Rreziqet më të mëdha për vitin 2014

Kanë shpërthyer protesta të fuqishme kundër propozimit se mund të vijnë armë kimike në Shqipëri. Në muajin nëntor u diskutuar se Shqipëria mund të ishte një nga vendet që do të merret me çmontimin e armëve kimike, armë të cilat qeveria siriane po ua dorëzon amerikanëve.

Një pjesë e popullit shqiptar ka reaguar kundër këtij propozimi, për shkak të rrezikut të madh që mbart një punë e tillë. Kjo ngjarje shërben si shkas të pyesim cili është rreziku më i madh për planetin tonë në vitin 2014?

Rreziku më i madh, natyra?

Shumë studiues i konsiderojnë katostrofat natyrore si rreziku kryesorë për njerëzimin. Vetëm në dhjetë vitet e fundit kanë rënë disa tërmete mjaft shkatërruese: Tërmeti që ra afër Japonisë në 11 mars, 2011, me forcën 9.0 ballë shkaktoi një tsunami të madh që shkatërroi bregun perëndimor të Japonisë.

Tërmeti që goditi Haitin në 12 janar 2010 ishte më i dobët, por si pasojë 300.000 njerëz humbën jetën, sepse tërmeti rrafshoi kry­eqytetin e këtij vendi. Kurrë nuk mund të harrohet tërmeti që ra në afërsi të Indonesisë para disa vjetësh me një forcë prej 9.1 ballë i cili shkaktoi një tsu­nami të jashtëzakonshëm që mori jetën e 230.000 mijë njerëzëve.

Nuk jane vetëm tërmetet që marrin jetën e njerëzve në mënyrë masive. Edhe ekstremet e motit kanë shkaktuar stuhira gjigante vrasëse. Vetëm para disa javësh ishujt Filipine u përfshinë nga një uragan aq i fuqishëm saqë era frynte me një shpejtësi marramendëse prej 300 km/h. Mijëra njerëz humbën jetën dhe qindra mijëra të tjerë mbetën pa shtëpi.

Para katër vjetësh gjithashtu, cikloni Nargis shkaktoi përmbytje të jashtëzakonshme në Myanmar, duke zhdukur fshatra të tëra dhe ku humbën jetën 138.000 njerëz. Natyra prodhon një lloj tjetër rreziku, i cili nga madhësia e saj fizike është e pa­përfillshme, por që mund të ketë pasoja shumë më të mëdha për njeriun se sa tërmeti: ai quhet viroza.

Vazhdimisht shkencëtarët i ruhen krijimit të një lloj viroze që mund të jetë shfarosëse për njerëzimin. A e dini që gripi që ra në vitin 1918, mori më shumë jetë njerëzish në 12 muaj sesa gjithë konflikti i Luftës së Parë Botërore. Të paktën 50 milion njerëz humbën jetën ku shumë prej tyre ishin me shëndet të mirë përpara se t’i zinte gripi.

Rreziku më i madh, njeriu?

Edhe pse rreziqet e natyrës janë të mëdha, shumë studiues i konsiderojnë rreziqet që vijnë nga vet njeriu si më problematike. Në këtë kategori futen jo vetëm luftërat dhe pasojat e tyre, por modifikimi me qëllim të virozës, helmimin që i shkaktojmë planetit dhe pse jo edhe sjelljet shkatërruese të njerëzve në jetën e tyre të përditshme.

Një pjesë të madhe të problemeve njeriu ia shkak­ton vet­vetes me mënyrën e tij të jetesës kaq negative. A e dini që 10% e njerëzve vdesin në botë nga sëmundja që kanë lidhje drejtpërsëdrejti me duhanin? Ky është vetëm një shembull por ka shumë të tjerë.

Profesor Arnold Toynbee, një historian i madh, që botoi veprën e tij masive “Historia e Botës” në dymbëdhjetë vëllime, kaloi gjithë jetën duke studiuar gjendjen e njeriut, ai tha në librin e tij të fundit: “Në zhvillimin e njerëzimit ekziston një boshllëk morali.

Njeriu shtrin vazhdimisht pushtetin e tij fizik mbi mjedisin, por ai është i paaftë të nënshtrojë pasionet e tij shkatërrimtare.” Sigurisht mund t’i vendosim njerëzit në sipërfaqen e hënës, por a po jetojmë ndopak më mirë? A ka ndodhur një përparim përkatës në çështjen e gjendjes shoqërore të njerëzve?

Rreziku më i madh është…

Po të flasim për vitin 2014, rreziku më i madh për jetën në planetin tokë është diçka që nuk po i jepet vëmendja e duhur nga shtypi botëror. Bëhet fjalë për qendrën e dëm­tuar të energjisë bërthamore, që gjendet në Fukushima, në Japoni. Më konkretisht, pranë reaktorit nr. 4 të kësaj qendre, ka një pishinë për ftohje të materialit reaktivë që rrezikon të shembet.

Bëhet fjalë për një sasi shumë të madhe materialësh radioaktive. Sa? Gjithsej, rreth 460 ton në shufra me nivele radioaktive tepër të larta, përfshirë plutoniumin. Për ta bërë akoma më të qartë: Pishina e magazinimit është në katin e tretë të një godine shtatë katëshe, që mund të rrëzohet nga një tërmet tjetër.

