Jo “përse?”

Violinisti italian Niccolo Paganini (1782- 1840) po luante një pjesë të vështirë përpara një auditori të madh. Papritur një nga telat e violinës u këput, por ai vazhdoi të luante duke improvizuar bukur. Pastaj, dy tela të tjerë u këputën, dhe ai e kreu veprën duke luajtur vetëm me një tel.

Kur duartrokitjet pushuan, ai uli kokën duke i thënë kështu dirigjentit të fillonte përsëritjen. Violinisti buzëqeshi nga auditori dhe bërtiti, “Paganini . . . me një tel!” Duke e vënë instrumentin nën mjekër, ai luajti përsëri me atë telin e vetëm.

Duke marrë këtë parasysh, Charles Swindoll shkruan, “Sa më shumë që jetoj, aq më i bindur jam se jeta është 10 për qind ajo që na ndodh dhe 90 për qind mënyra se si ne reagojmë ndaj saj.” Kur përjetojnë prova të vështira njerëzit shpesh herë pyesin Zotin, “Pse?”

Në vend që të kërkojmë përgjigje që mund të mos i gjejmë kurrë, do të ishte më mirë t’i bënim vetes pyetjen “Çfarë duhet të bëj unë tani?” Përgjigja e kësaj mund të gjendet në fjalën e Zotit.

Nene Tereza thote…

Nënë Tereza tha:

“ . . . vetëm Zoti mund të vendosë jetën dhe vdekjen. Ja përse aborti është një mëkat kaq i tmerrshëm. Ti jo vetëm që vret jetën, por po e vendos veten përpara Perëndisë; megjithatë njerëzit vendosin se kush duhet të jetojë dhe kush duhet të vdesë.

Ata duan ta bëjnë veten Perëndi të plotfuqishëm. Ata duan ta zënë fuqinë e Perëndisë në duart e tyre. Ata duan të thonë, “Unë mund t’ia kaloj pa Zotin. Unë mund të vendos.”

Kjo është gjëja më e keqe që mund të bëjë dora e njeriut.”

Pyetje provokuese

Filozofi Ravi Zacharias po fliste në një emision radioje për besimin e tij fetar, kur mori nga një radiodëgjuese një pyetje provokuese: “A kam unë të drejtë të abortoj fëmijën?” pyeti ajo.

Ravi u përgjigj: “Shpeshherë njerëzit e marrin inat Zotin duke e akuzuar për padrejtësi, dhe i kërkojnë llogari se pse një njeri gëzon një jetë të gjatë, ndërsa tjetri ka vetëm një jetë të shkurtër.”

Dhe pastaj iu drejtua dëgjueses: “Pyetja ime për ju zonjushë është kjo: Kur ti bëhesh kompetente të vendosësh se kush do rrojë dhe kush do vdesë në barkun tënd, e quan të drejtën tënde morale, ndërkohë kur Perëndia bën të njëjtën gjë e quan atë të poshtër.

A më shpjegon dot këtë kontradiktë?” Dëgjuesja ia ktheu me inat, por s’kishte kurrfarë përgjigje.

Dy fjalë për abortin

Me gjithë përparimin e mjekësisë sot, ekziston një ironi e hidhur. Në spitalet moderne një fëmijë që lind në fazën 26 javëshe ka një mundësi shpëtimi prej 50-75 përqind. Përfytyroni situatën kur në një sallë operimi shpëtohet jeta e një fëmije në fazën 26 javëshe, kur në sallën tjetër mund të abortohet foshnja që është në të njëjtën fazë moshe. A mund të imagjinoni një gjë më kontradiktore?

Për fat të keq aborti po bëhet një praktikë shumë e përhapur në shoqërinë moderne. Është akoma më shqetësuese që vetëm pak aborte kryen për arsye që rrezikohet jeta e nënës por mbi 95% të abortëve janë kryer vetëm për arsye shoqërore, d.m.th. sepse fëmija është i padëshirueshëm.

