Krishtlindjet 1914

Letra e dërguar familjes së tij nga Scrutton-i, një ushtar anglez që shërbente me regjimentin Essex Nga llogoret tona: ““Mirëmëngjesi Fritz [emri që ushtarët anglez e përdornin për gjermanët]” (S’mori përgjigje).“MIRËMËNGJESI FRITZ!” Nga llogoret gjermane: “Mirëmëngjesi.” Nga llogoret tona: “Si jeni?” “Në rregull jemi.” “Eja këtu, Fritz.” “Jo. Nëse vij më qëlloni.” “Nuk të qëllojmë. Hajde.” “Kam frikë.” “Hajde dhe merr ca cigare, Fritz.” “Jo. Hajde ti në mes të rrugës dhe takohemi aty.” “Mirë. Dakord.” Një nga tanët i mbushi xhepat me cigare dhe doli sipër. Gjermani doli nga llogorja e tij, dhe me gjithë mend u takuan në mes te rrugës, Fritz-i i mori cigaret dhe në shkëmbim na dhuroi ca djath.”

Kujtohet 100 vjetori i armëpushimit në mes të luftës

E pabesueshme por e vërtetë. Në mes të luftës së parë botërore, ushtarët armiq i ulën armët e tyre dhe shkëmbyen urime dhe dhurata për festën e krishtlindjes. Historia i konsideron ngjarjet në frontin e luftës të vitit 1914, kur spontanisht ushtarët pushuan së qëlluari njeri tjetrin, si tepër të vëçanta. Lufta e parë botërore kishte disa muaj që kishte nisur. Përpjekjet për të thyer forcat kundërshtare kishin dështuar dhe lufta po vijonte me krijimin e një fronti qindra kilometra të gjatë. Nga pamundësia për të korrur një fitore të shpejtë, të dy ushtritë kishin mbetur në llogore përballë njeri-tjetrit duke qëlluar dhe bombarduar njeri-tjetrin vazhdimisht. Në shumë vende llogoret kundërshtare ishin vetëm disa dhjetra metra larg. Afërsia e armikut lejonte komunikim me zë mes ushtarëve kundërshtarë të cilët, ndonjëherë, shkëmbenin edhe batuta, e jo vetëm plumba. Sigurisht, që kjo afërsi ishte një faktor që i lejoi ushtarët të “miqësoheshin” ditën e festës. Faktori tjetër, për këtë armëpushim në mes të një lufte të përgjakshme, ishte besimi dhe kultura e përbashkët që kishin ushtarët armiq. Si ushtarët gjermane në njërën anë, ashtu dhe ushtarët britanike e franceze në anën tjetër, i përkisnin të gjithë besimit të krishterë. Është një dëshmi për kulturën e krishterë në këto popuj, që forca e këtij besimi arriti të mposhti, qoftë edhe vetëm për disa ditë, propagandën shtetërore që ndaj kombit armik nuk duhej treguar aspak dashamirësi.

Dëshmitë okulare

Kështu ndodhi që në prag të krishtlindjes, me datë 24 dhjetor, shumë ushtarë gjerman ngritën pemë të vogla me llamba (jo elektrike kuptohet) mbi pozicionet e tyre. Pastaj, sipas zakonit, ata filluan të këndonin këngët e tyre tradicionale për krishtlindje. Të nesërmen në mëngjes, pas një natë të ftohtë dimri kishte zbardhur gjithçka, thuhet që skena dukej tamam si ajo që mund të pikturohej në një nga ato kartolinat festive. Letra origjinale e një ushtari anglez (e përkthyer më poshtë) është tipike për atë çfarë ndodhi më pas:

“Do të habitesh kur të them se si e kaluam ditën e krishtlindjes.Në prag të festës, gjermanët në llogore përballë nesh na thirrën “Gëzuar Krishtlindjet!” dhe “Cigare!”, “Puding!”, kështu që dy nga tanët u çuan, dolën mbi pozicionet tona dhe iu drejtuan pozicioneve gjermane. Në tokën asnjëanëse u takuan me katër gjermanë, që thanë se nuk do të qëllonin ditën e krishtlindjes nëse nuk qëllonim ne. Gjermanët u dhane shokëve tanë disa puro e një shishe verë, dhe këta u dhanë atyre një ëmbëlsirë dhe disa cigare. Me t’u kthyer tanët, dola unë me disa shokë dhe u takuam nga një grup prej 30 ushtarësh gjerman, që m’u dukën djem të mirë. Njërit prej tyre i kërkova të shkruante emrin dhe adresën e tij mbi një kartolinë, për suvenir. Përgjatë gjithë mbrëmjes, u kënduam këngë dhe na kënduan këngë.”

Rifleman C H Brazier, nga regjimenti Queen’s Westminsters.

Ndeshje futbolli në fushën e betejës

Një nga ngjarjet e komentuara të asaj dite është zhvillimi i ndonjë ndeshje futbolli. Në muajin janar, u botua një letër nga një oficer britanik, në gazetën Times, e cila tregonte për një ndeshje futbolli që u zhvillua mes ushtarëve në sektorin e tij. Vërtetësia e kësaj letre dëshmohet edhe nga rezultati i ndeshjes: Anglezët u mundën nga Gjermanët 3 me 2! Edhe ushtari gjerman Kurt Zehmisch (që shërbente me regjimentin Sakson Nr.134) shënoi në ditarin e tij: “Anglezët nxorrën një top futbolli nga llogoret e tyre, dhe pa kaluar shumë kohë filloi një ndeshje e vërtetë. Sa e çuditshme ishte aq edhe e mrekullueshme. Kështu u ndjenë edhe oficerët anglezë. Ja pra, krishtlindja, kjo festë e dashamirësisë, i bashkoi për pak kohë armiqtë më të betuar.”