Nëse rrezohet godina, materiali radioaktiv do të bjerë në kontakt me atmosferën dhe rrjedhimisht ai do të shpërthejë, duke lëshuar 10 herë më shumë radioaktivitet në ajër sesa shpërthimi i Çernobilit.

Sa është mundësia e një tërmeti tjetër?

Shkencëtarët që merren me këtë punë thonë që ka një mundësi 70% të një tërmeti 7.0 ballësh, në afërsi të qendrës bërthamorë në vitin që vjen, dhe probabiliteti është 98% në tre vitet e ardhshme. Në rast se do të shëmbet godina, këshillohet evakuimi i krejt Japonisë, dhe pasojat do të jenë të jashtëzakonshme për gjithë botën.

Lajmi i mirë është që ka filluar transferimi i materialit radioaktiv në një godinë tjetër më të sigurtë aty afër. Mëgjithatë kjo është një punë e vështirë për shkak të dëmtimit të qendrës, dhe parashikohet që do të zgjasë ndofta dy vjet.

Si arritëm këtu?

Për të arritur në këtë situatë tepër emergjente bashkvepruan të dy faktorët në të njëjtën kohë: pakujdesia e njeriut dhe egërsia e natyrës. I lutemi Zotit në këtë fundviti, të na ruajë si nga njëra ashtu dhe nga tjetra.

Gjithashtu, i urojmë suksese në vitin 2014 gjithë atyre japonezëve, të cilët punojnë në qendrën bërthamore të dëmtuar të Fukushimës, dhe duan të na shpëtojnë të gjithëve nga katastrofa e madhe. Zoti i bekoftë!

VITI I RI, STRES I MADH!

15 Këshilla për uljen e stresit gjatë Vitit të Ri

A e dini që Viti i Ri është një nga periudhat më stresuese të vitit? Dhe që njerëzit zihen më shumë dhe që ka më shumë aksidente gjatë kësaj kohe? Përse pas pushimeve të Vitit të Ri kemi nevojë për pushim? Përse ndihemi të zhgënjyer pas një feste që duhet të na shtonte gëzim në jetë?

Kemi përgatitur disa këshilla për t’ju ndihmuar me menaxhimin sa më të mirë të festave të fundvitit dhe uljen e stresit të panevojshëm:

• Përpara festës merr pak kohë për të menduar se çfarë është vërtetë e rëndësishme për ty dhe për familjen tuaj gjatë Vitit të Ri, dhe i bëni prioritete pikërisht ato gjëra.

• Mos i bëni planet në momentin e fundit. Edhe pse nuk duhet të planifikojmë çdo gjë, po të keni një plan në vija të përgjithshëm, do t’i ulni stresin vetes.

• Mos krijo pritje jo reale për festat e fundvitit. Ne nuk jetojme në një botë të përsosur dhe nuk jemi njerëz të përsosur, prandaj mos mendoni se gjërat duhet të dalin të përsosura në këtë Vit të Ri.

• Hani mirë, por mos e teproni as në të pirë dhe as në të ngrënë. Duke mos qenë i dehur apo i plogësht nga ushqimi i tepërt do të jesh në gjendje të shijosh gjëra të tjera të mira gjatë festës. Më së paku, nuk do të jesh prishës i gëzimit të të tjerëve.

• Gjatë ditëve përpara festës, fikni kompjuterin, televizorin dhe telefonin në darkë, dhe mbyllni çdo gjë tjetër që ju prish gjumin, në mënyrë që kur të vijë Vit i Ri, t’ju gjejë në gjendjen e duhur.

• Në blerjen e dhuratave, mos u ndiko nga sasia e parave që shpenzojnë të tjerët, sepse festa e Vitit te Ri nuk është konkurs. Dhe, sigurisht, që nuk ja vlen të hysh në borxhe për të blerë artikuj që janë luks. Kush mund të jetë i gëzuar gjatë festës kur po e vret mendjen për vrimën që i është hapur në xhepin e pantallonave apo për barrën që ka vënë në kurriz?

• Mos prit që të tjerët të kenë të njëjtat plane si ju për festat e fundvitit. Është mirë të ketë organizime dhe bashkime familjare, por ato duhet të jenë me dëshirë e jo me detyrim.

• Është mirë që çdo familje të krijojë disa tradita që përsëriten çdo vit. Sidomos ato familje që kanë fëmijë të vegjël. Megjithatë, kur rriten fëmijët, duhet të pranoni që traditat ndryshojnë.

• Kërko ndihmë me organizimin e gatimit apo me pastrimin pas festës. Nësë nuk kërkon ndihmë, nuk ke pse mërzitesh me tjetrin që s’të ndihmoi.

• Burri që ndihmon gruan, fëmijë që ndihmojnë prindërit, dhe çdo anëtar i familjes që ndihmon në shtëpinë e tij, do të zbulojë që ka kontribuar në krijimin e një atmosfere më pozitive në periudhën e festës.

