Jeta ime ka vlerë

Një fushatë ndërgjegjësimi kundër drogës është çelur nga Qendra Rinore “Albion” në jug të Shqipërisë, në bashkëpunim me kishat ungjillore. Fushata po zhvillohet nën flamurin e parullës “Jeta ime ka vlerë”. Stafi dhe vullnetarët e qendrës rinore po shfaqen përpara shkollave me bluzat e tyre karakteristike dhe me literaturën e tyre informuese.

Fushata është zhvilluar fillimisht me nxënësit e shkollave të mesme në qytetet e Delvinës, Gjirokastrës, Tepelenës dhe Ballshit, për t’u zgjeruar më pas në rrethe të tjera të Shqipërisë. Sipas mësuesve dhe atyre që punojnë me të rinjtë, fenomeni i përdorimit të drogës është bërë një problem i dukshëm dhe më shqetësues në dy vitet e fundit në vendin tonë.

E pyesim drejtorin e qendrës “Albion”dhe njëkohësisht nismëtarin e projektit, se si po funksionon fushata:“Në hapin e parë të fushatës ne po zhvillojmë një sondazh me qindra të rinj që frekuentojnë shkollat e mesme.” “Sondazhi i njeh të rinjtë me 10 arsye për të mos e përdorur drogën dhe kërkon që ata të zgjedhin 3 arsyet që atyre u duken më bindëse.

Sondazhi është i thjeshtë, i shpejtë dhe i drejtpërdrejtë. Bashkë me sondazhin shpërndajmë literaturën informuese, por për ne është shumë e rëndësishme të nisim një bashkëbisedim direkt me të rinjtë”. E pyesim drejtorin e Qendrës Rinore se ku qëndron e veçanta e mesazhit të fushatës “Jeta ime ka vlerë” në krahasim me programe të tjera kundër drogës.

“Së pari, në rrethet ku ne veprojmë punohet shumë pak lidhur me këtë problem shoqëror. Për sa i përket programit tonë, mendoj se niveli i përgatitjes së skuadrës është një pikë e rëndësishme, por do doja të theksoja llojin e mesazhit që ne u komunikojmë të rinjve.

Fushata “Jeta ime ka vlerë” ka një mesazh shumë pozitiv brenda saj. Nuk mjafton t’u themi të rinjve ‘Mos e përdorni’ drogën, por duhet t’u japim atyre arsye bindëse për këtë. Askush nuk e ndryshon mendjen për një zakon të keq, pa patur një arsye të mirë. E veçanta e fushatës sonë është që ne u komunikojmë të rinjve jo vetëm informacion për dëmin që droga u shkakton atyre, por edhe mesazhin shpresëdhënës që jeta është një dhuratë nga Zoti, prandaj ata duhet ta vlerësojnë më shumë.

Problemet e rinisë së sotme janë më së pari shpirtërore. Kush nuk e kupton këtë, nuk e njeh realitetin.” 10 arsye për të mos e përdorur drogën Marrë nga fushata “Jeta Ime Ka Vlerë”

1. Droga të shkatërron trurin

Edhe pse përdoruesve u duket që droga po i bën më të shkathët, e kundërta është e vërtetë, nën ndikimin e drogës njeriu e humbet zgjuarsinë. Përveç kësaj, një person i droguar shpesh përjeton tjetërsimin e karakterit të tij. Madje duke qënë se disa mbetje të drogës qëndrojnë në trup për vite, efekti i tyre mund të zgjasë për një kohë shumë të gjatë. Mos e humb mendjen! Qëndro larg drogës!

2. Droga të helmon trupin

Përdorimi i drogës shkakton probleme të ndryshme shëndetësore dhe mbidoza të çon në vdekje. Lista e sëmundjeve që mund të të ngjiten nga përdorimi i drogës është mjaft e gjatë. Përdorimi i drogës harxhon vitaminat e domosdoshme për shëndetin duke dobësuar imunitetin e trupit. Pse të rrezikosh shëndetin? Ruaje trupin tënd!

3. Droga t’i zbraz xhepat

Varësia ndaj drogës të ul shkathtësinë, duke e bërë më të vështirë gjetjen dhe mbajtjen e vendit të punës, rrjedhimisht të shkatërron financiarisht. Përveç kësaj, blerja e drogës të kushton para. Pse t’i harxhosh paratë për të shkatërruar veten?

4. Droga të ndërpret mundësinë për të parë botën

Kushdo që dënohet për shkelje ligjore lidhur me drogën nuk do t’i gjej dyert e hapura për të hyrë në shtete të tjera. Përse të humbasësh mundësinë për të udhëtuar, për të punuar, apo për të jetuar në vende të tjera të botës?

5. Droga të thith jetën

Përdoruesit e drogës e humbasin entuziazmin për jetën duke u fiksuar gjithmonë e më tepër pas asaj. Nuk janë në gjendje të shijojnë më gëzimet e përditëshme të jetës. Nuk janë në gjendje më të mësojnë në shkollë. E humbasin kohën kot, pa arritur të bëjnë diçka me vlerë. Përdorimi i drogës të jep vërtetë një mënyrë të re jetese; atë të të qenit humbës.

