Citime për Krishtin

Unë i njoh njerëzit, dhe po ju them se Jezus Krishti nuk është vetëm një njeri. Mes atij dhe çdo person tjetër në botë nuk është e mundur të bësh krahasime. Aleksandri, Çezari, Karli i madh, edhe unë kemi themeluar perandori. Por mbi se kemi mbështetur mbretëritë tona? Mbi forcën. Ndërsa Jezus Krishti e themeloi mbretërinë e Tij mbi dashurinë; dhe në këtë orë ka me miliona burra që do të jepnin jetën për të.

                                                                                                      Napoleon Bonaparte

Një njeri që ishte plotësisht i pafajshëm ofroi veten e tij si një flijim për të mirën e të tjerëve, përfshi armiq të tij, dhe u bë shpengimtari i botës. Ishte një vepër e përkryer.

                                                                                                 Mahatma Gandhi, reformatori indian

Edhe ata që kanë kundërshtuar krishterimin përsëri ndjekin idealin e krishterë. Sepse as në mendjen e tyre, dhe as në zemrën e tyre, nuk mund të krijojnë një ideal të njeriut apo të virtytit më të lartë se sa ajo e Krishtit të vjetër.

                                                                           Fyodor Mikhaylovich Dostoyevsky, shkrimtar dhe filozof rus

Unë jam historian, nuk e quaj vetën besimtar, por si historian më duhet të pranoj që ky predikuesi i varfër nga Nazareti, e them pa pikë dyshimi, është epiqendra e historisë. Jezus Krishti, në mënyrë të bindshme, është figura kryesore e gjithë historisë.

                                                                                                                      H. G. Wells

Tek Jezusi zbulojmë Perëndinë te e cila duhet të vijmë pa mburrje dhe para të cilit mund të përulemi pa deshpërim.

                                                                                                                   Blez Paskali

Unë jam çifut, por jam i mahnitur nga figura e ndritshme e nazareasit. Asnjë njeri nuk mund të lexojë ungjillin pa e ndier praninë e Jezusit. Asnjë mit nuk mund të jetë mbushur me kaq shumë jetë.

                                                                                                                     Ajnshtajni

Mesazhi i Krishtit nuk është krishterimi. Mesazhi i Krishtit është Krishti.

                                                                                                          Geri Amirault, predikues amerikan

Ai nuk erdhi vetëm për të predikuar lajmin e mirë; Ai është lajmi i mirë. Ai nuk erdhi vetëm për të shpërndarë bukë; Ai tha “unë jam buka”. Ai nuk erdhi vetëm për të ndriçuar pak botën; Ai tha “Unë jam drita e botës”. Ai nuk erdhi për të na treguar derën; Ai tha “Unë jam dera”. Ai nuk erdhi vetëm për të na treguar rrugën; Ai tha “Unë jam rruga e verteta dhe jeta”.

                                                                                                      Jay Sidlow Baxter, pastor dhe teolog

Unë kam lexuar në shkrimet e Platonit dhe të Cicëros thënie që janë shumë të urta dhe shumë të bukura, por tek asnjë prej tyre nuk kam lexuar; “Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur dhe të rënduar dhe unë do t’ju jap shlodhje”.

                                                                                                           Augustini, teolog i hershëm

Jezusi nga Nazareti, pa ndihmën e shkencës dhe pa arsimin përkatës, ka hedhur më shumë dritë mbi çështjet njerëzore dhe hynore sesa gjithë filozofët dhe studiuesit e tjerë; dhe pa elokuencën e shkollës, foli fjalë të tilla që s’ishin dëgjuar kur më parë dhe që prodhuan pasoja të paarritshme për oratorin apo poetin profesionist.

Dhe pa shkruar asnjë rresht, Ai ka vënë në lëvizje kaq shumë stilolapsa dhe ka furnizuar material për kaq shumë predikime, diskutime, vëllime, vepra arti dhe këngë sesa të gjithë të mëdhenjve të tjerë së bashku.

