Lutja për Vitin e Ri

O Zot, Jepna një vit të ri. Jo thjesht një numër të ri, por një vit vërtet të ri. Jepna një vit të ri plot me ide të reja dhe na përtëri idetë e vjetra.

O Zot, jepna një vit të ri. Viti që sapo shkoi ka qenë i vështirë për disa nga ne. Ka patur probleme që nuk i kemi përballuar aq mirë. Jepna një ndriçim më të mirë shpirtëror që të na ndihmojë t’u bëjmë ballë sfidave, dështimeve dhe zhgënjimeve që do të vijnë gjatë Vitit të Ri.

O Zot, jepna një vit të ri. Jepna një vit të mbushur me mundësi të reja. Ndihmona të mbahemi fort pas gjërave të vjetra por të vyera si dhe të shkëputemi prej gjërave të vjetra që tashmë e kanë përmbushur qëllimin e tyre apo që thjeshtë nuk kanë vlerë.

O Zot, jepna një vit të ri. Jepna një vit që nuk kontrollohet nga frika. Një vit, në të cilin të mos kemi frikë.

O Zot, jepna një vit të ri. Jepna një vit të mbushur me dashuri. Dashuri për njëritjetrin. Dashuri për Mbretërinë Tënde. Dashuri për ata që janë në nevojë.

O Zot, jepna një vit të ri. Ndihmona t’i lëmë gjërat e së shkuarës në të shkuarën. Ndihmona të shohim përpara. Ndihmona të ecim përpara me besim dhe kurajë, me përulësi dhe mirësi.

O Zot, jepna një vit të ri. Ndihmona këtë Vit të Ri të ecim me Ty dhe të mos ecim në rrugë të gabuara.

Pikturimi i plakut të vitit të ri

Imazhi i sotëm i Plakut të Krishtlindjes, apo i Vitit të Ri, është krijimi i artistit amerikan, Tomas Nast (Thomas Nast). Në vitin 1863, Tomas-i pikturoi Santa Klausin (d.m.th. Plakun e Krishtlindjes) në revistën e përjavëshme Harpers. Ndryshe nga sa ishte pikturuar më parë, Plaku i Krishtlindjes e skicuar nga Tomas Nast-i kishte pamjen e një burri mjaft të shëndetshëm, dhe aspak të ngjashëm me figurën e dobët që ishte pikturuar deri në atë kohë.

Falë ndikimit të revistës, dhe popullaritet të Tomas-it si ilustrues, versioni i ri i Santa Klausit filloi të përhapej. Duhet pranuar që ilustrimi i Nashit përkonte jashtëzakonisht mirë me vjershën e famshme për Santa Klausin e shkruar nga Klement Morë rreth 40 vjet më parë.

Ka shumë mundësi që vjersha e përmendur të këtë frymëzuar Tomasin në pikturimin e tij. Sidoqoftë, këto të dyja së bashku, krijuan imazhin modern të Plakut të Krishtlindjes që ne e njohim aq mirë sot. Në janar të vitit 1863 ne revistën “Harper’s Weekly”, është publikuar ilustrimi i parë i Santa Klausit (Plakut të Dimrit) nga Thomas Nast.

Në këtë portret ai është veshur me flamurin amerikan! Gjatë 20 viteve të ardhshme Thomas Nasti vazhdoi të nxjerrte një illustrim të ri të Santa Klausit çdo krishtlindje. Në 1 Janar të vitit 1881, “Harper’s Weekly” botoi imazhin më të famshme të Nastit për Santa Klausin: një burrë të shëndoshë me mjekër, i veshur me rroba të kuqe, krahu i të cilit është plot me lodra, dhe i kompletuar me një cibuk duhani në dorën e tij të lirë.

Në vitin 1931, firma e pijëve freskuese Coca-Cola përdoroi Santa Klausin në reklamat e tyre për herë të parë. Artisti Haddon Sundblom mori idenë e Santa Klausit të Tomas Nastit, por e bëri atë edhe më të shëndoshë e të lezetshëm, dhe e zëvendësoi çibukun e duhanit me një shishe Coca-Cola. Reklama bëri xhiron e botës, duke ndihmuar në përhapjen e imazhit të Tomas Nastit më shumë se kurrë.

Kush ishte Piktori i Santa Klausit?

Tomas Nast-i lindi në Gjermani por u rrit në Amerikë. Prindërit e Tomas-it ndoqën rrugën e emigracionit drejt botës së re kur ai ishte ende fëmijë. Tomasi shfaqi aftësi për të pikturuar dhe bëri një vit shkollë pranë shkollës artistike. Suksesi i Nasti-it erdhi nëpërmjet talentit të tij si karikaturist.

Siç mund të imagjinohet, ilustrimi i lajmeve në botimet e shek.19 (kur fototeknologjia pothuajse nuk ekzistonte) ishte mjaft i rëndë­sishëm. Tomasi punoi kryesisht për të përjavëshmen Harper’s Weekly. Është e vështirë të ekzagjerosh ndikimin e ilustrimeve të tija në shoqërinë amerikane të asaj kohe.

Disa e konsiderojnë atë karikaturisti më i madh i politikës amerikane që ka jetuar deri më sot.

Fjala e Fundit

Besoj që shumë njerëz nuk thonë asnjë fjalë lutjeje.

Ata hanë dhe pinë, flenë dhe zgjohen, jetojnë në tokën e Perëndisë dhe kënaqen me të mirat e saj.

Ata kanë trupa, të cilët duhet të vdesin dhe kanë Ditën e Gjykimit dhe përjetësinë përpara.

Por megjithëkëtë ata kurrë nuk i flasin Perëndisë.

Jetojnë sikur të ishin kafshë dhe jo njerëz me shpirtra që nuk vdesin kurrë.

Mik pa lutje, duhet të të paralajmëroj për rrezikun tënd. Je krejtësisht i pafalshëm, sepse nuk mund të japësh asnjë arsye të mirë pse të jetosh pa lutje.

Mos thuaj se nuk di të lutesh.

Lutja është thjesht bisedim me Perëndinë.

Nuk të duhet asnjë arsimim që të lutesh – vetëm dëshira për ta bërë.