6. Droga t’i prish marrëdhëniet

Varësia ndaj drogës kthehet në një makth për ata që të duan. Ajo i prish marrëdhëniet e tua, e shkatërron familjen dhe të shndërron në një njeri me të cilin miqtë më të mirë nuk duan të kalojnë më kohë.

7. Droga e ngatërron shoqërinë

Droga i shumëfishon problemet e shoqëris, probleme si dhuna, vjedhja, krimi dhe korrupsioni. Mos u bëj pjesë e këtij problemi!

8. Droga të pakëson mundësinë për të patur një familje

Përdorimi i drogës nga vajzat dëmton fëmijën e palindur. Edhe te meshkujt mund të shkaktojë një gjendje prej impotenti. A do të jesh i tillë?

9. Droga të merr shpirtin

Kur e krijoi Zoti tokën, ai e mbushi me lloj, lloj bimësh që ato t’i shërbejnë njeriut, edhe jo që njeriu të bëhet skllav i tyre. Jeta nuk është vetëm një rastësi. Jeta është një dhuratë nga Perëndia. Duke jetuar në varësi ndaj drogës, nuk po jeton me qëllimin e duhur. Mos abuzo me dhuratën e Perëndisë! Mbushe shpirtin tënd me diçka më të mirë.

10. Droga të rrëmben shpresat dhe ëndrrat

Të gjithë kanë ëndrra për jetën dhe për të ardhmen, por vartësit e drogës janë të fokusuar vetëm te doza e rradhës. Shpresë për të ardhmen the?! Vetëm dëshpërim për ata që kanë hyrë në rrugën e drogës. Rruga e drogës është rruga larg Zotit. Nese ke hyrë në atë rrugë, lutju Zotit të të shpëtojë.

Fillon Rindërtimi i Varkës së Noeut

Në shtetin Kentaki të Amerikës ka filluar puna për rindërtimin e “Varkës së Noeut”. Varka në fjalë do të ndërtohet vetëm me dru sipas përmasave origjinale të varkës së Noeut. Bibla e përshkruan varkën (e quajtur gjithashtu “Arka e Noeut”) me një gjatësi prej 140 metrash, 23 metra e gjerë, dhe 14 metra e lartë.

Duhet sqaruar se varka e re nuk po ndërtohet nga frika se ndodh përseri një përmbytje botërore, por ajo do jetë pjesë e një kompleksi turistik, që shërben edhe si muze për të komunikuar mesazhin që përmbytje botërore që ndodhi në kohën e Noeut është një pjesë e besueshme e historisë njerëzore. E pyetur për qëllimin e këtij projekti të madh, Mike Zovath, mbikëqyrësi i projektit tha: “Mesazhi që ne komunikojmë është që Fjala e Perëndisë është e vërtetë.

Njerëzit shpesh pyesin nëse Noeu mund të ketë ndërtuar një varkë kaq të madhe, apo mund t’i kishte sistemuar të gjitha llojet e kafshëve brenda saj. Kjo është përgjigja.” Ndërtimi i parkut me emrin “Ark Encounter” (Njihni Arkën) është pjesë e zgjerimit të punës së Creation Museum (Muzeumit të Krijimit).

Ky muzeum i hapi dyert publikut në vitin 2007 duke prezantuar argumente historike dhe shkencore që e mbështesin idenë që bota u krijuar nga një forcë e mbinatyrshme në kundërshtim me teorinë e evolucionit. Mike Zovath tregon që varka do të pajiset me shumë kafshë të ndryshme, disa të gjalla, dhe të tjera robotike, përfshi disa dinozaura mekanike.

Ekzistojnë disa modele të tjera të “Arkës së Noeut” nëpër botë. Më të njohurat janë një arkë e ndërtuar në Hong Kong me materiale ndërtimi moderne, dhe një tjetër që lundron në kanalet e Hollandës, por e ndërtuar me përmasa më të vogla. Kjo e fundit në Amerikë, do të jetë e para që është ndërtuar me përmasat originale vetëm prej druri. Disa përfaqësues të shtetit janë shprehur shumë pozitivisht për parkun dhe muzeumin e ri me shpresë që do t’i afrojë shumë vizitor të rinj Kentakit.

Është parashikuar që “Arka e Noeut” mund të ketë mbi 1 million vizitor në vitin e parë të hapjes. Muzeui Krijimit ka afruar rreth 2 million vizitor që kur u përurua para shtatë vjetësh. “Lavdërojmë Zotin për mbëshetjen e fuqishme që na kanë dhënë dashamirës të shumtë në gjithë Amerikën,” deklaroi drejtori i muzeumit, ndërsa lëshoi njoftimin për shtyp që puna do të fillojë tashmë për “Arkën e Noeut”.

