Vallë a ka ndonjë kontradiktë mes besimit te mjeku dhe besimit te Zoti?

Ka një përqindje të madhe njerëzish, edhe të atyre që janë të sëmurë, që nuk tregojnë kujdesin e duhur për shëndetin e vet. Një doktor familjeje tregon për fatalizmin e disa pacientëve të shprehur me fjalën që përsëritet shpesh: “Do të bëhet ç’është e shkruar!”

Në këto raste duket qartë se njeriu kërkon të largojë përgjegjësinë për shëndetin e tij në një drejtim tjetër. Shqetësues gjithashtu është qëndrimi i disa rrymave fetare që nënvlerësojnë rolin e mjekësisë për kurimin e të sëmurit.

Një rast konkret është ai i Dëshmitarëve të Jehovait që kanë përhapur idenë se është gabim të bësh transfuzion gjaku. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur ndjekësit e tyre kanë humbur jetën si rezultati i kësaj bindjeje. Bibla, burimi i krishterimit, tregon për mrekullitë e shërimit që ka kryer Jezus Krishti.

Megjithatë, vihet re se mësimet e Biblës nuk hedhin poshtë rëndësinë e mjekësisë, por, përkundrazi, i japin një vend asaj. Vetë Jezus Krishti tregoi historinë e mirëbërësit samaritan që mjekoi plagët e një të plagosuri dhe përfundoi tregimin duke shqiptuar fjalët: “bëni edhe ju kështu”.

Gjithashtu, ka disa pjesë të Biblës ku mbështetet përdorimi i mjeteve mjekuese për të sëmurin. Duhet pranuar se këndvështrimi i Biblës ishte shumë i vlefshëm në një kohë kur shumica e njerëzve jetonin me mendime të prapambetura të paganizmit dhe besonin gabimisht te magjia.

Si përfundim, pyetja: “A ka ndonjë kontradiktë mes besimit te mjeku dhe besimit te Zoti?” merr këtë përgjigje: Besimi te mjeku dhe te Zoti nuk është kontradiktor, ata plotësojnë njëri-tjetrin.

Siç u shpreh një doktor i famshëm: “Edhe aftësitë e mia si doktor, intelekti, arsyetimi, si dhe ilaçet që ne përdorim, burojnë që të gjitha nga Perëndia, i cili i ka krijuar të gjitha gjërat”.

Pra, ai që i lutet Zotit dhe ai që i drejtohet mjekut, janë që të dy në dorën e Perëndisë.

Të shkuarit në kishë, të zgjat jetën

Kërkimet e reja mbështesin rëndësinë e besimit për shëndetin e njeriut

Ky ka qenë përfundimi i një artikulli botuar në revistën ndërkombëtare “Newsweek” duke pasqyruar një debat që është zhvilluar në faqet e botimeve shkencore prestigjioze. Pikërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atje ku gjendet shërbimi mjekësor më i përparuar në botë, vihet re një rritje interesi nga autoritetet mjekësore për rëndësinë e të besuarit në Perëndinë për shëndetin e pacientit.

I sponsorizuar nga Instituti Kombëtar Amerikan Për Shëndetin, Dr. L. Powell shqyrtoi me kujdes 150 studime shkencore që trajtojnë lidhjen midis besimit dhe shëndetit. Rezultatet tregojnë qartë për një jetëgjatësi më të madhe tek ata njerëz që shkojnë në kishë.

Sipas studimit, ata që frekuentojnë rregullisht kishën, jetojnë mesatarisht 8 vjet më shumë se ata që nuk marrin pjesë asnjëherë në shërbesat kishtare. Studiues të ndryshëm pyesin: Cila është arsyeja për këtë fenomen? A mund t’i shpjegojmë këto rezultate vetëm duke iu referuar mënyrës së jetesës së atyre që janë besimtarë (d.m.th. faktit që ata nuk abuzojnë me duhanin ose me alkoolin), apo ekziston ndonjë faktor tjetër?

Shumë studiues mendojnë që gjendja shpirtërore është po aq e rëndësishme sa mënyra e jetesës për shëndetin e trupit. Nga studimet e bëra kohët e fundit ka të dhëna, të cilat tregojnë se ata që i luten Perëndisë e marrin veten më shpejt nga një sëmundje e rëndë që kanë kaluar, sesa ata që nuk besojnë. Dr. Andrew Newberg, mjek neurolog, kërkimet e tij i kryen pranë Universitetit të Pensilvanisë.