Foshnja më e vogël mund të qajë kur ka uri.

Nëse je i dijshëm për nevojën tënde do të gjesh shpejt diçka për t’ia thënë Perëndisë.

Mos thuaj se nuk ke ku të lutesh.

Gjithsecili mund të gjejë një vend të përshtatshëm nëse e do vërtet.

Mos thuaj se nuk ke kohë për lutjen.

Kohë ke boll, sikur vetëm të ishe gati ta përdorje drejtësisht.

Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër (Isaia 55:6)

Një fillim i mbarë

Çfarë do të bësh që të sigurosh që ky vit të jetë më i miri që mund të kesh pasur – ose të paktën më i miri i mundshëm? Pas natës së Vitit të Ri, viti i ri nis për shumë njerëz me një dhimbje koke!

Por, të duhet një plan se si do të vazhdosh më tutje. Këtu janë të mbledhura këshillat e shumë njerëzve të sukseshme sesi ata mendojnë që duhet të fillosh këtë vit të ri.

  • U shkruaj një letër tre njerëzve që të kanë ndihmuar në jetë për të shprehur vlerësimin tënd për ta.
  • Shkruaj një listë me synimet e tua për këtë vit dhe çfarë do të bësh për t’i arritur ato.
  • Përkushtoji trupit më shumë kujdes. Jo vetëm të merresh pak më shumë me sport, por ta bësh gjimnastikën një pjesë të ditës tënde. E mira është të bëhesh pjesë e një klubi sportiv në mënyrë që të nxitesh nga të tjerët.
  • Përfshihu më një shoqatë ose kishë që praktikon bamirësi. Duke kontribuar për të tjerët do të krijosh më shumë energji pozitive në jetën tënde.
  • Praktiko parimin një-herë-në-ditë. Nuk mund të bësh gjithçka për gjithkënd, por të paktën ti mund të bësh një të mirë çdo ditë që normalisht nuk do ta bëje. Mund të jetë diçka të vogël për ty, por mund të ketë ndikim pozitiv në jetën e tjetrit. Bëhet fjalë për një komshi, një shok, një të afërm apo një klient pune. Parimi një-herë-në-ditë mund të fuqizojë jetën tënde për mirë.
  • Merre në dorë kalendarin e vitit 2011 dhe shkruaji brenda të gjithë datëlindjet e njerëzve të shtëpisë dhe të miqve të afërt. Përdore pastaj gjatë vitit për t’i uruar në kohë.
  • Planifiko të kalosh kohë rregullisht me familjen tënde. Mund të dilni bashkë apo të bëni një lojë së bashku. Puno për të jetuar dhe mos jeto vetëm për të punuar.
  • Mos jeto nën trysninë e opinionit: “Unë nuk e di çelësin e suksesit por e di që çelësi i dështimit është të mbetësh duke plotësuar tekat e të tjerëve” tha njëherë Bill Kosbi.
  • Kur të ndodh diçka e pa dëshiruar, mos u dëshpëro. Të mira të panumërta kanë dalë prej situatave të këqija.
  • Gjej një njeri me të cilën mund të këshillohesh. Asnjë prej nesh nuk i di të gjitha gjërat.
  • Lexo një libër që do të ketë një ndikim pozitiv në jetën tënde. Bibla është libri më i shitur në botë, por jo më i lexuari.
  • Mundohu për të fituar të fitueshmen. Për çfarë synimesh jam përpjekur vitin e kaluar? Cilat janë kryesorët për të cilën ja vlen të përqendroj forcat e mia?
  • Mbaji shokët afër. Mos humb kontaktet me shokët e vjetër. Një letër apo një sms nuk të kushton shumë.
  • Lëviz me këmbë më shumë. Makina të shton stresin dhe të lë pa bërë fiskulturën e nevojshme.
  • Përmiso aftësitë e tua në ato gjëra që ti i bën më mirë. Pyeti ata që kanë më shumë përvojë se ti. Mëso prej tyre. Lexo libra. Bëje një specializim. Përpiqu të jesh më i mirë në atë që ti je, jo në atë që s’je.
  • Ji mirënjohës për ato gjëra të mira që ke në jetë: sidomos familjen, shoqërinë, por dhe mrekullinë që është jeta! Për gjashtë ditë Zoti krijoi botën dhe ditën e shtatë u shlodh. Përse? Jo se u lodh, por për të shijuar mrekullitë që kishte bërë. Ky është një ilaç kundër mërzitjes.
  • Hiq dorë nga duhani.
  • Rishiko shpenzimet tuaja. Fillimi i një vitit të ri është një kohë të mirë për të planifikuar dhe modifikuar buxhetin e familjes.
  • Shkruaj një listë me gjërat që aktualisht të harxhojnë kohën kot. Sa kohë do të kishe për gjëra më të vlefshme n.q.s në mënyrë të qëllimshme i shkurtoje këto?
  • Zbrazi dollapet nga rrobat dhe sendet e vjetra dhe të panevojshme. Krijo hapësirë për të mbajtur ato gjëra që i do vërtetë.
  • Bëj një kontroll te dentisti. Tani në fillim të vitit pasi ke ngrënë gjithë ato ëmbëlsira. Beje tani që dëmin e ke në fazën e parë, dhe mos prit të shkojë në fazën e tretë. Do kursesh kohë, lekë, dhe dhëmbin!
  • Ule kolesterolin. Kripa e tepërt të dëmton zemrën. Do ta shijosh gjithë vitin e 2011-ës apo jo?

Dhurata e Krishtlindjes

Një nga kujtimet e mia më të dashura ka të bëjë me një krishtlindje kur dhurata e vetme që kam marrë ka qënë familja ime. Ishte muaj tetor kur nëna ime lindi vëllain tim të vogël, Riki. Kur ajo e solli në shtëpi nga spitali, e vuri në prehërin tim, duke më thënë: “Unë ju premtova një vëlla të vogël, dhe ja ku është.”