• I lini mënjanë konfliktet për disa ditë dhe jini të duruar. Do vijë një kohë më e përshtatshme për sheshimin e gjerave sesa Viti i Ri, kur nivelet e stresit janë në kulm dhe si rrjedhojë nuk sqarohesh dot, përkundrazi mund t’i përkeqësoni ato.

• Shpesh herë është më mirë të falësh tjetrin dhe të vazhdojë jeta përpara, sesa të hysh në kohën e festave i mbushur me mllef e me inate. Kur mbushesh me inat thjeshtë dëmton veten tënde.

• Jini të sinqertë me ndjenjat tuaja. Nëse ka patur një fatkeqësi apo ka ndodhur diçka që të ka trishtuar, është më mirë t’i pranosh ato ndjenja dhe të gjesh një person me të cilën mund të bisedosh hapur, sesa të shtiresh. Njeriu mund të hiqet si i gëzuar, por gëzimi i vërtetë nuk lind me detyrim.

• Nëse je i mërzitur apo i pezmatur në kohën e festave kërko ndihmë. Njeriu është një qenie shpirtërore dhe ka nevojë për diçka më shumë sesa një festë me shumë zhurmë. Vizito një kishë apo merrni kohë për të qenë vetëm e për t’iu lutur Zotit. Njerëz më të mërzitur dhe më nevojtarë sesa ti kanë bërë po të njëjtën gjë dhe kanë gjetur qetësi për shpirtin e tyre.

• Mos merr vendime radikale në kohën e festës kur nuk je i kthjellët dhe për të cilën më vonë do të pendohesh. Normalisht, vendimet e rëndësishme kërkojnë një kohë më të qetë, kur mendja mund të reflektojë siç duhet.

Sikur…

Sikur Jezusi të mos kishte lindur, bota sot do të ishte një vend krejt i ndryshëm. Mjekësia e sotme u themelua nga ndjekësit e Jezusit. Po ashtu edhe krijimi i spitaleve. Shumica e universiteteve të mëdha të botës u nisën nga të krishterët. Madje krishterimi i hapi rrugën shkencës së sotme.

Sikur Jezusi të mos kishte lindur, skllavëria nuk do të ishte anuluar dhe shumë kultura barbare dhe të prapambetura nuk do të ishin qytetëruar. Arsimi i masave dhe anulimi i skllavërisë u frymëzuan gjithashtu nga mësimi i Krishtit për vlerën e njeriut.

Sikur Jezusi të mos kishte lindur, shumë nga gjuhët e botës nuk do të ishin kodifikuar dhe shprehur me shkrim, artet dhe muzika nuk do të kishin arritur standardet e larta të Rilindjes dhe Amerika nuk do të ishte zbuluar nga Kolombi.

Sikur Jezusi të mos kishte lindur, jetë të panumërta nuk do të ishin transformuar nga gjendja e thyer dhe e pashpresë, në anëtarë të vlefshëm të shoqërisë.

Sikur Jezusi të mos kishte lindur, njeriu do të kishte mbetur në errësinën e mëkatit dhe injorancës. Lindja e Jezusit i ka sjellë transformim dhe të mira të pallogaritshme ekzistencës sonë fizike dhe shpirtërore.

MESAZHI

Dhurata më e madhe e të gjitha kohërave

Festat e fundvitit është ajo kohë kur mendi­met e shumë njerëzve kthehen tek dhuratat. Prova e mjaftueshme për këtë fakt është shu­ma jashtëzakonisht e madhe e parave që shpenzohen për dhuratat e krishtlindjes apo të Vitit të Ri çdo vit. Ndërsa mendojmë për dhurata, tani që festat po vinë, le të mendojmë për dhuratën e parë të krishtlindjes…

Një dhuratë suprizë

Gjatë këtyre ditëve shumë herë më kanë pyetur fëmijët: “Çfarë dhuratë do të ma­rrim për krishtlindje?” Shpesh dhuratat janë rezultati i një kërkese të veçantë, por nuk ndodhi kështu me dhuratën e parë të krisht­lindjes. Dhurata e parë, zbritje e fëmijës së shenjtë në tokë, ishte një suprizë për pothuajse krejt njerëzimin.

Edhe pse shtatëqind vjet para lindjes së Jezus Krishtit, një njeri i Perëndisë parashikoi: “Na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë”1 , profeci kjo që u përmbush në krishtlindjen e parë, dhurata e Perëndisë nuk ishte diçka që ne e kërkuam.

Njeriu nuk e dinte se cila ishte nevoja e tij më e madhe, por Zoti e pa nevojën tonë dhe dërgoi Birin e tij për të qenë Shpëtimtari ynë.

Një dhuratë e pakufizuar

Disa dyqane tregtojnë mallra vetëm për njerëz shumë të pasur. Dhuratat që ata shesin janë kaq të shtrenjta saqë një njeri jo shumë i pasur nuk mund t’i blejë dot. Por dhurata e Perëndisë është e pakufizuar. Ja, premtimi i Biblës: “Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”2 .

Asnjë nuk mund të thotë duke hedhur sytë nga qielli: “Unë doja të shpëtohesha, por Jezus Krishti nuk erdhi për mua!” Në faqen e fundit të Biblës, gjendet fjala e ngrohtë: “Eja! Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës”3 .