Duke folur për situatën e tanishme në ShBA, ai thotë: “Ka pasur një ndryshim tepër të dukshëm në qëndrimin e profesionit mjekësor ndaj këtyre gjërave” – dhe vazhdon: “Njerëz si unë janë shumë të interesuar për ato që po shikojmë”. Jo vetëm në ShBA, por edhe në Evropë pikëpamjet e doktorëve po pësojnë ndryshime.

Dr. Girard, një mjek që punon në afërsi të Parisit, rrëfen se para 20 vjetësh nuk merrje asnjë mësim për besimin dhe gjendjen shpirtërore të njeriut në shkollat mjekësore të vendit, dhe shton: “Por tani po marrin parasysh gjithë qenien e njeriut, dhe shkollat mjekësore po pranojnë me përulje kufijtë e mjekësisë”.

Frekuentimi i Kishës      Mosha e vdekjes

Aspak                                           75

Nganjëherë                                 80

Shpesh                                         82

Shumë shpesh                            83

E bazuar mbi studimi shkencor i popullsisë amerikane.

Kisha Ungjillore

Çfarë u mësojmë fëmijëve?

  1. Ne i mësojmë fëmijët që i ka krijuar Zoti dhe që jeta e tyre është shumë e vlefshme.
  2. Ne i mësojmë fëmijët që Zoti nuk bën dallim por ka dashuri për çdo fëmijë.
  3. Ne i mësojmë fëmijët të duan familjen sepse Zoti është ai që e krijoi familjen.
  4. Ne i mësojmë fëmijët të lexojnë Biblën sepse ajo është fjala e Perëndisë.
  5. Ne i mësojmë fëmijët të mos vjedhin, të mos gënjejnë dhe të mos zihen sepse këto janë mëkate.
  6. Ne i mësojmë fëmijët të kërkojnë falje kur bëjnë gabime, sepse kështu na mëson Krishti.
  7. Ne i mësojmë fëmijët të falin të tjerët, sepse kështu na mëson Krishti.
  8. Ne i mësojmë fëmijët të luten për familjen e tyre, për shokët e tyre dhe për vendin e tyre.
  9. Ne i mësojmë fëmijët për Jezus Krishtin, sepse ai është shpëtimtari i botës, dhe i fëmijëve.
  10. Ne i mësojmë fëmijët që ekziston një qiell sepse kështu ka predikuar kisha për 2000 vjet duke u bazuar në fjalët e vetë Jezu Krishtit. Besimi në ekzistencën e qiellit jo vetëm që nuk është e dëmshme, por përkundrazi i jep shpresë fëmijës që jeta e tij në këtë botë ka një qëllim edhe që Zoti po kujdest për të nga lart.
  11. Ne i mësojmë fëmijët ngaqë Jezus Krishti na tha: “Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos i ndaloni sepse e të tillëve është mbretëria e Perëndisë”.

Vepra arti të dëmtuara

Një grua e cila restauron piktura të çmuara thotë që shumë vepra arti që duken të dëmtuar jashtë mundësive të restaurimit mund të shpëtohen nga ana e një eksperti.

Rebecca McLain u ka kthyer ngjyra dhe jetë pikturave të prishura me bojë vaji, duke hequr me kujdes pisllëqet dhe vernikun që i ka dalë ngjyra. Por ajo ka parë edhe dëmin që bëhet kur njerëzit tentojnë të pastrojnë veprat e tyre të artit që janë bërë pisë, duke përdorur solucionet për të pastruar furrat, ose pudrat gërryese.

Çfarë këshillon ajo? Nëse e vlerëson veprën e artit, çoje tek një ekspert i zotë për ta restauruar. E njëjta nevojë ndihet në jetët e përdhosura nga mëkati. Përpjekjet tona për të hequr qafe fajin dhe njollosjen e veprimeve dhe qëndrimeve të mëkatshme, përfundojnë shpeshherë në zhgënjim dhe dëshpërim.

