HomeJehona 34Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë

Përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe pa­varësi kanë vazhduar gjatë gjithë pe­­riudhës së sun­dimit osman. Historia ka pas­qyruar shumë ngjarje që e dëshmojnë këtë, duke filluar me kuvendet e famshme ndër­krahinore shqip­tare dhe ato ballkanike të shekujve XV-XVI.

Por, të gjitha përpjekjet për liri, qofshin ato që erdhën në periudhën e dobësimit të pushtetit turk, u shtypën egërsisht, duke i lënë shqiptarët në disavantazh krahas popujve të tjera të Ballkanit. Si rredhojë, nëntori i viti 1912, i gjeti tro­jet shqiptare si fushë lufte.

Në kurriz të shqip­tarëve të gjithë përpiqeshin të copëtonin atë që kishte mbetur nga Turqia europiane. Në këto kushte, patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut vendosën të ndërmerrnin një veprim politik për të shpëtuar popullin nga një pushtim të ri.

Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi u nisën nga Stambolli dhe arritën në Bukuresht, ku u organizuar mbledhje e kolonisë shqiptare. U vendos të themelohej “një komitet drejtonjës” që të merrte në dorë situatën, dhe të krijohej një komision që do të shkonte në Evropë për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar përpara përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha.

Ismail Qemali me shokë shkoi në Vjenë, ku bisedoi me qeverinë austro-hungareze, me am­basadorin anglez dhe me ambasadorin ita­li­an. Ai i deklaroi më 10 nëntor ambasadorit ang­lez se do të nisej së shpejti për në atdhe për të ma­rrë pjesë në një mbledhje të krerëve shqiptarë. Më datë 18 nëntor Paria e Vlorës merr një telegram nga Ismail Qemali i cili ju thotë se “përpara së premtes jam atje.

E mbledhmja e përfaqësuesve në Durrës apo në Vlonë është krejt e nevojshme. I thirni të gjithë. Gjer sa të mbërrijë un, mbani qetësien e bash­­kimin. Çashtja jonë politike u sigurua fare.” Ky njoftim, me një telegram të firmosut “N’emër të gjithëve” nga Xhemil Bej Vlora, Elmas Kanina e Leonidha Bezhani.

Në atë njoftim ata ju thonë “…Lutemi për shpëtim të atdheut, që përfaqësuesit në fjalë tyke e bamë natën ditë të gjinden në mbledhjet të Përgjithshme Kombëtare që do të bahet këtu në Vlonë…”. Ideja për mbledhjen e një kuvendi në Shqipëri kishte gjetur përkrahjen e qeverisë austro-hungareze.

Opinioni që mbizotëronte në rrethet diplomatike të Fuqive të tjera të Mëdha ish­te për një Shqipëri autonome. Por autono­mi­a në kuadrin e Perandorisë Osmane tashmë nuk kishte asnjë kuptim. Ushtria osmane në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet. Trupat serbe, malazeze e greke kishin hyrë thellë në trojat shqiptare.

Në këto kushte e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare ishte ajo e shpalljes së pavarësisë. Në këtë përfundim arriti grupi i atdhetarëve i kryesuar nga Ismail Qemali, i cili më 19 nëntor deklaronte në Trieste, ku kishte arritur bashkë me shokët, se: “…menjëherë pas mbërritjes së tij në Shqipëri do të shpallej pavarësia e Shqipërisë dhe do të zgjidhej qeveria e përkohshme”.

Lajmi i mbledhjes së kuvendit kombëtar u prit me entuziazëm të madh në Shqipëri. Grupi i kryesuar nga Ismail Qemali arriti në Durrës më 21 nëntor. Së bashku me atdhetarët durrsakë ai vendosi të ngrinte në qytet flamurin kombëtar. Por autoritetet osmane,të ndihmuara nga armiqtë të lëvizjes kombëtare, arritën ta pengonin këtë veprim.