Fundi i armëpushimit

Në shumë zona, armëpushimi zgjati vetëm për disa orë dhe me përfundimin e këtij afati rifilloi shkëmbimi i zjarrit njësoj si më parë. Por në zona të tjera, është dokumentuar që dëshira për të mos qëlluar mbi njeri-tjetrin zgjati për shumë ditë të tjera. Madje në disa sektore të frontit u pa e nevojshme të zëvendësoheshin njësitë ekzistuese me njësi të reja. Reagimi nga eprorët ishte i pritshëm. U urdhërua rreptësisht që nuk do të kishte më kontakt mes forcave, dhe u lajmërua që do të arrestoheshin ata që flisnin me armikun.

Morali i kësaj historie

Armëpushimi i krishtlindjes së vitit 1914 kujtohet si një ngjarje pozitive. Një moment kur ndjenjat fisnike mposhtën politikat armiqësore.

 

Disa komentues e shikojnë si të pa vlerë, përderisa lufta vazhdoi dhe për katër vjet të tjera. Ka dhe disa historianë që argumentojnë që lufta e parë botërore shkaktoi rrëzimin e besimit në shoqërinë europiane, qoftë në idealet humaniste por edhe ndaj kishave shtetërore, duke qënë se shumë prej tyre u implikuan në politikat luftënxitëse. Mëgjithatë, një bashkëkohës, një oficer skocez në regjimentin Highlander, e vlerësoi atë moment me një largpamësi kur shkruajti për gazetën Times në vitin 1915: “Na jep shpresë për paqe në të ardhmen kur dy kombe që urrejnë njeri-tjetrin me një urrejtje të pashoqe, dhe që janë betuar për hakmarrje të përjetëshme, arrijnë të lënë menjanë në ditën e krishtlindjes armët e tyre, dhe për hir të emrit të asaj dite këmbejnë cigare dhe i urojnë njeri tjetrit lumturi”.

 

Është e vërtetë që luftëra të shumta na kanë shoqëruar në këto 100 vite të shkuara, gjë që dëshmon se njeriu shpesh dështon përballë pasioneve të tij më negative, por nuk duhet harruar që ai armëpushim spontan në mes të luftës nuk është një rast i izoluar i dashamirësisë dhe faljes. Për shkak të emrit të Jezus Krishtit shumë njerëz sot kanë gjetur forcën, siç parashikoi ai oficer skocez, të mposhtin urrejtjen dhe të punojnë për një ditë më të mirë. Ndoshta morali i kësaj është: A do të zgjedhim ne të jemi pjesë e një historie faljeje apo do të jemi pjesë e urrejtjes dhe konfliktit që e prodhon kaq kollaj shpirti i njeriut?

Gjith’ Ju Që Besoni

Me g’zim të ngadhënjysve Shpejtoni,

shpejtoni në Betlehem.

Mbreti i engj’jve sot ndër ne ka lindur.

Refreni: Të shkojm’ ta adhurojmë

Të shkojm’ ta adhurojmë

Të shkojm’ ta adhurojmë

Jezusin Zot!

Barinjtë në fushë tufat krejt i lanë

Dhe shkuan të kërkojn’ shpëtimtarin ton’

Dhe siç u thanë,

Në një grazhd e gjetën.

Kënga që kënduan bashkë ushtarët anglezë dhe gjermanë në krishtlindje 1914

Këpucari Papa Panov

Një histori e shkruar nga Leo Tolstoi

Ishte prag Krishtlindjesh dhe dritat kishin filluar të ndizeshin në dyqanet dhe shtëpitë e fshatit, sepse dita e dimrit ishte e shkurtër. Papa Panov, këpucari i fshatit, doli nga dyqani i tij dhe hodhi nje sy përreth. Era e shijshme e gatimit të Krishtlindjeve, i kujtoi atij kohën kur gruaja e tij ishte ende gjallë dhe fëmijët e tij ishin ende të vegjël. Fytyra e tij zakonisht e gëzuar, tani dukej e trishtuar. Ai u kthye në shtëpi, mbylli derën dhe vendosi cajnikun në sobë. Pastaj, me një psherëtimë, u ul në kolltukun e tij të vjetër.

Papa Panov nuk e lexonte shpesh, por sonte ai e tërhoqi nga rafti Biblën e vjetër të familjes dhe gjeti pjesën ku tregohet për historinë e Krishtlindjeve. Aty, ai lexoi se si Maria dhe Jozefi, të lodhur nga udhëtimi i tyre në Bethlehem, nuk gjetën vend në han, kështu që Maria u detyrua të strehohej dhe të lindte fëmijën e saj në haur.

“Oh, mos! – bërtiti Papa Panov, – Në qoftë se ata do kishin ardhur këtu, unë do t’u kisha dhënë atyre shtratin tim dhe unë do kisha patur mundësi të mbuloja fëmijën me jorgan tim, për ta mbajtur të ngrohtë.” Ai lexoi në lidhje me Dijetarët që kishin ardhur për të parë fëmijën Jezus, duke i sjellë atij dhurata të shtrenjta. Fytyra e Plakut Panov u prish disi.