                                                                                                       Filip Shaf, teolog gjerman

DHJETË ARSYE PËR T’U DHËNË TË TJERËVE

  1. Sepse kur jep ndihmon dikë që ka nevojë.
  2. Sepse kur ndihmon njerëz në nevojë vendos një shembull të mirë për fëmijët, familjen dhe miqtë e tu dhe i frymëzon ata të jenë njerëz më të mirë.
  3. Sepse kur u jep të tjerëve i jep ditës një ton pozitiv dhe të fuqishëm.
  4. Sepse të ndihmosh të tjerët ka një efekt të thellë përhapës. Asnjëherë nuk e di, një akt i vetëm mirësie i treguar prej teje mund të ndryshojë jetën në më shumë mënyra se sa ti mund të imagjinosh.
  5. Sepse, mesatarisht, njerëzit bujarë jetojnë më gjatë.
  6. Sepse edhe majmunët japin.
  7. Sepse ti je me fat që ke ushqim, strehë, rroba dhe ujë—jepu të tjerëve që nuk kanë.
  8. Sepse karakteri yt zhvillohet me më pak egoizëm.
  9. Sepse ne admirojmë njerëz të tjerë që kanë qenë bujarë me pasurinë e tyre, prandaj përse të mos bëhemi si ata?
  10. Sepse Perëndia premton të shpërblejë ata që u japin të varfërve: “Ai që ka mëshirë për të varfërin i jep hua Zotit, i cili do t’ia kthejë ato që i ka dhënë”. Fjalët e Urta 19:17

Historia e përmbledhur e veprës së Dikensit

Një burrë i vjetër, kurrnac, i quajtur Ebenezer Scrooge (Skruxh), rri ulur në zyrën e llogarisë së tij, në një pregatitje të ftohtë Krishtlindjesh. Nënpunësi i tij Bob, karkalloset në paradhomë sepse Skruxhi nuk pranon të shpenzojë para për ngrohje. Nipi i Skruxhit, Fredi, viziton xhaxhain e tij, dhe i bën një ftesë për ne festën e pervitshme që ai bënte për Krishtlindje.

Edhe dy burra të shëndoshë vijnë për të kerkuar para për lëmoshë te Skruxh. Ai reagon ndaj vizitorëve në mënyrë të hidhur, dhe me inat. “Bah, broçkulla!”. Më vonë atë mbrëmje, pasi ishte kthyer në apartamentin e tij të errët dhe të ftohtë, Skruxh merr një vizitë drithëruese nga fantazma e shokut të tij të vdekur, Jakob Marlej. Jakobi shfaqet i drobitur dhe i zbehtë, dhe flet per historinë e tij.

Si ndëshkim për lakminë dhe jetën vetshërbyese, shpirti i tij është dënuar të endet nëpër tokë i lidhur me zinxhirë të rëndë. Jakobi shpreson ta shpëtoj Skruxhin, nga i njëjti fat. Ai e informon Skruxhin se tre frymëra do ta vizitonin atë gjatë asaj nate. Pasi largohet shpirti i Jakobit, Skruxhi bie në gjumë të thellë.

Ai zgjohet disa momente para ardhjes së Frymës së Krishtlindjeve të Shkuara, një fantazmë e çuditshme si fëmijë, me një kokë me ngjyra të ndezura. Fryma e udhëheq Skruxhin në një udhëtim në krishtlindjen e tij të viteve të shkuar, koprace.

I padukshëm ndaj atyre qe ai shikon, Skruxhi riviziton ditët e tij të fëmijërisë në shkollë, duke punuar me një tregtar gazmor të quajtur Fezing, dhe shikon fejesën e tij me Belën, një vajzë që më pas e lë Skruxhin për shkak të lakmisë që ai kishte për paratë, duke ja venitur dashurinë për dikë tjetër. Skruxhi, i prekur shumë, derdh lotë pendimi, përpara se fantazma ta kthejë atë në shtrat.

Fryma e Krishtlindjeve të Tashme, një gjigand madhështor, i mbuluar në një rrobë jeshile, e merr Skruxhin përgjatë rrugëve të Londrës, për t’i treguar se si do të ishin Krishtlindjet atë vit. Skruxhi shikon familjen e madhe të punëtorit të tij, që pregatit një festë të vogël në shtëpinë e tyre të varfër. Ai zbulon djalin e gjymtuar të Bobit, Tajni Tim, një djalë kurajoz, i cili ja ngroh zemrën Skruxh-it.

