund ta imagjinoni që një i krishterë të pendohet, kur i afrohet vdekja dhe të thërrasë Marksin apo Leninin për ta shpëtuar prej besimit të tij?”

Oficeri  qeshi: «Përgjigje e zgjuar». Vazhdova: «Fakti që mund të jesh ateist kur gjithçka shkon
mirë nuk vërteton të vërtetën e ateizmit».

Kjo është dëshmia e burgosjes  katërmbëdhjetë vjecare nën diktaturën rumune të pastorit Riçard Vurmbrantit. 

Most Popular

Recent Comments