Hidhet dyshim mbi horoskopin

Në çdo gazete dhe reviste gjen një vend ku shkruhen parashikimet e fatit sipas horoskopit. Ato ndiqen nga shumë njerëz, por a janë të besueshme? Astrologjia bazohet mbi idenë se vendndodhja e planetëve në momentin që lind njeriu përcakton fatin e tij. Dr. Kurt Koch tregon se ka një problem me këtë teori: “Astrologu i sotëm nuk shikon planetët në ato vende që i shikonte homologu i tij para 4000 vjetësh [kur mendohet se u caktuan rregullat e astrologjisë].

Veç kësaj, disa planetë të tjerë janë zbuluar në 200 vjetët e fundit, si Uranës në 1781, Neptuni në 1843, dhe Plutoni në 1930, të cilët nuk figurojnë në llogarinë e astrologjisë. Por zbulimi i planetëve të rinj nuk ka sjellë ndryshim në sistemin e parashikimit astrologjik.

Kjo ka bërë që astronomet [studiues të shkencës së yjeve – jo të fatit] të hedhin poshtë astrologjinë [horoskopin] si një nga mashtrimet më të mëdha të të gjitha kohërave.” Por atëherë, përse ngulin këmbë disa njerëz që horoskopi u del? Një studiues ka thënë se parashikimet shpesh herë janë shkruar me fjalë kaq përgjithësuese sa është e vështirë të mos dalin!

Për shembull: Do të takosh një të panjohur – por patjetër! …Duhet të ruhesh nga një rrezik – s’diskutohet!… etj. Me sa duket është e lehtë të sajosh një horoskop. Para ca kohësh doli në dritë fakti se një gazetë botonte horoskope të rreme. Ndodhi që redaktuesi i gazetës nuk i mori dot në kohë parashikimet e javës nga astrologu, prandaj ai vendosi nje palë të vjetër parashikimesh, rastësisht, në vend të tyre.

Kur askush nuk e vuri re, redaktuesi e pezulloi kontratën me astrologun dhe vendosi 22 seri parashikimesh/horoskopesh të vjetra. Nuk pati asnjë ankesë nga publiku derisa një ditë u vu re se horoskopi ishte në shenjën e gabuar të zodiakut! Prof. Russ Parker, në librin e tij ‘The Occult’ jep disa arsye përse horoskopi tërheq kaq shumë njerëz: ‘…njerëzit duan të besojnë dikë apo diçka, duan që jeta e tyre të ketë një qëllim.

Është një përpjekje që bëjnë njerëzit të kontrollojnë të ardhmen…’ Por ai shton se këto parashikime të fatit janë në kundërshtim me fenë. Në fjalën e Zotit jepet ky paralajmërim nga Perëndia: “Në rast se një person u drejtohet parashikuesit të fatit dhemagjistarëve unë do ta kthej fytyrën time kundër tij” (Levitiku 20:5). Një gjë që është e ndaluar nga ligji i Zotit, a mund të jetë e mirë?

Parkeri komenton se ky paralajmërim nuk është dhënë kot. Ai tregon se horoskopi është i rrezikshëm: “Shumë njerëz e lexojnë horoskopin për të qeshur… por ai shpesh herë fillon të ndikojë në mendjen e tyre”. Parker-i tregon histori të ndryshme ku besimi ndaj parashikimeve të fatit ka sjellë pasoja negative tek njerëzit. Populli thotë: “Po u përzieve me krundët, të hanë pulat”

Urtësia e Lashtë

Çdo gjë ka stinën e vet,

çdo situatë ka një kohë nën qiell;

një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur,

një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të shkulur atë që është mbjellë,

një kohë për të shembur dhe një kohë për të ndërtuar,

një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur,

një kohë për të mbajtur zi dhe një kohë për të hedhur valle,

një kohë për të flakur gurët dhe një kohë për të mbledhur gurët,

një kohë për të përqafuar dhe një kohë për të mos përqafuar,

një kohë për të kërkuar dhe një kohë për të humbur,

një kohë për të ruajtur dhe një kohë për të hedhur tutje,

një kohë për të grisur dhe një kohë për të qepur,

një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur,

një kohë për të dashuruar dhe një kohë për të urryer,

një kohë për luftën dhe një kohë për paqen.

Pashë punën që Perëndia u jep bijve të njerëzve. Ai e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën vet; ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre, pa i dhënë mundësinë asnjë njeriu të zbulojë veprën që Perëndia ka bërë nga fillimi deri në fund.

Bibla

Mbarësi të gjithëve!

Fuqia e një pikëpamjeje pozitive

Studimet në këto vitet e fundit kanë treguar se emocionet negative, në përgjithësi, shpesh ndikojnë jo vetëm mbi zemrën por edhe në shumë aspekte të tjera të shëndetit të trupit. Stresi dhe emocionet negative, siç është ankthi dhe depresioni, mund të ndikojnë në shëndetin tonë duke rritur ndjeshmërinë tonë ndaj shqetësimeve të vogla siç është i ftohti dhe atyre të mëdha siç është kanceri.

