Jam Ateist!

Një djalë i ri dhe i shkathët më mbërtheu dhe me bindje dhe me pasion më foli për çështjet e filozofisë dhe të fesë duke arritur në kulmin e argumentit të tij me deklaratën:

‘Unë jam një ateist!’

E pyeta: “A je i sigurt për këtë që thua?”

“Jam plotësisht i bindur. E kam menduar mirë. E kam parë nga çdo këndvështrim. Dhe me bindje mund të them se ‘Nuk ka Zot’.”

Dhe biseda vazhdoi kështu: “Atëherë a mund të kem nderin të të jap dorën?”

“Me patjetër mund të më japësh dorën, por s’ke përse e quan nder.”

“Por është. S’e ke idenë se sa i gëzuar jam. Në qoftë se më jep dorën do ta mbaj mend këtë ditë për gjithë jetën time.”

“Pse e thua këtë?”

“Sepse je njeriu më i veçantë dhe më i jashtëzakonshëm që kam takuar ndonjëherë.”

“Kjo po bëhet qesharake. Unë jam veçse një person ordiner që është i bindur se nuk ka Zot. Pse të duket kjo kaq e jashtëzakonshme?”

“Përse? Sepse unë kurrë deri sot s’kisha takuar një njeri që të ketë jetuar gjatë gjithë historisë, dhe të ketë shkuar në çdo anë të universit, edhe që ka arritur të mësojë të gjitha gjërat që mund të mësojë njeriu. Dhe . . . ”

“ . . . Por dale, ende s’ke takuar një të tillë.”

“Atëherë, më ler të të bëj disa pyetje: Në qoftë se ti s’ke jetuar gjatë gjithë historisë, a nuk pranon mundësinë që Perëndia t’i jetë shfaqur njeriut në kohën para se të lindësh ti? Dhe në qoftë se s’ke shkuar në çdo anë të universit, a nuk thua që është e mundur që Perëndia të ekzistojë por në një vend që ti s’ke vajtur ende? Dhe duke qenë se ti pranove që nuk di gjithçka, a nuk thua që mund të ketë prova per ekzistencën e Perëndisë që nuk janë në njohurinë tënde akoma?”

Djali i uli sytë dhe u mendua për një çast, dhe pastaj foli më qetë: “E shoh se ku po del . . . ”

Citohet nga libri Does God Believe in Atheists?

nga John Blanchard.

Fjala e Fundit: LUTJE

Besoj që shumë njerëz nuk thonë asnjë fjalë lutjeje. Ata hanë dhe pinë, flenë dhe zgjohen, jetojnë në tokën e Perëndisë dhe kënaqen me të mirat e saj. Ata kanë trupa, të cilët duhet të vdesin dhe kanë Ditën e Gjykimit dhe përjetësinë përpara.

Por megjithëkëtë ata kurrë nuk i flasin Perëndisë. Jetojnë sikur të ishin kafshë dhe jo njerëz me shpirtra që nuk vdesin kurrë. Mik pa lutje, duhet të të paralajmëroj për rrezikun tënd. Je krejtësisht i pafalshëm, sepse nuk mund të japësh asnjë arsye të mirë pse të jetosh pa lutje.

Mos thuaj se nuk di të lutesh. Lutja është thjesht bisedim me Perëndinë. Nuk të duhet asnjë arsimim që të lutesh – vetëm dëshira për ta bërë. Foshnja më e vogël mund të qajë kur ka uri. Nëse je i dijshëm për nevojën tënde do të gjesh shpejt diçka për t’ia thënë Perëndisë.

Mos thuaj se nuk ke ku të lutesh. Gjithsecili mund të gjejë një vend të përshtatshëm nëse e do vërtet. Mos thuaj se nuk ke kohë për lutjen. Kohë ke boll, sikur vetëm të ishe gati ta përdorje drejtësisht. Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër (Isaia 55:6).

Nga J. Ryle

A BESON PERËNDIA TE ATEISTËT? nga John Blanchard

Ka shumë mundësi që të mos kesh lexuar kurrë më parë diçka të këtij lloji. “A beson Perëndia tek ateistët?” nuk i përket asnjë kategorie normale librash, sepse duket se i përket shumë kategorive të ndryshme. S’ka nevojë të jesh profet për të parashikuar se ky libër do konsultohet shpesh dhe materiali i tij do të përdoret gjerësisht.

John Blanchard respektohet gjerësisht si autor dhe komunikues i besimit të krishterë. Ai është i mirënjohur për aftësinë që ka për të folur për gjëra serioze, pa u bërë i zymtë, dhe për gjëra të thella e të vështira në një mënyrë që i ndihmon të tjerët t’i kuptojnë.

“A beson Perëndia tek ateistët?” është një enciklopedi një vëllimshe informacioni që lidhet me atë që filozofi gjerman Martin Heidegger e quajti pyetjen më themeltare në botë: pse ekziston diçka dhe jo asgjë? Me fjalë më të thjeshta, a ka Perëndi?

Ky libër është një kurs universitar mbi filozofinë, antropologjinë, gjeologjinë dhe shkencat e jetës — por është paketuar në mënyrë të tillë që njeriu me inteligjencë normale do të jetë në gjendje ta ndjekë, kuptojë, shijojë dhe ta konsiderojë tejet të kohës.

Pyetja “Pse?” që shkencëtarët si shkencëtarë nuk mund t’i përgjigjen, nuk do t’i lejojë kurrë vetes që të kënaqet me përgjigjet e pyetjes “Si?” që shpesh shkencëtarët mund t’i përgjigjen. Kështu hyn në skenë John Blanchard. Njësoj si pararendësi i tij i madh apolog Sauli i Tarsit, ai është i bindur se “bota, me gjithë urtësinë e vet, nuk e njohu dot Perëndinë”. Ai e pranon se duhet një tjetër lloj urtësie për të gjetur përgjigjet ndaj pyetjeve përfundimtare.

