Feja e shqiptarit është….

Ndaj pyetjes: “Cila është feja e Shqiptarit?” ,si përgjigjesh?

Njëri përgjigjet ‘atë fe’, tjetri përgjigjet ‘këtë fe’, me humor thuhet që “Feja e Shqiptarit është Amerika”, ndërsa personi cinik thotë “feja e shqiptarit është paraja”.

Përgjigja më e famshme
Pa dyshim përgjigja më e famshme është ajo që nxori nga pena e tij Vaso Pasha në shekullin 19-të: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Fjala e Vaso Pashës është mjaft domëthënëse. Po të besojmë propagandën që u përhap gati 50 vjet nga Partia e Punës “Feja e shqiptarit është shqiptaria” do të thotë se popullit shqiptar nuk i duhet feja fare. Këta e kthyen thënien e Vaso Pashës në një parullë kundër besimit në Perëndi.

Por a thua që ky ishte synimi i Vasos? Që të zhvishte shqiptarët nga çdo besim fetar? Sigurisht që jo! Vaso Pasha u bëri thirrje bashkëathdhetarëve për unitet dhe për patriotizëm në një kohë që kjo ishte e
domosdoshme për mbijetesën kombëtare në prag të shpërbërjes së perandorisë turke.

Por patriotizmi nuk e përjashton fenë. Pjesa dërrmuese e patriotëve të mëdhenj që kanë dalë kanë qënë burra (dhe gra) që kanë besuar te Perëndia. Dhe dashuria për Perëndinë nuk e përjashton dashurinë për vendin tënd. Përkundrazi, ai që e do Zotin, si mund të mos e dojë vendin dhe popullin e tij? Vetëm nëse besimi i tij të jetë drejtuar një perëndie të urrejtjes dhe jo atij të dashurisë.

A është feja e Shqiptarit shqiptaria? A janë vlerat patriotike të dukshme në popullin shqiptar sot? Te disa po. Te disa të tjerë jo. Dhe se si tingëllon kjo thënie e “shqiptarisë” kur del nga goja e njerëzve që duan vetëm të vjedhin vendin e tyre dhe jo ta pasurojnë atë?

Feja e shqiptarit është . . .
Ç’është kjo tendencë që kemi të jemi aq përgjithësues kur flasim për një popullsi disa milionëshe! Kush është ai që është aq kompetent sa mund të shpallë që “gjithë shqiptarët janë kështu”, apo “gjithë shqiptarët janë ashtu”? Më mirë të flakim larg nesh paragjykime të tilla të gabuara!

Në të vërtetë, feja e shqiptarit është ajo çka zgjedh vetë çdo shqiptar. Feja e shqiptarit janë ato vlera mbi të cilat çdo shqiptar ndërton jetën e tij. Ndofta dikush ndërton mbi një themel të mirë, e dikush tjetër mbi një themel të dobët. Por secili ka të drejtë të zgjedhë mbi ç’bazë ai do të ndërtojë.

Personalisht, unë kam përqafuar ato vlera që gjej në faqet e librit të parë që u shkrua ndonjëherë në shqip – Biblën e shenjtë. Ky libër më tregon se ne jemi të krijuar dhe jo të gjendur këtu rastësisht. Ky libër më tregon që secili prej nesh është një krijesë e veçantë, e ndërgjegjshme dhe me një përgjegjësi për familjen dhe jetën e tij.

Dhe ky libër më mëson që të dua të mirën e vendit tim dhe të popullit tim. Pa dyshim që ky libër më mëson të dua Atë që më krijoi dhe më fali dhuntitë e mia. Gjithashtu, është ky libër që më mëson se unë jam i  gabueshëm, që kam nevojë për korrigjimin e të tjerëve, dhe që kam nevojë për Perëndinë çdo ditë të
jetës sime.

Ju nxis të pyesni veten: Cila është feja ime? A jam unë në rrugën e duhur? A po i bëj mirë vendit tim? Uroj që përgjigja të jetë ajo e duhura. Sidoqofë, feja e shqiptarit është ajo çka zgjedh vetë.

Motoja e Gjerasim Qiriazit: “Miq për Perëndinë, Dritë për popullin, Uratë për mëmëdhenë”