Perëndia i krijoi trupat tanë me një sistem imunitar të mrekullueshëm. Stresi dhe emocionet negative (si inat, paaftësi për të falur dhe një pikëpamje e pashpresë për jetën) duket se e shtypin aftësinë e sistemit imunitar të trupit për t’iu përgjigjur këtyre kërcënimeve duke na bërë më të ndjeshëm ndaj sëmundjes.

Emocionet pozitive përmirësojnë shëndetin

Nëse emocionet negative pengojnë imunitetin e trupit, a mund të shpresojmë se sigurohet përmirësimi i tij nga emocionet pozitive? Po! Rreth 3000 vjet më parë për ne u shkruajt një vërejtje e tillë: “Një zemër është një ilaç i mirë, por një frymë e dërrmuar i than kockat” (Fjalët e Urta 22:17). E vërteta e këtyre fjalëve mbështetet nga shumë studime shkencore.

Emocionet pozitive ndihmojnë në parandalimin e sëmundjes dhe nëse ndonjëri sëmuret, ato mund të ndihmojnë për të shpejtuar shërimin. Shpesh, ne i referohemi përgjigjes luftuese ndaj sëmundjes si vullnet për të jetuar. Ky vullnet mund të forcohet nga një numër faktorësh. Një nga çelësat është të besosh dhe t’i përkushtohesh një kauze në jetë.

Një numër i madh studimesh shkencore kanë përcaktuar se të kesh bindje dhe vlera të thella personale, mund të bëjë mrekulli për pothuajse çdo aspekt të mirëqenies tënde emocionale dhe fizike. Besimi në Perëndinë mund të të sigurojë një arsye të fortë për të jetuar dhe energji për shëndetin mendor dhe fizik.

Aftësia për të menaxhuar stresin dhe për të ruajtur një pikëpamje të shëndetshme mendore është një nga elementet e nevojshme për shëndet të mirë. Ashtu si Fjalët e Urta 18:14 na thotë: “Fryma e njeriut i jep krahë në sëmundjen e tij, por kush mund ta ngrejë një frymë të demoralizuar?”

Kë do të dëgjoni në 2009-ën?

Miqtë e mi të dashur, a nuk jeni mjaft të lodhur së dëgjuari njerëzit – njerëzit më të ditur, në televizion, në radio, dhe kudo tjetër? Ata janë tepër të zgjuar dhe të zotë për të shprehur pikëpamjet e tyre, dhe ata flasin me një siguri të rrallë, duke pohuar gjëra të cilat nuk mund t’i vërtetojnë apo t’i provojnë.

A nuk po lodheni disi së dëgjuari atë që njerëzit kanë për të thënë? Cila është nevoja më e madhe e botës sot? Nevoja më e madhe e botës sot është kjo: të dëgjojmë Perëndinë. Çfarë ka Perëndia për të thënë? Politikanët nuk e kuptojnë gjendjen e botës sot. Janë përgënjeshtruar të gjitha profecitë e tyre.

Bota është në gjendjen që është sot sepse njeriu në marrëzinë dhe arrogancën e tij u rebelua kundër Perëndisë. Ai e kundërshtoi Perëndinë. Nuk merakosej se ç’i thoshte Perëndia. ‘Ah, kjo është ajo që them unë,’ tha. Dhe ai solli kaos mbi vete. Por Perëndia na ka krijuar, dhe duhet të jetojmë për lavdinë dhe nderin e tij. Deri sa të bëjmë këtë, nuk do të njohim kurrë paqen, lumturinë apo gëzimin.

Kjo ishte analiza e Perëndisë për situatën njerëzore – a jeni gati ta dëgjoni? Zgjidhja e Perëndisë Kjo është diagnoza që bën Perëndia për gjendjen aktuale. Por atje ku çdo gjë tjetër ka dështuar për të siguruar një zgjidhje, Bibla thotë: Perëndia e deshi aq botën, sa dha – një filozof të madh? Një politikan të madh? – dha Birin e tij të vetëmlindurin, Jezusin nga Nazareti, Birin e lavdisë.

Miqtë e mi, a jeni të interesuar për këtë Njeri? A e dini që Perëndia ka ndërhyrë në favor të gjendjes sonë. Të ju flas për Platonin dhe Sokratin? Jo, jo! Kur mund të ju flas për Jezu Krishtin, nuk mund të flas për ta. Pse të flasim për njerëzit kur mund të flasim për Shpëtimtarin? Pajtohuni me Perëndinë Le ta përmbledh shpejt e shpejt.

Nevoja më e madhe e gjithë botës, është të pajtohet me Perëndinë. Të gjitha problemet tona lindin prej faktit që jemi larg Perëndisë. Nevoja më e lartë e njeriut është të hyjë në marrëdhënie të drejta me Perëndinë dhe të bekohet nga Perëndia. Mëkatet e mia qendrojnë midis meje dhe Perëndisë.