Citimi nga Blanchard-i për marksizmin

Marksizmi pretendon se qeniet njerë- zore janë gjallesa plotësisht materiale e biologjike dhe, në njëfarë kuptimi, janë në të njëjtin nivel me kafshët, por çfarë shpjegimi ofron ai për vetëdijen e tyre shpirtërore? Nëse njeriu s’është gjë tjetër veç materie, atëherë nga e merr ndërgjegjen, vullnetin, impulset krijuese, aspiratat, krijimtarinë, shpresën, imagjinatën ose koncepte të tilla si dashuria dhe bukuria?

Ku është prova për pohimin themeltar të Marksit se feja është vetëm imagjinare, asgjë tjetër veç një dëshirë e projektuar, një ide kjo që është jashtëzakonisht e rëndësishme për modelin e tij komunist?

Nëse ndryshimi i sistemit do të bënte që koncepti i fesë të venitej me siguri nga mendja e njerëzve, atëherë pse diktatorët komunistë në B.R.S.S. dhe gjetkë u detyruan që të mbyllnin mijëra e mijëra kisha dhe vende të tjera adhurimi, të ushtronin dhunë mbi udhëheqësit fetarë, të impononin me forcë ateizmin në programin mësimor dhe të masakronin miliona besimtarë?

Çfarë shpjegimi mund të japë marksizmi për faktin se, me gjithë përpjekjet masive dhe sistematike nga njëra qeveri komuniste në tjetrën për të eliminuar fenë, ajo jo vetëm ka mbijetuar, por ka dalë nga persekutimi më e fortë se kurrë? Të thuash (siç pretendojnë disa marksistë) se feja do të ketë gjithmonë njëfarë roli dytësor derisa të arrihet te një shoqëri vërtet joklasore, është absurde vërtet.

Revolucioni marksist dhe më vonë qeveritë e Kinës, Rusisë dhe Evropës Lindore gjatë pjesës më të madhe të shekulit të njëzetë janë quajtur eksperimenti më i madh i ateizmit të pastër që ka parë bota ndonjëherë, megjithatë të gjitha dështuan në mënyrë katastrofike.

Një evropiano-lindor dikur tha me zgjuarsi se i vetmi ndryshim mes kapitalizmit dhe komunizmit është se në kapitalizëm njeriu shfrytëzon njeriun, ndërsa në komunizëm ndodh e anasjellta! Thuhet se, dikur, një plakë e pyeti Mihail Gorbaçovin nëse komunizmi ishte shpikur nga ndonjë politikan apo shkencëtar.

Gorbaçovi iu përgjigj duke i thënë se nuk ishte i sigurt, por, sipas mendimit të tij, duhet të kishte qenë ndonjë politikan. “Epo, kjo e shpjegon atëherë,” — ia behu gruaja. “Po të kishte qenë shkencëtar, do ta kishte provuar më parë te minjtë”.

“A beson Perëndia tek ateistët?”

Botohet nga AEM-Misioni Ungjillor, 606 faqe

Pyetje për ateistët

prej librit të John Blanchard-it “A beson Perëndia tek ateistët?”

Nëse evolucionit i duhen miliona vjet që të ndodhë, si mund të jemi të sigurt se po ndodh vërtet?

Si është e mundur që proceset natyrore, duke vepruar në mënyrë plotësisht rastësore, të krijojnë mekanizma komplekse dhe funksionuese, dhe aq më pak të krijojnë qenie inteligjente njerëzore me anë të grimcave rastësore?

Çfarë vlere ose dinjiteti objektiv ka njerëzimi, nëse është krijuar thjesht nga miliona rastësi?

Sartri pretendon se heqja qafe e Perëndisë bën të mundshëm moralin e vërtetë, por a nuk është më e lehtë të tregosh se morali i Sartrit e bën mosekzistencën e Perëndisë të nevojshme? Me fjalë të tjera, a nuk duket se mohimi që Sartri i bën Perëndisë është vetë një dëshirë personale?

Nëse veprimet tona nuk kanë asnjë kuptim absolut, pse duhet konsideruar bamirësia si më e vyer se vjedhja e një banke? Nga ana morale, ç’kuptim kanë fjalët “e mirë”, “e keqe”, “më e mirë” dhe “më e keqe”?

A nuk është kërkimi i vazhdueshëm i njeriut për liri, kuptim, dinjitet, rëndësi dhe vlera, pikërisht ajo që do të prisnim të shihnim nëse ai është krijuar vërtet nga një Perëndi, i cili është pika absolute e referimit për të gjitha këto?

Nëse materia është gjithçka dhe gjithçka është materie, çfarë mund të themi për teoritë, kuptimet, konceptet, propozimet, ligjet e logjikës — dhe vetë të vërtetën? A mund të mohojmë seriozisht se këto gjëra nuk ekzistojnë, apo të themi se nuk kanë “realitet”?

Nëse ekziston vetëm materia, çfarë kuptimi të mundshëm mund t’u japim koncepteve të tilla si e mira, e keqja, morali, arsyeja, dashuria, bukuria, dëshira, qëllimi apo shpresa?

Nëse njeriu është thjesht një masë mate-rieje, si arrin të kujtojë të shkuarën, të vlerësojë të tashmen dhe të parashikojë të ardhmen? Si mund të mohojë deterministi ekzistencën e Perëndisë pa pranuar se një mohim i tillë nuk bazohet në asnjë lloj fakti?