Duke u përpjekur ta heqim qafe fajin, shpesh herë fajësojmë të tjerët. Në rast tjetër, dorëzohemi, me bindjen që nuk mund të ndryshojmë dot. Por ka një ekspert i cili mund të restaurojë madje njeriun më të dëmtuar dhe të përdhosur. Shumë jetë të thyera janë riparuar nga ana e tij.

Kur bëhet fjala për restaurimin e shpirtrave, vetëm Jezu Krishti mund të na ndihmojë. Jezusi tha: ‘Fryma e Zotit është mbi mua . . . ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer’.

Zëvendësi im

Nga Sir J. Simpson, mjek dhe shpikës i kloroformit

Kur isha student në universitet pashë një pamje të cilën kurrë s’mund ta harroj – një njeri qe po e çonin në vdekje. Duart e tij ishin të lidhura dhe të futura në pranga, fytyra e tij ishte e zbardhur krejt. Kur doli nga burgu mijëra sy ishin fiksuar mbi të.

Vallë a ofroi ndonjë nga njerëzit të vdiste në vend të tij? Vallë a doli ndonjë nga miqtë e tij përpara dhe të thoshte, “Ma vini mua litarin në grykë, se unë do të vdes në vend të tij?” Jo! Ai u ndëshkua sipas ligjit. Për shume padije? Jo; për një padije.

Kishte vjedhur çantën e të hollave të postes. Theu ligjin, prandaj humbi jetën. Pashë edhe një pamje tjetër të cilën kurrë s’do ta harroj – parashikova veten time një fajtor duke qendruar në Ditën e Gjykimit dhe duke merituar kurrgjë veçse dënimin.

Për një faj? Jo; por për shumë e shumë mekate të bëra kundër ligjeve të Zotit. Ligji i Zotit kërkon një zbatim të plotë, që unë nuk e kisha bërë dhe tani si fajtor prisja dënimin e Perëndisë. Por pashë një skenë tjetër, që ndryshon gjithçka, sepse Jezus Krishti u bë zëvendesi im.

Ai vetë mbajti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit. Ai vdiq në kryq në vendin tim. Ai pësoi për fajet tona, i drejti për të padrejtët, që të na çoi te Perëndia. Dëshiroj t’ju flas juve për këtë Shpëtimtar, sepse: “nuk ka shpëtim në asnjë emër tjetër.”

Zoti vonon por nuk harron…

E marrë prej asaj që është konsideruar predikimi më i rëndësishëm në historinë e Amerikës, predikuar nga Jonathan Edwards-i, dijetar i njohur amerikan.

Zemërimi i Perëndisë është si ujëra të mëdha që janë të bllokuara për të tashmen; rriten gjithnjë e më shumë, dhe ngrihen gjithnjë e më lart, derisa t’u jepet rrugëdalja; dhe sa më gjatë ndalohet rrjedha, aq më e shpejtë dhe e fuqishme është ecja e saj, kur të lëshohet.

Është e vërtetë se gjykimi kundër veprave tuaja të këqija s’është realizuar deri sot; janë përmbajtur përmbytjet e hakmarrjes së Perëndisë; por ndërkohë po rritet vazhdimisht fajësia juaj, dhe çdo ditë po grumbulloni më shumë inat; po ngrihen vazhdimisht ujërat, dhe bëhen gjithnjë e më të fuqishme; dhe s’ka veç mëshirës së Perëndisë, që i përmban ujërat që s’duan të ndalohen dhe shtyjnë përpara me të madhe.

Në qoftë se Perëndia ta hiqte dorën nga portat, menjëherë do të hapeshin me vrull, edhe përmbytjet e zjarrta të egërsisë dhe të zemërimit të Perëndisë do të turreshin përpara me një furi të pakonceptueshme, dhe do të vinin mbi ju me një forcë të plotfuqishme; dhe nëse forca juaj ishte dhjetë mijë herë më e madhe se ç’është, kjo s’do t’jua vlente fare për të duruar ose të qëndruar kundër atij.

“Ai që nuk beson tashmë është dënuar”

Ungjilli sipas Gjonit, kap 3

A të janë falur mëkatet?

Ti e di në zemrën tënde se je mëkatar – që ke rënë poshtë standardeve të Perëndisë në mendime, në fjalë dhe në vepra. Prandaj ti e di që nëse në ditën e fundit mëkatet e tua nuk të janë falur, patjetër do të dënohesh përjetësisht.

