HomePërse e lejon Zoti?

Përse e lejon Zoti?

Ndaj pyetjes: “Përse e lejon Zoti koronavirusin”?, sigurisht që ka përgjigje. Jeta nuk është diçka e pakuptimtë, as e rastësishme, siç thonë filozofët ateistë. E megjithëse nuk mund të dimë të gjitha misteret e jetës, fati i botës nuk është diçka krejt e panjohur.

Së pari, duhet të kuptoni që ai që bën pyetje të tilla, po troket mbi një derë të madhe. Ka që e kuptojnë këtë, por ka nga ata që turren aty ku engjëjt kanë frikë të shkelin.

Së dyti, duhet të dini që edhe pse kjo pyetje formulohet kollaj, përgjigja mund të mos përtypet dhe aq lehtë.

Tendenciozi

Na del përpara një që thotë me tendencë, “Përse Zoti…”

Ndoshta nuk e ka me të keq. Mbase do thjesht të ngacmojë bashkëfolësin për të parë nëse ai është në gjendje t’i përgjigjet pyetjes apo jo. Gjithsesi, kjo lloj e folure të krijon përshtypjen e një personi që nuk i druhet shumë Perëndisë. Madje, të pyeturit me tendencë për Zotin mund të jetë shenjë e arrogancës.

Arroganti kujton se mund t’i kërkojë llogari Zotit. I duket vetja një autoritet moral më i lartë se qielli. Duhet treguar kujdes me një tip të tillë, se duke iu përgjigjur akuzave të tij, merr përsipër të bësh avokatin e Zotit, gjë që s’na takon aspak.

Tallësi

Më keq akoma është tallësi. Specialiteti i tij është të flasë me kunj. Duke qenë se i mungon sinqeriteti, pyetjen e bën thjesht për të të futur në lojë. Me një person të tillë, s’ia vlen të merresh. Tallësit nuk i detyrohemi shpjegime. I shkon për shtat porosia e Krishtit, i cili tha: “Mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave”.

Qëndrimi i tij përbuzës reflekton zemrën e tij të mbyllur. Ai beson te vetja e jo te Zoti. Ngaqë i duket vetja më i zgjuar nga gjithë të tjerët, as teologu më i madh nuk i jep dot mësim.

Tipi tipik

Njeriu tipik ka një farë besimi. Ndofta s’merr pjesë në një komunitet fetar, por e di që ka një Zot përmbi veten. Normalisht, ky është një njeri që e ka mendjen te puna e vet, shikon hallet e tij dhe në jetën e përditshme nuk i kushton rëndësi çështjeve, siç është fati i tokës apo i shpirtit të tij. Ndërsa tani që bota po kthehet kokëposhtë, mendja e tij nuk ka se si të mos trazohet. Ai shikon rreth e rrotull, dhe i shtangur nga gjithçka që po sheh, i ngre sytë lart dhe thotë: “O Zot, çfarë po ndodh kështu”?

Ithtari

Jo shumë ndryshe është reagimi i pyetjebërësit të katërt. Ky është një person që ka një besim më të kultivuar. Është një njeri që e lexon Biblën. I lutet Zotit. Ndoshta frekuenton një vend kulti. Mirëpo, besimi i tij ka qenë deri më sot, si të thuash, diçka më shumë personale. Ka marrë formën e një bindjeje, që përderisa ai është një njeri me norma, Zoti do ta bekojë punën e tij, familjen e tij, edhe jeta do të ketë një rrjedhë deri diku të parashikueshme. Por edhe ky besimtar e gjen veten në këtë kohë të jashtëzakonshme, duke u shqetësuar e duke pyetur, “Çfarë po bëhet”? Madje, mund të futet në dilemë, se nuk po arrin të kuptojë planin e Zotit.

Pikërisht, për këto dy kategori të fundit njerëzish, dua të them disa fjalë. Nuk e di sa do t’u vlejnë, por dua që ata të kuptojnë çfarë thotë Bibla për botën tonë dhe për kohën që jetojmë.

Në Shkrimet e Shenjta, thuhet: “E dimë se deri tani mbarë krijesa psherëtin bashkë dhe ndodhet bashkë në dhimbjet e lindjes…” dhe po aty thuhet që krijesa pret “të çlirohet nga skllavëria e prishjes”.

Duke marrë shkas nga këto fjalë, dua t’ju them dy të vërteta:

E para e punës, duhet të dini që epidemitë nuk janë diçka e re. Përkundrazi, ato kanë qenë të pranishme përgjatë gjithë historisë. Sipas parashkimit të vetë Krishtit, bota do të përjetojë herë pas here jo vetëm murtajë, por shumë disfata të ndryshme derisa ai të kthehet. Pikërisht ashtu ka ndodhur.

Gjatë shekullit të kaluar ka pasur epidemi që kanë marrë me miliona jetë. Epidemia më e madhe dhe më vdekjeprurëse ka qenë gripi spanjoll i vitit 1918. Ai fshiu diku te 70/80 milion njerëz nga bota. Është një shifër e frikshme. Por ka pasur edhe shumë epidemi të tjera, siç ka qenë malaria në Shqipëri.