Çfarë nderi! Unë isha fëmijë vet por asnjë nga miqtë e mi s’kishte një vëlla të vogël. Sigurisht që nëna nuk ka dashur të thotë që më përkiste mua fëmija, por unë kështu i interpretova fjalët e saj, dhe dashuria e mbushi zemrën time për ate krijesë të vogël në krahët e mi. Që nga ajo ditë, kaloja orë të tëra duke studiuar fytyrën e rrudhur të Rikit, ose duke luajtur me gishtat e tij të vogla.

I mrekulluar nga bebja im i vogël ai më dilte edhe natën në ëndërr. E argëtoja me këngë dhe i thoja pa pushim sa e doja. Ai gërgulisej për mua, dhe unë kënaqesha me çdo veprim dhe shprehje të tijën. Riki kishte qëndruar në shtëpi me ne vetëm disa javë, kur atë e kapi nje kollë.

Zhurma e frymëmarrjes së tij u bë më e cekët, i rridhte hunda dhe sytë i lotonin. Ai flinte më shumë se sa kishte fjetur më parë, dhe unë i ulesha me padurim pranë duke pritur që ai të zgjohej. Një mëngjes e kam gjetur krevatin e tij bosh. Unë u ktheva në dhomën tjetër dhe i ulërita motrës se dikush e kishte vjedhur fëmijën tim.

Motra ime më mori në krahë dhe më shpjegoi se Riki kishte shkuar në spital për t’u bërë më mirë, por do të vinte përsëri në shtëpi së shpejti. Prej atij çasti, motra ime 12-vjeçare përgatiste ushqimet tona, ndërsa mamaja dhe babai kalonin orë të pafundme në spital, duke qëndruar mbi foshnjën me pneumoni.

Unë dëgjova pëshpëritjen e bisedave ne telefon me fraza të tilla si “pak shpresë,” “të vjen keq,” “po humbet,” dhe “kaq i vogël.” Një mbrëmje dhjetori, babai na mblodhi bashkë; dy motrat e mia, vëllain tim të madh, dhe mua. U ulëm në një gjysmërreth në dhomën e ndenjes rreth pianos së babait, ashtu si uleshim kur familja këndonte. Babi u ul në stolin e pianos, si zakonisht, por përballë nesh jo në drejtim të tastierës. “Do të na duhet të shtrëngojmë rripin,” na tha neve.

Menjëherë mendova për veshjet që mamaja më qepte mua dhe pyesja veten përse unë duhet t’i lidhja më fort? Shikoja me vëmen­dje babain dhe përpiqesha ta kuptoja. Ndërsa babai na fliste, sytë e tij u mbushën me lot. Unë kurrë s’e kisha parë të qante më përpara, dhe u ndjeva i hutuar nga pamja e tij. “Nuk duhet të presim ndonjë dhuratë këtë vit. Në qoftë se vëllai yt shpëton, do të jetë e mjaftueshme për krishtlindjet”, tha babi. “Ne të gjithë duhet të jemi të kënaqur për ato që kemi dhe le të lutemi qe bebja do të kthehet në shtëpi së shpejti, i fortë dhe me shëndet të mirë.”

Unë nuk mund të kuptoja mirë atë që babai im po perpiqej të na tregonte. Më mungonte shumë vëllai im i vogël, por përse festat do të ishin më pak të bujshme. Si mundet që sëmundja e vëllait tim të ndikojë te Krishtlindje? Plaku i Vitit të Ri kishte mbushur gjithmonë çorapet tona me gjera të mira. Asgjë nuk mund të ndryshojë atë. Qëndrimit në spital i Rikit ndryshoi shumë gjëra.

Babai nuk solli në shtëpi një pemë krishtlindjeje. Mamaja nuk ishte të zbukuronte shtëpinë. Çdo natë ne fëmijët hanim atë ushqim të thjeshtë ndryshe nga ato që gatuante mamaja zakonisht. Bisedat në darkë kishin disa të qeshura, por jo si ato të qeshura kur gjithë familja mblidhej së bashku. Me kalimin e ditëve, unë kisha frikë të pyesja për vëllain tim. Nuk përmendej emri i tij shumë.

Heshtja kishte zëvendësuar zhurmën që më përpara mbushte shtëpinë tonë. Nëna dhe babai qëndronin më shumë në spital në prag të krishtlindjeve. Nën mbikëqyrjen e vëllait tim të madh unë i vara çorapet festive te oxhaku – duke përfshirë edhe një për Rikin – duke vendosur një emër në krye të secilit. Edhe pse ne nuk kishim një pemë dhe zbukurime të tjera, e dija që Plaku i Vitit të Ri do të kujdesej për mbushjen e çorapeve tona.

Ra zilja e telefonit herët në mëngjesin e Krishtlindjeve. Babai kërceu nga shtrati për t’iu përgjigjur. Babai im gjithmonë fliste me zë të lartë në telefon, sikur donte të siguronte që zëri i tij do të udhëtonte në distanca të gjata. Nga dhoma e gjumit kam dëgjuar im atë të thotë: “Çfarë? Ai është mirë?”

Pastaj me të bëritur na përcolli lajmin të gjithëve: “Doktori thotë se mund të sjellin në shtëpi Rikin!” “Lavdi Zotit!” Tha gjyshja që po rrinte me ne atë ditë. Nga krevati im pranë dritarës së dhomës së gjumit, unë e pashë babain që nxitoi për të hipur në makinë, unë kurrë nuk e kisha parë atë aq të lumtur. Edhe unë u ndjeva plot gëzim.

Ajo ishte një ditë e mrekullueshme! Vëllai im së shpejti do të kthehej në shtëpi, dhe dhuratat e Babagjyshit na prisnin poshtë te oxhaku. Unë zbrita në kuzhinë dhe ia drejtova sytë oxhakut. Mbeta gojëhapur! Çorapet ishin të varura pikërisht siç i kishim lënë në darkë, të pambushura dhe pa dhurata. Pas meje, degjova disa hapa . Unë u ktheva për të gjetur Benin, vëllain tim dhjetëvjeçar.

Ishte ende në pizhamet e tij. “Nuk ka asgjë atje,” qava unë. Ai vuri dorën mbi shpatullat e mia dhe më pyeti: “A i ke parë më nga afër?” I tregova se mund të shoh që nuk kanë gjë pa u afruar më shumë. “Ja, të shikojmë tha”. Ai shkoi te oxhaku dhe tërhoqi një fletë nga çorapja ime. Duke fërkuar hundën e pyeta: “Çfarë do të thotë?” Ai lexoi për veten e tij letrën dhe tundi kokën. I lëviza më pranë, kurioz.