Pastaj spektri hapet për t’i treguar Skruxh-it festën e Krishtlindjve te nipit të tij. Skruxh-it i duket e gezueshme festa e tyre, dhe i lutet frymës të qendroj deri në fund të festës. Ndërsa dita kalon fantazma plaket, në mënyrë të dukshme. Fantazma zhduket menjëherë ndërsa Skruxhi vë re një figurë të mbuluar me kapuç që i afrohet. Fantazma e Krishlindjeve të Ardhshme e drejton Skruxh-in përmes skenave misterioze që kanë të bëjnë me vdekjen e një burri pa emër.

Skruxhi shikon biznesmenë që flasin për pasurinë e të ndjerit, disa vagabondë që bëjnë tregti me sendet e tij, dhe një çift i varfër që shpreh çlirim nga vdekja e huadhënësit të tyre. Skruxhi, kurajoz për të ditur mësimin e vizitorit të fundit, lutet për të njohur emrin e burrit që ka vdekur. Pasi është lutur fantazmës Skruxhi gjendet në varrezat e një kishe. Skruxhi shikon epitafin e varrit dhe trembet kur lexon emrin e tij.

Ai i lutet fantazmës t’i ndryshoje fatin e tij, duke i premtuar se do të braktisë pandjeshmërinë, kopracinë dhe që do ta nderonte Krishtlindjen me gjithë zemër. Papritur ai e gjen veten i strukur në krevatin e tij . . . Skruxhi fillon të këndojë, për shansin e dytë që i’u dha. Duke kuptuar që ai mëngjez është mëngjezi i krishtlindjeve, Skruxhi fillon të bërtasë me sa zë ka “Gëzuar Krishtlindjet!” në mënyrë të sinqertë, i mbushur me gëzim, dhe duke u hedhur nga gëzimi, ai mezi vishet, dhe kërcen ndërsa rruhet.

Në mjegullinë e mëngjesit, Skruxhi vrapon në rrugë dhe djalit të parë që takon, i jep një shumë të madhe parash për të blerë një gjel deti për familjen e Bobit. Ai gjithashtu takon një nga burrat e shëndoshë, i cili më parë i kishte kërkuar para për lëmoshë për të varfërit dhe i kërkon falje, për vrazhdësinë e tij të mëparshme, duke i premtuar se që tani e tutje do të jepte shuma të mëdha për të varfrit.

Ai merr pjesë në festën e Fredit dhe rrezaton një hare që i buronte nga zemra, aq sa të ftuarit e tjerë nuk u besojnë syve nga sjellja e tij e re. Mëngjezin tjetër Skruxhi vjen në zyrë dhe merr një qëndrim të hekurt kur Bobi hyn 18 minuta me vonesë. Skruxhi duke bërë si i vrazhdë fillon ta qortojë Bobin, para se t’i thotë që ai do të ketë një ngritje rrogës.

Bobi habitet shumë, por Skruxhi premton t’i qëndrojë besnik fjalës së tij. Ndërsa koha kalon, Skruxhi bëhet një njeri i mirë. Ai ndihmon familjen e Bobit dhe bëhet babai i dytë për Tajni Tim, i cili nuk vdes, siç ishte parashikuar nga fantazma. Shumë persona në Londër habiten me sjelljen e Skruxhit, por ai qesh me dyshimet e tyre.

Skruxhi sjell pak nga gëzimi i Krishtlindjes, në çdo ditë, duke respektuar mësimin e Krishtlindjes më shume se çdo njeri tjetër. Tregimtari e mbyll historinë duke thënë se fjalët e Skruxhit dhe mendimet e tij, duhen pranuar nga të gjithë ne . . . “edhe kështu pra, ashtu siç Tajni Tim parashikoi, Zoti na bekoftë të gjithëve”.

“Një këngë Krishtlindjesh”

Çarls Dikens rikthehet në ekranin e madh me librin e tij të famshëm: “Një këngë Krishtlindjesh”

I shkruar në 1843 nga Charles Dickens, “Një këngë krishtlindjesh” është një nga tregimet më të famshme për Krishtlindje, duke u përshtatur në shumë filma në shekullin e fundit. Ky version i animuar tre dimensional, i drejtuar nga Robert Zemeckis, dhe me protagonist Jim Carrey (Xhim Kerri), sjell edhe një herë në jete, historinë klasike në mënyrë shumë të gjallë.

