Kryqi i Pashkës

0
48

Kryqi është një nga shenjat më të njohura në botë. Edhe pse për turmën kryqi është kthyer në një simbol të modës, dhe shumë të tjerë e përdorin si hajmali, ai nuk ka humbur domethënien e tij origjinale. Me anë të këtij simboli të krishterët kanë shprehur besimin e tyre te Krishti që në kohët e lashta.

Mbetjet arkeologjike më të vjetra në Shqipëri përmbajnë vizatime kryqesh dhe vepra arti në formë kryqi. Në shekujt e mëvonshëm kryqi u bë simbol në emblemat e familjeve fisnike, ashtu sikurse u përfshi në flamujt e mbretërive ku krishterimi u bë feja zyrtare. Për fat të keq, kjo ka çuar në keqpërdorim e simbolit të kryqit për interesa politike dhe nacionaliste.

Është tragjike që ky simbol i shpëtimit është përdorur si flamur lufte. Ndryshe nga udhëheqësit e tjerë fetarë, Jezusi nuk mësoi se besimi te Perëndia përhapet me përdorimin e forcës.

Kryqi ndonjëherë nënkupton vështirësitë dhe sprovat nëpër të cilat kalon njeriu për të ndjekur rrugën e Zotit. Kjo gjen mbështetje në thënien e Jezusit: “Ai që nuk e merr kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk është i denjë për mua”.

Në gjuhën popullore, “të marrësh kryqin tënd” përdoret për të përshkruar një akt vetëmohues, sidomos kur bëhet fjalë për një brengë të madhe që nuk të ndahet.

Por mbi të gjitha, kryqi simbolizon vdekjen e Krishtit për fajtorët. Ai nënkupton vuajtjen e tij në vendin tonë në kryqin e kalvarit.

Ky është mesazhi kryesor që qëndron pas kryqit të pashkës. Ky është mesazhi që frymëzon, çliron, e pastron shpirtin e njeriut. Vendosja e simbolit të kryqit përmbi derën e shtëpisë, në majë të ndonjë kodre, apo qoftë si një tatuazh në trup nuk të sjell detyrimisht asnjë avantazh. Por të jetosh duke besuar në Krishtin e kryqit ka vlerë të vërtetë!

Çfarë mendon për kryqin e Krishtit?

Për sa kohë që ti jeton, kujdes nga ai lloj besimi që nuk vë kryqin e Krishtit në qendër të vëmendjes. Ti jeton në një epokë kur një paralajmërim i tillë është i domosdoshëm. Ka me qindra kisha ku mund të gjesh kryqe prej druri, prej argendi, ose të pikturuara; por kryqi i vërtetë i Krishtit nuk është atje.

Ka kisha që predikojnë mesazhe, ndofta dhe të mira, por nuk të thërrasin të vendosësh besimin tënd në gjakun e Krishtit. Prandaj gjithçka është gabim. Ki kujdes nga vende të tilla adhurimi.

Mund të kesh mësuar shumë gjëra në lidhje me Krishtin. Mund të njohësh historinë e lindjes së tij. Mund të kesh mësuar për të gjitha mrekullitë; për ujin që ktheu në verë, për fashitjen e stuhisë, dhe për shërimin e të paralizuarit. Mund të kesh lexuar shëmbylltyrat e tij dhe të kesh degjuar profecitë tij.

Madje, mund të dish si vuajti dhe si vdiq. Por nëse nuk e njeh fuqinë e Krishtit në jetën tënde, nëse nuk kupton dhe nuk ndien se Krishti ka pastruar mëkatet e tua me gjakun e tij, atëherë Krishti nuk është shpëtimtar yt.

Feja në vetvete nuk do të të shpëtojë kurrë. Duhet ta njohësh kryqin e Krishtit dhe fuqinë e tij në jetën tënde, përndryshe do të ngelësh i humbur në mëkatet e tua.

Unë nuk di çfarë mendon ti për kryqin e Krishtit; por uroj që të mos besosh në asgjë tjetër për shpëtimin tënd, veç në gjakun e Qengjit të Perëndisë.