A synon me të vërtetë që të zbulosh të vërtetën, apo thjesht po luan lojëra në mendje? I ke shqyrtuar në mënyrë të ndershme pretendimet e Biblës?

A të shkon në mendje ndonjë pyetje që, sipas fjalëve të William James, të jetë më ‘e gjallë, e detyrueshme dhe e rëndësishme’ sesa ekzistenca e Perëndisë? Si mund të kënaqesh me pasigurinë mbi një çështje që do të të ndikojë gjithë përjetësinë? A ke menduar ndonjëherë se çfarë lloj provash do të doje të të jepnin që të bindeshe se Perëndia ekziston? Çfarë lloj provash do të të bindnin se ai ekziston vërtet?

A je i sigurt se nuk po përpiqesh të shmangësh përballjen me realitetin e një Perëndie që thotë se duhet të marrë kontrollin e jetës dhe stilit tënd të jetesës?

Nëse dhënia e llogarisë për vetveten para një Perëndie të shenjtë dhe të drejtë, i cili do të vendosë për vendin tënd në përjetësi, është diçka e mundshme, a nuk do të ishte e logjikshme që të bëje gjithçka që mundesh për të zbuluar nëse kjo ide është fakt apo fantazi — dhe ta bëje këtë gjë urgjentisht? Vërtet mendon se mund të jesh i lumtur që të vdesësh në errësirë dhe të rrezikosh më të keqen?

Rruga e Shtegtarit

nga kjo botë në atë që vjen

Atëherë dolën për t’i pritur një grup trumbetarësh të mbretit, të veshur me petka të bardha e të shkëlqyeshme, të cilët me zërin e tyre kumbues dhe të lartë e bënë madje edhe qiellin të jehojë. Këta trumbetarë përshëndetën Kristianin dhe shokun e tij me mijëra herë . . . Dhe tani këta të dy ishin në qiell . . . Ata kishin gjithashtu qytetin qiellor përpara syve të tyre dhe u dukej sikur po dëgjonin zërin mirëseardhës të këmborëve.

Por mbi të gjitha, gëzoheshin kur mendonin se tash e tutje do të banonin me një shoqëri të tillë, edhe atë përgjithmonë. Oh! Ç’ gjuhë ose laps mund t’i shprehë gëzimet e tyre të lavdishme! Në këtë mënyrë arritën ata te porta. Tani kur arritën te porta, sipër saj ishte shkruar me shkronja të arta: “Të bekuar janë ata që u përmbahen porosive të tij. Ata mund të kenë pjesë në pemën e jetës dhe mund të hyjnë në Qytetin qiellor nëpërmjet portës”

Tani, sapo u hapën portat që të hynin brenda, unë shikova pas tyre; dhe, pashë Qytetin qiellor që shkëlqente si diell, rrugët e shtruara më ar, dhe në to shumë njerëz me kurora mbi kokë, duke ecur, me degë palmash në duar dhe duke e lavdëruar Zotin me harpa të arta. Atje kishte edhe të atillë që kishin krahë dhe që i thërrisnin njëri-tjetrit pa pushim, duke thënë: “I shenjtë, I shenjtë, I shenjtë është Zoti”.

Me kaq u mbyllën dyert, ndërsa unë, i befasur nga ajo që kisha parë, dëshirova që edhe vetë të isha në mesin e tyre. Tani, kur kisha rënë në mendime për të gjitha ato që kisha parë, ktheva kokën prapa dhe pashë Paditurinë duke u afruar tek lumi. Ai shpejt e kaperceu atë . . . edhe ai, si të tjerët, menjëherë filloi t’i ngjitej kodrës për të arritur tek porta; por ky ishte vetëm dhe askush s’kishte dalë për t’i dhënë përshëndetjen e mirëseardhjes.

Sapo arriti tek porta; vuri re mbishkrimin “Të bekuar janë ata që u përmbahen porosive të Tij. Ata mund të kenë pjesë në pemën e jetës dhe mund të hyjnë në Qytetin qiellor nëpërmjet portës” dhe zuri të trokiste, duke menduar se do t’i lejohej të hynte menjëherë. Mbi portë u paraqitën disa njerëz dhe e pyetën: “Prej nga po vjen kështu dhe çfarë kërkon?” Ai u përgjigj: “Hapeni!

Sepse unë kam ngrënë dhe kam pirë bashkë me Mbretin, dhe ai na ka mësuar në rrugët e qytetit tonë.” Atëherë i kërkuan dëshminë e tij, që të mund t’ia tregonin Mbretit; kështu ai filloi të kërkonte mos gjente ndonjë në xhepat e tij, por nuk gjeti asnjë. Atëherë ata e pyetën: “Nuk po e gjen dot?” por ai nuk foli.

Kështu i treguan Mbretit, por ai as që deshi të zbriste që ta shihte. Përkundrazi, i udhëroi që të dilnin dhe ta lidhnin Paditurinë këmbë e duar dhe ta nxirrnin jashtë. Atëherë pashë që kishte një rrugë që të çonte në ferr, madje edhe nga porta qiellore. Nga Xhon Bunjani.

E botuar në gjuhën shqipe nga GBV© 1999.

LIGJI I ZOTIT

10 Udhërimet e Perëndisë

1.Adhuroni vetëm Zotin

2.Mos përdorni idhuj

3.Mos përdorni kot emrin e Zotit

4.Respektoni ditën e pushimit

5.Nderojini babanë dhe nënën tuaj

6.Mos vrisni

7.Mos bëni tradhti bashkëshortore

8.Mos vidhni

9.Mos bëni dëshmi të rreme

10.Mos lakmoni pronën e tjetrit

Sipas Biblës, te Eksodi kap. 20

RUHU!