Ai më vuri në dukje rreshtat që në mënyrë të dyshimtë ngjanin me shkrimin e tij. “Kjo shpjegon gjithçka”, më tha. “Çfarë?” I pyeta. Beni e pastroi fytin dhe tha: “Shkruhet m’u këtu: ‘Këto çorape mund të duken bosh, por ato janë të mbushura me dashuri.

10 Arsye Të Mira Për Të Shkuar Në Kishë

Një ditë të diel, një shoqja ime ishte duke zbritur nga shkallët e shtëpisë për të shkuar në kishë. Atje në rrugë takoi fqinjën që e përshëndeti me pyetjen: “Ku po shkon?” Ajo u përgjigj: “Në kishë”. Komshija i tha shoqes sime: “Përse vete atje? Të japin gjë?” me skepticizmin më të madh.

Sa do të doja të kisha qënë atje në atë moment për t’i treguar atij personi arsye të shumta përse ia vlen të shkosh në kishë të dielave. Kundrejt sakrificës së vogël të kohës është një nga aktivitetet shoqërore dhe shpirtërore më të vlefshme për njeriun. Nëqoftëse s’ke shkuar në kishë ndonjëherë të ftoj ta marrësh në konsideratë për arsyet që po ju paraqes këtu:

1. Shoqëria

Njeriu është një qenie shoqërore. Ai ka nevojë për njerëz të tjerë. Kur Zoti e krijoi njeriun e parë, Adamin, ai tha që: “nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm”. Njerëzit që shkojnë në kishë nuk janë të përkryer, por në kishë gjen njerëz që janë të gatshëm t’i ofrojnë shoqëri të sinqertë çdokujt.

Ku tjetër, përveç bashkësisë së kishës, mund t’i gjesh njerëz të mbledhur nga shtresa kaq të ndryshme shoqërore, me një përzierje të të gjitha grupmoshave, dhe shpesh me kombësi të ndryshme gjithashtu?

2. Shëndeti

Sipas dhjetra studimëve shkencore frekuentimi i kishës është mirë për shëndetin. Studimet tregojnë që, mesatarisht, njerëzit që shkojnë në kishë kanë tension gjaku më të ulët, vuajnë më pak nga stresi, kanë imunitet më të lartë ndaj sëmundjes, përballojne katostrofat më mirë, shërohen më shpejte pas operacioneve dhe gëzojnë jetëgjatësi më të madhe.

3. Faleminderit

Përse njerëzit ankohen kaq shumë dhe shumë pak janë të kënaqur? Përse lakmojnë kaq shumë dhe nuk ndiejnë më tepër gëzim për ato gjëra që i kanë? Kjo vjen ngaqë njerëzit duhet të jenë më mirënjohës ndaj Zotit. Është e mirë që ti të shkosh përpara Perëndisë, të paktën një herë në javë, dhe t’i thuash: “Faleminderit!”.

4. Falje

Përse të vesh në kishë? Sepse ke nevojë për falje. Dhe në kishë do të dëgjosh për të vetmin që ka fuqi të falë mëkatet. Kjo është një nga arsyet më të forta që duhet të shkosh në kishë. Krishti vjen për të na çliruar nga mëkati. Prandaj ai vdiq në kryq. Për të fituar lirimin dhe faljen tonë. Ai vjen në mes nesh më shumë për të dhuruar se sa për të marrë. Pasi ke kaluar nje javë duke luftuar me mëkatin, sa mirë që mund të vesh në kishë të dielën dhe të pastrohesh nga çdo gjë e keqe.

5. Adhurim

Këngët e kishës janë disa nga këngët më të bukura që janë shkruar. Muzika e kishës ka frymëzuar njerëzit gjatë gjithë historisë. Për adhurimi nuk ka të bëjë vetëm me këngën dhe muzikën. Ngaqë njeriu ka një botë shpirtërore, është e pashmangshme që ai do të adhurojë dikë apo diçka.

Ose do të adhurojë Perëndinë, krijuesin e tij, ose do të adhurojë dikë apo diçka më pak të denjë: pasurinë, partinë, punën, këngëtarët, vetveten. Është fisnike të adhurosh Zotin dhe ti duhet të kuptosh që për këtë jemi krijuar, t’i japim lavdi Perëndisë.

6. Lutja

Ka fuqi në lutje. Sidomos kur populli i Zotit lutet së bashku. Jezusi ka premtuar, “Në qoftë se dy prej jush bien në ujdi mbi tokë të kërkojnë diçka, kjo do t’u jepet atyre nga Ati im në qiell.” (Mateu 18:19). Ata njerëz për të cilën askush nuk lutet janë më të vërtetë më të varfër shpirtërisht, sepse është e mrekullueshme kur rrethohesh nga njerëz të Perëndisë që lutën për ty.

7. Fëmijët

Fëmija që rritet në kontakt me kishën ka gjasa të dalë një njeri më i kompletuar në jetë dhe të jetë më pak i prirur ndaj veseve të shumta që ka shoqëria sot. Shumë prindër po vuajnë me adoleshentë të pakontrollueshëm. Mos prit t’ju ndodhi juve. Nëse i doni fëmijët tuaj (dhe e marr me mend që i doni) nuk bën keq ti shoqërosh për në kishë.

8. Krishti

Përfytyro që Jezus Krishti viziton qytetin tënd. A nuk ke dëshirë të vesh ta takosh? Bashkësia është ky vend. Jezusi premtoi se aty ku dy ose tre njerëz bashkohen në emrin e tij, ai do të gjendej në mes tyre. Ndonëse është e drejtë të themi që Zoti është kudo, ai është i pranishëm në mënyrë të veçantë kur e adhurojmë në bashkësi. Jezusi i quajti besimtarët trupi im. Kështu që pyetja, “ku mund ta gjej Jezusin sot?” merr përgjigjen: aty ku janë besimtarët e tij.