Tani është lavdia e besimit që Ai ofron pikërisht atë falje për të cilën ke nevojë – një falje të plotë, falas dhe të përjetshme. Kjo falje është blerë për ne nga Zoti Jezu Krisht, kur ai erdhi në botë për t’u bërë Shpëtimtari ynë, dhe jetoi, vdiq dhe u ringjall si zëvendësi ynë.

Por, ndonëse kjo falje vjen krejtësisht falas, ajo nuk na jepet automatikisht. Nuk e merr dot thjesht duke vajtur në një kishë të krishterë, madje as duke u anëtarësuar në një kishë. Është diçka të cilën secili duhet ta rrokë për veten e tij nëpërmjet ushtrimit të besimit personal.

Në qoftë se nuk e përvetëson nëpërmjet besimit, atëherë për sa të përket ty Krishti po aq mirë mund të mos ketë vdekur. Besimi është thjesht një përbesim i përulur dhe i sinqertë tek Zoti Jezus për të të shpëtuar. Të gjithë ata të cilët i besojnë atij pranohen dhe falen menjëherë, por pa këtë besim nuk ka aspak falje.

Kështu pra e shihni se nuk mjafton vetëm t’i dish faktet për Zotin Jezu Krisht. Ti e di që ai është Shpëtimtari i njerëzve, por vallë a është Shpëtimtari juaj? A e di se mëkatet e tua janë falur? J. Ryle

“Po të themi se jemi pa mëkat, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne. Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi”. Dhiata e Re

LIGJI I ZOTIT

Si duhet të veprosh:

Nderojini babanë dhe nënën tuaj.

Mos vrisni.

Mos bëni tradhti bashkëshortore.

Mos vidhni.

Mos bëni dëshmi të rreme.

Mos lakmoni pronën e tjetrit.

(Libri i Eksodit kap. 30)

Bie alarmi për sëmundjen e rrezikshme

Jepet alarmi për shfaqjen e një sëmundje tepër të rrezikshme. Me gjithë masat e marra ajo ka arritur të përhapet në të gjitha vendet e botës. Edhe megjithëse sëmundje është shumë e rrezikshme, shumë institucione po tregohen indiferent ndaj saj. Kjo sëmundje shfaqet në shumë mënyra. Shenjat e saj të parë janë egoizmi, lakmia dhe inati.

Ka simptoma të tjera që janë më të dukshme. Ato vihen re te sjellja dhe në fjalorin e personit të infektuar. Kjo nuk është një sëmundje e re. Në kohët e mëparshme e quanin këtë lloj sëmundje ‘mëkat’ dhe mbartësi i atij ‘mëkatar’. Sot përdoren terma të tjera, shpesh herë më të buta.

Bibla e përskhruan gjendjën e të infektuarit: “Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, imoraliteti, vrasjet, vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, egoizmi, budallallëku.” Mëkati është një sëmundje që sjell dhimbje. Në fillim ajo mund të sjellë kënaqësi por fundin e ka gjithnjë të hidhur.

Mëkati dëmton jo vetëm të sëmurin, por edhe personat përreth. Mëkati prish familjen, ndan shokët dhe sjell shkatërrim. Viktimat e tij kanë qenë më tepër në numër sesa nga gjithë sëmundjet e tjera. Sipas analizave të bëra mëkati është një sëmundje që ka prekur çdo njeri në botë. Të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, që të gjithë pa përjashtim.

Ndoshta në pamjen e jashtme ti dukesh mirë dhe njerëzit nuk kanë vënë re, por para Perëndisë cila është gjendje e zemrës tënde? Po të të thoshte një kardiolog se ti e kishë zemrën në një gjendje të rëndë, do të ishte budallallëk të mos i vije veshin. Por si reagon ndaj diagnozës së Perëndisë për zemrën tënde? A e merr seriozisht? A të shqetëson?

Apo vallë kjo sëmundje të ka prekur jo vetëm zemrën por mendjen tënde gjithashtu? Një nga problemet e hasur te njerëzit që vuajnë nga zemra është ajo e ndonjë damari të bllokuar. Për të korrigjuar këtë difekt kirurgu duhet të marrë një damar nga një pjesë tjetër e trupit dhe ta përdorë për të krijuar një bypass në zemër duke e bërë të mundur një lëvizje të lirshme të gjakut.