5 TË VËRTETA PËR MËKATIN

Mëkati është joshës

Mëkati duket shumë i këndshëm por në të vërtetë ai është mizor dhe i dëmshëm. Mëkati mund të të kënaqë për pak kohë, por në fund ai të dëmton thellësisht.

Mëkati është mashtrues

Mëkati e mashtron njeriun duke e bërë të besojë se e keqja është e mirë. I mashtruar nga mëkati, njeriu nuk pranon se po bën keq, por përkundrazi mendon se ka të drejtë. Fuqia mashtruese e mëkatit është aq i madh sa njeriu është i gatshëm të humbasë shpirtin e tij dhe jo të largohet nga e keqja. Asgjë nuk është më mashtruese se mëkati.

Mëkati i vogël të çon në një më të madh

Mëkati zë vend tek njeriu në mënyrë graduale dhe përhapet në jetën e tij pak nga pak. Nëqoftëse njeriu vazhdon të mëkatoj me mëkate “të vogla”, atëherë mëkati e pushton tërësisht. Një vrimë e vogël në një anije e fut ngadalë ujin brenda derisa ajo të mbytet e gjitha. Kur njerëzit fillojnë të mëkatojnë, edhe pse me mëkate të vogla, nuk mund të ndalin më së mëkatuari, por zakonisht do të kalojnë nga mëkate të vogla në më të mëdha.

Mëkati është gjithmonë i keq

Sa më i mirë që të duket mëkati, aq më i rrezikshëm është në të vërtetë. Mëkati është gjithmonë i keq dhe djallëzor edhe megjithëse mund të duket normal dhe i shëndetshëm. E vërteta për diçka nuk është gjithmonë e qartë. Satani pëlqen të fshehë të vërtetën e mëkatit nga njeriu. Edhe mëkati më i vogël është përsëri një mëkat kundër Perëndisë.

Mëkati do të ndëshkohet

Një ditë çdokush do të shikojë të vërtetën për mëkatin. Kur të gjithë njerëzit të dalin përpara Perëndisë, do të shohin se sa i keq është mëkati. Në jetë, mëkati mund të duket, i dëshirueshëm, i këndshëm, normal dhe i drejtë: por në vdekje njerëzit do të mësojnë se mëkati është i frikshëm dhe i tmerrshëm. Dikush mund të ketë një sëmundje shumë kohë më përpara se ta ndiejë atë.

Po kështu, njerëzit mund të jenë të sëmurë me mëkatin dhe përsëri të mendojnë se janë të shëndetshëm dhe normalë. Më vonë ata do të ndiejnë të keqen e mëkatit dhe do të vuajnë prej tij. Kështu që njeriu duhet të mësojë tani të shoh se kush është vërtet mëkati, sa nuk është vonë.

“Duaje armikun tënd”

I biri i themeluesit të Hamasit i kthen shpinën dhunës

Biri i udhëheqësit të Hamasit, Sheik Hasan Jusef i ka kthyer shpinën ideologjisë ekstremiste të babait të vet dhe është bërë ndjekës i Jezusit. Masab Jusef, i biri i një prej figurave më të njohura në Hamas tregon historinë se si u rrit mes anëtarëve të organizatës ekstremiste, e cila inkurajon vetvrasjen me bomba: “Si fëmijë jam rritur në një familje shumë fetare dhe më mësonin të urreja izraelitët.

Për herë të parë jam ndeshur me ta kur kam qenë rreth moshës 10 vjeç, atëherë kur ushtarët hynë në shtëpinë tonë dhe arrestuan babanë. Deri në atë kohë nuk isha ndarë asnjëherë prej tij.” Babai i tij ishte një nga themeluesit e Hamasit në West Bank (Cisjordan): “Pjesëmarrja e tij në Hamas ishte çështje sekrete dhe ne nuk e dinim se ai qe një ndër themeluesit.

Unë nuk kuptoja asgjë. Dija vetëm se ushtria izraelite më kishte arrestuar babanë dhe për mua kjo qe gjithçka.” “Në 1996, kur isha vetëm 18 vjeç, më arrestuan sepse isha kreu i një Shoqërie islamike militante në shkollën e mesme. Deri në atë kohë e njihja Hamasin vetëm përmes babait tim. Në fillim e admiroja me të vërtetë organizatën, kryesisht sepse admiroja babanë.

Por gjatë 16 muajve që kalova në burg m’u zbulua haptas fytyra e vërtetë e Hamasit. Është një organizatë negative. Udhëheqësit e saj nuk kishin aspak integritet. Ata merrnin para në mënyrë të pandershme dhe i investonin në vende të fshehta. Kuptova se asnjë në Hamas nuk është si im atë. Ai është një burrë i këndshëm e miqësor.

Por zbulova se sa të ligj janë kolegët e tij.” Edhe pse Masabi e kishte humbur besimin e vet në Hamas, ai vazhdoi të kishte kontakte të ngushta me ta dhe të ndihmonte të atin në punën e tij kur doli nga burgu: “Për vite me radhë ndihmoja babanë, udhëheqësin e Hamasit. Pavarë- sisht se s’isha terrorist, unë isha pjesë e tyre, i rrethuar nga ata gjatë gjithë kohës.