“Unë nuk kam asnjë dhuratë që të mund t`ia jap atij,” – mendoi ai me trishtim. Në një çast fytyra e tij u çel. Ai e uli Biblën, u ngrit dhe shtriu krahët e tij te pjesa e sipërme e raftit. Ai mori një kuti dhe e hapi. Brenda ishin një palë këpucë të vogla prej lëkure. Plaku Panov buzëqeshi. Ato ishin aq të mira sa s’kishte parë ndonjëherë.

“Unë duhet t`ia jap atij,” – vendosi ai, dhe i hoqi mënjanë, duke i vendosur me kujdes në kuti. Ai ndihej i lodhur tani. Provoi përseri të lexonte, por gërmat filluan të kërcenin para syve të tij. Duke menduar t’i mbyllte sytë vetëm për një minutë, Papa Panov ra menjëherë në gjumë të thellë. Dhe, ndërsa flinte, ai ëndërronte. Ai ëndërronte se dikush erdhi në dhomën e tij dhe… siç ndodh në ëndrra, ai e dinte cili ishte ky person. Ai ishte Krishti.

“Ti ke pasur dëshirë të më takosh, – i tha ai me mirësi, – Dhe nesër do të më takosh me të vërtetë. Është Dita e Krishtlindjeve dhe unë do të të vizitoj. Por shiko me kujdes.” Kur Papa Panov u zgjua, këmbanat e kishave binin pa pushim dhe një dritë e hollë po hynte në shtëpi.

“O shpirti im! – tha Papa Panov. – Kjo është Dita e Krishtlindjeve!” Ai u ngrit dhe fytyra e tij u mbush me gëzim ndërsa mendonte për ëndrrën e tij. “Kjo do të jetë një Krishtlindje shumë e veçantë,” – mendoi ai. Jezusi po vinte për ta vizituar. Si do të dukej? A do të jetë si një fëmijë i vogël, si në Krishtlindjen e parë? Apo do të jetë një njeri i rritur, një zdrukthëtar, apo ndoshta Mbret i madh, siç ai është në të vërtetë, Biri i Perëndisë? Dhe i vuri detyrë vetes të ishte i vëmendshëm gjatë gjithë ditës, me qëllim që ai ta njihte.

Papa Panov e vuri tenxheren për kafe, hapi kanatet e dritares dhe pa nga jashtë. Rruga ishte e braktisur, askush nuk kishte dalë akoma, përveç pastruesit të rrugëve. Ai dukej i mjerë si gjithmonë, dhe me të drejtë. Kush do të punonte në ditën e Krishtlindjeve, në atë të ftohtë të hidhur të një mëngjesi të tillë? Papa Panov hapi derën e dyqanit dhe thirri me dashamirësi:

“Eja të pish pak kafe të nxehtë për t’u mbrojtur nga kjo erë e ftohtë!” Pastruesi ngriti kokën, i habitur nga ftesa e papritur. Ai ishte i kënaqur të vinte në dhomën e ngrohtë. Rrobat e tij të vjetra lëshonin avull, ndërsa ai ngrohej pranë sobës. Duart e tij të skuqura nga të ftohtit, mbërthyen filxhanin e ngrohtë. Këpucari Panov e vështroi pastruesin me kënaqësi, por sytë i drejtonte shpesh nga dritarja. Ai nuk do të lejonte që vizitori i tij i veçantë t’i humbiste nga sytë.

“Prisni dikë?” – i tha pastruesi më në fund. Dhe Papa Panov me çiltërsi i tregoi në lidhje me ëndrrën e tij. “Shpresoj që ai të vijë, – tha pastruesi, – ju më keni dhënë mua pak gëzim në këtë Krishtlindje. Unë nuk e prisja.” – tha ai duke buzëqeshur. Kur pastruesi u largua, Papa Panovi vuri supën në sobë për drekën e tij, pastaj vështroi përsëri rrugën. Në fillim ai nuk pa asnjë. Por ai e kishte gabim. Dikush po vinte. Një vajzë po ecte ngadalë dhe në heshtje, duke qëndruar afër mureve të dyqaneve dhe shtëpive. Ajo dukej shumë e lodhur dhe mbante diçka në krah. Kur më në fund e pa nga afër vajzën, trishtimi i fytyrës së saj preku zemrën e Papa Panovit. Ai doli menjëherë nga dyqani.

“Hajde brenda,” – i foli ai gruas së re, e cila mbante në krahët e saj një fëmijë. “Ju të dy keni nevojë për t`u ngrohur dhe të bëni pak pushim.” Kjo nënë shumë e re në moshë, e ndoqi këpucarin brenda dyqanit dhe u ul te stoli pranë zjarrit. Ajo lëshoi një psherëtimë të madhe. “Unë do të ngroh pak qumësht për fëmijën”, – i tha Papa Panovi, – Unë kam rritur fëmijë dhe e di si ta ushqej fëmijën për ju.” Ai e mori qumështin nga soba dhe me kujdes ia dha fëmijës. “Ajo ka nevojë për këpucë,” – tha Papa Panovi. Por nëna e re u përgjigj:

“Unë nuk mund të blej këpucë, dhe s’kam burrë të më sjellë para në shtëpi. Jam nisur për në qytetin tjetër, për të kërkuar punë.” Mendja e Papa Panovit shkoi te ato këpucë të bukura që ai kishte në raft. Por ai po i ruante ato për Jezusin. Ai vështroi përsëri këmbët e ftohta të fëmijës dhe mori vendimin e tij. “Provoni këto në këmbët e saj,” – tha ai, duke i dorëzuar nënës këpucët e bukura. Këpucët shkonin për bukuri në këmbët e vajzës së vogël. Vajza buzëqeshi me të madhe kur i pa.