Por në raste kur zemra është në një gjendje tepër të rënduar zgjidhja e fundit mbetet jo vetëm një ndërhyrje kirurgjikale, por një transplant zemre. Zemra e dëmtuar zëvendësohet me një zemër të re. Në të njëjtën mënyrë duhet vepruar me njeriun shpirtërisht. Duhet një ndërhyrje për të ndryshuar zemrën e tij të infektuar nga mëkati me një të re.

Fjala e Zotit thotë: “Unë do t’ju jap një zemër të re. Unë do të largoj zemrën prej guri dhe do t’ju jap një zemër prej mishi.” Receta: Pendohu dhe drejtohu tek doktori i shpirtrave. Jezus Krishti tha: “Unë kam ardhur jo për të shëndetshmit, por për ata që janë të sëmurë dhe që kanë nëvojë për mjekun”.

Fjalë të arta

Unë jam Perëndia dhe s’ka asnjë tjetër; jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua, që shpall fundin në fillim, dhe shumë kohë më parë gjerat që ende nuk janë bërë. Isaia kap.46

Mos u mburr me ditën e nesërme, sepse nuk di atë që mund të sjellë një ditë. Fjalët e Urta kap.27

Kujtoni krijuesin tend në ditët e rinisë. Predikuesi kap.12

Besnike janë plagët e një shoku, dhe të rreme të puthurat e një armiku. Fjalët e Urta kap.27

Krenaria e zemrës sate të ka mashtruar. Abdia kap.1

Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet. Galatasve kap.6

Do të kenë të mirën ata që kanë frikë nga Perëndia. Fjalët e Urta kap.8

Çfarë kuptimi ka Pashka për ju?

Besimtarë të ndryshëm japin mendimin e tyre:

Pashka ka kuptim të rëndësishëm për të krishterët në të gjithë botën. Ajo përfaqëson kuptimin e vërtetë të Krishterimit. Roberti

Shumë njerëz dhe në fakt edhe vetë natyra festojnë ripërtëritjen përmes pranverës dhe unë jam e gëzuar që e festojmë Pashkën në këtë kohë se Krishti ishte përmbushje e krijimit të Perëndisë. Ana

Pashka është një kohë kur mendoj seriozisht se përse jetoj sot, përse kam shpresë pavarësisht nga rrëmuja që gjendet në këtë botë dhe se çfarë duhet të jetë vërtetë e rëndësishme në jetën time. Vuajtja, vdekja dhe ringjallja e Krishtit më kujtojnë se Perëndia është Perëndi i dashurisë. Mira

Si besimtar, Pashka për mua ka kuptimin se nuk mund të kem frikë nga vdekja, sepse e di se Jezus Krishti e ka mundur vdekjen dhe është ngritur përsëri. Adriani

Dikush mund të zgjedhë ta shohë atë si një përrallë. Por është një fakt historik se një njeri të mirë e tallën dhe e keqtrajtuan. E megjithatë ai predikoi për faljen dhe shpresën kur e kryqëzuan në kryq. Këtë kuptim ka Pashka për mua. Maria

Pashka është më shumë se vezë prej çokollate. Është një kohë për të kujtuar se Jezusi vdiq dhe u ngrit prej së vdekurish. Bledari

Pashka për mua do të thotë të kujtoj se Jezus Krishti dha jetën e tij për mua në mënyrë që unë të pranohem prej Perëndisë. Nuk e di se si do të jetoja pa shpresën që jep ai. Aliu

Vdekja dhe ringjallja e Krishtit ndërtojnë të vetmen shpresë për njerëzimin . . . mundësia jonë e vetme në një marrëdhënie me Perëndinë dhe i vetmi shteg për në jetën e përjetshme. A mund të ketë diçka më të rëndësishme se kjo? Fatosi

Historia e Thomait sipas Ungjillit

Dita e parë e javës, ndërsa dyert e vendit ku qenë mbledhur dishepujt ishin të mbyllura nga frika e Judenjve, erdhi Jezusi dhe u prezantua në mes tyre dhe u tha atyre: “Paqja me ju!” Dhe, si i tha këto, u tregoi atyre duart e veta dhe brinjën. Dishepujt pra, kur e panë Zotin, u gëzuan.