Kurrë nuk nuk kam qenë ndonjë prej tyre, megjithatë ndihmoja dhe shoqëroja tim atë.” Gjatë kësaj kohe ai u takua me disa të krishterë dhe filloi të lexonte Biblën: “Nisi rreth 8 vjet më parë. Isha në Jeruzalem dhe mora një ftesë të vija dhe të dëgjoja për Krishtin. Shkova nga kurioziteti. U entuziazmova shumë nga ato që dëgjova. Fillova të lexoja Biblën çdo ditë.

Sigurisht që e bëja në fshehtësi. Udhëtoja drejt kodrave dhe ulesha atje në qetësi me peisazh të mahnitshëm dhe lexoja Biblën. Një varg si “Duaje armikun tënd” pati ndikim të madh tek unë. Kjo dashuri kishte një kontrast të mprehtë nga ideologjia e Hamasit, e cila i inkurajonte ndjekësit e vet t’i vrisnin armiqtë e vet.”

“Mësuesit e Hamasit u tregojnë studentëve të tyre për ‘heroizmat e martirëve’ dhe kjo i bën të rinjtë të imitojnë vetvrasësit me bombë në mënyrë që të arrijnë lavdinë. Ata udhëhiqen nga një grup mizor që u shpëlajnë trurin fëmijëve dhe i bëjnë të besojnë se po të kryejnë ndonjë sulm kamikaz do të shkojnë në parajsë!”

“Çdo ditë shihja gjërat e tmerrshme që kryheshin në emër të fesë prej atyre që e konsideronin veten ‘besimtarët e mëdhenj’. Doja të ndihmoja tim atë të kuptonte se të lëndosh njerëzit e pafajshëm është e ndaluar dhe nëpërmjet tij ndoshta të ndryshoja të menduarin e njerëzve të tjerë.

Jezusi u mësoi ndjekësve të tij se ‘nëse dikush të godet në faqen e djathtë, ktheji atij edhe tjetrën’ dhe i urdhëroi ata ‘duani armiqtë tuaj dhe lutuni për ata që ju përndjekin’.” Pasi Masabi shpalli besimin e tij te Krishti, u detyrua të linte vendin, miqtë dhe familjen dhe të kërkonte strehim politik jashtë vendit: “Nuk kam para, nuk kam shtëpi. Isha gati të bëhesha si njerëzit e pastrehë, por njerëzit nga kisha këtu po më ndihmojnë.”

Pavarësisht këtyre vështirësive, ai mbetet optimist. Ai ka plane të mëdha për të ardhmen dhe dëshiron të ndihmojë ata që janë mbërthyer në aktivitete terroriste:“Po përpiqem të krijoj një organizatë për të rinjtë në Lindjen e Mesme. Dua t’u mësoj të rinjve si të duan dhe të falin, sepse kjo është e vetmja rrugë që dy kombe të mund të mposhtin gabimet e së shkuarës dhe të jetojnë në paqe.”

Për shkak të kthimit të tij në një besim tjetër jeta e tij është në rrezik: “E di se po rrezikoj jetën, madje rrezikoj të humbas babanë, po shpresoj se ai do të kuptojë dhe se Zoti do t’i japë atij dhe familjes sime durimin dhe gatishmërinë të hapin sytë për Jezus Krishtin. Shumë njerëz do të më urrejnë, por po u them se i dua që të gjithë, edhe ata që më urrejnë. I ftoj të gjithë ata njerëz, përfshirë edhe terroristët, të hapin zemrat dhe të besojnë.”

Heshtje e gjatë – një shëmbëlltyrë

Në fund të kohës, miliarda njerëz ishin shpërndarë mbi një pllajë të stërmadhe përpara fronit të Perëndisë. Shumica rrinin kruspull për shkak të dritës së shkëlqyer që kishin përpara. Por disa grupe pranë kreut po debatonin të nxehur — jo me turp, por me egërsi: “A mund të na gjykojë dot Perëndia?” “Nga e di ai ç’është vuajtja?” bërtiti një brune e re dhe e zgjuar.

Ajo shqeu njërën mëngë dhe zbuloi një numër tatuazhi nga një kamp përqendrimi nazist. “Ne hoqëm tmerr . . . duruam rrahje . . . tortura . . . vdekje!” Në një grup tjetër, një zezak uli jakën. “Po kjo?” pyeti ai, duke treguar një të djegur të shëmtuar litari. “Krimi i vetëm pse më vranë ishte që isha zezak!”

Në një tjetër turmë ishte një nxënëse shkolle shtatzënë, me sy të trishtuar. “Pse duhet të vuaj?” murmuriti ajo. “S’ishte faji im.” Mbarë pllaja ishte mbushur me qindra grupe të tilla. Gjithsecili kishte nga një ankesë kundër Perëndisë për ligësinë dhe vuajtjen që kishte lejuar në botën e tij.

Sa fatlum ishte Perëndia që jetonte në qiell, ku gjithçka ishte plot me ëmbëlsi dhe dritë, ku s’kishte të qara ose frikë, uri apo urrejtje! Ku e di Perëndia se çfarë detyrohen njerëzit që të durojnë në këtë botë? Sepse Perëndia vetë kalon një jetë shumë të sigurt, thoshin ata. Kështu që secili prej këtyre grupeve dërgoi nga një drejtues, i zgjedhur për shkak se kishte vuajtur më tepër se të tjerët.

Një jude, një zezak, një person nga Hiroshima, një njeri i deformuar keqas nga artriti dhe një fëmijë me talidomid. Në qendër të pllajës u këshilluan me njëritjetrin. Më në fund ishin gati të mbronin çështjen e tyre. Ishte një argument shumë i zgjuar.