Mirëpo, pa dalë ky virus i ri në skenë, shumica e shteteve të botës (në sajë të zhvillimeve të mjekësisë) kishin harruar se ç’do të thotë të luftosh me sëmundjet ngjitëse. Si rrjedhojë, njerëzit kishin krijuar një siguri të tepruar në aftësitë e shkencëtarëve për t’i mbrojtur nga e keqja. Ndërsa koronavirusi i ri, përveç jetëve që ka prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë, goditi rëndë këtë vetëbesim, duke shkaktuar jo vetëm frikë por (për shkak të amplifikimit mediatik) histerinë kolektive.

Ky vëzhgim na çon te e vërteta e dytë:

Duhet të dini që Zoti nuk na ka dhënë ndonjë premtim që nuk do të sëmuremi. Nëpërmjet vdekjes së Jezus Krishtit kemi faljen e mëkateve dhe nëpërmjet ringjalljes së tij, kemi marrë një shpresë të gjallë, por nuk jemi të përjashtuar nga sëmundjet që janë pjesë e kësaj bote që vuan mallkimin e prishjes. Keni dëgjuar që Jezusi shëroi shumë njerëz kur ishte në tokë. Por nuk e di nëse keni menduar se çfarë i ndodhi atyre më mbrapa. A nuk erdhi dita që u sëmurën përsëri dhe vdiqën? Patjetër që po.

Do thuash që “e di që njeriu sëmuret, por kjo është ndryshe se është masive”. Tani, pa dashur të flas me nënvlerësim për vuajtjen e atyre që janë prekur nga epidemia, ka edhe shumë sëmundje të tjera në këtë botë që kanë shkaktuar edhe do të marrin më tepër jetë njerëzish sesa do të shkaktojë COVID-19. Kanceri dhe sëmundjet e zemrës janë vetëm dy shembuj konkretë.

E them këtë jo për të qenë i pandjeshëm, por për të thënë një të vërtetë të pamohueshme që e keni ditur, por që po ju bëhet më e prekshme këto ditë për shkak të kësaj epidemie: Jeta në tokë është kalimtare.

Duke u përballuar me faktin që jeta është e brishtë dhe që bota është e pasigurt, detyrohesh të pyesësh se ku e ke vënë besimin. Këto janë situata që të bërtasin: “Ku e ke shpresën ti”?

Siç ndodhi me Titanikun po na ndodh edhe neve. Thanë që ajo ishte e pambytshme. Kryelartësia shkoi deri aty sa thoshin “S’ka perëndi ta mbysë këtë anije!”. Por ajo që ishte më madhështore dhe që u konsiderua më e sigurta, u përplas papritur me një akullnajë gjigante dhe u fundos. Disa nga njerëzit më të pasur e humbën jetën atë ditë. Por edhe të tjerë që ishin të varfër e të panjohur. Deti i ftohtë nuk bëri dallim. Dallim bëri vetëm Zoti, i cili mori shpirtrat e tyre, dhe duke i ndarë, i dërgoi në një nga dy vendet.

Herët a vonë, del lakuriq mburrja e atij njeriut që jeton duke shpresuar vetëm në këtë botë. Kur gjithçka që ka njeriu mund të merret kaq shpejt, dhe kur shëndeti i qindra mijëra njerëzve mund të humbasë kaq papritur, a nuk e dëgjon borinë e fortë që të thotë “ki kujdes shpirtin tënd”? A nuk e ndien se ke nevojë të kërkosh Zotin?

Jeta është dhuratë e Perëndisë. Dhe shëndeti gjithashtu. Nuk na i ka borxh Zoti një numër të caktuar ditësh. Ndërsa ne i kemi borxh Zotit të përdorim ditët tona në tokë për mirë dhe jo për keq.

Bibla e shenjtë na qorton, “Ju që thoni: ‘Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, dhe do të rrijmë aty një vit, dhe do të tregtojmë dhe do të fitojmë’, ndërsa nuk dini për të nesërmen. Sepse ç’është jeta, është avull që duket për pak kohë, dhe pastaj humbet. Në vend që të thoni, ‘Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë ne do të bëjmë këtë gjë’, ju përkundrazi, mburreni në veten tuaj dhe bëheni arrogantë”!

Të dashur miq, është marrëzi që njeriu jeton pa menduar për Perëndinë. Nëse ti i përket kësaj kategorie, a nuk do të pendohesh nga një qëndrim prej indiferenti ndaj atij që të dha jetën? E sot e tutje, përse të mos jetosh me një frymë tjetër më të mirë? Sepse vetëm me shpresën e Perëndisë mund të përballosh ngritjet dhe uljet e kësaj jete. E jo vetëm aq, por duke ecur në rrugën e Zotit, do të dish se ku po shkon.

Dhe ju që jeni besimtarë, mos u bëni më pjesë e bisedave spekulative dhe të kota rreth situatës që është krijuar. Shumë po e humbasin jetën, shumë të tjerë po e humbasin punën, ndërsa ju, mos e humbni mendjen. Flisni me urtësi fjalën e Zotit. E duke u bërë shembull i mirë për të tjerët, ndoshta Zoti do t’ju përdori në këto ditë të vështira, për të drejtuar një shpirt të humbur te Shpëtimtari.

Most Popular

Recent Comments