Dy fjalë për përmbytjen e Noeut

Askush nuk mund të shpresonte se do t’i shpëtonte një katastrofe kaq të tmerrshme, nëse nuk mbrohej nga vetë Zoti. Dhe para kalimit të një kohe të gjatë vdiqën gjithë njerëzit mbi faqen e dheut, me përjashtim të Noeut dhe familjes së tij. Perëndia, pastaj, bëri që niveli i ujërave të binte. Së fundi gjithçka ishte gati që Noeu të dilte nga arka e të niste një jetë të re.

Është tragjike që njerëzit, bekuar kaq shumë materialisht prej Perëndisë, të kenë ndezur zemërimin e tij me sjelljen e tyre gjithnjë e më të pështirë e më të mëkatshme. Mohimi i plotë që njeriu i bëri Perëndisë dhe standardeve të Tij, natyrisht që, në fund të fundit, do të sillte gjykimin e tmerrshëm të Tij. U la vetëm një njeri që ia kishte frikën Perëndisë, Noeu.

Për këtë arsye Zoti vendosi që Noeu dhe familja e tij të shpëtonin nga gjithë ato ngjarje që kishte për të ndodhur më pas.

Provat?

Cilat janë provat që vërtetojnë se një gjë e tillë ka ndodhur vërtet? Provat janë të bollshme dhe më se të mjaftueshme – kaq të shumta sa është e vështirë të caktosh nga ta fillosh përshkrimin e tyre. Disa nga provat janë historike. Në çdo cep të botës tregohen legjenda që flasin për një përmbytje të madhe që dikur mbuloi Tokën dhe shkatërroi gjithë racën njerëzore, me përjashtim të një mbetjeje tepër të vogël të saj. Shumë prej tyre flasin për një arkë të madhe me anën e së cilës shpëtuan disa njerëz e kafshë, arkë kjo e cila më në fund qëndroi në majën e një mali. Provat mbi të cilat do të përqëndrohemi këtu janë shkencore. Pavarësisht nga mohimet e disa gjeologëve, zbulimet gjeologjike na tregojnë në një mënyrë të padiskutueshme për një katastrofë të madhe.

Shkëmbinj Sedimentarë

Të paktën 3/4 e sipërfaqes së Tokës, duke përfshirë këtu edhe majat e maleve, është e mbuluar me shkëmbinj sedimentarë. Sedimenti duhet të jetë shkaktuar si pasojë e gërryerjes së sipërfaqes së mëparshme dhe pastaj duhet të jetë transportuar dhe depozituar në këto vende. Kjo është pikërisht ajo që ndodh gjatë një përmbytjeje. Shumë prova na tregojnë se këto shtresa të trasha sedimentare u formuan brenda një periudhe shumë të shkurtër dhe jo gradualisht gjatë milionë e milionë vitesh.

Fosilet

Fosilet na pajisin me prova që vërtetojnë Përmbytjen. Ekziston një numër jashtëzakonisht i madh fosilesh. Kushtet e krijuara prej një përmbytjeje janë ideale për formimin e tyre, pasi një krijesë duhet të varroset brenda një kohe tepër të shkurtër që të mos prishet a hahet nga kafshët grabitqare që të fosilizohet. Fshirja e papritur e dinozaurëve nga faqja e dheut dhe gjetja e shumë tufave të peshqve të fosilizuar që duken qartë se kanë ngordhur papritmas, janë që të gjithë faktorë që tregojnë për një katastrofë të tmerrshme si Përmbytja.

Sasia e madhe e qymyrit

Prova që vërtetojnë një përmbytje gjejmë edhe në studimin që u është bërë qymyreve. Shumë fakte tregojnë se shtresat qymyrore u formuan kur bimësia u shkul nga rrënjët dhe u ridepozitua nga ujërat e një përmbytjeje, në vend të akumulimit të ngadalshëm në një moçalishte torfe siç besojnë evolucionistët. P.sh. janë zbuluar trungje drunjsh deri në mbi tre metra të gjata që qëndrojnë vertikalisht nëpër shtretër qymyresh. Disa drunj, në këto shtresa qymyrore, qëndrojnë në pozicionin me kokë poshtë, gjë që tregon se nuk ka mundësi që ato të jenë rritur në këtë mënyrë aty ku ato gjenden tani. Nëpër shtresat qymyrore janë gjetur edhe fosile qeniesh ujore.

Renditja e fosileve

Renditja në të cilën gjenden fosilet përputhet plotësisht me pasojat e Përmbytjes. I gjejmë këto krijesa të varrosura në sedimente pikërisht në atë renditje të përgjithshme që do të prisnim t’i gjenim pas varrimit të tyre nga një përmbytje. Katastrofa në fillim duhet të ketë pasur efektet e saj në krijesat ujore që jetonin pranë fundit të detit. Sa më e thjeshtë që të ketë qenë kafsha, aq më të pakta kanë qenë mundësitë që ajo t’i shpëtonte këtij fati të keq me anë të lëvizjes apo mendjemprehtësisë.