Përpara se Perëndia të mund të kualifikohej si gjykatësi i tyre, ai duhet të hiqte ato që kishin hequr ata. Verdikti i tyre ishte që Perëndia të dënohet me jetë në tokë — si njeri! Le të lindë si çifut. Le t’i vihet në dyshim ligjshmëria e lindjes së tij. Jepini një punë kaq të vështirë, sa dhe vetë familja e tij të mendojë se i ka ikur mendja kur të përpiqet ta kryejë.

Le të tradhtohet nga  miqtë e tij më të ngushtë. Le të përballet me akuza të rreme, të gjykohet nga një juri me paragjykime dhe të dënohet nga një gjykatës burracak. Le ta torturojnë. Në fund të kuptojë se ç’do të thotë të jesh tmerrësisht i vetëm. Pastaj le të vdesë në agoni.

Le të vdesë në mënyrë të tillë, që askush të mos dyshojë se ka vdekur vërtet. Le të ketë një numër të madh dëshmitarësh për ta vërtetuar këtë. Kur çdo drejtues shpalli pjesën e fjalisë së vet, murmurima të forta miratimi përshkuan turmën e njerëzve të mbledhur.

Kur drejtuesi i fundit mbaroi së lexuari dënimin, pati një heshtje të gjatë. Askush nuk foli asnjë fjalë. Askush nuk lëvizi. Sepse, papritmas, të gjithë e kuptuan se Zoti e kishte vuajtur tashmë dënimin e tij.

5 PYETJE PËR DËSHMITARËT E JEHOVAIT

1. Pse besoni që duhet ta quajmë Perëndinë “Jehova”? As Jezu Krishti, as apostujt e tij, nuk na mësojnë ta quajmë Perëndinë “Jehova”. Mos jeni vallë më të urtë se Jezu Krishti?! Apo jeni më të zgjuar se apostujt? Perëndia bëri që të shkruhej Dhiata e Re në shekullin I në gjuhën greke. Emrat që përdoren për Perëndinë në Dhiatën e Re janë kryesisht emra grekë, jo emra hebrenj. Po qe se emri i Perëndisë mund të përkthehet nga hebraishtja në greqisht nga apostujt, atëherë pse nuk mund të përkthejmë emrin e Perëndisë në shqip ose ndonjë gjuhë tjetër?

2. Pse mësoni që nuk duhet të japim transfuzion gjaku? Po qe se Jezu Krishti dha gjakun e tij për të na shpëtuar nga mëkatet, atëherë sigurisht shembulli i tij i përsosur na mëson që duhet të japim gjakun tonë për të shpëtuar jetën e dikujt tjetër. A besoni vërtet që fjala e Perëndisë, Bibla, na mëson që është mëkat të japësh gjak? Po të kishte nevojë fëmija juaj për një transfuzion gjaku për t’i shpëtuar jetën, a besoni vërtet që i pëlqen Perëndisë të refuzoni transfuzionin, dhe kështu ta lini fëmijën tuaj të vdesë?

3. Përse Jezu Krishti nuk gjendet në qendër të besimit tuaj? Të krishterët kanë besuar gjithmonë (dhe Bibla na mëson) që Jezu Krishti është Biri i shenjtë i Perëndisë, dhe që ne duhet t’i lutemi atij, ta adhurojmë, dhe të besojmë tek ai si Zot. Kur Apostulli Thoma pa Jezusin e ringjallur nga të vdekurit, ai tha, “Perëndia im dhe Zoti im”. Duke parë se Apostujt kanë adhuruar Jezusin, pse vallë nuk e adhuroni dhe ju?

4. Pse mendoni që vetëm Dëshmitarët e Jehovait do të jetojnë në Parajsë? Pse qendra juaj në Amerikë mëson njerëzit (në botimet e saj “Kulla e Rojes”) që vetëm duke u bashkuar me organizatën tuaj ata mund të shpëtojnë dhe të jetojnë me Perëndinë në parajsë? A na mëson fjala e Perëndisë të besojmë tek organizata ‘Dëshmitarët e Jehovait’ që të marrim faljen e mëkateve, apo të besojmë tek Jezu Krishti si shpëtimtari ynë? A besoni vërtet që vetëm organizata juaj mund të shpëtojë njerëzit nga mëkati?

5. Pse organizata juaj nuk ju lejon të lexoni libra të botuar nga grupe të tjera të krishtera? Mos kanë frikë që do të humbni kaq lehtë nga besimi i vërtetë? Përse organizata juaj nuk ju inkurajon të studioni Biblën për veten tuaj, por kërkon që të studioni vetëm përmes interpretimit që japin librat e botuar nga organizata juaj? Mbani mend këtë fjalë të urtë: E vërteta nuk i trembet debatit.

Miqësisht i juaj, E.B.

Përse ka kaq shumë kisha të ndryshme?

Sigurisht që ke dëgjuar për kishat orthodokse, katolike dhe protestante. A ke dëgjuar për kishën luterane, për kishat baptiste, dhe për kishat pentekostale? Por për kishën presbiteriane apo kishën e reformuar? Përse ka kaq shumë kisha të ndryshme? Arsyeja që ka shumë kisha brenda krishterimit është sepse Bibla na lejon të kemi ndryshime mendimesh.

