Letër nga e kaluara na shkruan një gjimnaziste

Viti 1967. Jam një nxënëse në shkollën e mesme, Naim Frashëri, në Durrës. u bënë disa javë që organizohen mbledhje nëpër gjithë klasat e shkollës, ku flitet kundër “ideologjisë fetare dhe zakonevë prapanike” (siç e quajnë). E shikoj që kanë të drejtë të flasin kundër disa zakoneve dhe besëtynive që s’janë të mira.

Por nuk ndalen këtu. Po flasin edhe kundër vetë Zotit. Në shkollën tonë është mobilizuar rinia për të sulmuar kishat dhe xhamitë në qytetin tonë. Nuk dua të marr pjesë, por si të bëj që të mos përfshihem? Po kritikohen haptas nga mësuesit, dhe nga shokët e klasës, ata të rinj që shprehin ndonjë mendim në mbrojtje të besimit ose që dyshohet se janë praktikantë të ndonjë feje.

Fletë-rrufetë nëpër muret e klasave nuk mungojnë. Thonë se të gjithë duhet të jenë aktiv në këtë luftë, asnjeri nuk duhet të rrijë indiferent. Por unë kam frikë. Babai më ka mësuar që Zoti krijoi botën dhe ishte Ai që vendosi njeriun në tokë. Por në shkollë na mësojnë ndryshe. Na thonë se s’ka Zot dhe që jeta ka ardhur në tokë vetvetiu.

Por si mund të jetë e vërtetë kjo? A mund të krijohen gjërat vetë? Unë nuk besoj. Duhet të ketë një krijues. Unë ndiej që ka një Zot. Por unë kam frikë. Kam frikë se mos më diktojnë… N.Q.

REFLEKTIM

Luftova kundër Zotit

Çfarë marrëzie! Çmenduri! U bëmë ne të mohojmë Zotin? U bëmë ne të hedhim poshtë atë që na krijoi! A e mohon njeriu babanë e tij? Apo e mohon nënën? Por, ne mohuam Bërësin tonë. A thua se e vramë Zotin? Ç’kujton, se e krijuam ne Zotin dhe se ne mund ta zhdukim atë? Ç’jemi ne? Apo na duket vetja më të lartë nga Perëndia, më të fortë, apo më të zgjuar?

Si mendon? A e formuam ne botën dhe qiellin? A ishim ne që shpalosëm yjet në qiell? Apo e vendosëm ne jetën në tokë? Sa turp! Çfarë mosmirënjohjeje! Duke quajtur veten të urtë u bëmë të marrë. Si mund të shpërfillësh Perëndinë? Pyesni veten: Nga burojnë të mirat që kemi? Kush na e fali fuqinë, zgjuarsinë? Kush t’i dhuroi sytë, gojën? Kush i formoi ato?

Kësaj i thonë “Ai me bukë e ne me gurë”. Grindemi e zihemi me njeri-tjetrin dhe tani duam të luftojmë me bërësin tonë. Me kë do të luftosh? Kundër kujt do të qëllosh? Plumbat nuk arrijnë dot aq lart. Mos harro që, vjen koha dhe plumbat kthehen prapë poshtë, pastaj mbi kokën e kujt do të bien? Por më thuaj: çfarë i ndodh shërbëtorit që e ngre krye kundër mbretit?

Dhe çfarë i ndodh ushtarit në qoftë se qëllon mbi komandantin e tij? Apo, qenit që kafshon dorën e të zotit…? Ne nuk i bëjmë dëm Zotit. Nuk i shkaktojmë dot plagë Perëndisë. Por jemi të vetë-plagosur. Të këqiat ia bëmë vetëm vetes tonë, dhe atyre që do të jenë aq të marrë, sa të na ndjekin në këtë rrugë. U bëmë ne të mohojomë Zotin! E kush? Ne!

Ne që jemi krijuar prej Atij. U bëmë ne të mohojmë të përjetshmin! E kush? Ne, që jemi veçse disa kalimtarë në këtë botë. Se ç’na u duk vetja! I hapëm gropën vetes. Dhe si do t’ia bëjmë tani për të dalë prej këndej? A thua do të ketë shpëtim për ne? A ka rrugë për t’u kthyer mbrapa? I lutem Zotit që ta gjejmë… B.SH