I pasuri dhe Lazari

Por atje ishte një njeri i pasur, që vishej me të purpurta dhe me rroba të çmueshme prej liri dhe për ditë e kalonte shkëlqyeshëm.

Atje ishte edhe një lypës, i quajtur Llazar, që rrinte para derës së tij, dhe trupin e kishte plot me plagë të pezmatuara, dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut; madje edhe qentë vinin e ia lëpinin plagët.

Por ndodhi që lypësi vdiq dhe engjëjt e çuan në gji të Abrahamit; vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën. Dhe, duke pasur mundime në ferr, i çoi sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gji të tij. Ungjilli-1

Fatet janë të ndryshme

Çfarë kontrasti që ka midis dy njerëzve në shëmbëlltyrë! Krishti na tregon për një pasanik dhe një të varfër. Njëri ka shumë të mira nga kjo botë; tjetri nuk ka asgjë. Të dy janë pasardhës të Adamit; të dy i përkasin familjes njerëzore; të dy jetojnë në të njëjtin vend nën të njëjtën qeveri.

Por sa të ndryshme janë kushtet e tyre! Duhet të tregohemi të kujdesshëm se mos mësojmë nga shëmbëlltyra gjëra që s’janë për mësim. Të pasurit nuk janë të gjithë njerëz të këqij, dhe jo çdo i pasur do shkojë në ferr. Gjithashtu, jo të gjithë të varfërit janë njerëz të mirë, dhe jo të gjithë do shkojnë në parajsë.

Nuk është mëkat as të jesh i pasur e as të jesh i varfër. Krishti nuk lavdëron apo qorton kushtet e asnjërit prej tyre. Ai vetëm po përshkruan gjërat siç zakonisht janë në botë. Për aq kohë sa ka disa të mençur e disa të ngathët, disa të fortë e disa të dobët, disa të shëndoshë e disa të sëmurë, disa punëtorë e disa dembela, të gjitha këto së bashku me faktorë të tjerë, bëjnë që të ketë gjithmonë disa të pasur e disa të varfër.

Gjersa mëkati të flaket tutje nga bota, dhe zemrat e njerëzve të bëhen të shenjta, nuk do ketë kurrë lumturi dhe barazi universale. Asnjë qeveri, edukim, apo politikë nuk do mund ta bëjë një gjë të tillë. Kjo nuk do të thotë që s’duhet të ndihmojmë të varfërit. Por duhet të kuptojmë që deri sa të vijë Zoti përsëri, do ketë gjithmonë të pasur dhe të varfër në botë.

Suksesi i njeriut në këtë botë nuk përcakton gjendjen e tij shpirtërore

Shumë njerëz do e quanin situatën e njeriut të pasur, tepër ideal. Me sa duket ai paska patur çdo gjë që zemra e tij dëshironte. Por e vërteta është se ai pasanik ishte jashtëzakonisht i varfër. Kur gjërat e mira të kësaj jete iu morën, ai nuk kish asgjë ç’të merrte me vete në botën tjetër. Ai kishte pasuri në tokë, por asnjë thesar në qiell. Ai kishte rroba të bukura, por jo veshjen e drejtësisë.

Kishtë miq në tokë, por asnjë Mik apo Avokat në të djathë të Perëndisë. Ai kurrë nuk hëngri nga buka e jetës, dhe kur la shtëpinë e mrekullueshme prapa, nuk kishte shtëpi për të në parajsë. “Pasuria” e tij nuk ishte pasuri e vërtetë, sepse ai ishte pa Perëndi, pa besim, pa falje e pa shpresë.

Kur ai vdiq ai vajti në ferr, në të vertetë ishte tepër i varfër. Nga ana tjetër, Llazari nuk kishte asgjë nga kjo botë. Është tepër e vështirë të imagjinohet një situatë kaq e varfër dhe e mjerë. Por në të vërtetë, Llazari ishte i pasur. Ai ishte fëmijë i Perëndisë, me trashëgimi në qiell.