Duke folur mbi këtë situatë, një analist tha: “Më shumë të drejta kanë balenat sesa fëmijët e palindur.” Teologu dr. Stott shkruan se një shoqëri që mund të tolerojë gjëra të kësaj natyre nuk mund të quhet më e qytetëruar dhe pyet: “ . . . a është shoqëria moderne më pak e degraduar sepse në vend që të hedhim bebet në plehra ne i hedhim në kremetorët e spitaleve?”

Çështja kyç

Çfarë është një embrion? Si duhet të mendojmë për atë fëmijë në barkun e nënës? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje do të përcaktojë qendrimin tonë në lidhje me abortin. Nga dëshira për të zbutur zërin e ndërgjegjes disa thonë që fetusi është veçse një ind. Kjo pikëpamje ështe plotësisht e gënjeshtërt. Ngjizja është momenti vendimtar kur fillon jeta e një qenieje të re.

Konferenca e parë ndërkombëtare për abortin u mblodh në Uashington, në vitin 1967 dhe deklaroi, “Ne nuk mund të gjejmë asnjë çast midis bashkimit të spermës dhe vezës dhe lindjes së foshnjës, kur mund të themi që kjo nuk është një jetë njerëzore.”

Përse abortohet?

Atyre që kundërshtojnë abortin nuk u mungon keqardhja për situatën e vështirë që përballojnë disa familje. Dihet që mund të ketë rrethana të vështira, madje tragjike që bëjnë që një grua ose një vajzë të mendojë për një abort. Marrim parasysh një grua të lodhur me një familje të madhe, ose një nënë që duhet të shkojë në punë, ose një të pamartuar që s’mund të përballojë opinionin e shoqërisë. Në këto raste, dhe shumë të tjera, ka gra ose vajza që e shikojnë abortin si të vetmen rrugëdalje.Por a është kështu?

Ndryshova mendjen

U kryen dy sondazhe të ndryshme mes grave që kishin menduar të abortonin fëmijën por që nuk arritën ta bënin. Në një raport 73%, dhe në raportin tjetër 83% e grave thanë që ishin të kënaqur që nuk e kishin abortuar. Pranohet që gruaja shtatzënë ka ndjenja të paqëndrueshme dhe mund të ketë mendime negative për veten dhe foshnjën. Në këtë gjendje ajo ka nevojë të këshillohet nga një njeri i besueshëm.

Doktori i famshëm anglez Sir Stallworthy tregon që disa nga njerëzit më të lumtur që ai ka njohur janë ato që i kanë thënë: “Ndofta ty nuk të kujtohet, por herën e parë që kam ardhur tek ti, kërkova një abort. Shyqyr Zotit që ti nuk ishe dakort sepse kjo fëmijë ka sjellë gëzimin më të madh në shtëpinë tonë.” Dhe për ata që e ndiejnë se nuk e përballojnë rritjen e fëmijës, ka një radhë të gjatë njerëzish që presin të adoptojnë një fëmijë.

Adoptimi është gjithmonë një alternativë ndaj abortit. Së fundi, duhet theksuar fakti që jeta është e shenjtë. Ajo është një dhuratë prej Perëndisë, dhe ne nuk kemi të drejtë të vendosim ta ndërpresim atë: “Perëndia e ka krijuar njeriun simbas shëmbëlltyrës së tij.(Bibla)

Psalm i Davidit

Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh. Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim. Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia . . .

Po, ti ke formuar të përbrendshmet e mia, ti më ke endur ne barkun e nënes sime. Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe une e di shumë mirë këtë gjë . . .

Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi. Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, mëgjithse asnjë prej tyre nuk eksistonte ende.

Nga Psalmi 139

Fjala e fundit

Besoj që shumë njerëz nuk thonë asnjë fjalë lutjeje. Ata hanë dhe pinë, flenë dhe zgjohen, jetojnë në tokën e Perëndisë dhe kënaqen me të mirat e saj. Ata kanë trupa, të cilët duhet të vdesin dhe kanë Ditën e Gjykimit dhe përjetësinë përpara.