Një dhuratë e pandryshueshme

Kohët ndryshojnë, stilet ndryshojnë, qëndrimet dhe shijet ndryshojnë, historia dhe librat ndryshojnë. Pothuajse çdo gjë që njohim ka ndryshuar. Por Jezus Krishti është dhurata e pandryshueshme e Perëndisë. Bibla deklaron: “Jezus Krishti është i njëjtë dje, sot dhe përjetë”4 .

Nuk mund të ketë ndryshim moral te Krishti. Po të bëhej më i mirë do të thotë se nuk ishte i përsosur që në fillim; dhe po të bëhej më i keq, do të thoshte se nuk është më i përkryer. Por në Jezusin jo vetëm që nuk ka ndryshim moral, por nuk ka asnjë ndryshim brenda vetë atij.

Dhuratat për krishtlindje që kemi marrë para disa vitesh tani kanë dalë jashtë mode, por Jezusi mbetet përjetë, ai nuk është objekt mode; ai është gjithmonë i ri, nuk ndryshon asnjëherë. Ai është i njëjtë sot për ata që i besojnë atij si shpëtimtar, ashtu siç ishte për ata që i besuan dy mijë vjet më parë!

Ne i gëzohemi të njëjtit shpëtim që u bë gëzimi i besimtarëve të të gjitha kohërave. Dhurata e Perëndisë është e pandryshueshme. Për më tepër ajo është…

Një dhuratë e pameritueshme

Vetë fakti që shpëtimi është një dhuratë tregon se është i pameritueshëm. Nëse fitohet ose meritohet, nuk është më dhuratë. Shumë fe thonë se shpëtimi vjen pjesërisht nga hiri i Zotit dhe pjesërisht nga veprat tona, por kjo nuk mund të qëndrojë. A mund të fitojmë një vend në qiell?

Po të kishim një mijë jetë dhe të punonim ditë e natë, nuk do të kishte asnjë rrugë që të mund të fitonim këtë çmim. Ka vetëm një mënyrë që ne ta shijojmë bekimin e madh të faljes së mëkatëve: ai duhet të jetë një dhuratë.

Jezus Krishti i tha gruas samaritane që kishte rënë në faj: “Po ta njihje dhuratën e Perëndisë, dhe kush është ai që të thotë: “Më jep të pi!”, ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë”5 . Dhuratën e Perëndisë për krishtlindje është e pakufizuar, e pandryshueshme, e pameritueshme, dhe ajo është gjithashtu…

Një dhuratë falas

Nëna dhe babai shohin me fytyra të gë­ zuara ndërsa vajza hap një pako të bukur dhe pastaj thërret me gëzim: “Oh, mami! Kjo ishte dhurata që doja!”dhe pastaj, duke përqafuar nënën dhe babanë, vajza me mirënjohje thotë: “Faleminderit”. Pastaj e hap pakon tjetër dhe e njëjta skenë përsëritet.

Po sikur të mbetet një dhuratë e pahapur? Sa i trishtuar duhet të ndihet ai që dhuron kur mendon se dhuratën e tij nuk e duan! Ndoshta disa prej atyre, që nuk e kanë marrë dhuratën e Perëndisë, po i lexojnë këto rreshta. Nuk i ke besuar asnjëherë Krishtit? Nëse është kështu, më lejoni t’ju nxis që ta besoni atë tani.

Mos prisni ndonjë çast tjetër. Bibla paralajmëron “Ja, pra, koha e pëlqyer, ja, pra, dita e shpëtimit”6 . Ardhja e Jezus Krishtit në këtë botë, dhe vdekja e tij për të paguar për mëkatet e botës është e mjaftueshme për të gjithë, por është e vlefshme vetëm për ata që besojnë.

Të pranosh dhuratën e Perëndisë për krishtlindje do të thotë se erdhi koha të pranosh se je nevojtar përpara Zotit, duhet të jesh i penduar për mëkatin dhe të besosh që Jezus Krishti është shpëtimtari që vdiq dhe u ringjall për ty. Ky është edhe mesazhi i krishtlindjes sot.

 

1. Isaia 9:5,   2. Gjoni 3:16,      3. Zbulesa 22:17,         4. Hebrenjve 13:8,       5. Gjoni 4:10,               6. 2 Kor. 6:2

Dhuroni

Dhjetë arsye për t’u dhënë të tjerëve

1.Sepse kur ndihmon njerëz në nevojë jep një shembull të mirë për fëmijët, familjen dhe miqtë e tu dhe i frymëzon ata të jenë njerëz më të mirë.

2. Sepse kur u jep të tjerëve i jep ditës një ton pozitiv dhe të fuqishëm. Të dhënët shkakton nivele të larta përmbushjeje dhe lum­turie, rrezaton një mirësi nga e cila të tjerët tërhiqen.

3. Sepse të ndihmosh të tjerët ka një efekt të thellë përhapës. Asnjëherë nuk i dihet, një akt i vetëm mirësie i treguar prej teje mund të ndryshojë jetën në më shumë mënyra se sa ti mund ta imagjinosh.