Pasuria e tij ishte e përjetshme dhe e vërtetë. Ai kishte veshjen më të bukur – drejtësinë e Krishtit. Kishte mikun më të mirë, Perëndinë. Përsa i përket ushqimit, ai ushqehej me bukën e jetës. Këto gjëra i kishte përgjithmonë, në vdekje dhe në jetë. Siç e shikoni pra, ne duhet t’i masim njerëzit sipas standardit të Perëndisë, dhe jo sipas standardeve të kësaj bote.

Një lypsar që beson është më i nderuar në sytë e Perëndisë sesa një president apo kryeminister që nuk beson. Një njeri mund të jetë i madh dhe i admiruar për një farë kohe, por më pas të përjetojë errësirën dhë mjerimin e përjetshëm. Dikush tjetër mund të jetë i injoruar në këtë jetë, por ai kalon përjetësinë në lavdi me Krishtin.

Pasuria dhe lavdia e botës nuk janë provë e favorit të Perëndisë. Shpesh këto janë kurth dhe pengesë për shpirtin e njeriut, duke e nxitur të dojë botën dhe të harrojë Perëndinë. Varfëria dhe sprovat nuk janë provë e zemërimit të Perëndisë. Shpesh këto janë shkolla për të mësuar njeriun të vlerësojë gjërat qiellore.

I pasuri dhe i varfëri, të dy përfundojnë në varr

Ndonëse janë kaq të ndryshëm në jetë, si Llazari ashtu dhe pasaniku kanë të njëjtin fat. Të dy vdesin. Ky është fati i çdo njeriu, dhe fati yt dhe i imi. Vdekja është një armik i madh që askush s’mund ta mposhtë. Nuk kursen askënd, e nuk respekton askënd. Nuk pret për ty kur të jesh gati.

Vjen në orën e caktuar nga Perëndia. I gjithë njerëzimi e di këtë fakt, por shumica prej tyre nuk e vlerëson. Nëse do bënin një gjë të tillë, do vepronin ndryshe. Ç’budallallëk është të punosh vetëm për këtë botë dhe të kesh shpresë vetëm te ngushëllimet e shkurtra të saj, dhe të humbasësh jetë të përjetshme!

Shpirti i një besimtari është tepër i çmuar në sytë e Perëndisë

Sa i çmuar është shpirti i një besimtari në sytë e Perëndisë! Pasaniku vdiq dhe u varros. Ndoshta kishte një varrim të mrekullueshëm, por gjëja tjetër që lexojmë është se ai ra në vuajtje të vazhdueshme. Llazari padyshim nuk kishte një varrim të shkëlqyer, por u mor nga engjëjt në një vend pushimi në gji të Abrahamit.

Askush nuk ka miq sa një besimtar. Engjëjt e mbrojnë në botë, kujdesen për shpirtin e tij pas vdekjes dhe e shpien të sigurt në shtëpi. Ndonëse ai mund ta konsiderojë veten të varfër e të ulët, por ja për besimtarin më të ulët dhe më të varfër kujdeset vetë Zoti lart në qiell, me një kujdesje që zor se mund ta kuptojmë.

Kur një njeri pranon Krishtin me sinqeritet, ai ka të gjitha përfitimet e një beslidhjeje të sigurt dhe të vendosur. Të gjitha mëkatet i janë falur dhe zemra i është dhënë jetë të re. Krishti do i mësojë të vërtetën. Krishti do jetë më të në çdo kohë. Asgjë s’do e lëndojë atë pa lejen e Perëndisë.

Të gjitha sprovat kontrollohen me urtësi; të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë të tij. Dhe kur puna e tij të jetë përfunduar, engjëjt e Perëndisë do e marrin në krahë e do e shpien me lavdi në shtëpinë e tij qiellore.

Egoizmi është i rrezikshëm dhe shkatërrues për shpirtin

Vëreni se sa i rrezikshëm dhe shkatë- rrues është mëkati i egoizmit. Ne nuk lexojmë që i pasuri ishte vrasës, hajdut apo kurorëshkelës. Por ja që ai përfundoi në vendin e mundimit. Sigurisht që ka mësime që duhet të marrim prej kësaj. Duhet të ruhemi nga rreziku i të jetuarit vetëm për veten.