Por megjithatë ata kurrë nuk i flasin Perëndisë. Jetojnë sikur të ishin kafshë dhe jo njerëz me shpirtra që nuk vdesin kurrë. Mik pa lutje, duhet të të paralajmëroj për rrezikun tënd. Je krejtësisht i pafalshëm, sepse nuk mund të japësh asnjë arsye të mirë pse të jetosh pa lutje. Mos thuaj se nuk di të lutesh.

Lutja është thjesht bisedim me Perëndinë. Nuk të duhet asnjë arsimim që të lutesh−vetëm dëshira për ta bërë. Foshnja më e vogël mund të qajë kur ka uri. Nëse je i dijshëm për nevojën tënde do të gjesh shpejt diçka për t’ia thënë Perëndisë. Mos thuaj se nuk ke ku të lutesh.

Gjithsecili mund të gjejë një vend të përshtatshëm nëse e do vërtet. Mos thuaj se nuk ke kohë për lutjen. Kohë ke boll, sikur vetëm të ishe gati ta përdorje drejtësisht. Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër (Isaia 55:6).

Nga J. Ryle

Mrekullia e lindjes

Kështu e kanë përshkruar shkrimtarë të shumtë lindjen e një fëmije, si një mrekulli e vogël. Dhe sa më shumë mësojmë për sekretet e formimit të një jetë të re, aq më tepër zë vend kjo fjalë.

Vetëm pas dymbëdhjetë javëve të para të rritjes së fëmijës në barkun e nënës, mund të dëgjohet rrahja e zemrës duke përdorur një pajisje të posaçme elektronike. Të gjitha organet dhe indet duke përfshirë zemrën, mushkëritë, trurin, sistemin e tretjes, veshkat dhe organet e riprodhimit janë formuar dhe kanë zënë vendet e tyre të duhura.

Tani mungon vetëm koha: duhen edhe gjashtë muaj të tjerë për rritjen e foshnjës. Kur foshnja lind, ajo ka 305 kocka por disa prej këtyre shkrihen e bashkohen ndërsa fëmija rritet, duke lënë 200, që lëvizen nga 650 muskuj dhe 100 nyja.

Secila prej këtyre është formuar në mënyrë të tillë që të funksionojë në harmoni të përsosur me gjithë të tjerat. Mund të propozohet se qeniet njerëzore janë organizmat më kompleksë mbi planetin tonë. Në trupin e njeriut ka miliarda qeliza.

Dhe po qe se kjo nuk ta merr mendjen, atëherë deklarata e mëposhtme nga Linus Pauling, i cili ka fituar dikur çmimin Nobel, ka për të të bërë të mendohesh mirë. Ai tha që një qelizë e vetme e gjallë në trupin e njeriut ‘është më e ndërlikuar sesa qyteti Nju Jork.’ Disa njerëz mendojnë se jeta është thjesht produkti i rastësisë së verbër.

Po si mund të besohet kjo gjë kur ne shohim mrekullinë e një foshnje të porsalindur?

Gjykimi

Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë. Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një.

Sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë.

Por tani, pavarësisht nga ligji, është manifestuar drejtësia e Perëndisë, për të cilën dëshmojnë ligji dhe profetët, madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë.

Marrë nga Bibla, Romakët 3

Kush i mësoi bletët të vallëzojnë?

Imagjino sikur je një bletë që prodhon mjaltë. Një mëngjes të bukur pranvere lë kosheren tënde dhe del në kërkim derisa të bie në sy një fushë plot me lule të reja në lulëzim. Ushqimi atje në koshere, me të cilin u ushqyen 15 000 bletë të kolonisë tënde gjatë dimrit, ka qenë duke u pakësuar.

Por tani, në këtë fushë, ke gjetur furnizim të ri ushqimi. Kështu që ti e mbush stomakun tënd të veçantë për mjaltë me nektar dhe fluturon 250 metra për t’u kthyer në kosheren tënde. Bletët e tjera nuk e dinë ku t’i gjejnë lulet që t’i ke zbuluar. Truri yt ka masën e një koke gjilpëreje, por është e qartë se nëse duhet të përdorësh plotësisht këtë burim të ri ushqimi do të të nevojitet ndihmë.