Në shtresat më të poshtme të shkëmbinjve sedimentarë pra, do të prisnim të gjenim mbetjet e organizmave të thjeshtë jokërbishtorë të ujit dhe pikërisht kjo është ajo që është zbuluar. Përmbytja, nga vetë natyra e saj, ishte diçka kaotike dhe e çrregullt dhe kjo na bën të arrijmë në dy përfundime:

së pari, nuk duhet të çuditemi nëse gjejmë shumë përjashtime nga kjo renditje e përgjithshme që përshkruam; dhe, së dyti, nuk duhet të presim që të gjejmë renditjen e plotë në asnjë vend. Të dhënat që kemi i vërtetojnë këto përfundime, megjithëse këto fakte përbëjnë diçka jashtëzakonisht të vështirë për t’u shpjeguar nga evolucionistët.

Filmi “Noeu”

“Noeu” është filmi i fundit i holivudit që trajton një prej historive të Biblës. Me një buxhet 150 milion dollarësh, i kompletuar me yje si Russell Crowe, Anthony Hopkins, Emma Watson e Jennifer Connelly, dhe i pajisuar me efektet speciale të fjalës së fundit, ky film duket se do të jetë mjaft mbreslënës.

Studio Paramount po e reklamon “Noeu”-n si një film biblik për të afruar pranë kinemasë pjesën e shoqërisë me ndjenja fetare, dhe njëkohësisht po e reklamon si një film me aksion për publikun e gjerë dhe për të tërhequr klienët e zakonshëm drejt sporteleve të kinemasë.

Duke i bërë pritë kritikave që filmi është më shumë i trilluar sesa një trajtim i ndershëm i historisë së Biblës, studioja prodhuese Paramount ka pranuar hapur që filmi i tyre është një punë artistike që vetëm sa është frymëzuar nga historia origjinale e Noeut. Në të gjitha reklamat e filmit sqarohet se “Ky film frymëzohet nga historia e Noeut.

Është përdorur liçensa artistike dhe… historia biblike e Noeut që gjendet në librin e Zanafillës.” Megjithatë, ekziston rreziku që publiku, sidomos moshat e reja, do ta marrin për bazë filmin artistik për të krijuar përshtypje të gabuara lidhur me një nga historitë më kyesore të botës.

Sa ndryshon “Noeu” nga Noeu? Producenti Scot Franklin ka thënë, “Historia e Noeut është një pjesë shumë e vogël e Biblës me shumë boshllëqe, kështu që duhet patjetër të sajonim një pjesë të filmit”. Shqetsimi i besimtarëvë është që filmi “Noeu” kalon përtej ‘mbushjes së boshllëqe’ dhe ai në realitet e tjetërson historinë e këtij personazhi që konsiderohet shenjtor si nga krishterët ashtu edhe nga besimtarët musliman.

Rënditim disa nga pjesët më të kritikuara në përmbajtjen e filmit: Një nga pjesët imagjinare e filmit tregon që lëkura e gjarprit mashtrues (gjoja e djallit) u gjet në kopshtin e Edenit dhe i jep fuqi magjike mbajtësin e saj. Sipas filmit, kjo me të vërtetë i takonte Noeut, por ja që një mbret me emrin Tubal-Kain ja vodhi atij.

Filmi “Noeu” tregon sikur vetëm një prej djemve të Noeut ishte i martuar. Ndërsa Bibla tregon se që të tre djemtë e Noeut ishin të martuar dhe morën gratë e tyre në varkë. Paraqitet sikur kafshët u ngjeshën për të siguruar vend në varkë. Kjo e krijon përshtypjen e gabuar se varka nuk qenka planifikuar me kapacitetin e duhur.

Noeu duket sikur e humb toruan dhe mendon se shpëtimi i familjes së tij shërben vetëm për shpëtimin e kafshëve të pafaj. Në këtë vijë “Noeu” i filmit thotë se ata janë familja e fundit në tokë dhe s’u lejohet të bëjnë fëmijë të tjerë, madje kërcënon se do të vrasë fëmijën e djalit.

Aktori i famshëm Russell Crowe (që e luan pjesën e Noeut) vërteton se portretizimi i Noeut në këtë mënyrë ishte i qëllimshem kur thotë: “Njerëzit e konsiderojnë Noeun si njeri dashamirës sepse u kujdes për kafshët. Po tallësh? Ky është personi që qëndroi indiferent ndërsa njerëzia krejt po shkatërrohej”.

Crowe vazhdon, “Ai s’ishte dashamirës. Kur i thotë i biri “Mendova se u zgjodhe se një njeri i mirë”, Noeu i filmit përgjigjet “U zgjodha se di të mbarojë punën!””. Ideja e Biblës që Noeu e dëgjon zërin e Zotit, filmi e zëvëndëson me vegime të çuditshme, duke e bërë Noeun të ngajë më shumë me një person që vuan nga fiksime dhe me shendet mendor jo të mirë.

Kjo përshtypje forcohet kur e shikon Noeun, pas përmbytjes, duke u dhënë pas verës dhe duke e shpërfillur familjen e tij. Pjesë të tjera të sajuara, që nuk përshtaten aspak me historinë e Biblës: Gjoja disa ëngjëj e ndihmojnë Noeun me ndërtimin e varkës; gjyshi i Noeut paraqitet si një lloj magjistari mjaft i çuditshëm; mbreti TubalKain hipën pa leje në varkën shpëtuese të Noeut; dhe së fundmi, në vend të ulet varka në malin Ararat (sipas Biblës), ajo përfundon në anë të plazhit.