“Ju jeni treguar aq të mirë me ne,” – tha nëna e re, kur u ngrit me fëmijën e saj për të ikur. Dhe shtoi: “Të gjitha dëshirat e tua u plotësofshin në këtë Krishtlindje!” Por Papa Panovi kishte filluar të pyeste veten në qoftë se dëshira e tij do të realizohej. Ai vështroi me padurim lart e poshtë rrugën. Tani kishte shumë njerëz përrreth, por ata ishin të gjithë fytyra të njohura. Fqinjët e tij e uruan: “Gëzuar Krishtlindjet!” Në shesh kishte dalë edhe lypsari.

Papa Panovi hyri brenda shtëpisë dhe mori supë të nxehtë dhe një copë të madhe buke, me ngut se mos e humbiste mundësinë të shikonte vizitorin e veçantë në rrugë. Dita po ikte dhe nata e dimrit ra shpejt. Kur Papa Panov shkoi përseri te dera, kuptoi që nga errësira e madhe, s’mund t`i dallonte më kalimtarët. Megjithatë, tani pothuajse të gjithë kishin hyrë në shtëpitë e tyre dhe po i mbyllni kanatet e dritareve. Me një ecje të ngadaltë, Panovi kthehet në dhomën e tij dhe mbyll kanatet e shtëpisë. Pastaj me një lodhje në shpirtin e tij, ulet në kolltukun e vjetër.

Pra, në fund të fundit ajo kishte qenë vetëm një ëndërr. Jezusi nuk kishte ardhur. Në këtë çast, krejt papritur, Papa Panovi ndjeu që ai nuk ishte më vetëm në dhomë. Tani s’ishte ëndërr, sepse ai ishte plotësisht zgjuar. Përpara syve të tij kaluan personat që kishte ndihmuar atë ditë. Ai e pa përsëri pastruesin e rrugëve, nënën e re dhe fëmijën e saj dhe lypësin që ai kishte ushqyer. Si i kaluan përpara, secili prej tyre pëshpëriti: “A nuk më njeh mua, Papa Panov?” “Kush je ti?” – thirri ai i hutuar. Pastaj një tjetër zë iu përgjigj. Ishte zëri që i kishte folur në ëndrrën e tij. Zëri i Jezusit. Ai i foli: “Isha i uritur dhe ti me dhe për të ngrënë, isha i zhveshur dhe ti më veshe. Isha i ftohtë dhe ti më ngrohe. Vërtet kam ardhur tek ti sot, brenda gjithë atyre njerëzve që ti i ndihmove.” Në këtë moment gjithçka ra në qetësi. Vetëm zhurma e orës dëgjohej. Dukej sikur një paqe e madhe dhe një lumturi e mbushi dhomën dhe zemra e Papa Panovit u mbush aq shumë, sa ai donte të shpëthente në këngë dhe në të qeshura njëkohësisht. Dhe madje të hidhte valle nga gëzimi. “Ai paska ardhur! Ardhka vërtet!” – ishte gjithçka që tha Papa Panovi.

5 Kritika Ndaj Besimit

Unë kam qenë dikur ateist dhe vendosa të vërtetoja që krishtërimi nuk ishte i vërtetë. Por gjatë shqyrtimit që bëra, zbulova prova shumë të forta që tregojnë vlefshmërinë e besimit në Jezus Krishtin. Cilat ishin disa nga arsyet e mi për të kundërshtuar besimin?

1. Feja është një ‘patericë’.

Karl Marksi, autori i Manifestit Komunist, tha, “Feja është opiumi i masave.” Njerëz si Marksi kanë bërë akuzën që feja është e shpikur posaçmërisht për njerëzit të cilët janë të paaftë për t’u bërë ballë presioneve të jetës. Disa shprehen se nuk u duhet ky lloj ngushëllimi emocional, sikur ky fakt të përgënjeshtronte besimin te Zoti. Individë të tillë pretendojnë shpeshherë se janë “më të fortë” sepse janë mjaft guximtarë për t’u përballur me jetën pa “paterica.” Është e gabuar të nënkuptosh që njerëzit jofetarë nuk kanë nevojë për paterica. Skllavëria ndaj drogave, alkoolit, duhanit, seksit, parasë, pushtetit, tregon që të gjithë njerëzit kanë nevojë për paterica. Ateizmi (besimi që nuk ka Perëndi) mund të bëhet patericë për ata që janë skllavëruar pas një jetese në kundërshtim me standardet morale të Perëndisë. Në vend që të jenë të dobët, të krishterët janë të fortë, jo ngaqë mbështeten në vetveten, por sepse ata mbështeten te Jezus Krishti. Gjithsecili ka nevojë për ndihmë. Pyetja është se ku do të mbështetesh ti? Besimi në Jezus Krishtin të jep atë që nuk ta jep dot kurrë ateizmi ose fetë e tjera: plotësimin shpirtëror, paqen, dhe faljen.