9. Fjala

Asnjëherë tjetër nuk kemi qenë të rrethuar nga kaq shumë zëra me fjalë kontradiktore. Jeta është konfuze ndërsa ne mundohemi të kuptojmë rrugën që duhet të ndjekim. Kjo të jep një arsye tjetër të vesh në kishë. Sepse atje do të dëgjosh zërin e Perëndisë nëpërmjet këngëve, lutjeve dhe Shkrimeve të Shenjta. Zoti i flet popullit të tij në mënyrë kolek­tive dhe individuale. Zëri i tij të drejton në rrugë të mirë, të forcon, të jep kurajo, të qetëson, të korrigjon. Sa keq kur i lutemi Zotit për ndihmë por nuk shkojmë në vendin ku Zoti na flet.

10. Egoizëm

Nuk duhet të vesh në kishë me mendimin vetëm të marrësh. Kisha është vendi ku duhet edhe të japësh. Nuk po flas vetëm për ofertën e kishës. Po flas për detyrimin që kemi të duam njëri-tjetrin. Jezusi na urdhëroi: “Po ju jap një urdhërim te ri; ta doni njëri-tjetrin, sikurse unë ju kam dashur ju, ashtu edhe ju ta doni njëritjetrin, prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi”.

Apostulli Pal thotë të njejtën gjë, “le t’u bëjmë të mirën të gjithëve”.

Nga Gjon Toma, bari i kishës ungjillore

NË MEKSIKË, FESTIMET MË TË GJATA

Meksika njihet si vendi ku festimet e krishtlindjes fillojnë më herët dhe mbarojnë më vonë. Gjithçka fillon më 16 dhjetor me “posada” (kërkimi për një han).

Kjo fazë zgjatë nëntë ditë, deri në pragë të Krishtlindjes dhe bëhet për të përkujtuar endjen e Jozefit dhe të Marisë në qytetin e Betlehemit deri në çastin kur gjetën strehë. Gjatë posadave, një grup njerëzish mbajnë në krah figurat e Jozefit e të Marisë, të cilat i dërgojnë në një shtëpi, duke i shoqëruar me këngë, tekstet e të cilave kërkojnë “posadon”.

Ata që ndodhen brenda shtëpisë përgjigjen po me këngë dhe më pas vizitorët futen në shtëpi bashkë me shëmbëlltyrat e Jozefit e të Marisë.

Aty festa vazhdon me disa njerëz me sy të mbyllur e me shkopinj në duar, të cilët përpiqen të thyejnë “pinjatën”, e cila është një enë e madhe balte, ndonjëherë në formën e gomarit, që varet diku. Pasi e thyen pinjatën mbledhin frutat, çokollatat e karamelet që pinjata kishte brenda.

Fakte biblike për engjëjt

Është plotësisht e gabuar të adhurosh engjëjt, por them që është e drejtë që ne t’i duam. Kur e merr në konsideratë karakterin e shenjtë të engjëjve, dhe n.q.s i vë re dashamirësinë e tyre ndaj njerëzve, nuk mund të mos i duash këto frymëra shërbëtore të Perëndisë. (Spurgeon)

Sipas Biblës, engjëjt janë qenie shpirtërore që kanë inteligjencë, emocione, dhe vullnet. Engjëjt janë në thelb qenie frymërore në kuptimin që ato nuk kanë trupa të vërteta fizike. Edhe pse ata nuk kanë trupa fizikë, ato kanë personalitetet e tyre.

Për shkak se ata janë të krijuar, njohuritë e tyre janë të kufizuara. Kjo do të thotë se ata nuk i dinë të gjitha gjërat siç i di Perëndia (Mateu 24:36). Por duket që kanë njohuri më të madhe se njerëzit për shkak të tri faktorëve:

Së pari, engjëjt janë krijuar në një rend më të lartë se sa njerëzit. Prandaj, ata posedojnë njohuri më të madhe prej natyrës.

Së dyti, engjëjt i shikojnë më thellë të fshehtat e botës sesa njeriu (Jakobi 2:19; Zbulesa 12:12).

Dhe së fundmi, engjëjt fitojnë njohuri përmes vëzhgimit të gjatë të aktiviteteve njerëzore. Ndryshe nga njerëzit, engjëjt nuk kanë nevojë për të studiuar të kaluarën, sepse ata e kanë përjetuar vetë.

Prandaj, ata e dinë se si të tjerët kanë vepruar dhe reaguar në situata të ndryshme dhe mund të parashikojnë me një shkallë më të madhe të saktësisë se si mund të veprojmë ne në rrethana të ngjashme. Edhe pse ata kanë vullnetin e tyre, engjëjt, si të gjitha krijesat, i nënshtrohen vullnetit të Perëndisë. Engjëjt e mirë janë të dërguar nga Zoti për të ndihmuar besimtarët (Hebrenjve 1:14).

Këtu janë disa nga aktivitetet që Bibla ua atribuon engjëjve:

Ata lavdërojnë Perëndinë (Psalmi 148:1-2; Isaia 6:3).

Ata adhurojnë Perëndinë (Hebrenjve 1:06; Zbulesa 5:8-13).

Ata gëzohen me atë që Perëndia bën (Jobi 38:6-7).

Ato i shërbejnë Perëndisë (Psalmi 103:20; Zbulesa 22:09).

Ata paraqiten para Perëndisë (Jobi 1:6; 2:1).

Ato janë instrumente të gjykimeve të Perëndisë (Zbulesa 7:01; 08:02).

Ata përcjellin përgjigjet e lutjeve (Veprat 12:5-10).

Ata ndihmojnë njerëzit të gjejnë Krishtin (Veprat 8:26; 10:03).

Ata japin inkurajim në kohë rreziku (Veprat 27:23-24).

Ata kujdesen për besimtarët në kohën e vdekjes (Luka 16:22).

Engjëjt i përkasin një rendi krejtësisht të ndryshme nga njerëzit. Zoti i krijoi engjëjt, ashtu si ai krijoi njerëzit, në mënyrë të drejtpërdrejtë. Njerëzit nuk kthehen në engjëj pasi ata vdesin. Dhe engjëjt nuk bëhen njerëz. Engjëjt janë qenie shpirtërore që ndonjëherë mund të marrin formën fizike.