Nuk mjafton vetëm të themi, “Unë jetoj një jetë të rregullt, bëj detyrën time në çdo fushë të jetës”. Pyetja është, a jeni ju duke jetuar për veten apo për Perëndinë? Nëse je si pasaniku që jetonte vetëm për vete, atëherë je i humbur. Duhet të ruhemi nga rreziku i të mos bërit atë që duhet të bëjmë.

Pasaniku nuk vajti në ferr për çfarë ai bëri, por për çfarë ai nuk bëri. Ai e la Llazarin tek dera. Në ditën e gjykimit Krishti do u thotë shumë njerëzve, Pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe nuk më dhatë për të pirë; isha i huaj nuk më pritët . . . Duhet të mësojmë që pasuritë sjellin me vete rreziqe të veçanta.

Shumë njerëz kalojnë jetën në kërkim të pasurisë, por pasuritë sjellin një rrezik të madh shpirtëror. Ato kanë tendencë ta ngurtësojnë shpirtin, t’i mbyllin sytë njeriut, dhe ta bëjnë atë të harrojë Perëndinë. Jezusi thotë: Sa vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!-2

A ke para? Atëherë kini kujdes dhe ruhuni nga vetëkënaqësia-3 . Pa dyshim që ju mund të shpëtoheni, sepse profetët si Abrahami, Jobi dhe Davidi ishin njerëz të pasur. Por mendo rreth rrezikut tuaj. Mbaj mend që paraja është një shërbëtor i mirë por një padron i keq. A ke pak para, ose aspak? Mos i ki zili ato që janë më të pasur se ty.

Ndoshta vetë ti nuk do të bëje më mirë. Mbaj mend që është dashuria për paranë e cila është burimi i çdo lloji të keqe, e që mund ta duash paranë edhe pa e patur atë. Mos mendoni se duke qenë të varfër jeni të shpëtuar. Llazari nuk shkoi në parajsë sepse ishte i varfër, por sepse ai kishte besim te Zoti.

Përfundimi

Ju nxis të analizoni veten. Çfarë po bëni? Ku po shkoni? Ku do përfundoni pas vdekjes? I ftoj të gjithë ata që duan të shpëtohen të shkojnë menjëherë tek Jezus Krishti. Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet-4 . Ai pranon mëkatarët-5 . Një ditë do jetë tepër vonë, ashtu siç zbuloi ai njeriu i pasur.

Marrë nga predikimi i J.C Ryle,

botuar nga AEM-Misioni Ungjillor,

nën titullin: Të Ecurit me Perëndinë.

1.Lluka 16:19-23, 2.Mark 10:23, 3.Lluka 12:15, 4.Isaia 55:6, 5.Lluka 15:2

A është kumari mëkat?

Kumari ka shumë forma: llotaritë, “kompjuterat”, bingot, bixhozi, bastet sportive, edhe tani forma të ngjashme në internet. Fjala e Zotit na paralamëron të qëndrojmë larg lakmisë për para. Shkrimi i shenjtë na nxit gjithashtu të qëndrojmë larg përpjekjeve për t’u pasuruar shpejt.

Padiskutim që kumari rrjedh nga lakmia për para dhe padyshim që i josh njerëzit me premtimin se mund të pasurohen në mënyrë të shpejtë. Ç’të keqe ka kumari? Njerëzit shpërdorojnë para në shumë lloj aktivitetesh. Por fakti që paratë shpenzohen kot edhe në aktivitete të tjera nuk e justifikon kumarin.

Lekët nuk duhet të shpërdorohen. Ato duhet të kursehen për t’u shpenzuar në mënyrë të dobishme. Jeta ka treguar se kumari e prish njeriun. Ai zëvendëson vlerat e mira morale me lakminë dhe vetkënaqësinë. Kumari nxit neglizhencën e fëmijëve, të përfshin në shoqërinë e gabuar, kultivon përtacinë dhe e çon njeriun drejt veseve të tjera si pija dhe droga.

Në të gjitha format e saj, ajo është e gabuar. Nuk e lejon Perëndia. Dënohet nga Zoti! Si mund të ruhesh nga kumari në të gjitha format e tij? Ne mund të ruhemi nga kumari duke paralajmëruar të tjerët kundër saj. Prindi e ruan fëmijën duke e mësuar për rrezikun e saj. Miku i thotë mikut, “Mos e bëj!”.