Unë nuk i heq dot qafe. Atë që kam bërë, e kam bërë. Edhe sikur të kaloj gjithë jetën në përpjekje për t’i fshirë mëkatet e mia, nuk i fshij dot. Por Perëndia dërgoi Birin e vet, të panjollë, të pastër, i cili nuk kishte shkelur kurrë asnjë pikë të ligjit të Zotit. Perëndia e dërgoi në kryq, dhe ai vuri mëkatet tona mbi të.

Të dashur miqtë e mi, e vetmja mënyrë për t’u pajtuar me Perëndinë është të besosh në Jezu Krishtin. A e dini që Krishti ka vdekur për mëkatet tuaja, ka mbartur dënimin tuaj, fajin tuaj? A e shihni që vetëm ai mund t’ju ndihmojë në jetë, në vdekje, dhe përtej vdekjës? Nëse jo, sigurohuni sot. Kthehu në rrugën e tij. Një predikim mbajtur nga Dr.M L-Jones.

Kënga e Krishtlindjes

Një Natë kur ca barinj të thjeshtë

Mbi tufat bënin rojë,

Një engjëll u afrua

dhe lavdia i rrethoi.

 

Mos kini frikë, tha ai,

Se u tmerruan shumë ata,

“Një lajm të mirë dhe gëzim të madh,

Ju sjell për botën mbarë!”

 

Për ju u lind një Shpëtimtar,

I shtruar në Betlehem,

Jezusi Zoti Perëndi

tek ju si foshnjë vjen.

 

Atëherë bashkë me engjëllin

U dukën plot gëzim,

Shumica engjëjsh

që e lavdëronin Perëndinë.

 

Lavdi në më të lartin qiell,

Dhe paqja qoftë mbi dhe,

Shpëtimi dhe pajtimi sot,

Të gjithë njerëzve.

Përkthyer nga anglishtja,

“While Shepherds watched their flocks by night”,

bazuar mbi Ungjillin Sipas Lukës.

Ungjilli

Kur ishin në Betlehem, Marisë i erdhi koha për të lindur. Dhe ajo lindi djalin e saj të parë, e mbështolli me pelena dhe e shtriu në grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta. Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre.

Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shndriti përreth tyre; e ata i zuri një frikë e madhe. Por engjëlli u tha atyre: “Mos kini frikë, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.

Kjo do të jetë shenjë për ju; do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në një grazhd. Papritur, bashkë me engjëllin u shfaq një ushtri e madhe qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!”

Dhe ndodhi që, ndërsa engjëjt u larguan prej tyre dhe shkuan në qiell, barinjtë flisnin me njëritjetrin: “Të shkojmë atëherë drejt e në Betlehem për të parë ç’ka ndodhur dhe ç’na bëri të ditur Zoti.” Shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë dhe Jozefin, si edhe fëmijën të shtrirë në grazhd.

Kur e panë, ata u treguan të gjithëve çka u ishte thënë atyre për këtë foshnjë. Dhe të gjithë ata që i dëgjuan, mbetën të mrekulluar nga fjalët që u thanë barinjtë. Por Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i bluar në zemrën e vet.

Barinjtë u kthyen duke e ngritur lart e duke lëvduar Perëndinë për gjithçka që dëgjuan e panë, të cilat ishin tamam siç u ishin folur atyre.

Ungjilli Sipas Lukës, Kap. 2

Historia e Bariut të Krishtlindjes

Duhet të filloj duke prezantuar veten time. Nuk jam i sofistikuar si shumë prej jush. Nuk kam shkuar asnjëherë në shkollë. Që në moshë të vogël babai më stërviti në mjeshtërinë e vetme që dinte – të ishte bari. Nuk jam teolog. Sigurisht që prindërit më treguan historitë e të parëve tanë – të atyre burrave dhe grave të mëdhenj të besimit si Abrahami dhe Davidi.

Ne këndonim Psalmet si të gjithë hebrenjtë e mirë dhe, me raste, shkonim në sinagogë për të dëgjuar mësimin e ligjit. Por nuk përziheshim shumë me të tjerët. Jo se ne ishim kundër shoqërimit. Por për shkak se ruajtja e bagëtive nuk ishte një punë që vlerësohej shumë. Mjafton të them se njerëzit na shikonin me përçmim.

Qëndrimi i drejtuesve fetarë ndaj nesh më inatoste. Unë isha pjesë e një grupi barinjsh që rrisnin qengjat që përdoreshin për flijime në tempullin e Zotit. Ne punonim me zell për të rritur ato dele. Zgjidhnim qengjat meshkuj më të mirë për priftërinjtë. Ata nuk kishin njolla apo të meta. Asnjëherë nuk veçonim dele të verbra ose të gjymtuara.