Përshtatja e ndjeshme e Robert Zemeckis i mbërthen në mënyrë të mrekullueshme të gjitha frikërat, bindjet, dhe mënyrën artistike të ketij tregimi, të një nga shkrimtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ka pasur përshtatje të shkëlqyera, në filma teatral dhe televisiv. Por ky version është më i mirë për disa arsye. Së pari, flet për cilësinë imagjinative të maktheve, në histori.

Aksionet e animuara reale, japin disa cilësi gjithëpërfshirëse, të cilat mungojnë në versionet e tjera. Frikësimi i madh është thelbësor, sepse, në qoftë se Skruxh-i (protagonisti kryesor) nuk bindet për mëkatet e tij, ai nuk do të kuptoj nevojën për t’u penduar. Në mënyrë shumë të rëndësishme, filmi portretizon elementet e historisë së krishterë.

Tajni Tim përmend profecinë e Biblës rreth Jezusit që bën të verbrit të shohin dhe sakatët të ecin. Skruxh-i kërkon për një shans të dytë. Filmi i lidh këto skena shumë bukur së bashku me këngë tradicionale për krishtlindje që përmendin Jezusin si Shpëtimtarin tonë.

Së fundmi, kur Tajni Tim thotë, “Zoti na bekoftë të gjithëve” në fund, të gjithë kuptojmë nevojën për bekimet e Zotit. Ky film nuk është thjesht një “Ji i lumtur, mos e vrit mendjen”. Ai nxjerr në pah bekimin që vjen nëpërmjet krishtlindjes që u jep jetë të re njerëzve që kanë ndjekur idhujt dhe mëkatet e tyre.

Zbulojmë historinë e pemës

Një nga traditat më të pëlqyera që shoqëron festën e krishtlindjes është pema e krishtlindjes. Kjo pemë, zakonisht një pemë halore me gjelbërim të qëndrueshëm, ose vendoset në oborr ose sillet në shtëpi, dhe zbukurohet me drita krishtlindjesh dhe me stoli ngjyra-ngjyra gjatë ditëve afër festës.

Sipas traditës, pemët e krishtlindjes nuk silleshin brenda dhe nuk zbukuroheshin deri në pragun e krishtlindjes (24 dhjetor), dhe pastaj hiqeshin më 6 Janar. Sot ndodh që njerëzit ta ngrenë pemën e krishtlindjes shumë kohë më përpara. Pemët kanë figuruar në festimet e lashta fetare para lindjes së krishterimit.

Sidoqoftë, nuk ka prova që tradita e pemës së krishtlindjes ka patur ndonjë lidhje me një fe tjetër. Zakoni i sotëm rrjedh nga protestantët e Gjermanisë në shekullin e 16. Pema e krishtlindjes përmendet për herë të parë në një kronikë të një shoqate tregëtare në Bremen në 1570 e cila tregon se si një bredh i vogël u zbukurua me mollë, arra, hurma, biskota dhe lule prej letre, dhe u ngrit në sallën e shoqatës për të kënaqur fëmijët e anëtarëve të shoqatës, të cilët i hëngrën këto gjëra të shijshme ditën e krishtlindjes.

Në fillim të shekullit 18, ky zakon ishte përhapur në qytetet e Rajnlandës së sipërme, në Gjermani.

Në fillim të shek.19, zakoni u bë i pëlqyer mes shoqërisë të lartë të Gjermanisë dhe pastaj u përhap në oborret mbretërore deri në Rusi.

Në Francë, pema e parë e krishtlindjes u zbukurua në 1840 nga dukesha e Orleansit.

Në Angli, pema e krishtlindjes hyri nga mbretëresha gjermane e Mbretit Xhorxh III.

Ideja u përhap në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara pas botimit të një ilustrimi të familjes mbretërore angleze duke qëndruar përpara një peme krishtlindjeje. Pema e krishtlindjes shihet nga shumë njerëz si simbol i jetës së përjetshme.

Të krishterët besojnë që Jezu Krishti erdhi në botë për t’u dhënë njerëzve dhuratën e jetës së përjetshme duke vdekur mbi një pemë (kryqin) për të paguar për mëkatet e botës. Shumë qytete ngrenë pemë të krishtlindjes jashtë, në sheshe, për kënaqësinë e të gjithëve.

Krishtlindja?