4. Sepse mesatarisht, sipas studimeve shkencore, njerëzit bujarë jetojnë më gjatë.

5. Sepse ti je me fat që ke ushqim, strehë, rroba dhe ujë, prandaj jepu të tjerëve që nuk kanë.

6. Sepse bëhesh më pak egoist. Në bazë të përvojës së gjerë, ai që u dhuron të tjerëve, zhvillon një karakter më pak egoist dhe ndihet më i kënaqur me veten.

7. Sepse po të ishe ti në nevojë, do të doje që të tjerët të të ndihmonin.

8. Sepse në shoqata bamirësie formon marrë­­dhënie të reja me njerëz që ia vlen t’i njo­hësh.

9. Sepse ne admirojmë njerëz të tjerë që kanë qenë bujarë me pasurinë e tyre, prandaj përse të mos bëhemi si ata?

10. Sepse Perëndia premton të shpërblejë ata që u japin të varfërve: “Ai që ka mëshirë për të varfërin i jep hua Zotit, i cili do t’ia kthejë ato që i ka dhënë”.

Bibla

Të dhurosh apo jo? Nuk u nderua ndonjëherë ai njeri që kishte marrë por ai që kishtë dhënë.

Calvin Coolidge, presidenti i Amerikës

Vlera e njeriut qendron te ajo cfarë ai kontribuon, jo në aftësinë e tij për të marrë.

Albert Ainshtain, shkencëtar

Fitoni sa të mundeni, kurseni sa të mun­deni, dhuroni sa të mundeni.

John Wesley, predikues i famshëm anglez

Është e mundur të dhurosh pa pasur dhemb­shuri, por është e pamundur të jesh i dhembshur dhe të mos dhurosh.

Richard Braunstein, mjek i njohur për bamirës

Nëse nuk ja dhuron dot një qind të uritur për të ngrënë, të paktën jepu njërit.

Nënë Tereza

Mënyra si jep ka po aq vlerë sa ajo që jep.

Pierre Corneille, poet francez

Disa dhurojnë kohën e tyre, të tjerë paratë, disa dhurojnë aftësitë e tyre, disa të tjerë dhurojnë gjak. Çështja është se që të gjithë kanë diçka që mund ta dhurojnë.

Barbara Bush, ish zonja e parë të Amerikës, e njohur për vepra bamirësie

Dhuratat jepen për kënaqësinë e dhuruesit, jo për shkak të meritës së atij që i merr.

Carlos Zafón, shkrimtar spanjol

Ylli i Krishtlindjes

Në historinë e krishtlindjes, dijetarët janë personazhe po aq të këndshme aq dhe të mistershëm. Roli i tyre në lindjen e Jezusit ka frymëzuar piktorë dhe shkrimtarë të mëdhenj si dhe besimtar të thjeshtë.

Kush ishin ata në të vërtetë? Nga erdhën? Çfarë domëthënie kishin dhuratat e tyre? Dhe si vazhdoi historia e tyre pasi gjetën foshnjën e shenjtë? Këto pyetje si dhe pyetjet të ngjashme me këto diskutohen shpesh gjatë festës së krishtlindjes.

Por pyetja që ngjall më shumë debate duhet të jetë ai që lidhet me yllin. A ka një shpjegimi për yllin e ri që shoqëroi lind­jen e Jezusit? Ai yll, që i priu dijetarët drejt qytetit të Betlehemit? Për yllin e krishtlindjes i quajtur, gjithashtu, Ylli i Betlehemit, janë dhënë disa shpjegime të mundshme.

Disa studiues mendojnë se ky “yll” ishte një kometë, një objekt që tradicionalisht lidhet me ngjarje të rëndësishme në histori siç është lindja e mbretërve. Megjithatë, të dhëna për shfaqje të kometës nuk kanë lidhje me lindjen e Jezusit. Kometa Hallej u shfaq në vitin 11 para Krishtit, por lindja e Krishtit mendohet se ka ndodhur rreth 5 vjet më vonë.

Të tjerë besojnë se Ylli i Betlehemit ishte një lidhje ose një bashkim planetesh në qiell gjatë natës. Përderisa planetet vijnë rrotull diellit me shpejtësi dhe distanca të ndryshme, ka raste që duket se i afrohen njëri-tjetrit shumë afër. Johannes Kepler (1571-1630) parapëlqente këtë pikëpamje.

Sidoqoftë, shumë planete nuk ngjajnë si një burim i vetëm drite ashtu si përshkruhet në faqet e Biblës për krishtlindjen. Gjithashtu, renditja e planeteve nuk është aq e pazakontë sa t’u bënte përshtypja kaq të madhe dijetarëve. Por është e vërtetë që ka ndodhur një bashkim i Jupiterit dhe Saturnit në vitin 6 para erës sonë.

Për të shpjeguar Yllin e krishtlindjes është propozuar një yll që shpërtheu, ose supernovë. Disa yje janë të paqëndrueshëm dhe shpërthejnë në këtë mënyrë me një flakë të shkëlqyeshme. Megjithatë, të dhënat historike nuk tregojnë se është formuar një supernovë në kohën e lindjes së Jezusit. Asnjë nga këto shpjegime për Yllin nuk i afrohet historisë së lindjes siç është përshkruar nga vet Bibla.