Ne kuptonim se Perëndia meritonte më të mirën, prandaj ia jepnim ato. Njerëzit fetarë nuk i vinin re përpjekjet tona. Ne nuk i ndiqnim festat aq me përpikmëri sa ata. Kishim dëshirë, por nuk ishte e mundur. Për shkak se punonim aq shumë nuk ishte e mundur që të ishim të pranishëm në të gjitha ritet fetare. Pra, ata që e konsideronin veten njerëz të shenjtë na përbuznin.

Fillova të pyesja veten nëse edhe Perëndia vepronte po kështu. Ai mendim u fashit përgjithmonë nga mendja ime natën kur engjëlli u shfaq. E di që do të duket si çmenduri, por ndodhi me të vërtetë. Shpresoj që ndryshe nga bashkfshatarët e mi, ju do të më besoni në dëshminë që do të ndaj . . .

Ndodhi një natë vonë kur sa kishte filluar dimri. E mbaj mend mirë stinën, sepse në atë kohë bien shirat në vendin tonë. Të gjithë barinjtë kishin mbledhur delet së bashku në një lëndinë jashtë Betlehemit. Disa nga burrat flinin ndërsa të tjerët bisedonin, tregonin histori ose i binin fyejve të tyre. Një heshtje e çuditshme ra mbi njerëzit dhe kafshët.

Ata që po pushonin u zgjuan njëri pas tjetrit nga delet e tyre. Në një çast të vetëm një figurë e stërmadhe si e një njeriu u bë e dukshme pranë deleve. Rrobat e tij ishin shumë të bardha, si borë, por veçse më të shkëlqyeshme. Atë që ndodhi më pas e kam të vështirë ta përshkruaj edhe sot, shumë vite pasi ndodhi. Më ishte ngritur çdo qime e trupit.

Para se ndonjë prej nesh mund të reagonte ndaj vizitorit tonë të papritur, diçka si një dritë e fortë shkëlqeu rreth nesh. Nuk ishte ndonjë lloj drite tokësore, sepse nuk na i verbonte sytë. Drita ishte e pastër dhe e gjallë. Mund ta ndieja tek përshkonte trupin tim deri në thellësitë e shpirtit. U hutova nga fuqia e kësaj drite dhe brenda saj ndieva një prani të shenjtë.

Dëshiroja të vrapoja dhe të fshihesha. Ndihesha sikur isha i zhveshur dhe i frikësuar. Nuk e dija çfarë do të kisha bërë sikur engjëlli të mos kishte folur. Ngrohtësia e paqes mbushi zemrën time kur ai tha: “Mos ki frikë. Të sjell lajm të mirë prej gëzimi të madh që do të jetë për të gjithë njerëzit.” Perëndia kishte një mesazh për ne, për të gjithë botën.

Ai nuk kishte ardhur të na gjykonte, por të na zbulonte lajmin e mirë. Pastaj engjëlli foli për qëllimin e shfaqjes së tij. Ai tha: “Sot në qytetin e Davidit ka lindur për ju një shpëtimtar; ai është Krishti i Zotit”. Populli ynë kishte qenë duke e pritur këtë çast. Koha erdhi dhe Perëndia na lajmëroi ne – barinjtë në fushë.

Engjëlli e mbylli mesazhin e tij duke thënë: “Kjo do të jetë shenja për ju: do të gjeni një foshnjë të mbështjellë me pelena dhe të shtrirë në një grazhd”. Nuk kishte ndonjë gjë të pazakontë për pjesën e parë të shenjës. Të gjitha nënat e mira i mbështillnin foshnjat e tyre me pelena në ato kohë. Ishte metoda që përdorej për të mbajtur ngrohtë të sapolindurin dhe t’i mbronin gjymtyrët e tyre.

Pjesa e dytë e shenjës ishte një enigmë. Krishti kishte lindur dhe gjendej në një grazhdë? Shpëtimtari i vajosur i Perëndisë po fle në një shtrat me kashtë? Nuk e kuptoja, por i mora fjalët e tij si të sigurta. Akoma nuk e kisha marrë veten kur, papritur, aq sa sytë mund të shihnin, u shfaq një numër i madh engjëjsh.

Duhet të kenë qenë mijëra, të ndritshëm si një vetëtimë dhe me një zë ata thërrisnin: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta dhe paqe njerëzve mbi tokë mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij”. Do t’i kisha parë gjithë natën sikur të mos ishin zhdukur aq shpejt nga vështrimi im. Kur ne e morëm veten, u shfaq drita e parë e agimit.

Pothuajse menjëherë ramë dakort që të shkonim të gjenim këtë fëmijën Krisht. Ne që bëmë udhëtimin për në Betlehem atë mëngjes gjetëm gjithçka ashtu si tha engjëlli. Ishte foshnja, i mbështjellë dhe i lidhur ngrohtë, duke fjetur i qetë në stallë. Nëna e re më tha se emri i foshnjes ishte Jezus. Një emër i zakonshëm, por që do të thotë “Perëndia shpëton”.