Por Bibla na tregon se kjo është gjithmonë e përkohëshme. Njeriu ndërkohë është një qenie fizike, por me një jetë shpirtërore që i jep Perëndia. Gjëja më e vlefshme që ne mund të mësojmë nga engjëjt e Perëndisë është të kemi bindje të menjëhershme ndaj urdhrave të Zotit.

Sipas Krishtit, kur njerëzit pendohen për mëkatet e tyre, engjëjt gëzohen. Bibla të krijon përshtypjen që ekzistojnë engjëj me funksione të ndryshe. Në Bibël, nëntë radhët e engjëjve janë përmendur me serafinët dhe kerubinët engjëjt më të lartë. Engjëjt janë të kryesuar nga një engjëll shefi i njohur si një Krye Engjëll emri i të cilit është Shën Mikael.

Disa njerëz mendojnë se ne të gjithë kemi engjëjt tonë kujdestarë ose një engjëll mbrojtës. Ai kujdeset për ty dhe të ngushëllon në kohë të vështira. Para 800 vjetësh mësimi i kishës për engjëjt u zhvilluar shumë nën ndikimin e Tomas Akuinit.

Tomasi besonte se engjëjt mbushin hendekun midis Perëndisë dhe njerëzve. Të gjithë besimtarët besojnë dëshminë e Biblës për sa i përket ëngjejve dhe dobia e tyre për ne, por duhet të kemi kujdes të mos hamendësojmë për ato gjëra që Perëndia ende nuk na ka zbuluar.

Shkurt

Krishtlindje – 20 vjetori në Shqipëri

Në vitin 1990 u lejua për herë të parë festa e krishtlindjes nga regjimi komunist. U anulua ligji që e cilesonte predikimin fetar si “krim kundër shtetit”. Për ata që e vlerësojnë, besimi ka qënë i lirë qysh prej 2o vjetësh.

Gëzuar Krishtlindjet apo Krishtlindjen?

“Krishtlindjet” në shumës është fjala e saktë dhe nuk duhet menduar se ka dy krishtlindje (megjithëse jo të gjitha vendet e festojnë në të njëjtën datë). Krishtlindjet është një festë që zgjat më shumë se një ditë. Për ata që ndjekin kalendarin e vjetër fetar ka një proces që zgjat disa javë (duke filluar me agjërimet).

Pjesa festive e Krishtlindjes zgjaste të paktën disa ditë. Pra “Gëzuar Krishtlindjet” është një urim i saktë sepse pasqyron këtë fakt. Por edhe urimin në njëjës mund ta përdorni!

Sugjërime për dhuratat e krishtindjes:

Armikut, faljen

Kundërshtarit, tolerancën

Mikut, zemrën

Klientit, shërbimin

Të gjithëve,dashamirësinë

Fëmijëve,shëmbullin e mirë

Vetvetes,respektin

Oren Arnold

Dy Citime

I vetmi njeri vërtetë i verbër në kohën e krishtlindjes është ai që s’ka krishtlindjen në zemrën e tij.

Helen Keller, lindur e verbër dhe memec, autore dhe arsimtare.

Kur ishim fëmijë, kemi qënë plot mirë­ njohje ndaj atyre që na mbushnin “çorapet” në kohën e festave të fundvitit. Por përse sot nuk jemi mirënjohes Perëndisë për këmbët brenda çorapëve tona?!

G.Cesterton, shkrimtar dhe poet anglez

Engjëjt e Krishtlindjes

Engjëjt janë qënie frymërore që lëvizin në qiell dhe në tokë por që rrallë shfaqen para syve të njerëzve. Në Bibël, engjëjt janë përmendur si të dërguarit e Zotit. Engjëll do të thotë ‘lajmëtar’ në gjuhën originale, dhe në kryerjen e kësaj detyre ne i shohim të shfaqen në skenën e historisë herë pas here.

Engjëjt e krishtlindjes janë ndoshta forma më e njohur e engjëjve për ne sepse jemi të familjarizuar me imazhet e tyre nëpërmjet kësaj feste. Ndonëse engjëjt shfaqen rrallë në histori, ata luajnë një rol të madh në historinë e krishtlindjes. Duke qënë se engjëjt janë mjaft të rëndësishëm në lindjen e Jezus Krishtit, figurat e ëngjëjve shoqërojnë festën e përvitshme të krishtlindjes duke u shfaqur si zbukurime në pemë dhe të pikturuara nëpër kartolina përshëndetëse.

Këngët tradicionale të festës përmendin gjithashtu rolin e veçantë të tyre. Engjëjt janë ata që na sollën lajmin e lindjes së Krishtit: Gabrieli solli lajmin hyjnor te Maria dhe zbuloi se ajo ishte zgjedhur të mbajë fëmijën e shenjtë. Një engjëll tjetër lajmëroi Jozefin se ai duhet të mos hiqte dorë nga fejesa me Marinë dhe duhet të kujdesej për të.

Pas lindjes së fëmijës një engjëll tjetër i foli që të shpëtonte fëmijën nga dora e Mbretit Herod. Sigurisht që spikat rasti i barinjve që panë një mori engjësh në qiell duke kënduar për lindjen e shpëtimtarit. Dhe s’duhet të harrojmë Zakarian, babain e Gjon Pagëzorit (pararendesit të Krishtit), që pa një ëngjëll në tempull ndërsa shërbente atje si prift.

Ndryshe nga sa janë pikturuar shpesh herë, engjëjt që u shfaqen si lajmëtarët e lindjes së Krishtit nuk janë përshkruar asnjëherë në Shkrimet e Shenjta si qënie me krahë fluturues, por si figura të ndritshme. Engjej me krahë janë parë vetëm në vegimet e profetëve, raste këto kur gjuha vegimore të jep përshtypjen që krahët e tyre fluturues simbolizojnë gadishmërinë e tyre të zbatojnë shpejt vullnetin e Perëndisë.

Këngët e Krishtlindjes

Këngët e Krishtlindjëve ose “Carols” (kerëllz) siç i quajnë në anglisht, janë disa nga këngët më të bukura e më të ndjera që janë krijuar ndonjëherë. Në kishat shqiptare gjatë festës, mund të dëgjoni përkthimet e tyre të kënduara me kor ose nga gjithë pjesëmarrësit që vijnë në kishë.

