HomeJehona 20Historia e Këngës më të famshme të Krishtlindjes

Historia e Këngës më të famshme të Krishtlindjes

Në qoftë se vizitoni një kishë gjatë krishtlindjeve ka shumë mundësi që do të dëgjoni këngën “Natë e Qetë” të kënduar nga besimtarët shqiptarë. Para 190 vjetësh kënga e krishtlindjeve “Stille Nacht! Heilige Nacht” u dëgjua për herë të parë në një kishë në një fshat të Austrisë. Atë prag krishtlindjeje lindi një këngë e cila do të çante rrugën duke hyrë në zemrat e njerëzve nëpër botë.

Tashmë e përkthyer në qindra gjuhë, ajo këndohet nga miliona njerëz çdo dhjetor, në kishat nga më të voglat, në katedralet e mëdha. Ajo është pa dyshim kënga më e famshme e krishtlindjes në botë. Fjalët gjermane për gjashtë strofat origjinale që ne e njohim si “Natë e Qetë, Natë e Shenjtë” u shkruan nga Joseph Mohr në 1816, kur ai ishte një prift i ri, i caktuar në një kishë në Mariapfarr të Austrisë.

Më 24 Dhjetor 1818 Joseph Mohr udhëtoi në shtëpinë e muzikantmësuesit Franz Gruber. Ai ia tregoi poemën shokut të tij dhe i kërkoi t’i shtonte një melodi dhe harmoni për kitarë, që të këndohej në shërbesën e mesnatës në kishë. Nuk dihet arsyeja që ai kishte për të dashur një këngë të re.

Disa hamendësojnë që organoja nuk punonte; të tjerët mendojnë që ndihmëspastori, i cili pëlqente tej mase muzikën e kitarës, donte thjesht një këngë të re për krishtlindje. Atë mbrëmje, ndërsa të dy burrat, të mbështetur nga kori, qëndruan në Kishën e Shën Nikollit dhe kënduan “Stille Nacht! Heilige Nacht!” për herë të parë, ata nuk mund të kishin imagjinuar ndikimin që vepra e tyre do të kishte në botë.

Një ndërtues dhe riparues mjeshtër i organove, udhëtoi në Oberndorf për të punuar me organon. Gjatë kohës që po punonte në kishë, ai siguroi një kopje të veprës dhe e mori me vete në shtëpi. Kështu, kënga filloi udhëtimin rreth botës. Joseph Bletzacher, këngatari i Operës së Oborrit Mbretëror nga Hanoveri, raportoi që në vitet 1840, kënga ishte tashmë e njohur në një pjesë të madhe të Gjermanisë.

“Në Berlin,” thotë ai, “ajo u popullorizua në mënyrë të veçantë nga Kori Mbretëror i Katedrales. Në fakt ajo u bë kënga e preferuar e krishtlindjes e Mbretit Frederik Uilliam IV të Prusisë, i cili kërkonte që Kori i Katedrales t’ia këndonte çdo vit gjatë sezonit të krishtlindjeve.” Kur kënga ishte bërë e famshme nëpër Evropë, krijimtari Joseph Mohr kishte vdekur dhe kompozitori ishte i panjohur.

Ndonëse Franz Gruber u shkroi autoriteteve muzikore në Berlin duke thënë që ai ishte kompozitori, melodia ishte supozuar në kohë të ndryshme se ishte vepër e Hajdenit, Moxartit ose Betovenit dhe këto mendime vazhduan të qarkullonin madje edhe në shek. XX. Polemika u shua vetëm para gjashtë vjetësh kur një kopje origjinale i këngës “Stille Nacht” në dorëshkrimin e Joseph Mohr u vërtetua.

Në cepin e saj, Mohr shkroi, “Melodie von Fr. Xav. Gruber.” Varri i priftit Joseph Mohr ndodhet në një pikë të vogël skijimi në Alpe, të quajtur Vagrain. Ai lindi në një familje të varfër në Salzburg në 1792 dhe vdiq i varfër në Vagrain në 1848, ku ai ishte caktuar si pastor i kishës.

Ai kishte dhuruar të gjitha përfitimet e tij që të përdoreshin për përkujdesjen e pleqve dhe për arsimin e fëmijëve në atë vend. Përkujtimi i tij nga qytetarët është Shkolla “Joseph Mohr” e ndodhur pak metra larg varrit të tij. Ndoshta kjo është pjesë e mrekullisë së këngës “Natë e Qetë.”

Fjalët rrodhën nga imagjinata e një pastori modest të sapokualifikuar. Muzika u kompozua nga një muzikant i cili nuk njihej jashtë fshatit të tij. Nuk ka patur ndonjë yll që të këndonte në interpretimin e saj të parë. Megjithatë, mesazhi i saj i fuqishëm i paqes qiellore ka kaluar të gjithë kufijtë dhe pengesat gjuhësore, duke pushtuar zemrat e njerëzve kudo.

Burim: Bill Egan, Historian i Krishtlindjeve, dhe përfaqësues i Organizatës Turistike Austriake

Natë E Qetë, Natë E Shenjtë

Natë e qetë, natë e shenjtë

Që u lind foshnjë e shenjtë

Rreth fëmijës o At qiellor

Ndriçon drita e yllit tënd

Fli i qetë o Krisht,

Fli i qetë o Krisht.

Natë e qetë, natë e shenjtë

Dhe barinjtë gjunjëzojnë

Para mbretit të qiellit mbi dhe.

Ylli i ndriçimit nga lindja vjen

Ditë e shenjtë po vjen,

Ditë e shenjtë po vjen.

Natë e qetë, natë e shenjtë

Ditë e re po ndriçon

Nga fytyra jote, o Krisht,

Vjen shpëtimi për botën lirisht,

Shpëtimtari u lind,

Shpëtimtari u lind.

Most Popular

Recent Comments