Por mënyra kryesore për të ruajtur veten prej këtij vesi skllavërues është të kesh këndvështrimin e duhur për të mirat e tua materiale. Kur e kupton që të mirat materiale janë një dhuratë nga Perëndia, fillon t’i shikosh ndryshe nga sa i shikoje më përpara.

Kështu që, unë të jap këto këshilla: E para, duhet të kuptosh që çdo gjë që ekziston vjen nga Zoti. Ai është pronari i vërtetë i të gjitha gjerave. “Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male. I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat. Po të kisha uri, nuk do ta thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat.” Psalmi 50:10-12

E dyta, duhet të kuptosh që çdo gjë që ke – përfshi paratë, pronat, dhe kohën – është dhuratë nga Perëndia. Janë dhurata, jo në kuptimin që Perëndia t’i dhuron t’i përdorësh si të duash, por në sensin që mbreti i jep vartësit të drejtën për të qeverisur mbi një pjesë të mbretërisë së tij.

I mençuri Solomon tha: “Ja çfarë kuptova: është mirë dhe e përshtatshme për njeriun të hajë, të pijë dhe të gëzojë të mirën e gjithë mundit të tij nën diell, tërë ditët e jetës që Perëndia i jep, sepse kjo është pjesa e tij. Çdo njeriu të cilit Perëndia i jep pasuri dhe të mira dhe të cilit i jep gjithashtu mundësinë t’i gëzojë ato, të marrë pjesën e vet dhe të gëzojë mundin e tij, kjo është një dhuratë e Perëndisë.” Predikuesi 5:18-19

E treta, duhet të kesh vetëdijen që Perëndia të shikon dhe që Ai do të të kërkojë llogari një ditë për pjesën që të ka dhënë ty. Ky parim vlen për kumbarin por edhe për çdo lloj harxhimi të kotë apo të padobishëm në jetën tonë.

Fat i keq…i lojërave të fatit

Na ishte një herë . . .

Një herë i thanë mbretit: “Yt bir po merret me dashuriçka dhe po prish një pjesë të pasurisë”.

“Do të lodhet e do të kthehet”, u përgjigj mbreti.

Pas disa kohësh i thanë: “Yt bir ka filluar të pijë e të harxhojë shumë kohë pas festave”.

“I keqi i vehtes, por jo i mbretërisë. Do ta kuptojë një ditë e do të kthehet”, u përgjigj mbreti.

Pas disa kohësh i thanë mbretit plak: “Yt bir luan bixhoz e po harxhon shumë.”

“Ah, i gjori unë” tha mbreti, “tani mori fund mbretëria ime!”

Sipas të gjitha të dhënave lojërat e fatit po lulëzojnë në mënyrë të jashtë- zakonshme jo vetëm në Shqipëri, por edhe midis shqiptarëve emigrantë nëpër botë. Në Shqipëri sot funksionojnë me mijëra kazino dhe zyra bastesh ndërsa shumë emigrantë shqiptarë janë bërë klientë të rregullt të kazinove në shtetet ku ata jetojnë.

Sociologët e shikojnë industrinë e lojërave të fatit si negative për përparimin e shoqërisë. Jo thjesht se u merr paratë të varfërve dhe të dëshpëruarve, por dhe të pasurve, pasi klientët e lojrave të fatit i përkasin një spektri të gjerë të shoqërisë. Ana negative e lojërave të fatit nuk është e padëgjuar, prandaj ka lindur një diskutim se përse populli shqiptar (sidomos burrat) janë tërhequr aq shumë pas tyre.

Disa e gjejnë fajin te papunësia e lartë dhe varfëria. Një arsye tjetër është stresi që u krijohet nga situatat e ndezura politike. Njerëzit kërkojnë të heqin mendjen duke iu drejtuar lojërave të fatit. Ndoshta mungesa e kulturës fetare është një faktor i rëndësishëm. Njeriu që nuk ka parime të qarta morale ose qëllim më të lartë në jetë sesa paraja është më i prirur nga kumari.

Si mund të çlirohem?