Para se të arrijë vera, kolonia jote do të ketë më shumë se 80 000 bletë. Por ai pak polen dhe nektar që do të mblidhje në çdo udhëtim do të bënte që kolonia të vdiste urie para se të ushqeje secilin anëtar të saj. Prandaj, si u thua bletëve të tjera në koshere se ku të gjejnë lulet që ke zbuluar?

Në fillim të viteve 1900, natyralisti austirak Karl von Frish, kërkonte të gjente një zgjidhje për këtë problem që ngjallte kureshtjen e tij. I mahnitur nga mënyrat se si bletët punëtore punonin së bashku, von Frish filloi t’i studionte thellë ato. Ai zbuloi se një prej karakteristikave më të spikatura të bletëve është mënyra se si ato komunikojnë.

Në fakt, bletët kanë një prej mjeteve të komunikimit më të jashtëzakonshme në botën e insekteve. Von Frish zbuloi se bletët shprehen jo vetëm nëpërmjet të ndjerit dhe të shijuarit, por edhe nëpërmjet vallëzimit. Për të identifikuar vendin e një burimi ushqimi shumë larg nga kosherja aq sa nuk mund të nuhatet apo të shihet nga bletët e tjera, ajo që e ka zbuluar bën një vallëzim mbi huallin brenda kosheres.

Bletët e tjera mblidhen rrotull dhe e ndjekin nga afër kërcimtaren. Ato imitojnë lëvizjet e saj (gjithë bletët punëtore që kërcejnë janë femra) dhe nuhasin prej saj erën e lules nga e cila valltarja ka mbledhur nektarin. Nëse burimi i ri i ushqimit është afër, të themi brenda 50 metrave nga kosherja, bleta bën një vallëzim rrethor mbi sipërfaqen e huallit. Ajo vjen rrotull dy ose tre centimetra pastaj vallëzon në drejtimin e kundërt.

Kjo u tregon bletëve të tjera se ushqimi është afër. Era që ato dallojnë prej saj i lajmëron ato se çfarë ere ka ushqimi i ri. Kështu bletët e tjera largohen nga kosherja dhe fluturojnë në formë rrathësh që zgjerohen gjithnjë e më shumë derisa gjejnë furnizimin e ri të luleve. Të vallëzosh për largësinë Nëse burimi i ri i nektarit apo polenit është larg, zbuluesja e tij bën një ndryshim të zgjuar në vallëzimin e saj.

Ajo vallëzon sipas formës së ‘numrit tetë’ me lëvizje të ndërprera përgjatë mesit të shifrës. Largësia në të cilën ndodh ndryshimi nga vallëzimi rrethor në shifrën tetë, varion mes tipeve të ndryshme të bletëve. Kjo nuk u shkakton atyre çoroditje sepse distanca është konstante brenda secilës koshere.

Çdo lëvizje nga zbuluesja ka kuptim për bletët e tjera. Ato mund të kuptojnë largësinë e burimit të ushqimit nëpërmjet numrit të herëve që valltarja vjen rrotull në formë rrethi gjatë një intervali të caktuar dhe po ashtu nëpërmjet barkut të saj që përdridhet. Sa më e madhe të jetë largësia, më ngadalë përdridhet ajo.

Drejtimi i ushqimit zbulohet nëpërmjet drejtimit dhe këndit që bleta valltare pret përmes rrethit. Nëse ajo përdridhet përmes rrethit drejt lart, bletët që e shohin e dinë se do ta gjejnë ushqimin duke fluturuar drejt diellit. Nëse e pret rrethin drejt poshtë, ato e dinë se duhet të fluturojnë larg diellit.

Nëse bleta valltare pret përmes rrethit në një kënd, bletët e tjera e dinë se duhet të fluturojnë në të djathtë ose në të majtë të diellit në të njëjtin kënd që valltarja lëvizi në të djathtë apo në të majtë të një vije vertikale të imagjinuar. Kjo shfaqje e shkëlqyer e bletëve punëtore valltare është me të vërtetë një karakteristikë goditëse në botën e insekteve.