2. Besimtarët janë hipokritë

Një hipokrit është një aktor, një njeri i cili pretendon të jetë diçka që nuk është. Fjalët më të ashpra të Jezusit janë rezervuar për hipokritët. E vërteta është që gjithmonë ka patur dhe gjithmonë do të ketë hipokritë, madje edhe në kishë. Por Jezusi nuk na kërkon të ndjekim të tjerë; ai na kërkon të ndjekim atë. Ndonëse të krishterët mund ta përfaqësojnë Jezusin mirë ose keq, çështja e vërtetë nuk është nëse ka apo s’ka hipokritë në kishë, por nëse Jezusi është hipokrit. Në qoftë se dikush mund të vërtetojë që Jezusi ka qënë hipokrit, atëherë e gjithë struktura e besimit do të rrëzohet. Por Jezusi është krejt i përsosur. Njerëzit që qendruan afër Jezusit dëshmojnë që ai ishte pa mëkat. Madje edhe vetë Jezusi sfidoi armiqtë e vet të gjenin faj në jetën e tij.

3. Po gjithë ato luftëra që kanë bërë të krishterët?

Disa fajësojnë krishtërimin për luftërat fetare, kryqëzatat, inkuizicionin, madje edhe për skllavërinë. Çështja këtu është thjesht një pjesë e shtrirë e çështjes së hipokritëve. Le të pohojmë që besimtarët e ashtuquajtur nuk kanë praktikuar krishtërimin e vërtetë dhe kanë bërë të keqija. Prapë se prapë, përqëndrimi tek abuzimet është një ‘ekran tymi’ për t’u fshehur nga çështja e rëndësishme: Pa frymën e Krishtit ku do të ishte bota sot? Besimi i krishtër ka mjaft më shumë arritje pozitive sesa ndikime negative. Ai ka qenë vendimtar në themelimin e shumë spitaleve, shkollave, kolegjeve, jetimoreve, agjencive të emergjencës si dhe ato bamirëse. Për të mos përmendur ndryshimin rrënjësorë të jetave të pashpresë në ato me një qëllim, shpresë dhe dashuri. Asnjë fe tjetër në histori nuk mund të krahasohet me të.

4. Është mendjengushtësi të thuash që Jezusi është e vetmja rrugë për tek Perëndia.

Jezusi tha që ai është e vetmja rrugë për tek Perëndia. Ky pretendim është ose krejt i saktë ose krejt i gabuar. Disa njerëz thonë se janë besimtarë, por lënë mënjanë pretendimin e Jezusit se Ai është i vetmi Shpëtimtar. Por nëse Jezus Krishti erdhi nga Perëndia, atëherë ne duhet të pranojmë gjithçka që ai mësoi. Nëse besohet që Jezusi thotë vetëm të vërtetën, atëherë çështja është e vendosur.

5. Nuk ka rëndësi të besosh por të jesh njeri i mirë.

Disa arsyetojnë që edhe në qoftë bindje e dikujt është e gabuar, ajo që ka rëndësi është vetëm që ai është i sinqertë dhe mundohet të jetë i mirë. Megjithatë, sinqeriteti nuk përcakton se ç’është e vërteta. Një njeri mund të bindet sinqerisht për një ide, dhe të jetë sinqerisht i gabuar. Për shembull, shumë gjermanë besuan Hitlerin dhe ishin shumë të sinqertë në besimin e tyre, por ata sigurisht që besonin te personi i gabuar. Perëndia i gjykon njerëzit në bazë të së vërtetës, jo opinioneve njerëzore, dhe kjo e vërtetë është Jezus Krishti.

Përse unë shkoj në kishë

Janë hapur me qindra kisha në Shqipëri gjatë njëzet e ca vjetëve që kur ra sistemi ateist. Disa prej këtyre kishave drejtohen nga predikues shqiptarë dhe disa prej misionarëve të huaj. Nuk pretendoj se të gjitha këto kisha janë njësoj, as që them se do të frekuentoja çdo lloj kishe. Por po ju jap këtu disa nga arsyet përse unë shkoj në një kishë ungjillore. Në qoftë se s’ke shkuar ndonjëherë në kishë, të ftoj t`i marrësh në konsideratë arsyet që ju paraqes më poshtë:

Kam nevojë për shoqëri

Njeriu është një qenie shoqërore. Ai ka nevojë për njerëz të tjerë. Kur Zoti e krijoi njeriun e parë, Adamin, ai tha që: “nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm”. Njerëzit që shkojnë në kishë, nuk janë të përkryer, por në kishë kam gjetur shoqëri të sinqertë. Ku tjetër, përveç kishës, mund t’i gjesh njerëz të mbledhur nga shtresa kaq të ndryshme shoqërore, me një përzierje të të gjitha grupmoshave dhe shpesh me kombësi të ndryshme gjithashtu?

“Po e le të la”

A e dini që sipas studimeve shkencore, frekuentimi i kishës është mirë për shëndetin? Studimet tregojnë që, mesatarisht, njerëzit që shkojnë në kishë, kanë tension gjaku më të ulët, vuajnë më pak nga stresi, kanë imunitet më të lartëndaj sëmundjes, përballojnë problemet më mirë, shërohen më shpejt pas operacioneve dhe gëzojnë jetëgjatësi më të madhe.

I them Zotit: “Faleminderit”

Përse njerëzit ankohen kaq shumë dhe shumë pak janë të kënaqur? Përse lakmojnë kaq shumë dhe nuk ndiejnë më tepër gëzim, për ato gjëra që i kanë? Kjo, vjen ngaqë njerëzit duhet të jenë më mirënjohës ndaj Zotit. Është mirë që ti të shkosh përpara Perëndisë, të paktën një herë në javë, dhe t’i thuash: “Faleminderit!”