Ne e kemi të pamundur ta bëjmë këtë gjë në fuqinë tonë. Jemi të gjithë të dobët.

Ne jemi të gjithë njerëz mëkatarë dhe gjithnjë mendojmë dhe bëjmë gjëra që e zemërojnë Perëndinë.

Ne e ndjekim me dëshirë rrugën e gabuar.

Si mund të shpëtohesh?

Ti duhet të pendohesh. Kjo do të thotë ta rrëfesh mëkatin dhe të kërkosh që Perëndia të të çlirojë.

Duhet ta vendosësh besimin tënd te Krishti, edhe duhet t’i lutesh Perëndisë që ta bëjë të vërtetë këtë besim. Perëndisë nuk i interesojnë fjalët dhe fjalimet e bukura. Por ndërsa lutesh duhet të kesh para sysh këto gjëra:

Prano hapur para Perëndisë që mëkatet e tua janë të këqija në sytë e tij dhe se për to do të meritoje dënimin.

Thuaji Perëndisë që nuk ke fuqi ta shpëtosh vetveten.

Kërkoji Krishtit që të të ndihmojë të pendohesh dhe të besosh.

Kërkoji atij që të të shpëtojë.

10 PASOJAT E KUMARIT

1. Kumari të bën dembel Shumë prej tyre që luajnë kumar varin shpresat e tyre te fati. Ata që ndjekin fatin nuk e kanë mendjen te puna. Dhe fati rrallë herë gjendet në sallën e basteve.

2. Kumari është si droga Fillon si diçka zbavitëse por s’kalon shumë kohë dhe mikrobi futet brenda. Është fatkeq ai që fiton te loja e parë. Mendja e tij gënjehet se mund të jetë gjithmonë fitues dhe pastaj nuk mund të ndalet. Por i ngjashëm është fati i atij që humbet që në fillim. Ka shumë të ngjarë që ai të vazhdojë në lojë për të rifituar paratë e humbura. Përfundimi është i njëjtë.

3. Kumari nuk të pasuron Nëqoftëse nuk heq dorë nga kumari, ai të lë fukara. Kush fitoi që nuk i humbi përsëri? Po fitove sot, do humbasësh nesër.

4. Kumari të shkakton stres Ankthi i vazhdueshëm i lojës se do fitosh apo do humbasësh është i dëmshëm. Si mund të thuash që po zbavitesh kur po i humbet paratë? Kush gjeti qetësi te kumari?

5. Kumari të bën të pa sjellshëm Kam parë shumë njerëz të transformuar nga lojërat e fatit. Ata janë bërë njerëz më të vrazhdë. Janë bërë më pak të dashur. Nuk mendojnë më për të tjerët.

6. Kumari të largon mëndjen nga puna Ngaqë ai po shpreson që fati do t’i buzë- qeshë në lojëra, nuk pret më ndonjë të mirë nga puna.

7. Kumari të prish familjen Nëqoftëse bëhet kronike fiksimi pas lojës, është e vështirë të heqësh dorë pa prishur familjen më parë. Kush e di sa familje të ndara ka në Shqipëri për shkak të kumarit.

8. Kumari kënaq vetëm për pak Eksitimi zgjat pak por në fund jo vetëm xhepi por edhe shpirti është bosh.

9. Kumari i hap derën krimit Njerëz që nuk kanë vjedhur ndonjëherë janë bërë hajdutë dhe mashtrues parash për të vazhduar lojën. Borxhi i kumarit çon shumë persona në krime.

10. Kumari është një ves i keq Është e ngjashme me një sëmundje. Po nuk u kurua ai përparon duke shkaktuar një gjendje të rënduar që mund të shkatërrojë jetën. Cila grua do një burrë që është i dhënë pas lojërave të fatit? Çfarë shembull u jep fëmijëve ai prind që kalon kohën në kazino? Kush u bë më fisnik duke shkuar pas kumarit?

FJALË TË ARTA Urtësia e Biblës për Sot

Kush punon tokën e tij do të ketë bukë me bollëk, por kush jepet pas kotësive do të ketë varfëri të madhe.

Njeriu besnik do të mbushet me bekime, por ai që nxiton të pasurohet nuk do të mbetet pa faj.