Kur mendojmë për hapat e ndërlikuar të vallëzimit dhe informacionin e detajuar të përçuar dhe të kuptuar përmes tij nga gjithë bletët punëtore të botës (von Frishit iu deshën 20 vjet për ta deshifruar atë), na jepet e drejta që të dyshojmë fort se ky proçes mund të ketë evoluar rastësisht.

Mes mrekullive të krijimit të Perëndisë, bleta punëtore na jep disa dëshmi befasuese kundër evolucionit dhe pro dizenjimit nga Krijuesi. Detyrohemi nga logjika dhe gjykimi i shëndoshë të arrijmë në përfundimin se aftësia e bletëve të komunikojnë me anë të vallëzimit u caktuar në kohën e krijimit të tyre.

Fjale te arta

“Ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur. Në fakt, cilësitë e tij të padukshme. . . duke qenë të dukshme . . . që nga krijimi i botës. Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua. Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë.” Cituar nga Bibla (Romakët 1:19-22)

Ja disa pyetje që dalin nga vargjet e lartpërmendura:

Pyetje: “A kanë ateistët njohuri të mjaftueshme të së vërtetës, për të qenë të vetëdijshëm për ekzistencën e Perëndisë?

Përgj: Po, sepse “Ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur”.

Pyetje: A kanë ateistët njohuri të mjaftueshme të së vërtetës për të pranuar Perëndinë si Perëndi të plotfuqishëm?

Përgj: Po, “Cilësitë e tij të padukshme . . . duke qenë të dukshme . . . që nga krijimi i botës, shihen qartë”.

Pyetje: A e kanë shtypur ateistët njohurinë që zotërojnë për Perëndinë?

Përgj: Po, “megjithëse e njohën Perëndinë, u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua”.

Pyetje: A kanë ateistët njohuri të mjaftueshme të së vërtetës për t’u konsideruar fajtorë?

Përgj: Po, “Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë”.

Shkencëtarë që flasin kundër darvinit

Ambrose Fleming, dikur president i Shoqatës Britanike për Përparimin e Shkencës, e quajti evolucionin “të pabazë dhe të pabesueshëm”.

Fituesi i çmimit Nobel Robert Millikan pohon: “Gjëja për të cilën të vjen keq është se kemi shkencëtarë që po përpiqen të vërtetojnë evolucionin, të cilin nuk mund ta vërtetojë asnjë shkencëtar”.

Colin Patterson, paleontolog i merituar në Muzeun Britanik të Historisë së Natyrës, bie dakord duke thënë: “Është mjaft e lehtë të sajosh histori se si një formë i dha jetë një tjetre, por histori të tilla nuk janë pjesë e shkencës”.

Syri nuk gënjen

“Të supozosh se syri, me gjithë mekanizmat e pashoq për të përshtatur fokusin për distanca të ndryshme, për të pranuar sasi të ndryshme drite dhe ndreqjen e deformimeve kromatike dhe sferike, të mund të formohej nga përzgjedhja natyrore, duket, e rrëfej hapur, absurde në nivelin më të lartë.” Çarls Darvini

Me një sistem të përkryer fokusimi, hapje automatike dhe 130 milionë qeliza receptore, 124 milionë prej të cilave janë në formën e shkopit dhe ndryshojnë ndërmjet dritës dhe errësirës, dhe gjashtë milionë prej të cilave kanë formën e konit dhe mund të identifikojnë deri në tetë milionë variante të ngjyrës, syri i njeriut është padyshim një kryevepër.

A duhet ta besojmë me të vërtetë që ky organ i sofistikuar në mënyrë mahnitëse filloi të ekzistonte nëpërmjet një procesi hap pas hapi, të rastësishëm, të paqëllimshëm dhe “provo dhe gabo” që iu deshën miliona vjet? Disa ateistë me kokëfortësi mbajnë idenë se kështu ka ndodhur dhe se, madje, në një fazë të hershme të procesit, një përqind e një syri do të kishte qenë më mirë se asnjë sy.