“Noeu” i Holivudit, nuk është Noeu i historisë. Si i tillë, filmi “Noeu” mbetet një shtrëmbërim i madh i historisë biblike. Disa komentues të krishterë shqetësohen se filma të tilla, në vend të ndihmojnë njerëzit të njohin besimin, e bëjnë atë bajate dhe i largojnë prej tij.

Për Noeun e vërtetë shkruan Dhiata e Re: “Me anë të besimit Noeu, i lajmëruar hyjnisht për ato që ende nuk shiheshin, u frikësua dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së tij, me anë të së cilës e dënoi botën dhe u bë trashëgimtar i drejtësisë që është me anë të besimit.”

 

 

Nuk është e drejtë!

Një shëmbëlltyrë për gjykimin e fundit

Në fund të kohës, miliarda njerëz ishin shpërndarë mbi një pllajë të stërmadhe përpara fronit të Perëndisë. Shumica rrinin kruspull për shkak të dritës së shkëlqyer që kishin përpara. Por disa grupe pranë kreut po debatonin të nxehur — jo me turp, por me egërsi: “A mund të na gjykojë dot Perëndia?”

“Nga e di ai ç’është vuajtja?” bërtiti një brune e re dhe e zgjuar. Ajo shqeu njërën mëngë dhe zbuloi një numër tatuazhi nga një kamp përqendrimi nazist. “Ne hoqëm tmerr… duruam rrahje… tortura… vdekje!” Në një grup tjetër, një zezak uli jakën. “Po kjo?” pyeti ai, duke treguar një të djegur të shëmtuar litari.

“Krimi i vetëm pse më vranë ishte që isha zezak!” Në një tjetër turmë ishte një vajzë e re, me sy të trishtuar. “Pse duhet të vuaj?” murmuriti ajo. “S’ishte faji im.” Mbarë pllaja ishte mbushur me qindra grupe të tilla.

Gjithsecili kishte nga një ankesë kundër Perëndisë për ligësinë dhe vuajtjen që kishte lejuar në botën e tij. Sa fatlum ishte Perëndia që jetonte në qiell, ku gjithçka ishte plot me ëmbëlsi dhe dritë, ku s’kishte të qara ose frikë, uri apo urrejtje!

Ku e di Perëndia se çfarë detyrohen njerëzit që të durojnë në këtë botë? Sepse Perëndia vetë kalon një jetë shumë të sigurt, thoshin ata. Kështu që secili prej këtyre grupeve dërgoi nga një drejtues, i zgjedhur për shkak se kishte vuajtur më tepër se të tjerët. Një jude, një zezak, një person nga Hiroshima, një njeri i deformuar keqas nga artriti dhe një fëmijë me talidomid.

Në qendër të pllajës u këshilluan me njëri-tjetrin. Më në fund ishin gati të mbronin çështjen e tyre. Ishte një argument shumë i zgjuar. Përpara se Perëndia të mund të kualifikohej si gjykatësi i tyre, ai duhet të hiqte ato që kishin hequr ata.

Verdikti i tyre ishte që Perëndia të dënohet me jetë në tokë — si njeri! Le të lindë si çifut. Le t’i vihet në dyshim ligjshmëria e lindjes së tij. Jepini një punë kaq të vështirë, sa dhe vetë familja e tij të mendojë se i ka ikur mendja kur të përpiqet ta kryejë. Le të tradhtohet nga miqtë e tij më të ngushtë. Le të përballet me akuza të rreme, të gjykohet nga një juri me paragjykime dhe të dënohet nga një gjykatës burracak. Le ta torturojnë.

Në fund të kuptojë se ç’do të thotë të jesh tmerrësisht i vetëm. Pastaj le të vdesë në agoni. Le të vdesë në mënyrë të tillë, që askush të mos dyshojë se ka vdekur vërtet. Le të ketë një numër të madh dëshmitarësh për ta vërtetuar këtë.

Kur çdo drejtues shpalli pjesën e fjalisë së vet, murmurima të forta miratimi përshkuan turmën e njerëzve të mbledhur. Kur drejtuesi i fundit mbaroi së lexuari dënimin, pati një heshtje të gjatë. Askush nuk foli asnjë fjalë. Askush nuk lëvizi. Sepse, papritmas, të gjithë e kuptuan se Zoti e kishte vuajtur tashmë dënimin e tij.

 

Bibla sipas Hollivudit

Kinematë botërore po shfaqin filmin artistik “Son of God” (Biri i Perëndisë) një dramatizim i ri i historisë së ungjillit. Që kur Hollivudi prodhoi filmin e tij të parë për jetën e Krishtit në vitin 1927 (me emrin “Mbret i Mbretërve”) janë zhvilluar debate të forta rreth portretizimit të kësaj figure të shenjtë. Kjo nuk ka penguar prodhimin e dhjetra filmave artistike për jetën e atij personi që mund të konsiderohet më i veçanti në histori.