Brenda krishterimit ka disa doktrina thelbësore që përcaktojnë se çfarë do të thotë të jesh i krishterë. Doktrinat thelbësore janë:

  1. Ka vetëm një Perëndi.
  2. Bibla është Fjala e Perëndisë.
  3. Duhet të adhurojmë vetëm Perëndinë dhe asgjë tjetër.
  4. Perëndia na urdhëron të jetojmë jetë të pëlqyera, të mos vrasim, vjedhim ose gënjejmë.
  5. Perëndia krijoi familjen dhe ne duhet të respektojmë prindërit dhe martesën.
  6. Perëndia ekziston si një trinitet personash: Atë, Bir dhe Frymë e Shenjtë.
  7. Jezusi u lind në mish nga virgjëresha Mari.
  8. Jezusi vdiq në kryq për mëkatet tona dhe u ringjall fizikisht nga të vdekurit.
  9. Falja e mëkateve vjen vetëm prej hirit të Perëndisë.
  10. Çdo njeri do të dalë para Perëndisë të japë llogari për ato ç’ka bërë në këtë botë.                                                                                                                                                                                                                                       Përderisa një kishë beson në doktrinat thelbësore, atëherë ajo kishë është e krishterë. Megjithatë, ka shumë gjëra në Bibël që janë interpretuar në mënyra të ndryshme. Për shembull, a duhet ose jo të përdorim instrumenta muzikorë në kishë?

A e marrim darkën e Zotit çdo të dielë, një herë në muaj ose një herë në vit? A pagëzojmë foshnje apo vetëm njerëz që janë në moshë për të zgjedhur vetë pagëzimin? Përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk ndikojnë nëse dikush është apo jo i krishterë. Por për shkak të çështjeve të tilla janë formuar kisha të ndryshme.

Nuk do të thotë se një kishë bie në kontradiktë me një tjetër. Do të thotë se edhe pse bien dakord në gjërat thelbësore, ata ndryshojnë në gjëra jo thelbësore. Kjo lejohet nga Bibla: “pranojeni atë që është i dobët në besim, pa e qortuar për mendimet. Dikush mendon se mund të hajë nga çdo gjë, ndërsa ai që është i dobët ha vetëm barishte.

Ai që ha të mos e përbuzë atë që nuk ha, dhe ai që nuk ha të mos gjykojë atë që ha, sepse Perëndia e ka pranuar. Kush je ti që gjykon shërbyesin e tjetrit? A qëndron në këmbë ose rrëzohet është punë e Zotit të tij, por ai do të qëndrojë, sepse Perëndia është i zoti ta bëjë atë të qëndrojë në këmbë. Sepse dikush e çmon një ditë më shumë se një tjetër, dhe tjetri i çmon të gjitha ditët njëlloj; gjithsecili të jetë plotësisht i bindur në mendjen e tij (Rom. 14:1-5).

Kisha të rreme

Fatkeqësisht ka edhe një arsye tjetër për ndryshimet mes kishave që është fakti se disa kisha nuk jetojnë sipas vullnetit të Perëndisë. Është e trishtueshme që disa kisha kanë braktisur themelet e besimit. Disa kisha u japin më shumë nder shenjtorëve sesa Perëndisë. Disa përfshihen shumë në çështje politike dhe harrojnë se krishterimi ka të bëjë me një mbretëri frymërore jo tokësore.

Disa kisha nuk besojnë më në ringjalljen e Jezus Krishtit apo në mrekullitë e tjera të Perëndisë, edhe pse ato janë regjistruar në fjalën e Perëndisë. Ka gjithashtu kisha që përqafojnë ide që janë të gabuara moralisht. Është e pabesueshme që ka disa kisha që pranojnë homoseksualitetin.

Kisha të tilla mund ta quajnë veten të krishtera, por është e qartë nga fjalët dhe veprimet e tyre që nuk janë më aspak të krishtera. Një besimtar i vërtetë do të largohet nga këto lloj kishash dhe do të gjejë një kishë që është besnike ndaj së vërtetës.

Fjala e Zotit thotë: “Dhe ju porositim, o vëllezër, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, që të largoheni nga çdo vëlla që ecën i çrregullt dhe jo sipas porosisë që keni marrë prej nesh”. 2 Thesalonikasve 3v6

Të dini në fakt këtë: asnjë kurvar, ose i ndyrë ose kurnac, i cili është idhujtar, nuk ka ndonjë trashëgim në mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë.Askush të mos ju gënjejë me fjalë të kota, sepse, për shkak të këtyre gjërave, vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes. Mos jini, pra, shokë me ta. Sepse dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotin; ecni, pra, si bij të dritës, Efesianët 5v5-8

Kryqi, simboli i paqes

Cili është kuptimi i vërtetë i kryqit?

Kryqi është simboli më i zakonshëm i krishterimit. Është ky simbol që na kujton kryqëzimin e Jezus Krishtit. Besimtarët e Krishtit shikojnë vdekjen e tij në kryq si një burim bekimesh në jetën e tyre. Forma e krishterë për bekimin duke bërë shenjën e kryqit mbi veten, një person tjetër ose mbi një send e ka origjinën para viteve 200 pas Krishtit. Mbetjet arkeologjike më të vjetra të krishtera përmbajnë vizatime kryqesh dhe vepra arti në formë kryqi.

Me anë të përdorimit të këtij simboli të krishterët e hershëm shprehnin besimin e tyre te Krishti në një mënyrë personale. Në shekujt e mëvonshëm kryqi u bë një simbol i rëndësishëm në skicimin e emblemave të familjeve të pasura, në skicimin e flamujve dhe zbukurimeve, sidomos në vendet evropiane ku Krishterimi u bë feja zyrtare.

Fatkeqësisht kjo ka çuar herë pas here në keqpërdorimin e kryqit në emër të interesit kombëtar ose personal. Është tragjedi që ky simbol i paqes shpesh është përdorur si flamur lufte. Ndryshe nga udhëheqësit e tjerë fetarë, Jezusi nuk mësoi se besimi te Perëndia duhet të përhapet me përdorimin e forcës.