Komanda turke mori udhër të kapte Ismail Qemalin gjallë ose vdekur.Ismail Qemali me shokët e tij u nisën për në
Kavajë. Prej andej nëpër Karatoprak kaluan në Fier, ku u takuan me delegatët e Kosovës, dhe më 25 nëntor arritën në Vlorë. Këtu delegatët e popullit shqiptar u pritën me festë.

“Një zjarr i shenjtë patriotizmi…” – shkruan Ismail Qemali në kujtimet e tij – “…kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli më përshëndeste kudo me entuziazëm dhe gëzim”.Për shkak të përparimit të pandalur të
ushtrive serbe, gjendja në Shqipëri po bëhej gjithnjë më kritike.

Kjo ishte arsyeja që në mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët që ndo­dheshin në Vlorë, ndonëse nuk kishin arritur ende përfaqësuesit e disa krahinave, ven­­dosën të mblidhnin të nesërmen ku­vendin kombëtar. Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u shtuan gjatë ditëve që pasuan duke arritur në 63 veta, që përfaqësonin të gji­tha viset shqiptare.

Kuvendi zgjodhi si kryetar Ismail Qemalin,i cili foli për të kaluarën e Shqipërisë nën sundimin osman dhe për luftërat e shqip­tarëve për të fituar të drejtat e tyre. Ai vuri në dukje se në rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike “e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia”.

Propozimi i kryetarit u miratua njëzëri nga delegatët, të cilët nënshkruan dokumentin historik për Pavarësinë e Shqipërisë, ku thuhej: “… Shqipëria me sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”. Pastaj u ngrit flamuri kombëtar
i Shqipërisë përpara mijëra njerëzve që ishin mbledhur jashtë selisë së Kuvendit e që e pritën këtë ngjarje historike në mënyrë entuziaste, ndërsa populli përshkonte duke kënduar rrugët e qytetit.

Deklarata e Pavarësisë ishte një akt me rëndësi të jashtëzakonshme për popullin shqiptar. Me anë të saj shpallej e drejta e pamohueshme e kombit shqiptar për të qenë i lirë e i pavarur në trojet e veta, krahas popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik. Kjo ishte një e drejtë që vjen nga qenia e tij si popull me gjuhën, me kulturën, e me historinë e vet, e drejtë e fitu­ar me mundime të panumërta, e drejtë që i takonte për ndihmesën e vyer në dëbimin nga
Ballkani të sunduesve të huaj osmanë.

Në Ballkan Shqipëria, sikurse Maqedo­nia, ishte vendi që u çlirua i fundit nga sundimi i sulltanëve osmanë, në një kohë kur popujt e tjerë fqinjë kishin dhjetëra vjet që bënin jetë shtetërore të pavarur. Kjo vonesë u shkaktua më së pari nga vendosmëria e turqisë për të mos lejuar popullin shqiptar të lirë në vullnetin e tyre.

Prapambetja shoqërore e vendit ishte padyshim një faktor tjetër që vonoi rritjen e forcave organizuese të lëvizjes kombëtare.Për më tepër, shtetet ballkanike fqinje, të cilat të parat patën siguruar pavarësinë, luftuan me të gjitha mjetet, duke filluar nga pre­sionet diplomatike e duke mbaruar edhe me ndërhyrje të armatosura, kundër lëvizjes
Shqiptare, e cila ishte në kundërshtim me planet e tyre.

Edhe Fuqitë e Mëdha, të cilat, gjatë she­kullit nëntëmbëdhjetë patën përkrahur popujt e tjerë të Ballkanit të formonin shtetet e tyre të pavarura, për një kohë të gjatë, mbajtën një qëndrim mospërfillës ndaj çështjes shqiptare.

Është meritë e atdhetarëve largpamës që, duke u mbështetur në luftën e popullit shqiptar brenda vendit, zgjodhën çastin e përshtatshëm për të kaluar nga platforma e lëvizjes për autonominë në atë të pavarësisë.
Dhe kjo u realizua pikërisht më 28 Nëntor 1912.

Most Popular

Recent Comments