U habita kur mësova se asnjë nga udhëheqësit fetarë nuk i kishte vizituar. Jeruzalemi ishte vetëm gjashtë kilometra larg. Ku ishin priftërinjtë dhe njerëzit e mirë fetarë? Më vonë mësova se asnjë prej tyre nuk kishte ardhur. Ne e rrethuam foshnjën për pak kohë. Kur ishte e qartë se nëna dhe fëmija kërkonin të flinin ne u kthyem te delet tona.

Brenda një nate gjithçka ndryshoi te unë. Dyshimet e mia ia lanë vendin besimit, mërzitja gëzimit. U ktheva në punën time me një siguri që unë kisha pjesë në qëllimet e Zotit. Edhe pas gjithë këtyre vjetëve, në mendjen time ende qëndron pyetja: përse? Përse Perëndia m’u shfaq mua? Përse ia dha lajmin e lindjes së Birit të tij një grupi barinjsh?

Më duket se ne ishim pjesë e një skice më të madhe atë natë. Përse Mesia të lindte në një grazhd dhe jo në një pallat si lindi biri i Çezarit? Përse Maria e lindi Shpëtimtarin në një qytet të vogël si Betlehemi dhe jo në qytetin e shenjtë, Jeruzalem? E vetmja përgjigje që kisha ishte: Perëndia iu shfaqet atyre që janë të përulur sa duhet për ta pranuar atë.

Diçka që thanë ata engjëj ngulitet në mendjen time. Ata këndonin: “Lavdi Perëndisë në vendet shumë të larta dhe paqe në tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij”. Engjëjt premtuan paqe me lindjen e atij fëmije. Lloji i paqes për të cilën po flisnin engjëjt ishte një paqe me Perëndinë.

Ka paqe kur di se pavërsisht në ç’luginë të errët duhet të ecësh Perëndia është përsëri atje, si një bari me delet e tij. Ai është atje edhe kur ne nuk mund ta shohim atë dhe ai po na drejton në shtegun e qëllimit të tij. Kjo është paqe e vërtetë dhe u vjen atyre që Perëndia i përkrah. Ai përkrah ata që janë të përulur. Ai përkrah ata që e kuptojnë që kanë nevojë për të.

Ai përkrah ata që i besojnë fjalës së tij. Ashtu siç thashë më parë, nuk jam një teolog. Nuk jam i arsimuar. Në sytë e botës jam askush. Por jo për Zotin. Kur ai zgjodhi kohën për të dërguar Birin e tij të vetëm në tokë, ai ma tha mua, një bariu. Unë jam një provë se nuk duhet të jesh i veçantë që Perëndia të të shfaqet. Vetëm se duhet të jesh i përulur sa duhet për ta pranuar atë.

E krijuar nga A.B. E bazuar te Ungjilli i Lukës kap.2

Një mësues u tregon fëmijëve për festën …

Një mësues, dikur foli në një mbrëmje të shkollës me rastin e krishtlindjes. Ai filloi duke u tërhequr fëmijëve vëmendjen tek një grumbull sendesh në një tavolinë. “Të gjitha gjërat në këtë grumbull,” ai u tha, “janë gjëra që na kujtojnë për krishtlindjen.”

Në majë të grumbullit ishte një stoli dhe një copë letre vezulluese. “Këto na kujtojnë pemën e krishtlindjes.” Menjëherë poshtë tyre në grumbull ishte një shkop karameleje. “Kush mund të festojë krishtlindjen pa këto?” pyeti ai me buzëqeshje.

Një nga një ai kaloi përmes grumbullit, duke hequr sendet. Dhe ai u kërkoi fëmijëve, që për çdo send që ai të ngrinte lart, ata të thirrnin se çfarë ishte: biskotat e krishtlindjes, një plak i Vitit të Ri, drerë, një njeri prej dëbore, drita për pemën, letra me shumë ngjyra për të mbështjellë dhuratat, shiritat dhe fjongot, dhurata të madhësive të ndryshme.

Madje kishte edhe një slitë të vogël me zile. “Jingle Bells,” thirrën fëmijët plot entuziazëm. Kur mësuesi iu afrua fundit të grumbullit, ai mbuloi gojën me dorë, sikur të ishte i habitur, dhe thirri, “Doni të shikoni këtë? Çfarë kemi këtu?” Ndërsa fëmijët u shtynë duke rrethuar tavolinën, mësuesi u tërhoq anash që të gjithë të mund të shihnin.

Atje, në fund fare të grumbullit, sendi i fundit që kishte ngelur për t’u parë ishte piktura e një bebi në një grazhd. Ajo ishte mbuluar nën të gjitha sendet e tjera. “Si mendoni ju për këtë?” pyeti mësuesi. “A duhej të rrinte kështu bebi Jezus, në fund të grumbullit?” “Jo,” u përgjigjën ata. “Ai duhej të rrinte në majë!” “Po pse?” mësuesi donte të dinte.

