SHTATË MËKATET E VDEKJES

0
34

Mendjemadhësia

I pari nga shtatë mëkatet e vdekjes është mendjemadhësia. Ajo nënkupton nderim pa masë të vetvetes. E thënë thjesht, të pëlqen vetja. Mendjemadhi pandeh se vetëm ai ka të drejtë. Njerëzit me mendje krenare nuk pranojnë askënd tjetër.

Ata shohin fijen e kashtës në syrin e tjetrit, por trari nuk syrin e tyre nuk i shqetëson. Njeriu lind egoist. Por, gjatë rrugës bëhet akoma më keq. Sidomos kur pasurohet. Për shkak të parasë, i rritet mendja shumë kollaj njeriut. Rrezikohet edhe i talentuari.

Fillon të kënaqet me superioritetin e tij dhe i pëlqen të shikojë të tjerët më poshtë se vetja. Kush është ai që u bë i famshëm dhe nuk fluturoi nga mendja?! Por duhet ta dish, që Zoti e urren mendjemadhësinë. Ajo të çon në vetë-adhurim:

“Unë, unë, unë…” thotë mendjemadhi, dhe kjo është e patolerueshme! Në këtë mënyrë, ai i ngjan djallit, sepse edhe ai kërkoi të ngrihej më lart se Zoti vetë. Kujdes nga mendjemadhësia. Mos u bëj shok me djallin!

Inati

I dyti nga mëkatet e vdekjes është inati, ose zemërimi. Inati është një mëkat që të ha nga brenda dhe pastaj shpërthen si vullkan duke shkatërruar gjithçka. Inati zbulon natyrën shtazore të njeriut. Shumë njerëz janë të dashur, të mirë, të sjellshëm gjersa nuk i rrëmben stuhia e zemërimit, e atëherë shndërrohen në qenie të paarsyeshme, të papërmbajtura, që i ngjajnë më tepër bishës sesa njeriut të qytetëruar.

Të gjithë ne jemi të rrezikuar nga inati. Prandaj, duhet të mësojmë ta zbusim inatin me arsye, e të mos nxitohemi në të liga. Shumë njerëz ruajnë inat për të shkuarën. Por, a ja vlen të hidhërohemi për diçka që i takon së kaluarës? Inati ka një kosto të madhe.

Fillimisht ta shtrëmbëron fytyrën. E pastaj t’i helmon zemrën e gojën. Në fund të bie vlera në sytë e të tjerëve. Inati është babai i vrasjes. Është pikërisht ky që e lëviz dorën e vrasësit. Prandaj, mos e lejo inatin të të fusë në grackë. Munde inatin përpara se ai të të mundë ty.

Inati nuk është i pashërueshëm, përveç kur njeriu nuk dëshiron apo zgjedh të mos shërohet. Mos i përdor më ato justifkime të dobëta si: “E kam nga babai” apo “Jemi fis nevrik.” Zotit i takon gjykimi, jo neve. Rruga e Perëndisë është rruga e dashurisë dhe e faljes, jo rruga e inatit dhe e mllefit.

Zilia

Mëkati i tretë i vdekjes është zilia. Njeriu ziliqar, e shikon fitimin e tjetrit, si humbjen e tij. Dhe suksesi i njerëzve të tjerë, si dështimi i tij. E kështu me radhë. Por ka diçka ironike në këtë mes.

A ke parë ndonjëherë të ketë sukses në jetë një që është i mbushur me zili? Ai që ushqen zilinë ndaj atyre që janë më të pasur, nuk ka asnjë fitim prej kësaj. Gjendja e tij materiale nuk përmirëohet, përkundrazi, vetëm sa bëhet më i varfër në mendjen e vet.

Aty ku është zilia, ka edhe grindje dhe çdo gjë të keqe. Shekspiri tha njëherë: “O zili, shpata gjakësore nuk ka as gjysmën e mprehtësisë sate!” Njeriu ziliqar është armik i vetes dhe i të afërmve të tij. Më tregoni vetëm një njeri ziliqar që ka qenë apo që është i gëzuar!

Zoti urren zilinë dhe xhelozinë. Mos u bëj njeri ziliqar. Është e pamundur që ziliqari të marrë bekimin e Perëndisë. Zilia të ndan nga Zoti.