Martesa ime është forcuar

E di që martesa ime ka përjetuar përmirësim kur kam frekuentuar kishën me bashkëshorten time. Nuk e di nëse kjo vjen për shkak të arsyeve që mund të shpjegohen ose jo. Kur i drejtojmë sytë te Zoti për një orë, sikur e shikojmë edhe njeri tjetrin më me respekt dhe më me dashamirësi. Nuk besoj që ka çifte që nuk do të përfitonin nga frekuentimi i kishës. Bota nuk është e pamend kur shkon në kishë për të marrë bekimin e Zotit.

Dua të pastroj shpirtin

Përse të shkosh në kishë? Sepse ke nevojë për falje. Dhe në kishë do të dëgjosh për të vetmin që ka fuqi të falë mëkatet. Kjo është një nga arsyet më të forta që duhet të shkosh në kishë. Krishti vjen për të na çliruar nga mëkati. Prandaj ai vdiq në kryq, për të siguruar faljen. Ai vjen në mes nesh më shumë për të dhuruar se sa për të marrë. Pasi ke kaluar një javë duke luftuar me mëkatin, sa mirë që mund të shkosh në kishë të dielën dhe të pastrohesh nga çdo gjë e keqe!

Kë të adhuroj tjetër?

Këngët e kishës janë disa nga këngët më të bukura që janë shkruar. Muzika e kishës ka frymëzuar njerëzit gjatë gjithë historisë. Por adhurimi nuk ka të bëjë vetëm me këngën dhe muzikën. Ngaqë njeriu ka një botë shpirtërore, ai do të adhurojë dikë apo diçka dhe kjo është e pashmangshme. Ose do të adhurojë Zotin, krijuesin e tij, ose do të adhurojë dikë apo diçka më pak të denjë: pasurinë, partinë, punën, ndofta këngëtarë apo jo pak herë veten e vet. Është fisnike të adhurosh Zotin dhe ti duhet të kuptosh që për këtë jemi krijuar, t’i japim lavdi Perëndisë.

Sepse kam nevojë për lutje

Ka fuqi në lutje. Sidomos kur populli i Zotit lutet së bashku. Jezus Krishti premtoi, “Në qoftë se dy prej jush bien në ujdi mbi tokë të kërkojnë diçka, kjo do t’u jepet atyre nga Ati im në qiell.” Ata njerëz, për të cilët askush nuk lutet, janë më të vërtetë më të varfër shpirtërisht, sepse është e mrekullueshme kur rrethohesh nga njerëz që luten për ty.

Dua që fëmijët e mi të jenë në rrugë të mbarë

Fëmija që rritet në kontakt me kishën ka gjasa të dalë një njeri më i kompletuar në jetë dhe të jetë më pak i prirur ndaj veseve të shumta që ka shoqëria sot. Shumë prindër po vuajnë me fëmijët e tyre, adoleshentë të pakontrollueshëm. Mos prit t’ju ndodhë juve. Nëse i doni fëmijët tuaj, (dhe e marrë me mend që i doni) nuk bën keq ti shoqërosh për në kishë.

Unë besoj te Krishti

Përfytyro që Jezus Krishti viziton qytetin tënd. A nuk ke dëshirë të vesh ta takosh? Bashkësia është ky vend. Jezusi premtoi se aty ku dy ose tre njerëz bashkohen në emrin e tij, ai do të gjendej në mes tyre. Ndonëse është e drejtë të themi që Zoti është kudo, ai është i pranishëm në mënyrë të veçantë në bashkësi. Jezusi i quajti besimtarët trupi im. Kështu që pyetja,”ku mund ta gjej Jezusin sot?” merr përgjigjen: “aty ku është trupi i tij.”

Kam pyetje dhe më duhen përgjigje

Asnjëherë tjetër nuk kemi qënë të rrethuar nga kaq shumë zëra me fjalë kontradiktore. Jeta është konfuze, ndërsa ne mundohemi të kuptojmë rrugën që duhet të ndjekim. Kjo të jep një arsye tjetër të vesh në kishë. Sepse atje do të dëgjosh zërin e Perëndisë nëpërmjet këngëve, lutjeve dhe Shkrimeve të Shenjta. Zoti i flet popullit të tij në mënyrë kolektive. Zeri i tij të drejton në rrugë të mirë, të forcon, të jep kurajo, të qetëson, të korrigjon. Sa keq kur i lutemi Zotit për ndihmë, por pastaj nuk shkojmë në vendin ku Zoti na flet.

Më bën mirë të mos mendoj vetëm për veten

Nuk duhet të vesh në kishë me mendim vetëm të marrësh. Kisha është vendi ku duhet edhe të japësh. Nuk po flas vetëm për ofertën e kishës. Po flas për detyrimin që kemi të duam njeri-tjetrin. Jezusi na urdhëroi: “Po ju jap një urdhërim të ri; ta doni njeri-tjetrin, sikurse unë ju kam dashur ju, ashtu edhe ju ta doni njeritjetrin, prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi”.