“Sepse krishtlindja është ditëlindja e Jezusit!” thanë ata njëzëri. Tani ishte koha që mësuesi të shpjegonte. “Fëmijë, të gjitha gjërat në këtë grumbull mund të na sjellin shumë kënaqësi. Por ne duhet të ruhemi që të mos mbulojnë dhe fshehim Jezusin sepse pa fëmijën e shenjtë Jezus, nuk ka krishtlindje.

Gëzimi i vërtetë i krishtlindjes është fakti që Jezu Krishti ka lindur për ne dhe që ai u bë shpëtimtari ynë, duke dhënë jetën e tij për mëkatet tona. Pa të, këto gjërat e tjera nuk kanë vlerë.”

Mrekullitë e Krishtlindjes

Fjala ‘mrekulli’ është mënyra më e mirë për të përshkruar historinë e Krishtlindjes. Në fakt, kishte disa mrekulli që përbënin Krishtlindjen e parë.

Mrekullia e Nënës së Virgjër

Është një mrekulli, sigurisht, që Maria, nëna e Krishtit, ishte e virgjër. Bibla e shenjtë është shumë e qartë. Një engjëll i Zotit, i quajtur Gabriel, i njoftoi Marisë se ajo do të ishte nëna e Krishtit, se biri i saj do të quhej Biri i më të Lartit dhe se ky bir do të ngjizej në të jo me anë të mënyrave njerëzore por nëpërmjet Frymës së Shenjtë të Perëndisë. Krishtlindja ka të bëjë me mrekullinë e nënës së virgjër.

Mrekullia e ëndrrës së Jozefit

Është një mrekulli gjithashtu që Jozefi e besoi Marinë. Është e vështirë për një burrë që të kuptojë se si e fejuara mund të jetë shtatzënë pa të. Por edhe Jozefin e vizitoi gjithashtu një engjëll i cili i tha atij se djali do të quhej Jezus, sepse ai do të shpëtonte popullin e tij nga mëkatet e tyre. Kujdesi i vazhdueshëm i Jozefit për Marinë dhe fëmijën e saj është një mrekulli.

Mrekullia e Bethlehemit

Është një lloj mrekullie që ai lindi në Betlehem (vendi që u parashikua nga profetët për lindjen e Krishtit). Prindërit e tij, për më tepër, ishin banorë të Nazaretit, katër ditë udhëtim për në veri. E vetmja gjë që shkaktoi këtë udhëtim në momentin e fundit është urdhri nga August Çezari që të gjithë të shkonin në vendlindjen e të parëve për regjistrim.

Përderisa Jozefi ishte pasaardhës i drejtpërdrejtë i Mbretit David, ai u kthye në qytetin ku mbreti David kishte lindur. “Dhe ti, Bethlehem, tokë në Jude, nuk je aspak më e parëndësishmja ndër princat e Judesë, sepse nga ti do të dalë një udhëheqës, që do të kullotë popullin tim, Izraelin” (Mateu 2:2-4; që citon nga Mikea 5:2).

Mrekullia e engjëjve lajmëtarë

Është mrekulli që në natën kur lindi Jezusi, barinjtë panë një vizion engjëjsh në qiell. Jo vetëm që panë këta engjëj, por ata i sigurojnë barinjtë se shpëtimtari i premtuar kishte lindur në Bethlehem. “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.

Dhe kjo do t’ju vlelë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellë me pelena, të shtrirë në një grazhd” (Lluka 2:10-12” “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!” (Lluka 2:14)

Mrekullia e yllit

Është mrekulli që, kur foshnja Jezus lindi, ylli i tij shkëlqeu fort në qiellin e dimrit. Kjo ndodhi në mënyrë që dijetarët nga Lindja ta shihnin atë dhe ta kuptonin se ai shënonte lindjen e mbretit të judenjve. Është një mrekulli që këta dijetarë dhe shërbëtorët e tyre udhëtuan mbi kurrizin e deveve afërsisht 1600 km për të parë Fëmijën.

Që ata të sillnin ar, temjan dhe mirrë. Që ylli i drejtoi ata pikërisht te shtëpia ku familja e shenjtë po jetonte. Që këta princa të pasur të bien me fytyrë mbi dyshemenë e ndotur para Fëmijës së vogël. Këto janë mrekullitë e yllit.

Mrekullia i mishërimit

Mrekullia më e madhe e Krishtlindjes është se ky i porsalindur është Zoti që hyri në botën tonë. Apostulli Pal e shpreh në këtë mënyrë: “[Jezu Krishti] i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit” (Filipianëve 2:6-7).

Është një mrekulli mahnitëse, një mrekulli që i habiti shumë kohë më parë si Marinë ashtu edhe Jozefin, pjesëmarrës në këtë mrekulli. Dhe në këtë foshnje të sapolindur shohim mrekullinë e mrekullive. Ne madje e dimë qëllimin e kësaj mrekullie të mishërimit.

