A je i tërhequr vazhdimisht nga lojërat e fatit apo llotaritë? A mërzitesh ose inatosesh kur të ndërpritet loja? A ke nevojë të luash me shuma parash gjithmonë e më të mëdha? A luan kumar për t’iu shmangur problemeve të tjera? Pasi ke humbur para, a kthehesh ditën pasardhëse me mendimin që do t’i rifitosh lekët e humbura? A ke gënjyer anëtarët e familjes duke thënë që po shkon diku tjetër?

Që kur ke filluar të frekuentosh lojërat, a ke filluar të shkëputesh nga puna ose nga shkolla? A ke gënjyer për të marrë lekë borxh për të luajtur përsëri? A i gënjen ata që iu ke para borxh duke mos u thënë që borxhi është shkaktuar nga humbjet në lojë?

Kur të thonë të tjerët që të është bërë ves kumari, a e mohon problemin? Nëse i pëgjigjësh po këtyre pyetjeve, është një tregues i mirë që të ka zënë sëmundja. Simptomat janë vetëm një pjesë e vogël e problemit, sepse kjo sëmundje ka edhe pasoja.

PASOJAT

Kumari është drogë

Fillon si diçka zbavitëse por s’kalon shumë kohë dhe mikrobi futet brenda. Është më fatkeq ai që fiton në lojën e parë. I gënjen mendja se do fitojë nga hera dhe pastaj nuk mund të ndalet. Por i ngjashëm është fati i atij që humbet që në fillim. Ka shumë të ngjarë që ai të vazhdojë në lojë për të rifituar paratë e humbura. Përfundimi është i njëjtë.

Kumari nuk të pasuron

Nëqoftëse nuk heq dorë nga kumari, ai të lë fukara. Kush fitoi që nuk i humbi përsëri? Po fitove sot, do t’i humbasësh nesër.

Kumari të streson

Ankthi i vazhdueshëm i lojës se do fitosh apo do humbasësh është i dëmshëm edhe për shëndetin. Si mund të thuash që po zbavitesh kur po humbet para? Kush gjeti qetësi te kumari?

Kumari të bën të pasjellshëm

Kam parë shumë njerëz të transformuar nga lojërat e fatit. Janë bërë më të vrazhdë. Janë bërë më pak të dashur. Nuk mendojnë më për të tjerët.

Kumari të bën përtacë

Shumë prej tyre që luajnë kumar varin shpresat e tyre te fati. Duke ndjekur fatin s’kanë mendjen te puna. Dhe fati rrallë herë gjendet në sallën e basteve.

Kumari të prish familjen

Nëqoftëse bëhet kronik fiksimi pas lojës, është e vështirë të heqësh dorë pa prishur familjen më parë. Kush e di sa familje të ndara ka në shqipëri për shkak të kumarit?

Kumari kënaq vetëm për pak

Kënaqësia zgjat pak por në fund jo vetëm xhepi por edhe shpirti është bosh. Kumari i hap derën krimit Njerëz që nuk kanë vjedhur ndonjëherë janë bërë hajdutë dhe mashtrues parash për të vazhduar lojën. Dihet që borxhet të akumuluar nga bixhozi i kanë çuar shumë njerëz në rrugën e krimit.

Kumari është një ves i keq

Është e ngjashme me një sëmundje. Po nuk u kurua përparon duke shkaktuar një gjendje të rënduar që mund të shkatërrojë jetën e atij që e ka zënë mikrobi.

Cila grua do një burrë që është i dhënë pas lojërave të fatit? Çfarë shembulli iu jep fëmijëve ai prind që kalon kohën në kazino?

Kush u bë fisnik duke u marrë me kumar?