Por kjo do të thotë të bësh gabimin fillestar të të ngatërruarit të një për qind sy me një për qind të të parit normal, që është një çështje shumë e ndryshme. Një përqind e një syri nuk do të japë aspak aftësinë e të parit. Për më tepër, edhe sikur secili prej përbërësve të syrit të ishte në vend, ata nuk do të arrinin asgjë po të mos ishin të lidhur saktësisht në një kompleks të mahnitshëm miliona qelizash nervore në tru.

Kompleksiteti i syrit ngre një problem jashtëzakonisht të madh për darvinistët. Darvini vet tha: “Nëse do të mund të demonstrohej se një organ kompleks ekzistonte, i cili nuk mund të jetë formuar nga modifikime të lehta, të shumta dhe njëri pas tjetrit, teoria ime do të binte në mënyrë absolute” . Syri është vetëm një prej sistemeve komplekse që gjendet në trupin e njeriut. Ku e lë kjo sfidën e Darvinit?

Përse s’më jep shenjë?

Regjisori Woody Allen ka thënë dikur, “Sikur Zoti të më jepte ndonjë shenjë të qartë! Si p.sh. të depozitonte një shumë të madhe në llogari të një banke zviceriane.”

Ai po bënte shaka, por ai po shprehte një qëndrim mjaft të përhapur. Megjithatë Perëndia nuk u përgjigjet sfidave të tilla mendjelehta për të vërtetuar ekzistencën e tij.

Në fakt, nëse njeriu mesatar do të zbulonte $10 milion në llogarinë e tij bankare, në vend që të mendonte për Zotin ai ndoshta do të hamendësonte që ky ishte një gabim kompjuterik ose burokratik.

Jezus Krishti tha: “Ky brez është i lig; ai kërkon një shenjë, por asnjë shenjë nuk do t’i jepet”.

A ka vërtet dallime midis nesh dhe majmunëve?

Mos e merr seriozisht!

“Asnjë dallim thelbësor nuk i ndan njerëzit nga kafshët e tjera. Kështu filloi një kryeartikull për evolucionin në revistën e famshme TIME. Sa më shumë mendova për këtë deklaratë përgjithësuese, aq më shumë fillova ta simpatizoja atë . . .” Për shembull, si gjithë qeniet njerëzore, edhe majmunët kanë aftësi arsyetuese të zhvilluara mirë.

Vihet re në mënyrë të veçantë aftësia e tyre për të zhvilluar një argument, për të ndjekur një mendim në mënyrë të logjikshme, për të nxjerrë përfundime dhe për të krijuar hipoteza. Gjithashtu, si njerëzit, edhe majmunët kanë aftësi të dalluara gjuhësore. (Kuptohet se kjo është e ndërthurur me fuqitë e tyre arsyetuese.)

Fjalori i tyre është shumë i madh, gramatika e tyre është e ndërlikuar, dhe bisedat e tyre janë të thella dhe kuptimplota. Edhe aftësia e majmunëve për të shprehur gjuhën e tyre me shkrim është një provë tjetër e lidhjes së ngushtë midis tyre dhe njerëzve. Nga kjo anë, mua m’u bë qejfi kur pashë gjithë ata majmunë që i shkruanin revistës TIME në përgjigje të artikullit me titull ‘Si filloi njeriu’.

Në mënyrë të veçantë isha i interesuar për arsyetimin e një orangutangu që tha se majmunët kishin evoluar nga njerëzit, dhe jo anasjelltas.Si njerëzit, edhe majmunët kanë një prirje të fortë hetuese. Janë të çmuara kërkimet e tyre në fushat e astronomisë, matematikës, mjekësisë dhe fizikës. Për më tepër majmunët (ashtu si njerëzit) kanë shumë dëshirë të mësojnë kuptimin e jetës.