Pastaj Jezusi u tha atyre përsëri: “Paqja me ju! Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju”. Dhe, si tha këto fjalë, hukati mbi ta dhe tha: “Merrni Frymën e Shenjtë! Kujt do t’ia falni mëkatet, do t’i jenë falur, kujt do t`ia mbani, do t’i jenë mbajtur”.

Por Thomai, i quajtur Binjaku, një nga të dymbëdhjetët, nuk ishte me ta kur erdhi Jezusi. Dishepujt e tjerë, pra, i thanë: “Kemi parë Zotin”. Por ai u tha atyre: “Po nuk e pashë në duart e tij shenjën e gozhdave, dhe po nuk e vura gishtin tim te shenja e gozhdëve dhe dorën time në brinjën e tij, unë nuk do të besoj”.

Dhe tetë ditë më vonë, dishepujt ishin përsëri në shtëpi dhe Thomai ishte me ta. Jezusi erdhi, ndonëse dyert ishin të mby-llura, dhe u prezantua midis tyre dhe tha: “Paqja me ju!”. Pastaj i tha Thomait: “Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; shtrije edhe dorën dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues, por besues!”.

Atëherë Thomai u përgjigj dhe i tha: “Zoti im dhe Perëndia im!”. Jezusi i tha: “Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!”.

Ungjilli sipas Gjonit, kap 20.

UNË JAM THOMAI, DYSHIMTARI

Një këndvështrim për Pashkët

Ai kishte ikur. Zoti im, iku. Të gjitha planet tona u shkatërruan. Të gjitha shpresat tona u thyen. Ai u gozhdua në një kryq dhe vdiq. Atëherë e ulën dhe e vunë trupin e Tij në një varr. Gjithçka mori fund. Unë jam Thomai, një nga të dymbëdhjetët. Unë isha i përkushtuar ndaj Tij. Besoja tek Ai.

Në fakt, isha gati të vdisja për Të. Kur erdhi lajmi që shoku i Tij Llazar kishte vdekur, Jezusi na tha se do të shkonte në Betani ku banonte familja e tij. Por kjo do të ishte e rrezikshme; armiqtë e Tij do të ishin afër, dhe ata që donin vdekjen e Jezusit mund të gjenin rastin e duhur.

Kështu, nuk doja ta lija të shkonte vetëm dhe shkova bashkë me Të, edhe pse kjo mund të më kishte çuar në rrezik. Tani, sigurisht, mbaj mend mësimet e Tij. Tani e kuptoj që Ai po na thoshte që kjo do të ndodhte. Por në atë kohë, asnjëri prej nesh nuk e shihte dot. Ai tha se do të ikte për të përgatitur një vend për ne.

Ne nuk e dinim se çfarë po thoshte. E pyeta, “Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon, kështu si mund ta dimë rrugën?” Nuk po dyshoja; vetëm se nuk e kuptoja. Kur e zunë dhe e kryqëzuan ne u arratisëm. Kishim frikë për jetën tonë. Besonim që kryepriftërinjtë ose ushtarët romakë do të ndiqnin pastaj dishepujt e Tij.

Prandaj u fshehëm në shtëpi të ndryshme në Jeruzalem për dy ditë. Të dielën në mëngjes Pjetri, Gjoni dhe disa prej grave shkuan tek varri. Ata u kthyen duke thënë se varri ishte bosh, dhe duke pretenduar që Jezusi ishte ringjallur nga të vdekurit. Atë natë të gjithë u mblodhën fshehtazi, dhe më vonë më treguan që Jezusi i vizitoi dhe pastaj u zhduk.

Por unë thjesht nuk e besoja dot. Një i vdekur nga një varr, i gjallë? M’u kujtua që Llazari doli nga varri. Por Llazari nuk u shfaq dhe u zhduk në mënyrë misterioze. Jo, u thashë, vetëm nëse mund të vendosja duart në plagën e gozhdëve në dorën e Tij, të shihja dhe të prekja atë të çarë të tmerrshme në anën e tij, të shikoja me sytë e mi dhe të prekja me duart e mia dhe të kisha provën që Ai ishte i gjallë, ndryshe nuk mund ta besoja dot.