Njeriu me zemër të keq dëshiron të pasurohet shpejt, por nuk e kupton se do ta pllakosë varfëria.

Pasuria e përftuar në mënyrë jo të ndershme do të katandiset në pak gjëra, por atij që e grumbullon me mund do t’i shtohet ajo.

Pasuria e fituar me nxitim në fillim, nuk do të bekohet në fund.

Ai që vidhte, le të mos vjedhë më, por më tepër të mundohet duke bërë ndonjë punë të mirë me duart e veta, që të ketë t’i japë diçka atij që ka nevojë.

Në rast se bën mirë a nuk do të pranohesh? Por në qoftë se bën keq, mëkati po të ruan te porta dhe dëshirat e tij drejtohen ndaj teje; por ti duhet ta sundosh.

Sepse ne nuk kemi ardhur me asgjë në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete; por, kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq.

Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim.

Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave dhe, duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e çuan veten e tyre në shumë dhimbje.

Por ti, o njeri i Perëndisë, hiq dorë nga këto dhe ndiq drejtësinë, perëndishmërinë, besimin, dashurinë, zemërgjerësinë dhe zemërbutësinë.

Dhe çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit, duke ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin.

Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë. Ju porositëm: po të ketë ndonjë që nuk do të punojë, as të mos hajë.

 

Fjalët e Urta 28.19, 28.20 , 28.22, 13.11, 20.21, Efesianët 4.28, Zanafilla 4.7, 1 Timoteu 6, Kolosianët 3.23-24, 1 Thesalonikasve 5.22, Zanafilla 3.19, 2 Thesalonikasve 3.10

10 Simptomat e Sëmundjes

A je i tërhequr vazhdimisht nga lojërat e fatit apo llotaritë?

A mërzitesh ose inatosesh kur të ndërpritet loja?

A ke nevojë të luash me shuma parash gjithmonë e më të mëdha?

A luan kumar për t’ iu shmangur problemeve të tjera?

Pasi ke humbur para, a kthehesh ditën pasardhëse me mendimin që do t’i rifitosh lekët e humbura?

A ke gënjyer anëtarët e familjes duke thënë që po shkon diku tjetër?

Që kur ke filluar të frekuentosh lojërat, a ke filluar të shkëputesh nga puna ose nga shkolla?

A ke gënjyer për të marrë lekë borxh për të luajtur përseri?

A i gënjen atyre që i ke para borxh duke mos ua thënë që borxhi është shkaktuar nga humbjet nëpërmjet lojës?

Kur të thonë të tjerët që të është bërë ves kumari, a e mohon problemin

5 ARSYE PËRSE BOTA NUK DO TË PËRMBYSET NË 2012

Agjencitë hapësinore (si NASA) nuk kanë vëzhguar asnjë fenomen që rrezikon tokën. Deklarimet e tyre për shtyp kanë qenë të përsëritura dhe ata sfidojnë parashikuesit e katastrofës të paraqesin qoftë edhe një provë të vetme për pretendimet e tyre tronditëse.

Arkeologët më të kualifikuar e përgë- njeshtrojnë që ka profeci për vitin 2012 prej kulturës Maja. Mendimet e tyre kanë qenë të botuara publikisht dhe janë të argumentura mbi baza të forta arkeologjike. Ata konkludojnë që mbyllja e ciklit të kalendarit Maja nuk ka asnjë domethënie të veçantë.

Kultura Maja nuk ka zbuluar sekrete që ne nuk e dimë. Kultura Maja ishte e përparuar në kohën e saj por është e prapambetur në krahasim me shkencën e sotme. Pastaj, po të ishin ata aq të zgjuar, përse u venit kultura e tyre?

Krishti ka thënë, tekstualisht, që mbarimi i botës do të vijë “kur nuk e prisni”. Kështu që 2012 nuk mund të jetë data e saj, ngaqë ajo datë është përfolur kaq shumë. Bibla është një libër që ka dhënë prova si burim i parashikimeve të sigurta për të ardhmen, edhe prandaj duhet marrë seriozisht.