Filmi i ri “Biri i Perëndisë” është fryt i serisë së dokumentareve 10 orëshe “Bibla” e prodhuar nga History Channel në Shetet e Bashkuara të Amerikës. Filmi, pra, është në një farë mënyre redaktimi i skenave më të pëlqyera të kësaj serie televizive. Studio “Fox” në reklamën e tyre pretendojnë që shfaqje e këtij filmi në kinema është një ngjarje e madhe mediatike, dhe e quajnë përjetimin e filmit “bindës, të fuqishëm, dhe frymëzues”.

Studio “Fox” na siguron gjithashtu që filmi është “xhiruar në lokalitete ekzotike, aktorët kanë dhënë përformanca të fuqishme, efektet speciale janë rrezatuëse dhe muzika orkestrale (që e shoqëron filmin) është e pasur.” Kritikët e filmit nuk janë aq të sigurtë. Është vrejtur që bashkëbisedimet midis “Jezusit” dhe personazheve të tjera janë të cekta, si nga përmbajtja ashtu edhe nga cilësia e aktrimit.

Kritikët nuk kanë pëlqyer faktin që janë përzgjedhur fragmentet më të thjeshta të ungjillt, ato që nuk kërkojnë shpjegime, ndërkohë që ngjarjet më të komplikuara dhe më ngacmuese janë lënë në harresë. Jezusi i këtij filmi, pra, lidh disa miqësi, bë disa mrekulli, dhe pastaj kryqezohet nga disa njerëz që janë të inatosur me të.

Por Jezusi i Biblës është një figurë më komplekse sesa kaq. Ai shoqërohet me njerëz mëkatar, me gra famkeqe, me lebrozë, dhe me ata që konsideroheshin tradhtar nga fetarët e asaj kohe. Jezusi gjithashtu predikoi një mesazh që sfidonte thellë ndjeksit e tij. Ai u tha të ndihmonin të varfërit, të burgosurit, dhe të sakrifikonin gjerat materiale për të mirën etë tjerëve. Ai provokoi drejtuesit e popullit, e humbi durimin me ata që shisnin në tempull, madje e lavdëroi samaritanin e urryer në sytë e judenjve.

Më problematike për besimtarët e krishterë është fakti që ky film devijon shpesh nga historia e Jezusit siç e kemi të regjistruar në faqet e Biblës. Lexuesi i rregullt i Biblës nuk ka si të mos vërë re rastet kur skenografisti e modifikon historinë origjinale. Marrim, për shembull, ngatërresën që është bërë me skenën e filmit kur Pjetri merr thirrjen për të qënë dishepull i Jezusit.

Ungjilli tregon që Pjetri nuk ishte vetëm me Jezusin në varkë kur mrekullisht u kap një sasi e madhe peshqish, dhe që ky në fakt nuk ishte aspak momenti që Pjetri u thirr si dishepull i Jezusit. E vërteta është se ky ishte një moment reflektimi për Pjetrin, sepse thirrjen e kishte marrë që më përpara.

Ngatërresa të tilla janë të shumta. Është normale për besimtarët të pyesin se përse regjisorët bejnë ndryshime të tilla. Është vështirë të besojmë që ata nuk e kanë kuptuar tekstin origjinal të Biblës. Të bën të mendosh se atyre u duket se janë kompetent të përmirësojnë tekstin e ungjillit duke e ndryshuar ate. Diçka që është komentuar pozitivisht nga disa kritikë është rëndësia që i jepet ringjalljes së Jezusit në këtë film. Edhe pse ringjallja është një element kyç në historinë e Krishtit, filmat e tjerë shpesh e kanë menjanuar, apo trajtuar në mënyrë të përshpejtuar.

Mëgjithatë, duhet theksuar që Hollivudi ka prodhuar një film për jetën e Jezusit që është shumë i cekët dhe që tjetërson shumë detaje. Kritika e fundit që i bëhet këtij filmi është të pyesim se ku shkoi mesazhi i shpëtimit që është aq thelbësor në veprën e Jezus Krishtit? Regjisorët dhe autorët e filmit i kishin të gjitha mundësitë të përcillnin domethënien e jetës dhe vdekjes së Krishtit, por nuk e realizuan.

Edhe pse një besimtar që e shikon këtë film mund të preket prej saj, kjo ka të bejë më shumë me faktin se ai e di tashmë domethënien e saj që po shfaqet para syve të tij. Në rastin e jobesimtarit, dyshohet nëse ai mund të kuptojë rëndësinë e veprës së Jezusit vetëm me shikimin e këtij filmi.

Pyetje si: “Përse lindi Biri i Perendisë në tokë?” “Përse vdiq Krishti në kryq?” “Si na shpëton Jezusi?” janë lënë mënjanë, ndofta nga meraku se kufizohet tregu i filmit. Dhe ai mesazh që jepet është i pjesshëm. Personazhi i Jezusit na flet gjatë filmit, “Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta,” por nuk e dëgjojmë të thotë “askush nuk vjen te Ati përveçse nëpërmjet meje”.