Dishepujt e tjerë ende ngulën këmbë që e kishin parë të gjallë. Dy prej tyre treguan që ai kishte ecur me ta gjatë rrugës për në Emaus. Por nuk mund të besoja pa e parë vetë unë. Duhej që ta shihja vetë. Unë isha zëri i dyshimit. Një javë më vonë të gjithë u mblodhëm në të njëjtën dhomë ku të tjerët thoshin se e kishin parë më parë. Papritmas, Ai u shfaq.

Jezusi u shfaq në mesin tonë. E dija që Ai nuk kishte hyrë përmes derës. Dera ishte kyçur ngaqë kishim frikë. Ai na përshëndeti. Atëherë m’u drejtua mua. Zemra më rrihte fort. Sytë e tij më vështruan drejtpërdrejt në sy. Ai shtriu duart dhe foli emrin tim. “Thoma, vëre gishtin këtu në duart e Mia. Vëre dorën në këtë plagë në anën Time dhe mos dysho, por beso!”

Ai e dinte se si kisha dyshuar. E dinte tamam ç’kisha thënë. Kisha thënë se nuk do të besoja përveçse po të shihja plagën e gozhdëve në duart e Tij. Ai tha, “Ja duart e Mia.” U kisha thënë dishepujve që nuk mund të besoja, vetëm nëse mund të vija gishtin në ato plagë gozhdësh. Ai më tha, “Vëre gishtin këtu.” Kisha thënë që nuk do të besoj përveçse nëse mund të vija dorën në anën e Tij.

Ai më tha, “Vëre dorën këtu në anën Time.” Edhe pashë ato shenja. Shenjat e ushtarëve dhe kryepriftërinjve. Shenjat e njerëzve që e refuzuan, e përçmuan, e keqpërdorën mizorisht. Ato ishin shenjat e njerëzve të cilët nuk donin të besonin. Edhe unë isha bërë njeri që nuk donte të besonte. Rashë në gjunjë dhe i thashë, “Perëndia im dhe Zoti im.”

Po ju? Gjithsecilit prej jush që dyshon që Jezusi është i gjallë, gjithsecilit që dyshon nëse Ai është Zoti i ringjallur dhe i gjallë, gjithsecilit prej jush që dyshon nëse Ai është shpëtimtari, unë po ju them, mos dyshoni më, por besoni. Ai më qortoi me butësi ndërsa të tjerët vështronin.

Ai tha që unë kam besuar sepse kam parë, por Ai tha që një bekim akoma më i madh do të vinte mbi ata të cilët nuk kanë parë si unë e prapë besojnë.

I adaptuar nga Ungjilli sipas Gjonit.

Pas 2000 vjetësh akoma në rritje

Besimi ndaj Jezus Krishti vazhdon të përhapet nëpër botë

Evropa dhe perëndimi konsiderojnë veten qendra e krishtërimit, por ka prova që kjo nuk është më e vërtetë. Sot, më shumë se gjysëm e të krishterëve jetojnë në Afrikë, Amerikën Latine ose Azi. Tani më shumë njerëz venë në kishë në Afrikë sesa në Evropë.

Krishterimi po rritet shpejt në hemisferën jugore dhe në Azi. “Shkalla e rritjes së krishterë është pothuaj e paimagjinueshme,” tha Dr. Philip Jenkins, profesor i shquar i Historisë dhe Studimeve Fetare në Universitetin Penn State. Ajo që shumë studiues kanë lënë në harresë është rritja e mahnitshme e krishtërimit. Jenkins shokoi disa nga elita e Amerikës me librin e tij të mirëpritur me titull Ardhja e Krishterimit Global.

Jenkins arsyeton që lëvizja më e madhe e shekullit të kaluar nuk ishte as komunizmi as kapitalizmi. Sipas llogaritjeve, fitimtar del krishtërimi. Në 1900, ishin rreth 10 milionë të krishterë në Afrikë, pra rreth 10 përqind të popullsisë. Sot ka 360 milionë, pra gati gjysma e popullsisë.

“Ky është një nga ndryshimet më të rëndësishme në historinë fetare, dhe mendoj që shumica prej nesh nuk e vunë re aspak,” thotë Jenkins. Shumë njerëz ende nuk e kanë vënë re. Sa herë që skandali ose polemika i bie kishës perëndimore, media ka prirje ta trajtojë sikur të ishte ndonjë krizë mbarëbotërore e besimit fetar. Por kjo nuk është aspak krizë për kishat e botës në zhvillim.