Ç’është Krishtlindja?

Krishtlindja (edhe “Kërshëndellat” apo shkurt “Kshnellat” ndër besimtarët katolikë) është një festë fetare. Të krishterët në vende perendimore e festojnë çdo vit më 25 dhjetor ditëlindjen e Jezus Krishtit; në kishat e Lindjes festohet më 7 janar, për shkak të kalendarit Julian.

Pas Pashkëve është festa më e rëndë- sishme për të krishterët. Ditëlindja e Krishtit (24-25 dhjetori) është thjeshtë simbolike, dhe nuk është menduar të jetë data e vërtetë e lindjes se tij.

Sot dita e Krishtlindjes kremtohet me shfaqjen e skenës së lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe Kartolinave, familjen e bashkuar, dhe ardhjen e Shën Nikollës apo Plakut të Vitit të Ri në prag të Krishtlindjes apo mëngjesin e Krishtlindjes.

C’do me thënë emri i Krishtit?

Fjala “Krisht” do të thotë “i Vajosuri,” emri i dhënë Shpëtimtarit të premtuar i cili një ditë do të vinte tek populli i Zotit. Besimtarët hebrenj, të cilët u bënë themeltarët e krishterimit, ishin të bindur që Jezusi ishte jo vetëm Krishti i tyre i premtuar, por edhe Shpëtimtari i të gjithë botës.

Siç shpalli vet Jezusi: “Unë jam drita e botës, kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës”.

Feja është më shumë se kulturë

Me gjithë arsimin dhe kulturën, filozofinë dhe politikën tonë, dhe gjithçka që kemi bërë, bota ndodhet në një ngatërrim, që sa vjen edhe thellohet. Nga lind ligësia, smira, narkomania dhe lakmia? Cili është shpjegimi? Ja ku është e vetmja përgjigje—njeriu është larguar nga Perëndia. Miqtë e mi, ky është problemi i botës sot. Na thanë që kjo do ta ndreqte botën— edukimi dhe kultura.

Jo feja apo Bibla, por njohuria, shkenca, dituria dhe filozofia e re—këto do të krijonin një botë të përsosur! Por si është realiteti? Cili ka qenë rezultati? Ballë për ballë me problemin e njeriut, që të gjitha kanë dështuar. Perëndia duke qenë i shenjtë, nuk mund të pretendojë se nuk e ka parë mëkatin. Ai është Perëndi i drejtë dhe i shenjtë, dhe ai ka thënë se: Shpirti që mëkaton ka për të vdekur.

Paga e mëkatit është vdekja – gjë që duket sheshit në botën e sotme. Mirë pra, si mund të pajtohem unë me Perëndinë? Çfarë mund t’u bëhet mëkateve të mia? Perëndia ka thënë që ai duhet t’i dënojë. Këtë e kërkon drejtësia e Tij. Por nëse ai do të dënonte mëkatet e mia, do të më merrte lumi. Do të isha i humbur. Por Perëndia ka planifikuar një rrugë tjetër.

Ai dërgoi Birin e vet, të panjollë, të pastër, të papërlyer, i cili nuk kishte kryer asnjë faj. Perëndia e dërgoi në kryq, dhe ai vuri mëkatet tona mbi të. Ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të. Të dashur miqtë e mi, e vetmja mënyrë për t’u pajtuar me Perëndinë është të besosh në Jezu Krishtin.

Çfarë gjëje e mrekullueshme ta kesh ndërgjegjen të pastruar! Çfarë gjëje e mrekullueshme të dish që mëkatet e tua janë falur! Mund ta vësh kokën mbi jastëk dhe të mos shqetësohesh. Ti e di se je në raport të drejtë me Perëndinë, në paqe me Perëndinë; asgjë nuk mund të të ndajë kurrë nga dashuria e Perëndisë.

Miqtë e mi, a e keni siguruar paqe? Paqen e ndërgjegjes?

Ky është besimi i vërtetë. Jo vetëm një nxitje që ti të vesh në shtëpi dhe të nisesh nga e para duke u përpjekur të bësh një jetë më të mirë. Jo, jo! Por në rradhë të parë është kjo: Të besosh në Krishtin. Ejani ashtu siç jeni, vetëm beso. Pastaj do të kuptosh rrugën për të shkuar përpara.