Engjëlli i kishte thënë Jozefit: “Ti do t’i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre” (Mateu 1:21). Historia e Krishtilindjes vazhdon pas Bethlehemit. Kjo foshnjë rritet për t’u bërë burrë dhe natën para se të tradhtohej ai mori bukën, e bekoi atë dhe thotë se është mishi i tij. Ai mori verën e bekoi dhe thotë se është gjaku i tij. Dhe pikërisht të nesërmen mishi i tij u shpua dhe gjaku i tij u derdh për të na shpëtuar ne nga mëkatet tona.

Kush ishte?

A i lindi në një fshat të panjohur, fëmija i një gruaje fshatare. Në moshën tridhjetë vjeçare ai shpalli që ishte Mesia dhe filloi të predikonte. Në moshën 33 vjeçare, ai u gozhdua në kryq midis dy hajdutëve. Ai nuk shkroi asnjë libër. Ai nuk mbajti asnjë pozitë shtetërore. Ai nuk kishte shtëpinë e vet.

Ai nuk vazhdoi shkollë të lartë. Ai nuk bëri asnjë vizitë në një qytet të madh. Ai nuk udhëtoi asnjëherë më shumë se treqind kilometra larg vendlindjes. Ai nuk bëri asnjë nga gjërat që shoqërojnë zakonisht madhësinë e njeriut. Ndërsa ai po vdiste, ata që e kryqëzuan hodhën short për rrobat e tij, të cilat ishin e vetmja pronë që ai kishte mbi tokë.

Pasi vdiq, ai u shtri në një varr të marrë hua, nga mëshira e një miku. Njëzet shekuj kanë ardhur dhe ikur, dhe sot ai është figura kryesore e njerëzimit. Të gjithë gjeneralët që kanë luftuar ndonjëherë, të gjithë mbretërit që kanë mbretëruar ndonjëherë, të gjithë filozofët që kanë folur ndonjëherë nuk e kanë prekur jetën e njeruit aq sa ajo jetë e vetme unike.

Tek personi i Jezus Krishtit, ne kemi një njeri aq të veçantë, sa jeta e tij nuk mund të shpjegohet nëpërmjet proçeseve natyrore. Personi dhe jeta e tij refuzojnë shpjegimet natyrore. Statusi unik i Jezus Krishtit na paraqet prova, që ky Njeri nuk është vetëm i veçantë, por Shpëtimtari i botës.

Krishtlindja nëpër botë

Është e mahnitshme të vëzhgosh mënyrat e shumta e të ndryshme të festimit të lindjes së Krishtit në gjithë botën. Ja disa shembuj.

Groenlanda

Në fshatrat e eskimezëve polarë, familjeve u pëlqen të vizitojnë njëritjetrin dhe të bëjnë mbrëmje. Ata pinë kafe dhe hanë torta dhe shkëmbejnë dhurata të mbështjella bukur. Dhuratat tradicionale janë modele të slitave, një palë dhëmbë elefanti deti të lustruara apo doreza të bëra prej lëkurë foke.

Të gjithë në fshat marrin nga një dhuratë dhe fëmijët shkojnë nga një kasolle në tjetrën duke kënduar këngë. Pemët e Krishtlindjes duhet të importohen, sepse nuk rritet asnjë pemë aq larg sa është Groenlanda. Pas kafes, tortave dhe këngëve për Krishtlindje, ata hanë një ushqim të veçantë të quajtur ‘mattak’, (lëkurë balene me një shtresë dhjami brenda).

Supozohet që të ketë shijen e një arre kokosi të freskët, por është tepër e fortë për t’u përtypur prandaj, zakonisht, kapërdihet. Në natën e Krishtlindjes është traditë që burrat t’u shërbejnë kafe grave. Pas ushqimit të Krishtlindjes vijnë lojrat.

Franca

Krishtlindja në Francë quhet Noel. Në prag të Krishtlindjes njerëzit hanë një vakt festiv të quajtur révellion, një darkë në mesnatë që mund të përmbajë goca deti, sallam, proshutë të pjekur, mish shpendësh, fruta, ëmbëlsira dhe verë. Njerëzit hanë një bûche de noöl, një ëmbëlsirë e pjekur në formën e një trungu që mbulohet me krem çokollate i cili pasi ngrin duket si lëvore druri.

Fëmijët i vendosin këpucët e tyre para oxhakut në pragun e Krishtlindjes që Pere Noöl (Babagjyshi i Krishtlindjes) t’i mbushë me dhurata, por dita tradicionale e shkëmbimit të dhuratave është dita e Vitit të Ri. Në Francën veriore fëmijët i marrin dhuratat më 6 dhjetor, dita kur festohet Shën Nikolasi.