Kjo është arsyeja përse ata i kushtojnë shumë kohë filozofisë, teologjisë dhe etikës. Ndjenjat dhe praktikat fetare të të gjithë majmunëve mund të shpjegohen si pasoja të kërkimit të tyre intensiv dhe të pafundëm për të zbuluar kuptimin e jetës. Majmunët nuk merren vetëm me çështjet e origjinës por edhe me ato të fatit të tyre përfundimtar.

Prova më e mirë që unë mund të ofroj në mbështetje të këtij pohimi është thënia e një filozofi të njohur majmun i cili tha, “Jeta është si një banane, e shijshme, por që mbaron shpejt.” Gjithashtu, majmunët, ashtu si njerëzit, kanë një ndjenjë të mprehtë estetike. Ata admirojnë bukurinë dhe dëshirojnë fort të rrethojnë veten me të.

Kur një majmun kultivon në një kopsht, vë lule në një vaso, ose var një pikturë në mur, vallë, çfarë po bën veçse të shprehë dashurinë që ka për bukurinë? Përsëri, si njerëzit, edhe majmunët kanë një shtytje të fortë krijuese. Kjo shihet në poezinë, pikturat, vallet, dramat dhe muzikën e tyre.

Ajo shihet, ndonëse më pak, edhe tek fakti që ata mblidhen çdo javë në grupe për të krijuar punime dore si p.sh. për të thurur shporta, për të tjerrë lesh, për të thurur shami, dhe për të plotësuar albumet e fotografive. Ndjenja e humorit që gjendet tek të gjithë majmunët është një provë tjetër e lidhjes së ngushtë që ata kanë me njerëzit.

Ata kënaqen me gjërat qesharake dhe dashuria e tyre për një të qeshur të mirë duket qartë në ato shakatë e tyre të njohura prej majmunësh. Arsyetimi, gjuha, shqyrtimi, mrekullimi, dëshira, feja, morali, estetika, krijimtaria, fantazia, aspiratat dhe humori . . . cilësi të tilla jomateriale por themelore nuk janë aspak vetitë ekskluzive të njerëzve, siç shpresoj se kam treguar.

Prandaj, sipas fjalëve të thella të revistës TIME: “Asnjë dallim thelbësor nuk i ndan njerëzit nga kafshët e tjera.” Duke qenë kështu, të krishterët janë krejt të gabuar kur insistojnë se njerëzit dhe kafshët janë shumë të ndryshëm. Dhe duket qartë se ata e kanë gabim kur insistojnë se ky dallim del prej faktit që Perëndia na krijoi ne njerëzve sipas shëmbëlltyrës së tij.

Dhe në qoftë se ata kanë gabim ta thonë këtë, atëherë ata kanë gabim edhe kur insistojnë që Perëndia ka pretendime ndaj nesh. Për më tepër, nëse Perëndia nuk ka pretendime ndaj nesh, atëherë jemi të lirë – të lirë që të jemi kafshë si paraardhësit tanë në evolucion – të lirë që të jemi të poshtër si gjarpërinj, të pistë si derra, dhe të sillemi si gomarë.

A thashë unë “të lirë”? Sssss! Ykg, Ykg! IO, IO!

Nga Andrew Lansdown

Origjinali në anglisht u botua në revistën

Creation Ex Nihilo 17(4):45

Nga majmuni?

Gënjeshtra i ka këmbët të shkurtra

I gjetur në Gjermani më 1857, njeriu Neandertal u propagandua si “lidhja e rëndësishme që mungonte”, por evidencat kundër tij janë kaq të shumta, saqë pjesa më e madhe e ekspertëve tani bien dakord se “Neandertali ishte një anëtar që i përkiste familjes njerëzore”. Për dyzet vjet një koleksion kockash i gjendur në jug të Anglisë më 1912, i quajtur Njeriu Piltdown, u trumpetua si “lidhja e bujshme që mungonte”.

Tani të gjithë e dinë se ishte një mashtrim gjigand, një kafkë njerëzore 400- vjeçare e bashkuar me nofullën e një orangutangu. Më 1922 një dhëmb i vetëm i gjetur në Nebraska dhe që thuhej se ishte mbi 5.5 milionë vjet i vjetër tërhoqi lajmet ndërkombëtare si provë e një lidhjeje “Asnjë dallim thelbësor nuk i ndan njerëzit nga kafshët e tjera. Kështu filloi një kryeartikull për evolucionin në revistën e famshme TIME.