Sepse e di që një ditë unë do të vdes

Nuk e di kur, as si, por e di që vdekja është e pashmangshme. Më çudit shumë që njerëzit nuk mendojnë për këtë, ose nëse e mendojnë, nuk përgatiten për ditën e tyre të fundit. Vdekja është prova e madhe që përballon njeriu. Pas vdekjes është vonë të ndryshosh drejtimin. Unë kam frikë të vdes larg Zotit, dhe nuk kam turp të them që edhe kjo është një nga arsyet që unë shkoj në kishë. Këto pra, janë arsyet e mia, përse shkoj në kishë. Por cilat janë arsyet e tua se përse ti nuk shkon në kishë? A janë ato vërtetë arsye të mira? Dhe a do të të duken të mira ato arsye kur të arrish në fund të jetës?

Ndërsa vijnë Krishtlindjet…

Sa herë vijnë Krishtlindjet, me vete sjellin një atmosferë të vecantë feste për këdo. Të gjithë dëshirojmë që këtë atmosferë ta jetojmë me njerëzit tanë të dashur, të afërmit, miqtë… Dashuria , mirësia janë simbolika që mbartin dhuratat dhe urimet për Krishtlindje. Edhe pse në fakt, pak njerëz sot mendojnë për atë çfarë qëndron në zemrën e festës së Krishtlindjes, që është lindja e Krishtit si qenie njerëzore. Megjithatë, duhet thënë se gjithkush e përjeton në mënyrën e vet magjinë e Krishtlindjeve. Personalisht, në këtë prag Krishtlindjesh, çfarë më bën të mendoj, është e vërteta që i ndodhi Marias. Pyes veten, çfarë ishte ajo duke bërë kur iu shfaq engjëlli i Zotit. Me siguri jetonte përditshmërinë e saj, pa menduar se do t`i shfaqej një engjëll për t`i thënë se ishte e bekuar nga Zoti. Maria e donte Perëndinë me gjithë zemër, në mënyrën e saj të thjeshtë. Mendoj se ajo ishte si shumë prej nesh, një njeri i zakonshëm…dhe engjëlli i Zotit i foli.

Mrekullitë të gjithë i dëshirojmë, por në rastin e Marias, Zoti bëri një nga ato mrekulli, të cilat shpesh janë të paimagjinueshme për mendjen njerëzore, të pabesueshme. E megjithatë, duke iu referuar sërish Marias, zbulojmë lajmin e mirë se Zoti e ka çdo situatë në kontroll. Për Marian, lajmi se do të lindte një fëmijë nga Fryma e Shenjtë, me siguri ishte tronditës, madje jo vetëm për të, por edhe për të fejuarin e saj, Jozefin. Shumë njerëz, me siguri nuk e besuan. E megjithate, ajo besoi, ata të dy besuan. Secili prej nesh do të donte që Zoti t`i fliste. Por unë sërish pyes veten: “A i japim mjaftueshëm kohë Zotit që ta dëgjojmë zërin e tij?”

Por Zoti nuk insiston, nuk na e imponon vullnetin e tij. Ndërsa na ka dhënë liri të plotë për të zgjedhur, gjërat që bëjmë në përditshmërinë tonë, na marrin shumë kohë dhe në fund, e mbyllim ditën duke u ankuar se nuk kemi kohë. Po në fakt, për këdo është çështje prioritetesh. Nëse duam ta shpëtojmë kohën, pa na humbur, i pari mendim i ditës duhet t`i përkasë Zotit, por edhe i dyti, i treti…deri në mendimin e fundit të ditës. Vetëm kështu do ta dëgjojmë zërin e Zotit. Ndërsa mendoj Krishtlindjet, ende e pyes veten: “A do të besoja thellësisht në zërin e Zotit, pasi ta dëgjoja?” A do të mundesha t`i përgjigjesha zërit të tij pa ngurim si Isaia: “Ja ku jam, dërgomë mua…”

Personaliteti ynë njerëzor, sot zgjedh hezitimin, shpesh vendos të mos reagojë, kur në fakt vetë fjala e Krishtit rrezaton siguri teksa i drejtohet kujtdo që e lexon: “Nëse ti beson, çdo gjë është e mundur…” Atëherë përse refuzojmë të qëndrojmë në dritë?! Teksa janë duke ardhur, Krishtlindjet më shtyjnë të mendoj se secili prej nesh duhet të gjejë kohë për të folur me Zotin, për të dëgjuar zërin e tij, teksa ai miqësisht na thërret: “Ejani tek unë…”

Dhe më pas, ashtu si Maria, le të besojmë pa dyshuar. Zoti i tregoi Marias se ishte besnik me të. I tillë është edhe me ne, mjafton ta lejojmë të veprojë brenda nesh, të na transformojë së brendshmi duke mbjellë paqen dhe sigurinë dhe kështu të bëjmë pa hezitim vullnetin e tij.

Pema e Vitit të Ri apo e Krishtlindjes?