Një nga këngët festive më e njohur, dhe që vë në dukje rolin e engjëjve në lindjen e krishtit është

Na Këndojn’ Engjëjt E Tij:

Na Këndojn’ Engjëjt E Tij,

Lavdëruar Mbret’ i ri;

Qoftë paqe sot në botë,

Dhe ndër njerëzit pëlqim

Erdhi Krishti!

Pra gëzohu;

Me korin qiellor bashkohu

 

Jepni me engjëjt lavd’rim,

Se u lind në Betlehem. (x2)

 

 

Princ’ i paqes ësht’ Ai,

Djell’ i drejtësis’ për dhe.

Drit’ e jetë po na sjell

Nga shtëpia jonë në Qiell.

Krishti la lavdin’ e Tij;

Sot u bë porsi njeri;

 

 

Ky prej mishit na u lind;

Të rrojmë ne nga Frym’ e Shenjt’ (x2)

BETLEHEMI SOT

Në prag të krishtlindjes, një paradë e madhe kalon në mes të qytetit. Banorët edhe turistët mbushin dyert, dritaret dhe ballkonet për të parë paradën. Madje disa njerëz, hipin në çatinë e kishës për të parë më mirë! Kalorës të hipur mbi kuaj arab formojnë pararojën e paradës.

Pas tyre vjen një burrë i hipur mbi nje kalë të zi me një kryq. Pas atij vijnë drejuesit e kishave dhe zyrtarët e qeverisë. Parada hyn brenda kishës (që është ndërtuar mbi vendin që mendohet që ka lindur Krishti) nga dera e saj e vogël dhe vendosin një kukull simbolikë brenda kishës.

Kisha është nën kujdestarinë e disa prej degëve të krishterimit njëkohësisht. Për fat të keq, ndarjet midis tyre kanë prodhuar edhe sherre!

Nuk është e thënë që aty ku lindi Jezusi, të ecin të gjithë në frymën e krishtlindjes.

Santa Klaus apo Plaku i Vitit të Ri?

“Santa Klaus”* është përshtatja në anglisht e emrit për Shën Kollin. Santa Klaus-i, ose Shën Kolli, ka qënë një i krishterë që jetoi në shekullin e katërt pas Krishtit. Ai ishte drejtuesi i kishës në Mira, e cila është një zonë që gjendet sot në Turqi. Thuhet që Shën Kolli ka qënë një besimtar që kujdesej shumë për të varfërit. Kaq mund të dimë me siguri.

Gjatë she­kujve shumë legjenda janë thurrur për Santa Kla­usin dhe këto legjenda janë për­­hapur në Ame­rikë prej emigrantëve hollandez dhe gjerman përgjatë shekullit 19. Në saj të ndikimit të kulturës amerikane, Santa Klaus-i njihet tani në të gjithë botën.

Legjenda më e njohur për Santa Klausin ka të bëjë, si zakonisht, me një familje të varfër që marrin ndihmë prej tij: Një njeri i varfër kishte tri vajza. Sipas zakonëve të vendit ku jetonte kjo familje, përvec pajës, i ati duhet të jepte asaj edhe prikë, d.m.th. një pjesë të pasurisë së familjes, të patundshme ose në të holla (kjo traditë është praktikuar edhe në shqipëri deri vonë).

Duke qënë se i ati i vajzave nuk kishte para të mjaftueshme për prikë, vajzat e tij nuk martoheshin. Një natë, Shën Kolli shkon fshehurazi dhe hedh një qese të vogël me monedha ari brenda shtëpisë nga oxhaku (mëqenëse shtëpia ishte e mbyllur). Qesja ra në një çorape që ishte varur afër zjarrit për t’u tharë! Me këto monedha ari burri i varfër fejon vajzën e madhe.

Pas një farë kohe, përseritet e njëjta histori me të bijën e dytë. Së fundmi, i vendosur për të zbuluar personin që i kishte dhënë paratë, babai i vajzave fle pranë zjarrit çdo mbrëmje deri sa një natë e kap Shën Kollin duke hedhur qesen e tretë. Nikolasi i kërkon këtij burrit të mos tregojë atë që kishte bërë, sepse nuk e kishte bërë as për famë e as për namë.

S’kaloi shumë kohë dhe fjala u përhap jo vetëm në atë krahinë por edhe më tej. Në vitet që pasuan, sa herë që dikush merrte një dhuratë anonim, mendonte se ndoshta i ishte hedhur nga Shën Kolli. Po plaku i Vitit të Ri? Në Shqipëri Santa Klausi nuk njihet aq shumë sa Babagjyshi i Vitit të Ri, apo Babi Dimri, siç e quajnë disa. Mirë po, legjenda e Babagjyshit është përshtatje e legjendës së Santa Klausit për Shqipërinë.

Kjo erdhi pjesërisht për shkak të ekzistencës së traditave të tjera fetare në vend, por më shumë si shkak i luftës kundër fesë e zhvilluar gjatë kohës së komunizimit, ku as që bëhej fjalë të festoje krishtlindjet në Shqipërinë ateiste. Nuk është ekzagjerim të thuash që rrezikoje nje dënimin për festimin e krishtlindjes në kohën e diktaturës.

Per shkak se nuk njiheshin krishtlindjet në atë kohë, Vitit të Ri i ngarkuan të gjithë elementet e festës se krishtlindjes, siç është jo vetëm Baba gjyshi i Vitit të Ri, por edhe pema që zbukurohej për krishtlindjet dhe dhuratat që u jepeshin fëmijëve.

Plaku i krishtlindjes, Santa Klausi dhe Kris Kringle (në Gjermani) janë tre figura të ndryshme që kanë luajtur rolin e mirëbërësit në festën e krishtlindjes në vendet europiane. Mirëpo, me kalimin e viteve, dhe shkëmbimet e shumta në kulturën e filmit dhe të librit mes vendeve të perëndimit, këto legjenda janë shkrirë gjithmonë e më shumë së bashku në një figurë të vetme.