Autorët dhe regjizorët që flasin për Fundin e Botës në 2012 kanë fituar para të mëdha nga spekullimet e tyre. Sipas llogarive të bëra deri tani, filmi artistik 2012 nga studio Columbia Pictures ka fituar $769,669,652. Nqs ata që besojnë se fundi po vjen janë të sinqertë, përse janë të interesuar të fitojnë kaq shumë para kur s’kanë kohë t’i prishin? Me hamendje, nuk do të jenë shumë të zhgënyer kur bota nuk përfundon në 21 Dhjetor 2012. I gëzofshin paratë!

Apokalipsi 2012?

Disa nga parashikimet që dështuan

Paniku i mijëvjeçarit

Nostradamusi, i ashtuquajturi parashikuesi i famshëm kishte thënë se korriku i vitit 1999 do të ishte data e zgjedhur për fundin e botës. Ai tha që, gjoja, një “mbret i madh terrori” do të zbriste nga qielli. Dhe sigurisht, viti 2000 erdhi, por bota nuk u shkatërrua.

Efekti “Jupiter”

Kjo teori u përhap në vitin 1974 dhe u shkrua nga dy astro-fizikantë, John Gribben dhe Stephen Plagemann. Bëhej fjalë për nëntë planete që do bashkërendoheshin më 10 mars 1982, duke krijuar një tërheqje gravitacionale që do shkaktonte rritje të madhe të aktivitetit diellor që do ta godiste Tokën duke shkaktuar tërmete. Shumë njerëz e morën seriozisht këtë parashikim, edhe pse autori Gribben-i doli dhe tha se ishte vetëm një teori e pa bazuar në prova të forta shkencore. Si përfundim, efekti nuk shkaktoi katastrofë por pati një ndikim të vogël në rritjen e baticës ndërujore.

Bashkimi i planeteve

E ngjashme me këtë, ka qënë parashikimi i meteorologut Albert Porta, i cili tha që më 17 dhjetor 1919 bashkërenditja e gjashtë planeteve do të “shkaktojë një korent magnetik aq të madh sa që do përshkojë diellin, dhe do të shkaktojë shpërthime të mëdha dhe gllabërojë Tokën”. Ky parashikim krijoi disa trazira fatkeqe të turmave mendjelehta ku disa njerëz humbën edhe jetën. Bota nuk u përmbyt. Alberti e humbi punën dhe përfundoi duke shkruar parashikimin e motit për një gazetë lokale.

Kometa Hajli 1910

Edhe pse kometa Hajli ishte shfaqur shumë herë më parë, pa shkaktuar ndonjë katastrofë, kalimi i saj më 18 maj të vitit 1910 u konsiderua si kërcënim vdekjeprurës për njerëzit, për shkak të gazit helmues që do dilte prej saj. Njerëzit vrapuan që të blinin maska gazi. Sidoqoftë, kometa vazhdoi rrugën e saj pa helmuar askënd.

Parashikimet e Dëshmitarëve të Jehovait

Dëshmitarët e Jehovait kanë parashikuar disa herë fundin e botës. Parashikimi i parë ishte që mbretëria e Perëndisë do të vinte në tokë në vitin 1914 dhe bazohej në interpretimet e tyre të gabuara të Biblës. Pasi mbretëria nuk mbërriti në datën e parashikuar, ata nxorën teorinë se kuptimi i parashikimit ishte jo fizik. Dëshmitarët e Jehovait kanë parashikur fundin e botës edhe në: 1915, 1918, 1920, 1925, 1975, etj. Kuptohet që asnjeri prej tyre nuk ishte i vërtetë.

Gjithë ky spekullim ka të bëjë me kalendarin Maja. Populli i lashtë mezoamerikan i Majave kishte një kalendar jetëgjatësia e të cilit ishte 5125 vite. Fillonte në 3114 para Krishtit dhe përfundonte në 2012, sipas kalendarit tonë. Ajo që dihet me siguri është që Majat ishin matematikanë të zot edhe astronomë të shkëlqyer, pasi eklipset i llogarisnin me saktësi.

Spekulimi ndërkohë, vërtitet rreth përfundimit të kalendarit Maja, gjoja që ajo përkon me një ngjarje të madhe në historinë e botës. Ka zëra që flasin për kalimin e njeriut në një epokë më të ndritur. Ndërsa disa të tjerë flasin për një katastrofë të përmasave të mëdha.