Sigurisht që nuk pritet që filmi të trajtojë çdo aspekt të jetës së Jezusit, por të paktën një film i tillë duhet të nxirre në dritë pjesët më thelbësore të saj. Si shumë filma të tjera për Jezus Krishtin, edhe ky film ndalet te udhëkryqi ku duhet të zgjedh midis rrugës së dëfrimit të shikuesit apo informimit të drejt të tij.

Unë mendoj se është zgjedhur ajo e para. Si do të reagojë publiku ndaj filmit? Shenjat e para janë që një pjesë e publikut, kryesisht pjesa fetare, janë të kënaqur me një film që paraqet Jezusin në stilin modern. Ndofta kjo na mëson diçka më shumë për publikun sesa për vlerën e filmit.

Çmimi për kontributin shpirtëror

Disidenti çek Tomas Halík fitoi Çmimin Tempelton për vitin 2014, me një vlerë monetare prej 1.3 million Euro. Filozofi çek ecën në gjurmët e Nënë Terezës që fitoi këtë çmim në vitin e inaugurimit të tij në 1973. Profesor Halík ishte një student jashtë shtetit në kohën e revoltës çeke kundër komunizmit në vitn 1968.

Ai u kthye në vendlindje për të punuar për lirinë e vendit të tij. Pasi mbajti një fjalim mbi temën “Të vërtetën ” gjatë diplomit të tij me gradën e dokturaturës në vitin 1972, ai u denoncua si “armiku i partisë,” dhe iu hoq e drejta të jepte mësim. Edhe pse i rritur në sistemin komunist, që në moshë të re ai përqafoi besimin e krishterë duke u bërë një kundërshtar i komunizmit.

Ai studioi teologji në mënyrë klandestine duke u emëruar prift në një ceremoni të fshehtë në vitin 1978. Tomas Halík i shërbeu kishës së fshehtë ndërsa punonte të punëra të tjera, sidomos në fushën e rihabilitimit të të droguarve. Pas rënies së komunizmit ai ka punuar për forcimin e mirëkuptimit në botën fetare.

Çfarë është çmimi Templeton? Ky çmim u krijuar në vitin 1972 nga filantropisti Sir John Templeton, i cili ndjeu që çmimet nobel nënvlerësojnë kontributët shpirtërore për njerëzimin dhe donte ta korrigjonte këtë. Kjo është edhe arsye që vlera monetare e këtij çmimi është gjithmonë më e madhe nga ajo e çmimit Nobel.

Ky çmimi i jepet çdo vit një person të gjallë, i cili konsidërohet të ketë dhënë një kontribut shumë të madh në nxitje të vlerave shpirtërore. Ky çmim iu dha nëne Terezës gjashtë vjet përpara se ajo të fitonte çmimin nobel për paqen. Ajo u vlerësua atëherë nga Fondacioni Tempelton për përpjekjet e saj të jashtëzakonshme për të ndihmuar të pastrehët dhe fëmijët e vafër të Kalkutës, një punë që frymëzoi milona të tjerë në të gjithë botën.

Ç’është Pashka?

Pashka është festa që na kujton dy veprat e medha të Jezus Krishtit.

E para vdekja e tij për mëkatet e popullit të tij të humbur, dhe e dyta ringjallja e tij prej së vdekurish, duke treguar se ai triumfoi mbi vdekjen dhe është i aftë të shpëtojë të tjerët. Kjo festë merr forma të ndryshme në vende të ndryshme, duke qënë se feja e krishterë është përhapur në të gjithë botën sot.

Thelbi i festës është që njeriu të besojë në Jezus Krishtin, i cili është shpëtimtari që dërgoi Zoti në botë për ne. Jezus Krishti u ofron jetë të re të gjithë atyre që i drejtohen atij për ndihmë. Festa e Pashkës shpeshherë shoqërohet me këngë. Kënga “Dashuri sa Oqeani” është një nga vjershat më të pëlqyera me tematikën e Pashkës.

Dashuri Sa Oqeani

Mirësi porsi lumenjt,

Kur Princ i jetës derdhi,

Si shpengim gjakun e shtrenjtë,

Dashurinë kush ia harron?

Kush ndalon s’lëvduari?

Ai kurr’ s’mund të harrohet,

Sot edhe në përjetsi.

Mbi atë mal’ të kryqëzimit,

Burimet shpërthyen fort,

Përmes digave të mëshirës,

Rrodhi dallgë e madh’ e gjerë

Hir dhe dashuri si lumë,

Derdhur pa pushim nga lart,

Paqja dhe drejtësia e qiellit,

Puthën botën e mëkat.

T’i Festosh Pashkët Me Frikë

Sipas shtypit të jashtëm (Gazeta Daily Mail dhe Uashington Times) udhëheqësi suprem i Kores së Veriut sapo ka udhëruar ekzekutimin e tridhjetë e tre besimtarëve të krishterë vetëm për shkak të besimit të tyre. Këta të fundit u arrestuan për shkak të kontaktit të tyre me një misionar nga Korea e Jugut, Kim JungUook, i cili u arrestuar vitin e kaluar.

