Është e mahnitshme të vëzhgosh mënyrat e shumta e të ndryshme të festimit të lindjes së Krishtit në gjithë botën. Ja disa shembuj.

Groenlanda

Në fshatrat e eskimezëve polarë, familjeve u pëlqen të vizitojnë njëritjetrin dhe të bëjnë mbrëmje. Ata pinë kafe dhe hanë torta dhe shkëmbejnë dhurata të mbështjella bukur. Dhuratat tradicionale janë modele të slitave, një palë dhëmbë elefanti deti të lustruara apo doreza të bëra prej lëkurë foke.

Të gjithë në fshat marrin nga një dhuratë dhe fëmijët shkojnë nga një kasolle në tjetrën duke kënduar këngë. Pemët e Krishtlindjes duhet të importohen, sepse nuk rritet asnjë pemë aq larg sa është Groenlanda. Pas kafes, tortave dhe këngëve për Krishtlindje, ata hanë një ushqim të veçantë të quajtur ‘mattak’, (lëkurë balene me një shtresë dhjami brenda).

Supozohet që të ketë shijen e një arre kokosi të freskët, por është tepër e fortë për t’u përtypur prandaj, zakonisht, kapërdihet. Në natën e Krishtlindjes është traditë që burrat t’u shërbejnë kafe grave. Pas ushqimit të Krishtlindjes vijnë lojrat.

Franca

Krishtlindja në Francë quhet Noel. Në prag të Krishtlindjes njerëzit hanë një vakt festiv të quajtur révellion, një darkë në mesnatë që mund të përmbajë goca deti, sallam, proshutë të pjekur, mish shpendësh, fruta, ëmbëlsira dhe verë. Njerëzit hanë një bûche de noöl, një ëmbëlsirë e pjekur në formën e një trungu që mbulohet me krem çokollate i cili pasi ngrin duket si lëvore druri.

Fëmijët i vendosin këpucët e tyre para oxhakut në pragun e Krishtlindjes që Pere Noöl (Babagjyshi i Krishtlindjes) t’i mbushë me dhurata, por dita tradicionale e shkëmbimit të dhuratave është dita e Vitit të Ri. Në Francën veriore fëmijët i marrin dhuratat më 6 dhjetor, dita kur festohet Shën Nikolasi.

Kina

Në Republikën Popullore të Kinës 25 dhjetori nuk është një festë e ligjshme. Krishtërimi nuk njihet zyrtarisht nga qeveria kineze; megjithatë, kohët e fundit ka patur një rritje të festimeve të Krishtlindjes në vend, sepse vlerësohet se numri i të krishterëve në Kinë është rritur deri në 91 milionë.

Shumë të krishterë kinezë e festojnë Krishtlindjen në fshehtësi, në kishat e ‘nëndheshme’. Ata e festojnë gjithashtu këtë festë duke bërë pemë artificiale, të quajtura pemë të dritës, dhe duke i zbukuruar ato me shirita, lule, drita dhe zbukurime të tjera.

Bethlehem, Izrael

Në dhjetor, Bethlehemi, qyteti i lindjes së Jezusit, shndërrohet në një qytet plot ngjyra dhe gjallëri. Qyteti ndizet nga flamujt dhe zbukurimet çdo vit. Me mijra të krishterë nga e gjithë bota mblidhen në Bethlehem për të qenë dëshmitarë të festimit të përvitshëm në Kishën e Lindjes.

Në pragun e Krishtlindjes, njerëzit dynden në hyrjet e kishës dhe qëndrojnë në çati për të parë proçesionin dramatik të përvitshëm te shpella e ngushtë e cila mendohet të jetë vendlindja e Krishtit.

Sidni

Për shkak se Australia është në hemisferën e jugut, atje Krishtlindja bie gjatë verës. Mund të shikosh njerëz të veshur me bluza me mëngë të shkurtra duke bërë piknik në plazh gjatë Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Përveç zbukurimit me degë të gjelbra dhe pemë të Krishtlindjes, australianët dhe zelandezët i zbukurojnë shtëpitë e tyre me lule dhe bimë të tjera të stinës së verës. Australianët mblidhen në festivale të mëdhenj për të kënduar këngë Krishtlindjeje nën dritën e qirinjve.

Norvegjia

Dita kryesore e festimit në Norvegji, si në pjesën më të madhe të Evropës veriore, është 24 dhjetori. Edhe pse me ligj është një ditë e rregullt pune deri në orën 16:00, pjesa më e madhe e dyqaneve mbyllen herët. Këmbanat e kishave bien në festivalin e Krishtlindjes mbasdite dhe, pas kësaj, shumë njerëz ndjekin shërbesën në kishë.

Në disa familje lexohet historia e Krishtlindjes nga ungjilli sipas Llukës nga Bibla e vjetër që i përket familjes. Ushqimi kryesor i Krishtlindjes shërbehet në mbrëmje. Pjatat kryesore të zakonshme përfshijnë brinjë derri, “pinnekjøtt” (copa brinje derri të pjekura mbi degë mështekne) dhe në disa zona kokë deleje e djegur.

Bollgur orizi është gjithashtu shumë i përdorur (por që zakonisht shërbehet të nesërmen dhe jo për darkën kryesore të Krishtlindjes), një bajame fshihet shpesh në bollgur dhe personi që e gjen atë fiton një qerasje ose dhuratë të vogël.

India

Të krishterët në Indi e festojnë Krishtlindjen duke zbukuruar pemët e Krishtlindjes, duke shpërndarë kartolina dhe duke shkëmbyer dhurata. Shërbëtorët pranojnë bakshish nga punëdhënësit e tyre. Pastaj shërbëtorët i japin një limon kreut të shtëpisë mëngjesin e Krishtlindjes si simbol i vlerësimit që kanë ndaj tij.