E gjitha kjo po krijon një klimë ankthi në lidhje me vitin 2012 që kujton pak a shumë atë të vitit 2000. Në atë kohë u shpenzuan rreth 300 miliardë dollarë për të ndërhyrë në sistemet informatike për të parandaluar “katastrofën e madhe” që do vinte për shkak të mosfunksionimit të tyre. Të paktën kështu u mendua.

Parashikime të shtrembëruara

Studiuesit e mirëfilltë të kulturës Maja, pohojnë që këto spekullime janë një shtrembërim i kalendarit Maja: “Nuk ka asgjë fare në parashikimet e lashta Maja apo Aztek që të çojnë te mendimi se do të ketë një ndryshim të madh në vitin 2012” thotë Mark Van Stone, studiuesi i qytetërimit Maya.

Ai shton që, “Nocioni i një Cikli të Madh është një fabrikim modern”. Në veprën e tyre të rëndësishme, studiuesit e respektuar Linda Sheel (Linda Schele) dhe David Fridël (David Freidel) argumentojnë qe kultura Maja “nuk konceptonte fundin e krijimit, siç kanë sugjeruar disa”. Dhe ata citojnë parashikime të Majave për ngjarje që do të vijnë pas vitit 2012, gjë që provon se Majat nuk besonin që bota përmbytej në atë vit.

NASA përgënjeshtron

Një nga hipotezat më të përfolura ka të bëjë me mundësinë e përplasjes së një meteori me Tokën, i cili do të shkaktojë shkatërrim mbarëbotëror. Astronomët e NASA-s, mes shumë shkencëtarëve të tjerë, kanë hedhur poshtë këto parashikime apokaliptike. Ata vënë re se nuk është diktuar asnjë lloj objekti në hapësirën qiellore që rrezikon Tokën, të cilin e vëzhgojnë imtësisht me mjete të sofistikuara satelitore.

Fundi i botës – nga pikëpamja biblike

Fundi i botës është një nga çështjet që ka ngjallur diskutime shpesh gjatë historisë. Sidomos në periudha me trazira ose kur kanë ndodhur tragjedi natyrore. Fundi i botës ishte një temë që ngjallte interes edhe në kohën e Jezusit. Krishti foli për kohëra të vështira që do vinin mbi tokë: “Atëherë do të dëgjoni të flitet për lufta dhe për ushtima luftash.

Do të ngrihet, pra, popull kundër populli dhe mbretëri kundër mbretërie; do të ketë zi buke, murtajë dhe tërmete në vende të ndryshme.” Por duhet vënë re që ai shtoi: “Ruhuni të mos shqetësoheni shumë, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin, por ende Fundi nuk do të ketë ardhur”.

Sipas Krishtit, pra, trazirat dhe tragjeditë nuk duhen marrë si shenja e fundit të botës, por si pjesë e fatkeqësive që do te vazhdojnë të prekin botën. Është e vërtetë që Bibla tregon se bota do të ketë një fund. Kjo do të vijë për shkak të mëkatit të njeriut dhe njësohet me kohën kur Perëndia do të gjykoj gjithë njerëzit sipas veprave të tyre.

Lidhur me datën se kur do të vijë ajo ditë, njerëzit kanë spekuluar shumë, por Bibla nuk e përcakton. I mençuri Krisht tha: “Sa për atë ditë, askush nuk e di se kur do të ndodhi”. Më tej, ai tha: “Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk e mendoni”, sipas Ungjillit (Mateu kap. 24).

Me sa duket, për Jezusin, ishte më me rëndësi të shikojmë se në ç’gjendje jemi ne në lidhje me Zotin sot, sesa të merremi me diskutime të padobishme për datën e fundit. Për shumë njerëz nuk do të ketë një fund bote, pasi jeta e tyre është tashmë duke përjetuar fundin për shkak të luftrave, sëmundjeve dhe fatkeqësive të ndryshme. Pikërisht për këta njerëz besimi te Zoti ofron fuqi për sot edhe shpresë për nesër.