Ka dy detaje me interes të veçantë te ungjilli: Së pari, teksti nënkupton se vetëm dijetarët e panë yllin. Ndërkohë kometat, bashkimet e planetëve dhe yjet që shpërthejnë, mund të jenë të dukshme për këdo mbi tokë. Së dyti, ylli shkoi para dijetarëve dhe i drej­toi ata drejtpërdrejtë nga Jerusalemi për në Betlehem.

Kjo është një distancë prej rreth shtatë kilometrash në drejtim veri-jug. Megjithatë, çdo objekt natyror në qiell lëviz nga lindja në perëndim sipas rrotullimit të tokës. Është gjithashtu e vështirë të imagjinosh se si një dritë natyrore mund t’i drejtonte dijetarët për një qytet të caktuar. Përfundimi është se Ylli i krishtlindjes nuk mund të shpjegohet në mënyrë të natyrshme. Duket se ishte një dritë e përkohshme dhe mbinatyrore.

Kjo përshkon mirë me faktin që krishtlindja e parë ishte kohë mrekullish. Historitë biblike tregojnë se Zoti shpesh ka përdorur ndriçime të veçanta qiellore për të udhëhequr popullin e tij, si për shembull drita që i priu Izraelitët në shkretëtirë dhe ajo që ndriçoi apostullin Pal kur gjendej në rrugën e gabuar.

Këto shenja të dukshme të pranisë së Perëndisë njihen si shfaqje të lavdisë së Perëndisë. Ky ndriçim i veçantë që e ndoqën dijetarët fare mirë mund të ketë qënë një manifestim i tillë. Arrijmë te konkluzioni, që misteri i madh i krishtlindjes së parë nuk është origjina e yllit të saj të veçantë.

Misteri është se përse dijetarët u zgjodhën për të ndjekur dritën e tij drejt Krishtit ndërsa të tjerët jo. I njëjti mister përsëritet mes nesh çdo vit. Disave u bëhet e qartë se duhet të kërkojnë Jezusin në kohën e krishtlindjes, ndërsa të tjerëve u duket e pakuptimtë, ose u kalon pa e vënë re.

DIJETARËT

Kush ishin dijetarët e Krishtlindjes?

Sipas Biblës, dijetarët ishin njerëz ‘nga lindja’, të cilët u frymëzuan nga shfaqja e yllit për të udhëtuar në Jerusalem. Atje ata takuan mbretin Herod të Judesë dhe e pyetën se ku kishte lindur mbreti i judenjve. Pastaj Herodi pyeti këshilltarët e tij se ku mund të lindte Krishti i premtuar.

Ata u përgjigjën në Betlehem, një qytet i vogël aty afër, dhe cituan një profeci nga Bibla. Ndërsa dijetarët ishin rrugës për në Betlehem, ylli u shfaq sërish. Duke ndjekur yllin, i cili ndaloi mbi vendin ku kishte lindur Jezusi, dijetarët gjetën Jezusin me nënën e tij, e nderuan, e adhuruan dhe i dhanë dhurata.

Sipas Ungjillit

Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, ja që disa dijetarë nga lindja arritën në Jerusalem, duke thënë: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve. Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar”.

Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë u shqetësua, dhe bashkë me të mbarë Jerusalemi. Dhe, mbasi i mblodhi të gjithë krerët e priftërinjve dhe skribët e popullit, i pyeti ku duhet të lindte Krishti. Ata iu përgjigjën: “Në Betlehemin e Judesë, sepse kështu ka shkruar profeti: “Dhe ti, o Betlehem tokë e Judës, ti nuk je kurrsesi më i parëndësishmi ndër qytetet princërore të Judës, sepse prej teje do të dalë prijësi, që do ta udhëheqë popullin tim, Izraelin.”

Atëherë Herodi i thirri fshehurazi dijetarët, dhe i pyeti me hollësi se kur e kishin parë yllin për herë të parë. Pastaj i dërgoi në Betlehem duke u thë­në: “Shkoni dhe pyesni me kujdes për fëmijën; dhe, kur ta gjeni, më lajmëroni që të vij edhe unë ta adhuroj”.

Dhe ata, pasi e dëgjuan mbretin, u nisën; dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u shkonte përpara atyre derisa u ndal përmbi vendin ku ndodhej fëmija. Ata, kur e panë yllin, u gëzuan me gëzim shumë të madh. Dhe, si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, të ëmën e tij, ranë përmbys dhe e adhuruan.

Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan: ar, temjan dhe mirrë. Pasi Perëndia i udhëzoi në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, ata u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër. Tani pasi u nisën Dijetarët, ja një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit dhe i tha: “Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe ik në Egjipt, dhe rri aty deri sa të të lajmëroj, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë”.

Jozefi, pra, u zgjua, mori fëmijën dhe nënën e tij natën dhe iku në Egjipt. Banoi atje derisa vdiq Herodi që të plotësohej fjala e Zotit e thënë me gojë të profetit: “Nga Egjipti e thirra Birin tim.” Atëherë Herodi, kur pa se e mashtruan Dijetarët, u zemërua së tepërmi dhe urdhëroi të vriteshin të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Betlehem dhe në mbarë rrethinën e tij dy vjeç e poshtë.