Sa më shumë mendova për këtë deklaratë përgjithësuese, aq më shumë fillova ta simpatizoja atë . . .” Për shembull, si gjithë qeniet njerëzore, edhe majmunët kanë aftësi arsyetuese të zhvilluara mirë. Vihet re në mënyrë të veçantë aftësia e tyre për të zhvilluar një argument, për të ndjekur një mendim në mënyrë të logjikshme, për të nxjerrë përfundime dhe për të krijuar hipoteza.

Gjithashtu, si njerëzit, edhe majmunët kanë aftësi të dalluara gjuhësore. (Kuptohet se kjo është e ndërthurur me fuqitë e tyre arsyetuese.) Fjalori i tyre është shumë i madh, gramatika e tyre është e ndërlikuar, dhe bisedat e tyre janë të thella dhe kuptimplota. Edhe aftësia e majmunëve për të shprehur gjuhën e tyre me shkrim është një provë tjetër e lidhjes së ngushtë midis tyre dhe njerëzve.

Nga kjo anë, mua m’u bë qejfi kur pashë gjithë ata majmunë që i shkruanin revistës TIME në përgjigje të artikullit me titull ‘Si filloi njeriu’. Në mënyrë të veçantë isha i interesuar për arsyetimin e një orangutangu që tha se majmunët kishin evoluar nga njerëzit, dhe jo anasjelltas. ndërmjet majmunëve dhe njerëzve, por brenda gjashtë viteve u zbulua se kishte ardhur nga një derr i egër që, ashtu si teoria e “Njeriut Nebraska”, tani është zhdukur.

Zotëruesit origjinal të një kafke të madhe të gjetur në Afrikën lindore më 1959 iu dha emri “Njeriu Nutcracker” dhe nga “National Geographic” pretendohej si evidencë e prejardhjes evolucionare të njeriut nga majmuni. Por ca kohë më vonë edhe paleontologët që e zbuluan atë i tërhoqën pohimet e tyre ekstravagante; tani pranohet përgjithësisht se ajo ishte kafka e një majmuni të zhdukur.

Më 1974 një skelet i vogël i gjendur në Luginën e të Çarës së Madhe, në Etiopi, u quajt Lusi dhe u tha se datonte të paktën tre milionë vjet më parë. Media e kishte shumë për zemër Lusin dhe u fol gjerësisht se kishte qenë majmuni i parë që eci me trupin drejt, por ekspertët e kësaj fushe qysh atëherë e kanë katandisur të ashtuquajturën evidencë në thërrime.

Ka pasur me qindra përpjekje të tjera për ta lidhur njeriun me paraardhës majmunë, por, kur ekspozohen para hetimit të ndershëm, ata janë ndeshur të gjithë me të njëjtin fat, prandaj ideja e Darvinit se “njeriu erdhi nga një formë më pak e organizuar” mbetet një hamendje e pastër.

Vizatime mahnitëse të majmunëve njerëz me kraharorët e tyre cilindrikë, nofulla të dala para dhe këmbë leshatore janë trillime të imagjinatës njerëzore.

Phillip Johnson e shqipton atë më plotësisht: “Në vend të një fakti kemi një hipotezë spekulative që thotë se speciet e gjalla u zhvilluan nga paraardhës që nuk mund të identifikohen nga ndonjë mekanizëm i shumëfolur që nuk mund të demonstrohet dhe, në një mënyrë të tillë, që pak gjurmë të procesit ngelën në të dhënat, edhe pse ato të dhëna janë interpretuar nga persona të përkushtuar shumë ndaj vërtetimit të evolucionit.”

Fraza e fundit i bën komentimet e Johnsonit edhe më domethënëse!

John Blanchard

Marrë me leje nga libri i tij

“Evolucioni—Fakt apo Trillim?”,

botuar nga AEM-Misoni Ungjillor