Një nga traditat më të pëlqyera lidhur me festat e fundvitit është vendosje e një pemë halore brenda shtëpisë. Ceremonia e zbukurimit të pemës në një familje ngjall ndjenjën që koha e festave ka ardhur dhe krijon atmosferën e duhur për fundin e vitit. Por çfarë emri duhet t’i vëmë kësaj peme? Shumë familje shqiptare që kanë shijuar atmosferën e festave të fundvitit jashtë shtetit, por dhe atyre që e kanë parë vetëm nëpërmjet ekranit të televizorit, e dinë mjaft mirë që bota, pemën zbukuruese, e quan “pema e krishtlindjes”. Ndërkohë në shumicën e familjeve shqiptare, ajo gëzon një emër tjetër, “pema e vitit të ri”. Përse ndodh kjo? Shpjegimi është i thjeshtë dhe lidhet me shtetin rus, ose më mirë të themi Bashkimin Sovjetik, siç quhej dikur. Shqipëria komuniste ndoqi shembullin e ‘vëllait të madh’ në emërtimin e pemës që u popullarizua në kohën e sistemit. E vërteta është që tradita moderne e pemës së fundvitit vjen nga Gjermania. Faktikisht ata e quajnë këtë pemë të zbukuruar, pemë e krishtlindjes. Prej Gjermanisë kjo traditë filloi të përhapej në vende dhe në popuj të tjerë përreth, përfshi dhe Rusinë. Mirëpo, pati një reagim kundër pemës së krishtlindjes, për shkak të armiqësisë midis Gjermanisë dhe Rusisë në luftën e parë botërore. Kjo u forcuar më shumë pas ardhjes në pushtet të komunistëve në Rusi, të cilët e shikonin pemën e zbukuruar si e lidhur me shtresat e pasura, por në veçanti si diçka që lidhej me fenë, gjë që ata e luftonin. Ndryshimi në qendrimin rus erdhi në datën 28 dhjetor të vitit 1935, kur u botua një shkrim i famshëm në gazetën “Pravda”, që kërkoi që “pema e vitit të ri” të ngrihej në shkolla, në pallatet e pionerëve, në klube fëmijësh, dhe në institucione kulturore. Në këtë mënyrë pra, pema e mori emrin e saj të ri zyrtar. Dhe nuk është e vështirë të kuptosh pastaj që lidhjet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik mundësuan importimin e pemës së vitit të ri edhe në vendin tonë. Çështja se si do të quhet në vazhdim kjo pemë festive mbetet për t’u parë. Mungesa e besimit të krishterë në disa familje mund të bëjë që pema të vazhdojë të lidhet me vitin e ri – aktualisht kjo është praktika që zbatohet sot në Turqi. Ndërsa dëshira për t’iu bashkuar traditës evropiane për të festuar krishtlindjet, mund të bëj që në disa familje të tjera, pema të rizbulojë identitetin e tij të dikurshëm. Sigurisht që toleranca shqiptare do t’i përballojë këto përplasje të vogla kulturore.

Pemë pagane?

Ka dalë edhe një version tjetër për historinë e pemës. Qarkullojnë zëra që përdorimi i pemës së krishtlindjes (apo e vitit të ri) ka origjinë në fetë pagane. Sa e vërtetë është kjo? Dihet që pemët kanë figuruar në festat fetare, në kohën e lashtë, përpara se të lindte feja e krishterë. Sidoqoftë, nuk ka asnjë provë që pema e krishtlindjes ka lidhje me tradita pagane. Kjo është e pabazë. Mirëpo, është e vërtetë që ka të krishterë në vende të ndryshme të botës që nuk e njohin pemën e krishtlindjes, ose sepse nuk e kanë në traditën e tyre kishtare, ose sepse janë të pakënaqur me mbivendosjen e elementeve të tjera në këtë festë, e cila për ata, duhet të ruante një karakter thjesht fetar.

Historikisht

Historikisht, përdorimi i pemës së krishtlindjes filloi mes protestantëve të Gjermanisë rreth shek. të 15-të. Pema e krishtlindjes përmendet për herë të parë në një kronikë të një shoqate tregëtare në Bremen në 1570, e cila tregon se si një bredh i vogël u zbukurua me mollë, arra, hurma, biskota dhe lule prej letre, dhe u ngrit në sallën e shoqatës, për të kënaqur fëmijët e anëtarëve të shoqatës, të cilët i hëngrën këto gjëra të shijshme ditën e krishtlindjes. Në fillim të shek. të 18-të, ky zakon ishte përhapur në qytetet e Rajnlandës së sipërme, dhe kur arrijmë në shekullin e 19-të, e gjejmë këtë praktikë mes shtresave të larta Gjermane. Nuk donte shumë kohë pastaj, që pema e krishlindjes të përhapej në oborre të tjera mbretërore. Në Francë, pema e parë e krishtlindjes u përdor në 1840 nga dukesha e Orleansit. Në Angli, pema e krishtlindjes u popullarizua nga mbretëresha gjermane e Mbretit Xhorxh III. Pas botimit të një ilustrimi të familjes mbretërore angleze përpara një peme krishtlindjeje, moda e pemës filloi të përhapej edhe në Shtetet e Bashkuara. Po të marrësh pjesë në festimet e fundvitit në Amerikë sot, është e vështirë të besosh që tradita e pemës nuk është një praktikë dhe aq e vjetër në atë vend.

Domëthënia e pemës

Për shumicën e njerëzve, pema është thjesht një zbukurim. Në Gjermani dhe ne vende të tjera të krishtera, pema e krishtlindjes është parë si simbol i jetës së përjetshme sepse ajo nuk pushon së lulezuari gjatë dimrit. Këta të krishterë, besojnë që Jezus Krishti erdhi në botë për t’u dhënë njerëzve dhuratën e jetës së përjetshme duke vdekur mbi një pemë (kryqi) për të shlyer mëkatet e tyre. Në disa raste, pemët simbolizojnë dhurata të veçanta përkujtimore, si në Sheshin e Trafalgarit në Londër ku qyteti Oslo i paraqet një pemë popullit të Londrës si falenderim simbolik, për përkrahjen britanike për rezistencën norvegjeze gjatë Luftës së Dytë Botërore.