Atëherë u përmbush ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Jeremi: “U dëgjua një klithmë në Ramë vaj e gjëmë e madhe: vajton Rakela fëmijët e vet e nuk do të ngushëllohet sepse nuk i ka më!” Pasi vdiq Herodi, ja një engjëll i Zotit i shfaqet në ëndërr Jozefit në Egjipt, dhe i thotë: “Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe shko në vendin e Izraelit, sepse ata që donin ta vrisnin fëmijën kanë vdekur”.

Dhe ai u çua, mori fëmijën dhe nënën e tij dhe shkoi në vendin e Izraelit; Por, si mori vesh se në Jude mbretëronte Arke­lau në vend të Herodit, të atit, pati fri­kë të shkojë atje; dhe, mbasi u udhëzua nga Perëndia në ëndërr, iku në krahinën e Galilesë, dhe, mbasi arriti atje, zuri vend në një qytet që quhej Nazaret, që të përmbushej ajo që ishte thënë nga profetët: “Ai do të quhet Nazareas”.

FJALË TË ARTA

Thënie biblike për bujarinë

Duhet të ndihmohen ata që lëngojnë duke kujtuar fjalët e Zotit Jezus, i cili tha: “Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!”

Bibla1

Jep me bujari dhe zemra jote të mos trishtohet kur jep, sepse pikërisht për këtë Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë në çdo punë tënden dhe në çdo gjë që do të të zërë dora. Sepse nevojtarët nuk do të mungojnë kurrë në vend, prandaj unë po të jap këtë urdhërim tënd dhe të them: “Hapja me bujari dorën tënde vëllait tënd, të varfërit tënd dhe nevojtarit në vendin tuaj”.

Ligji i Zotit2

Ka nga ata që shkapërderdhin bujari dhe bëhen më të pasur, dhe ka nga ata që kursejnë më tepër se duhet dhe bëhen gjithnjë e më të varfër. Njeriu bujar do të pasurohet dhe ai që vadit do të vaditet gjithashtu.

Fjalë e urtë biblike3

“Jepni dhe do t’ju jepet: një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese do t’ju derdhet në gji, sepse me atë masë që do të matni, do t’ju matet edhe juve gjithashtu”

Jezus Krishti4

Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim; dhe ai që mbjell dorëhapur edhe do të korrë dorëhapur. Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemër, as me keqardhje as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar.

Apostulli Pal5

Kushdo që i jep për të pirë qoftë edhe vetëm një gotë uji të freskët ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, në të vërtetë ju them, që ai nuk do të humbë aspak shpërblimin e tij.

Jezus Krishti 6

Njeriu me sy dashamirës do të bekohet, sepse i jep bukë të varfërit.

Fjalë e urtë biblike7

Madje kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç’bën e djathta, që lëmosha jote të jepet fshehurazi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas.

Jezus Krishti8

Dhe në qoftë se një vëlla ose një motër janë të zhveshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm, dhe dikush nga ju u thothë atyre: “Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni”, dhe nuk u jepni atyre gjërat për të cilat kanë nevojë për trupin, ç’dobi ka?

Apostulli Jakob9

Por secili do të japë nga pjesa e tij simbas bekimit që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë.

Ligji i Zotit 10

Citime nga Bibla: 1. Veprat 20:35, 2. Ligji i Përtërirë 15:10, 3. Fjalët e Urta 11:24-25, 4. Luka 6:38, 5. II Korintasve 9:6-8, 6. Mateu 10:42, 7. Fjalë të Urta 22:9, 8. Mateu 6:3-4, 9. Jakobi 2:15-16, 10. Ligji i Përërirë 16:17

KËNGË MAGJIKE

Dy fjalë për këngët e krishtlindjes dhe zanafillën e tyre

Festat e fundvitit kanë patur gjithnjë lidhje me këngën. Muzika e krishtlindjes dhe kën­gët e kësaj feste janë ndër më të bukurat që janë shkruar. Një pjesë e ketyre këngëve është përkthyer në gjuhën tonë dhe këndohen nëpër kisha shqiptare.

Ato dëgjohen edhe në ambiente të tjera, dhe me të drejtë, sepse këngët e krishtlindjes nuk ka pse të mbyllen brenda mureve të kishës. Ato kanë një vlerë që i përket të gjithë atyre që duan ta festojnë këtë festë. Një nga traditat më të bukura të krishtlindjes është ajo e këndimit të këngëve prej një kori në sheshet publike.

Është një praktikë që krijon një atmosferë të veçantë, por edhe përcjell më së miri mesazhin e dashurisë dhe të mirësisë që mbart kjo festë. Historikisht, këngët e krishtlindjes quhen Carole, që vjen nga frëngjishtja. Kjo fjalë i referohej valles në formë rrethi, siç ishte vallja popullore, që praktikohej në kohën e fes­tave në periudhën e mesjetës.

Mirëpo, gjatë viteve kjo fjalë u lidh në veçanti me këngët e krishtlindjes, për të cilën ajo përdoret sot. Kjo fjalë jepet në anglisht si Christmas Carol. Këto këngë që quhen “karol”, nuk janë thjesht këngë hareje për festat, por janë ato këngë që përcjellin, të paktën pjesërisht, mesazhin dhe historinë e lindjes së Krishtit.