Liria e besimit është gëzuar për 23 vjet në Shqipëri, çka mund të na bëjë të mendojmë që kjo është normale për gjithë botën. Por raportet e shoqatave humanitare kohët e fundit na kanë vënë në dijeni të rritjes së përsekutimit të besimtarëve nëpër botë, madje ndalimin total në disa prej këtyre vendeve edhe të festimit të Pashkës.

12 vjetët e fundit, Koreja e veriut ka qënë vendi nr. 1 në botë për persekutimin e besimtarëve. Është një shtet tërësisht komunist, i vetmi në botë që ngjan me Shqipërinë ish-komuniste, ku çdo lloj praktike besimi është e ndaluar dhe ku kërkohet adhurimi i udhëheqësit të vendit. Vendi ka afërsisht 300 mijë të krishterë. Besohet se më shumë se 25% e tyre janë në kampe pune dhe burgje me kushte çnjerëzore. Të krishterët takohen fshehtas, në frikë dhe terror të vazhdueshëm. Ata pak që kanë lënë vendin tregojnë për tortura çnjerëzore për besimtarët që kapen nga autoritetet.

Edhe vende si Afganistani, Somalia dhe Arabia Saudite nuk lejojnë që besimtarët të mblidhen publikisht dhe të festojnë pashkët apo të adhurojnë Jezus Krishtin. Këto shtete (dhe të tjera si këto) ndalojnë ekzistencën e kishave sepse janë vende që lejojnë praktikimin e vetëm një feje. Në Afganistan sot, nuk ekziston asnjë ndërtesë kishe me një popullsi 35 milionë banorë. Besimtarët kristian takohen në fshehtësi, pasi të gjithë vijnë nga tradita muslimane dhe nëse zbulohen, rrihen dhe torturohen ose vriten. E njejta situatë është edhe në Somali. Edhe pse kushtetuta flet për liri besimi, nuk ka asnjë bashkësi të krishterë që funksionon hapur. Shumë besimtarë janë vrarë gjatë vitit 2013 dhe presioni kundër të krishterëve është i madh dhe në rritje.

Në Arabinë Saudite ka shumë besimtarë kristian, por ata kryesisht kanë ardhur aty si punëtorë nga vende të tjera. Në 2013 dhjetra besimtarë nga vende të tjera u zbuluan dhe u larguan nga vendi me forcë.

Siria ka tre vjet që është zhytur në një luftë civile të ashpër që është kthyer në një luftë fetare midis dy sekteve të Islamit. Iraku ka pësuar të njëjtin konflikt sektesh për dymbëdhjetë vjet me rradhë. Të dyja këto shtete kanë një pakicë të krishterë shumë të vjetër që kanë pothuajse 2000 vjet që jetojnë në ato troje. Mirë po, si një pakicë jo e fuqishme, të krishterët janë shkelur nga ekstremistët dhe mblidhen me shumë frikë të festojnë pashkët për shkak të atentatave kundër tyre. Edhe pse kushtetuta në këto vende lejon liri besimi, ata që lënë islamin persekutohen shumë ashpër.

Në prag të pashkës situata është e vështirë për besimtarët në shtete të tjera si Pakistanti, Iran, dhe Libia ku rrahjet, dëmtimet, kërcënimet me vdekje, martesat me forcë të vajzave më djem muslimanë, janë disa nga problemet për ata që besojnë në Jezus Krishtin në këto vende.

Vietnami vazhdon të jetë një vend komunist që i sheh të krishterët me dyshim, si agjentë të perëndimit. Në 2013 qeveria kaloi ligje të reja që e bëjnë më të vështirë jetën për të krishterët, për punën me të rinjtë, dhe për trajnimin e udhëheqësve.

Përveç këtyre vendeve të listuara më lart, ka edhe të tjera si: Egjipti, India, Algjeria, Jordania, dhe Kolumbia ku persekutimi i të krishterëve është i madh dhe shpesh në rritje.

Jezus Krishti paralajmëroi përndjekjen e ndjekësve të tij kur tha: “Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush”.

Krishti u bë kurban

Nuk kishte figurë as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim.

I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet fytyra, ishte i përçmuar, dhe ne nuk e çmuam aspak.

Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur.

Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.

Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.

I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që e qethin nuk e hapi gojën.

U çua larg nga shtypja dhe nga gjykimi; dhe nga brezi i tij kush mendoi se ai ishte larguar nga toka e të gjallëve dhe ishte goditur për shkak të shkeljeve të popullit tim?

I pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante. Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin, ai do të shikojë pasardhës, do të zgjasë ditët e tij, dhe vullneti i Zotit do të ketë mbarësi në duart e tij.

Ai do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe do të jetë i kënaqur; me anë të diturisë së tij, i drejti, shërbëtori im, do të bëjë të drejtë shumë veta, sepse do të marrë përsipër paudhësitë e tyre.

 

Teksti më lartë është marrë nga Dhiata e Vjetër, e Biblës, parashikimi i profetit Isaia 750 vjet përpara se Jezus Krishti të vinte në tokë.