Ndyrësia

Një nga mëkatet e vdekjes është imoraliteti apo ndyrësia. Bazën e ka në epshin e papërmbajtur. Mendjeprishuri argumenton se epshi është një instinkt krejt natyror dhe i justifikueshëm. Mirëpo, imoraliteti është një mëkat i rëndë sepse përdhos një nga dhuratat më të çmueshme që Perëndia i ka dhënë njeriut – dashurinë.

Prandaj, imoraliteti shkatërron shpirtin. Nëse e shet shpirtin në këmbim të ndyrësisë, do ta paguash me këste gjatë gjithë jetës. Është më mirë të heqësh dorë prej saj sepse ajo të çon në shkatërrim. Në orën e dobësisë sonë mashtrohemi dhe i nënshtrohemi fuqisë së epshit. Por mjerë ne nëse e bëjmë!

Grykësia

Një nga mëkatet më të nënvlerësuara është grykësia. Standardi i jetës dhe mirëqenia janë rritur në botë. Si pasojë njerëzit kanë nisur të adhurojnë kënaqësinë. Barku është bërë perëndia i tyre, dhe besojnë që me anë të teprimit kanë gjetur parajsë mbi tokë. Por teprimi në të mira është fillim i të këqijave.

Grykësia është një rrezik serioz. I ngjan epshit. Imagjino një njeri të pafrenuar në të ngrënë, në të pirë dhe në të dehur ndërsa tjetri s’ka bukë të hajë. Uria fizike është dukuri normale. Por kur shndërrohet në lakmi është tjetër gjë. Kësaj i thonë të jetosh për të ngrënë.

Por Zoti nuk mund t’i dojë njerëzit, perëndia e të cilëve është vetëm barku. Parulla e grykësisë është: “Ha, pi se një herë jeton!” Ky brez mendon se rruga e vetme drejt lumturise është begatia materiale. Zbulojmë këtu një absurditet: barku mbushet me gjithë të mirat, kurse shpirti vdes nga uria.

Përtacia

Përtaci e lë të pa bërë atë që duhej bërë. Përtaclluku vafëron njeriun nga materiale dhe shpirtërore. Prandaj ajo është një nga shtatë mëkatet e vdekjes. Të vret ngadalë dhe fshehtësisht, por megjithatë vret. Është një e keqe e madhe të bëhesh barrë për të tjerët, kur ke mundësi të jesh i dobishëm.

Të gjithë e dënojnë njeriun që përton të vishet apo të lahet. Por a nuk është një e keqe akoma më e madhe kur ti njeh dikë që ka ranë në hall, dhe në vend t’i japësh dorën i bën sehir? Jo që s’ke mundësi, thjesht përton të lëvizësh gishtin.

A e ke vënë re gjithashtu, që shumë prej atyre që janë përtac, i akuzojnë të tjerët për dembelluk? E çuditshme. Tani, duhet ta dish që s’duhet bërë asgjë më tepër për ta humbur shpirtin, vetëm rri përtac! Shumë njërëz thonë që ka Zot, por nuk e kërkojnë.

Më tepër kanë dëshirë të pijnë kafe tërë ditën e luajnë me telefonin se sa të kalojnë pesë minuta duke e lexuar Biblën – e jo më të shkojnë në kishë. A je ti i tillë? Kësaj i thonë të pranosh të vërtetën vetëm në teori. Dmth, të dish cila është rruga, dhe të mos lëvizësh nga vendi për të hyrë në atë rrugë.

Ky është qendrimi i zakonshëm i mëkatarit të pandreqshëm. Kjo mëndësia që gjendet sidomos te vjedhësit, te të pamoralshmit, te kapriciozët, te lakmiçarët, tek grykësit, te përtacët…

Pangopësia

Një mëkat i rëndë në sytë e Perëndisë është edhe pangopësia. Asnjë mëkat nuk e varfëron dhe nuk e zvogëlon gëzimin e jetës sa tamaqarllëku. Paraja mund të na verboj aq shumë sa s’e shohim më as diellin. Dashuria për lekun ta pushton zemrën aq shumë, sa për njerëzinë e për Perëndinë s’ka më vend!

Por çfarë kuptove nëse tërë botën e fiton, kur e humb shpirtin në fund?! Ndoshta mëkati më i madh në shoqërinë e sotme është pangopësia. Vrapon pas parasë, dhe nuk mendon aspak për tjetrin, për Zotin, e as për shpirtin. Pasuria s’është mëkat. Por në qoftë se kjo ia zë frymën jetës sonë shpirtërore, atëherë humbasim gjithçka në fund.