Tematika si: shpresa, mirësia, besimi, çlirimi dhe dashuria hyjnore janë elemente të rëndësishme. Disa prej këtye këngëve janë shkruar qindra vjet më parë, kur shumica e popullsisë nuk dinte as të shkruante dhe as të lexonte. Në atë periudhë, kënga ishte një mjet i domosdoshëm për të transmetuar histori të rëndësishëm siç janë krishtlindjet.

Tradicionalisht, këngët e krishtlindjes këndohen nga data 21 dhjetor deri në 25 dhje­tor, por pak janë ata që i përmbahen këtyre datave sot. Ndoshta kori më i famshëm që këndon për këtë festë është ai te kisha e mbretit në kolegjin e Kembrixhit, në Angli.

Çdo vit në datën 24 dhjetor mbahet një shërbesë në këtë kishë që fillon gjithmonë me këngën “Një herë në qytetin e Davidit”. Për të siguruar hyrje për këtë ngjarje të jashtzakonshme muzikore dhe shpirtërore nuk të kushton asnjë lek, por duhet të përballesh me të ftohtin e të rrish disa orë në radhë.

Këngët festive me qirinj

Të kënduarit me qirinj në dorë i këngëve të krishtlindjes është një imazh i njohur por me origjinë të vonshme. Në shekullin 19, minatorët në Moonta, një qytet në jug të Australisë, mblidheshin në prag të festës për të kënduar këngë me qirinj të ndezur të vendosur mbi strehën e kapeleve të tyre.

Ky përdorim i qirinjve u përhap në disa qytete, derisa i ra në sy të Norman Banks-it, një prezantues që punonte në radio, i cili nuk donte që njerëzit t’i festonin vetëm krishtlindjet. Ai organizoi një manifestim në Alexandra Gardens në vitin 1938, ku u mblodhën rreth 10.000 veta për të kënduar me qirinj në dorë, një praktikë që vazhdon edhe sot.

Festa e krishtlindjes nuk është vetëm një festë kombëtare por ndërkombëtare. Në të gjitha shtetet e Evropës ajo festohet, madje në shumë shtete që nuk shquhen për tra­ditën e krishterë.

Edhe kudo që festohen krishtlindjet dëgjohen tinguj të këngëve të krishtlindjes, nëpër shkolla, nëpër sheshe, dhe nëpër shtëpitë e të gjitha shtresave dhe njerëzve që e pranojnë këtë frymë.

Kënga festive

Qytet i vogël Betlehem

Sa shumë i heshtur je.

Yje të qetë ndriçojnë nga qiejt

Mbi ty ndërsa ti fle.

Në rrugët e tua të errëta

Një dritë e re u gdhi

Se shpresë e gjithë njerëzve

Ka lindur sot tek ti.

 

O yje të mëngjesit

Të këndojmë me ju dhe ne.

Lavdi në qiell Atij që sjell

Pajtim gjithë njerëzve.

U lind nga një virgjëreshë

Këtë natë Zoti vet

Me çfarë habi këtë çudi

E shihnin engjëjt krejt.

 

 

Ashtu si erdhe qetas Ti.

Atë natë në Betlehem,

Dhe kjo dhuratë që zbret nga lart

Tek zemrat tona vjen.

Askush nuk e dëgjon atë

Por në këtë botë plot faj

Fajtorët i pranon tani

Që kthehen prapë tek Ti.

 

 

O djalë i shenjtë o djalë hyjnor,

Zbrit poshtë në vatrën tonë.

Çdo faj dëbo, çdo gjë ndrysho,

Që të rrosh tek ne gjithmonë.

Me gëzim atë lajm dëgjuam

Që engjëjt na kanë sjellë.

Na u zbulo, tek ne bano

O Zot Emanuel.

Filip Bruks (1835-1893)

Gëzuar Krishtlindjet !

Çfarë është Krishtlindja?

Krishtlindja (edhe “Kërshëndellat” apo shkurt “Kshnellat” ndër besimtarët kato­likë), është një festë fetare. Të krishterët në pe­rëndim e festojnë çdo vit më 25 dhjetor lin­djen e Jezus Krishtit, ndërsa disa kisha lin­dore e festojnë më 7 janar, për shkak të kale­ndarit të vjetër.

Pas Pashkëve është festa më e rëndësi­shme për të krishterët. Ditëlindja e Krishtit (24-25 dhjetori) është thjeshtë simbolike, dhe nuk është menduar të jetë data e vërtetë e lindjes se tij.

Sot, dita e krishtlindjes, kremtohet me shfa­­q­jen e skenës së lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe kartolinave, familjen e bashkuar, dhe ardhjen e Shën Nikollës (apo Santa Klausit) në prag të krishtlindjes apo mëngjesin e Krishtlindjes.

Çfarë kuptimi ka emri Krisht?

Fjala “Krisht” do të thotë “i vajosuri,” emri i dhënë shpëtimtarit të premtuar i cili një ditë do të vinte tek populli i Zotit. Besimtarët hebrenj, që u bënë themeltarët e krishterimit, ishin të bindur që Jezusi ishte jo vetëm Krishti i tyre i premtuar, por edhe shpëtimtari i të gjithë botës.