Shumica prej tyre nuk shtrëngohen nga debate për homoseksualitetin ose abortin – ky është një problem për perëndimorët të cilët nuk besojnë Biblën. “Bibla është e gjallë në Afrikë dhe Azi dhe Amerikën Latine,” tha Jenkins. “Në masën më të madhe, ai lloj krishterimi që po ecën përpara në botë sot është shumë i përqëndruar tek Bibla, dmth e merr Biblën shumë seriozisht.”

Në Kinë ka rreth 80 milionë të krishterë, sipas ish-korrespondentit të revistës Time, David Aikman, i cili parashikon që Kina do të jetë një komb kryesisht i krishterë brenda 20-30 vjetësh. Ai nuk parashikon një shumicë të krishterë, por një Kinë e cila është 25 deri 30 përqind e krishterë.

Mjaft, thotë ai, për të ndikuar mbi moralin e shoqërisë dhe në politikat e qeverisë. Vende që dikur dërgonin misionar në botë tani po marrin misionar nga Afrika dhe Asia. Peshkopi kenian Gilbert Dya ka një nga kishat më të mëdha në Londër. “Perëndia më dërgoi këtu në Britaninë e Madhe për t’i bërë të ditur që duhet të pendohen dhe të kthehen tek Zoti,” tha ai.

Fitorja e Pashkës

Vdekja është armiku ynë më i madh dhe i ka mundur të gjithë njerëzit përveç Krishtit. Asnjë nuk është aq i zgjuar sa t’ia hedhë vdekjes, nuk është aq i pasur sa të blejë lirinë nga vdekja apo aq i fortë sa ta nënshtrojë atë. Varri fiton gjithmonë dhe çdo njeri, herët a vonë, i kthehet pluhurit.

Njerëzit më të mëdhenj e më të shenjtë, kanë vdekur. Buda, Muhamedi, Zorasteri, Konfuci, Çezari, Marksi, njerëz që, në njëfare mënyre, patën një ndikim themelor në botë, kanë vdekur të gjithë. Por Jezus Krishti është i gjallë! Është e vërtetë se ai vdiq dhe u varros, por ndryshe nga njerëzit e tjerë, ai u ringjall prej së vdekurish dhe doli nga varri i gjallë përgjithmonë!

Kjo ishte mrekullia më e madhe dhe mund të arrihej vetëm nëse Jezusi është vërtet Zot, ashtu siç kishte pohuar edhe ai vet. Ringjallja trupore e Jezus Krishtit është prova kurorëzuese e krishterimit. Asgjë nga ato që thanë ose kryen Krishti dhe apostujt, nuk ka aq shumë rëndësi sa ringjallja.

Nëse Jezusi nga Nazareti nuk u ngrit vërtet prej së vdekurish, atëherë ai nuk është ndryshe nga njerëzit e tjerë të mëdhenj që, gjithashtu, kanë vdekur.

Nëse ringjallja nuk ndodhi, atëherë krishterimi është një besim i rremë.

Nëse ndodhi, atëherë Krishti është Zot dhe besimi i krishterë është një e vërtetë e padiskutueshme. Pa ringjalljen, kisha e krishterë sigurisht që nuk do të ekzistonte. Pas vdekjes poshtëruese të Zotërisë së tyre, dishepujt ishin mjaft të çorientuar dhe të frikësuar për jetët e tyre.

Nuk ishte e mundur që, në këto rrethana, ata të mund të vazhdonin si mësues të doktrinës së Jezusit dhe aq më pak që të tjerët të bindeshin për t’i ndjekur ata.

Thomas Arnold, më parë Profesor i Historisë në Rugby dhe Oxford, një nga historianët më të mëdhenj të botës, shkruan: “Nuk di ndonjë fakt tjetër në historinë e njerëzimit që të jetë provuar përmes ndonjë evidence më të mirë dhe më të plotë për t’u kuptuar nga një kërkues i drejtë, sesa shenja e madhe që Perëndia na ka dhënë se Krishti vdiq dhe u ngrit prej së vdekurish”.