Kina

Në Republikën Popullore të Kinës 25 dhjetori nuk është një festë e ligjshme. Krishtërimi nuk njihet zyrtarisht nga qeveria kineze; megjithatë, kohët e fundit ka patur një rritje të festimeve të Krishtlindjes në vend, sepse vlerësohet se numri i të krishterëve në Kinë është rritur deri në 91 milionë.

Shumë të krishterë kinezë e festojnë Krishtlindjen në fshehtësi, në kishat e ‘nëndheshme’. Ata e festojnë gjithashtu këtë festë duke bërë pemë artificiale, të quajtura pemë të dritës, dhe duke i zbukuruar ato me shirita, lule, drita dhe zbukurime të tjera.

Bethlehem, Izrael

Në dhjetor, Bethlehemi, qyteti i lindjes së Jezusit, shndërrohet në një qytet plot ngjyra dhe gjallëri. Qyteti ndizet nga flamujt dhe zbukurimet çdo vit. Me mijra të krishterë nga e gjithë bota mblidhen në Bethlehem për të qenë dëshmitarë të festimit të përvitshëm në Kishën e Lindjes.

Në pragun e Krishtlindjes, njerëzit dynden në hyrjet e kishës dhe qëndrojnë në çati për të parë proçesionin dramatik të përvitshëm te shpella e ngushtë e cila mendohet të jetë vendlindja e Krishtit.

Sidni

Për shkak se Australia është në hemisferën e jugut, atje Krishtlindja bie gjatë verës. Mund të shikosh njerëz të veshur me bluza me mëngë të shkurtra duke bërë piknik në plazh gjatë Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Përveç zbukurimit me degë të gjelbra dhe pemë të Krishtlindjes, australianët dhe zelandezët i zbukurojnë shtëpitë e tyre me lule dhe bimë të tjera të stinës së verës. Australianët mblidhen në festivale të mëdhenj për të kënduar këngë Krishtlindjeje nën dritën e qirinjve.

Norvegjia

Dita kryesore e festimit në Norvegji, si në pjesën më të madhe të Evropës veriore, është 24 dhjetori. Edhe pse me ligj është një ditë e rregullt pune deri në orën 16:00, pjesa më e madhe e dyqaneve mbyllen herët. Këmbanat e kishave bien në festivalin e Krishtlindjes mbasdite dhe, pas kësaj, shumë njerëz ndjekin shërbesën në kishë.

Në disa familje lexohet historia e Krishtlindjes nga ungjilli sipas Llukës nga Bibla e vjetër që i përket familjes. Ushqimi kryesor i Krishtlindjes shërbehet në mbrëmje. Pjatat kryesore të zakonshme përfshijnë brinjë derri, “pinnekjøtt” (copa brinje derri të pjekura mbi degë mështekne) dhe në disa zona kokë deleje e djegur.

Bollgur orizi është gjithashtu shumë i përdorur (por që zakonisht shërbehet të nesërmen dhe jo për darkën kryesore të Krishtlindjes), një bajame fshihet shpesh në bollgur dhe personi që e gjen atë fiton një qerasje ose dhuratë të vogël.

India

Të krishterët në Indi e festojnë Krishtlindjen duke zbukuruar pemët e Krishtlindjes, duke shpërndarë kartolina dhe duke shkëmbyer dhurata. Shërbëtorët pranojnë bakshish nga punëdhënësit e tyre. Pastaj shërbëtorët i japin një limon kreut të shtëpisë mëngjesin e Krishtlindjes si simbol i vlerësimit që kanë ndaj tij.

Meditim- Një dritë në errësirë

Një artist po pikturonte një peisazh dimëror. Dëbora mbulonte tokën dhe pishat. Nata po afrohej, dhe peisazhi ishte i mbështjellë nga muzgu. Një kasolle prej druri mezi dukej në hije. E gjithë skena ishte plot zymtësi. Atëherë artisti përdori disa ngjyra të verdha për të vënë ndriçimin e gëzuar të një llambe në një nga dritaret e kasolles.

Ajo dritë e vetme, e cila lëshonte rreze të arta që reflektoheshin në dëborë, transformoi krejtësisht përshtypjen e lënë nga piktura. Në krahasim me errësirën e ftohtë të pyllit që e rrethonte, ajo dritë në dritare krijoi një ndjenjë të ngrohtë sigurie.

Ajo që ndodhi mbi atë kanavasë është një portretizim i spikatur i asaj që ndodhi mbi kanavasën e historisë para 2000 vjetësh. Kur Jezu Krishti lindi në ahur në Betlehem, një dritë u vendos në këtë botë të ftohtë dhe të errësuar nga mëkati.

Apostulli Gjon dëshmoi: “Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve”. Gjatë kësaj kohe, ndërsa festojmë lindjen e Krishtit, le të kujtojmë se sa më e çelët është kjo botë sepse ai hyri në të. Jezu Krishti deklaroi, “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës”.

A ka ardhur drita e Jezu Krishtit në jetën tuaj?