Besimi i krishterë është një fe paqeje. “Ktheji faqen tjetër” është ndër fjalët më të njohura të Jezus Krishtit. Kushdo që nuk ka arritur ta kuptojë këtë nuk ka arritur ta kuptojë Krishtin. Kryqi në Bibël ndonjëherë nënkupton atë kryq druri në të cilin Zoti Jezus u gozhdua dhe u dënua me vdekje në Kalvar.

Kryqi ndonjëherë nënkupton vështirësitë dhe sprovat nëpër të cilat duhet të kalojnë besimtarët nëse e ndjekin atë besnikërisht, për hir të besimit të tyre. Ky është kuptimi në të cilin Zoti ynë përdor fjalën kur thotë: “Ai që nuk e merr kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk është i denjë për mua”.

Por kryqi gjithashtu nënkupton mesazhin se Krishti vdiq në kryq për mëkatarët. nënkupton vuajtjen e tij në vend të tyre në kryq, flijimin e plotë dhe të përsosur për mëkatin që e ofroi kur e dha trupin e vet për t’u kryqëzuar. Me pak fjalë, kjo fjalë e vetme, “kryqi”, përfaqëson Krishtin e kryqëzuar, Shpëtimtarin e vetëm.

Ky është mesazhi që qëndron pas simbolit. Nëse mesazhi që qëndron pas simbolit nuk kuptohet dhe besohet, atëherë të vendosësh kryqe në qafë ose në derën e shtëpisë, madje edhe në majë të ndonjë mali, nuk ka vlerë gjithsesi. Fjala e Perëndisë thotë: “Sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë”.

U tallën me Zotin

Tërë ata që më shohin më përqeshin, zgjatin buzën dhe tundin kokën. Psalmi 22:7

Tallja ishte një përbërës i madh në brengën e Zotit tonë. Juda tradhtari e talli në kopsht me një përqafim të pasinqertë; kryepriftërinjtë dhe skribët e përqeshën me gjyqin e tyre të sajuar; Herodi nuk ia vuri veshin; dhe ushtarët e tallën, duke e trajtuar në mënyrë brutale; Pilati dhe rojat e tij e përqeshën; dhe ndërsa ai qëndroi i gozhduar në kryq çdo lloj talljesh të tmerrshme dhe përbuzjesh të shëmtuara iu hodhën.

Përqeshja është gjithmonë e rëndë për t’u duruar, por kur je në dhembje të fortë është kaq e pamëshirshme, kaq mizore, njësoj sikur të hedhin kripë brenda në plagë. Prandaj, përfytyro Shpëtimtarin të kryqëzuar, i munduar me ankth përtej çdo hamendjeje njerëzore, dhe më pas merre me mend turmën e përzier, të gjithë duke tundur me kërcënim kokat ose duke nxjerrë gjuhën në përçmimin më të hidhur ndaj një viktime të gjorë vajtuese!

O Jezus, “i përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit” si mund të vdesësh për njerëzit që të trajtuan kaq me ligësi? Përgjigja është kjo: Këtu ka dashuri të mrekullueshme, dashuri hyjnore, dhe dashuri përtej çdo mase.

Gëzuar Pashkët!

Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?

Ai nuk është këtu, por është ringjallur!

Si vjet data e Pashkës është njësoj për të gjitha kishat në Shqipëri. Por ndodh shpesh që të festohet Pashka në dy data të ndryshme. Përse? Kishat ortodokse në përgjithësi përdorin kalendarin Julian, ndërsa katolikët dhe protestantët përdorin atë Grigorian. Metodat për të llogaritur datën e Pashkës ndryshojnë. Kështu Pashka festohet në të njëjtën ditë për të gjithë të krishterët, vetëm çdo tre-katër vjet.

Tradita arbëreshe

Festa e Pashkës kremtohet shumë ndër arbëreshët. Notat plot hare të Alelujës shoqërojnë të Shtunën e Madhe në të aguar të së Dielës së Pashkëve, një kremtim plot kuptim, gjatë të cilit shpallet fjala e mirë shumë shekullore: “Krishti u ngjall!” Pastaj të Dielën e Pashkëve luhet vallja me origjinë të lashtë (disa thonë Romake). Vajzat, të veshura me kostumin e çmueshëm tradicional vallëzojnë duke vizatuar spirale të pazgjidhshme dhe duke kënduar rapsodi që përhimnojnë vlerat themelore të popullit arbëresh dhe heronjtë e tij. Vallja, e vendosur si potkua, ecën hijerëndë madhërisht nëpër udhët e qytetit, rrethon dhe zë rob armiq simbolikë që, pas pagesës po aq simbolike (bonbone), lihen të lirë. Afër valles, shkojnë ata që nuk flasin arbërisht e që lyejnë me blozë fytyrën dhe “Ata me kutullen” që nënshtrojnë ata që kanë flokët e thinjur me puthjen rituale të kokës e me paralajmërimin “memento mores!” – “kujto se ke t’vdesësh!”

Tani ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato me gra të tjera shkuan te varri, duke sjellë erërat e mira që kishin përgatitur. Dhe gjetën që guri ishte rrokullisur nga varri. Por, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus. Dhe, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, iu paraqitën atyre dy burra të veshur me rroba të ndritshme. Dhe, mbasi ato, të tmerruara, e mbanin fytyrën të përkulur për dhe, ata u thanë: “Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve? Ai nuk është këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile, duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë”. Dhe ato kujtonin fjalët e tij. Kur u kthyen nga varri, ato ua treguan të gjitha këto gjëra të njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve. Ungjilli