HomeJehona 27Rruga e Shtegtarit

Rruga e Shtegtarit

nga kjo botë në atë që vjen

Atëherë dolën për t’i pritur një grup trumbetarësh të mbretit, të veshur me petka të bardha e të shkëlqyeshme, të cilët me zërin e tyre kumbues dhe të lartë e bënë madje edhe qiellin të jehojë. Këta trumbetarë përshëndetën Kristianin dhe shokun e tij me mijëra herë . . . Dhe tani këta të dy ishin në qiell . . . Ata kishin gjithashtu qytetin qiellor përpara syve të tyre dhe u dukej sikur po dëgjonin zërin mirëseardhës të këmborëve.

Por mbi të gjitha, gëzoheshin kur mendonin se tash e tutje do të banonin me një shoqëri të tillë, edhe atë përgjithmonë. Oh! Ç’ gjuhë ose laps mund t’i shprehë gëzimet e tyre të lavdishme! Në këtë mënyrë arritën ata te porta. Tani kur arritën te porta, sipër saj ishte shkruar me shkronja të arta: “Të bekuar janë ata që u përmbahen porosive të tij. Ata mund të kenë pjesë në pemën e jetës dhe mund të hyjnë në Qytetin qiellor nëpërmjet portës”

Tani, sapo u hapën portat që të hynin brenda, unë shikova pas tyre; dhe, pashë Qytetin qiellor që shkëlqente si diell, rrugët e shtruara më ar, dhe në to shumë njerëz me kurora mbi kokë, duke ecur, me degë palmash në duar dhe duke e lavdëruar Zotin me harpa të arta. Atje kishte edhe të atillë që kishin krahë dhe që i thërrisnin njëri-tjetrit pa pushim, duke thënë: “I shenjtë, I shenjtë, I shenjtë është Zoti”.

Me kaq u mbyllën dyert, ndërsa unë, i befasur nga ajo që kisha parë, dëshirova që edhe vetë të isha në mesin e tyre. Tani, kur kisha rënë në mendime për të gjitha ato që kisha parë, ktheva kokën prapa dhe pashë Paditurinë duke u afruar tek lumi. Ai shpejt e kaperceu atë . . . edhe ai, si të tjerët, menjëherë filloi t’i ngjitej kodrës për të arritur tek porta; por ky ishte vetëm dhe askush s’kishte dalë për t’i dhënë përshëndetjen e mirëseardhjes.

Sapo arriti tek porta; vuri re mbishkrimin “Të bekuar janë ata që u përmbahen porosive të Tij. Ata mund të kenë pjesë në pemën e jetës dhe mund të hyjnë në Qytetin qiellor nëpërmjet portës” dhe zuri të trokiste, duke menduar se do t’i lejohej të hynte menjëherë. Mbi portë u paraqitën disa njerëz dhe e pyetën: “Prej nga po vjen kështu dhe çfarë kërkon?” Ai u përgjigj: “Hapeni!

Sepse unë kam ngrënë dhe kam pirë bashkë me Mbretin, dhe ai na ka mësuar në rrugët e qytetit tonë.” Atëherë i kërkuan dëshminë e tij, që të mund t’ia tregonin Mbretit; kështu ai filloi të kërkonte mos gjente ndonjë në xhepat e tij, por nuk gjeti asnjë. Atëherë ata e pyetën: “Nuk po e gjen dot?” por ai nuk foli.

Kështu i treguan Mbretit, por ai as që deshi të zbriste që ta shihte. Përkundrazi, i udhëroi që të dilnin dhe ta lidhnin Paditurinë këmbë e duar dhe ta nxirrnin jashtë. Atëherë pashë që kishte një rrugë që të çonte në ferr, madje edhe nga porta qiellore. Nga Xhon Bunjani.

E botuar në gjuhën shqipe nga GBV© 1999.

Previous article
Next article

Most Popular

Recent Comments