I.D. *Shënim: vjen nga hollandishtja: ‘Sinterklass’.

Gëzuar Krishtlindjet

“Përshkruani krishtlindjen me dy fjalë”. Kjo ishte sfida që u bëhej klientëve të një supermarketi anglez ndërsa xhirohej një reklamë televizive. “Shumë ushqim”, thotë një sportist i njohur. “Filma të rinj”, thotë një aktore e njohur. Sugjerimet e tjera ishin: “Çorape të mbushura”, “Fjalimi i mbretëreshës” dhe pas këtyre vjen e pashmangshmja: “Supermarketi X!”.

Kjo reklamë më trazoi mëndjen dhe më la me një pikëpyetje. Ku shkuan përkufizimet e thjeshta si: “Lindi Krishti”, apo “Festojmë Krishtin”? A nuk ishin këto të përshtatshme? Është e lehtë në kohën e Krishtlindjeve të jemi të preokupuar aq shumë me pazaret dhe punët festive sa harrojmë thelbin e asaj që po festojmë.

Bibla e përshkruan ardhjen e Jezusit si një ngjarje me rëndësi të madhe për marrëdhëniet e Perëndisë me botën që ai krijoi, dhe për çdo njeri që jeton në të. Unë kam zgjedhur dy fjalë për të përmbledhur kuptimin e vërtetë të krishtlindjeve. Ato dy fjalë janë histori dhe lumturi. Këto janë të vërtetat kyçe të festës që kanë prekur jetët e miliona njerëzve në të gjithë botën. Ato mund të prekin jetën tuaj.

Histori

Krishtlindja ka ndodhur me të vërtetë. Shumë njerëz e vënë Jezusin në të njëjtën kategori me Santa Klausin apo me Babagjyshin e Vitit të Ri. Disa prej nesh e kemi mësuar historinë e lindjes së tij në grazhdin e Betlehemit që kur ishim fëmijë. Por në përballje me realitetin e vështirë të jetës, e kemi lënë mënjanë Jezusin, ashtu siç nuk besojmë më Plakun e Vitit të Ri. Jo!

Bibla këmbëngul se Jezusi nuk është vetëm një karakter mitik, ai me të vër­tetë ka ekzistuar. Mënyra më e mirë për të mësuar më shumë rreth tij është për të lexuar Dhiatën e Re të Biblës. Katër ungjijtë u shkruan pak vite pas ngjarjeve që ata i përshkruajnë dhe autorët kanë treguar kujdes të madh për të regjistruar histori të sakta. Dhjata e Re nuk është një mit apo fantazi.

Jezusi me të vërtetë ka lindur në Betlehem. Ai u rrit për t’u bërë njeriu më i shquar që ka parë bota ndonjëherë. Nuk ka pasur kurrë një person tjetër si Jezusi. Ai jetoi një jetë me një mirësi, me një dhembshuri dhe me një përulësi të habitshme. Ai i donte të gjithë: të pasur dhe të varfër, hebrenjtë dhe johebrenjtë, edhe pse ata nuk e donin. Ai mësoi si askush tjetër.

Edhe pse ai ishte një marangoz pa shkollë nga një pjesë periferike e Perandorisë Romake, fjalët e tij ende frymëzojnë jetën e miliona njerëzve megjithëse kanë kaluar 2.000 vjet që kur ai ka jetuar në tokë. Dhe ai bëri mrekulli të jashtëzakonshme, të cilat edhe armiqtë e tij nuk mundën ti mohonin. Me fuqinë e fjalës së tij, sytë e të verbërve u hapën, të çalët ecën dhe të sëmurët u shëruan.

Nga smira, njerëzit që ishin në pushtet e vranë me një vdekje mizore. Në qoftë se historia e tij do të kishte përfunduar këtu, jeta e tij tashmë do të ishte harruar, por ai nuk qëndroi në varr. Perëndia e ringjalli prej së vdekuri dhe ai iu shfaq shumë njerëzëve. Ky nuk ishte një njeri i zakonshëm. Prandaj lindja e Krishtit është një ngjarje historike; ajo me të vërtetë ka ndodhur!

Lumturi

Njeriu ka nevojë për lumturi. Lumturia është urimi më i madh që ne i japim njeri tjetrit si dhe dëshira më e lartë që ne shprehim. Çdo njeri kërkon të jetë i lumtur. Kjo është e natyrshme. Por sa pak njerëz e gjejnë me të vërtetë lumturinë! Përse nuk gjejmë lumturi? Mëkati. Mëkati te njeriu është shkaku përfundimtar i të gjitha ligësive në tokë.

Padrejtësitë, shtypjet, shfrytëzimet, vrasjet, vjedhjet, ndarjet, të gjitha të këqijat dhe të gjitha të zezat janë pasojat e mëkatit! Mëkati e prish jetën e njeriut nga jashtë sepse e prish njeriun nga brenda. Për sa kohë që mëkati infekton shpirtin e njeriut ai nuk mund të jetë i lumtur. Mëkati nuk është vetëm një problem për njerëzit, por ai e shkatërron botën e përsosur të Perëndisë.

Nuk është habi që Bibla thotë se Zoti është i zemëruar me ne. Por një engjëll i dërguar nga Zoti, njoftoi lindjen e Jezusit me këto fjalë: “Unë po ju lajmëroj një gëzim të madh që do të jetë për të gjithë njerëzit”. Lajmi i gëzueshëm i krishtlindjes është se Perëndia ka kapërcyer hen­dekun midis atij dhe nesh duke e dërguar birin e tij në këtë botë të humbur për të na shpëtuar nga mëkati.

Krishti lind për të na çuar në rrugën e mirë të Perëndisë dhe drejt lumturisë! Ndofta ti nuk mund të kuptosh pse ka aq shumë vuajtje në botë, por së paku mund të jesh i sigurt se Zoti nuk është indiferent ndaj teje. Ai nuk të ka dërguar ngushëllimet e tij me një thirrje telefonike, por ai është përfshirë në këtë botë plot trazira me Birin e tij që vjen në tokë për të vuajtur për ne. Kjo është historia e krishtlindjes dhe kjo është shpresa e lumturisë që lind në Betlehem.