Historia e vërtetë- “PËRJETËSI”

Fjala “Përjetësi” ka shtatëdhjetë vjet që i ka mahnitur banorët e Sidneit. Një ditë, fjala “Eternity” (Përjetësi), e shkruajtur me një shkrim të stilit të vjetër dhe të bukur filloi të shkruhej me shkumës në trotuaret e Sidneit. Kush vallë po e shkruante dhe pse? Për shumë vjet askush nuk e dinte. Njeriu përgjegjës nuk donte që të njihej. Ai vepronte në mënyrë anonime.

Për një dekadë këto shenja: “Përjetësi”, shastisën Sidnein. Ato ishin një enigmë. Gazetat e Sidneit shkruan për të, hamendësuan se kush ishte autori, dhe disa njerëz hynë në redaksitë e gazetave dhe shpallën, secili, se ishin autori. Njeriu i vërtetë rrinte në heshtje. Misteri u zgjidh nga një Lisle Thomson.

Një natë, Lisle pa një burrë duke nxjerrë lapsin e tij me ngjyrë dhe duke shkruar fjalën e famshme “Përjetësi” në trotuar. Shkrimtari nuk e dinte se po vëzhgohej. Thompson i tha: “A jeni ju z. Përjetësi?” Artur Stajsë iu përgjigj: “Më kape, zotëri”. Arturi shëtiste nëpër të gjitha rrugët e Sidneit.

Ndërsa ecte, nganjëherë ai ndalonte, nxirrte një shkumës të madh, përkulej dhe shkruante mbi trotuar me gërmat e mëdha dhe elegante të stilit të vjetër dhe të bukur “PËRJETËSI”. Atëherë ai ecte njëqind metra poshtë dhe e shkruante përsëri, “PËRJETËSI”, asgjë më tepër, vetëm një fjalë e thjeshtë.

Për tridhjetë e shtatë vjet ai e shkroi me shkumës këtë predikim me një fjalë, dhe e shkruajti më shumë se 500.000 herë. Ç’kuptim kishte Përjetësia për Arturin? Kohë pa mbarim? Një botë tjetër? Përsosmëria? Vendi i Perëndisë? Çfarë e ka shtyrë atë ta shkruante një gjysmë milionë herë nëpër një qytet në skaj të dheut? Historia e Arthur Stace Artur Stajsë ka lindur në një lagje të varfër në Balmain.

I ati dhe e ëma ishin që të dy pijanecë. Edhe dy motrat dhe dy vëllezërit gjithashtu ishin pijanecë, ata e kaluan në burg një pjesë të madhe të jetës së tyre. Stajsi flinte mbi qeska në shtëpi, dhe kur prindërit e tij ishin të pirë, ai duhej të kujdesej për veten. Ai vidhte qumësht nga pragjet e dyerve të shtëpive të të tjerëve, nxirrte copëza ushqimesh nga plehrat dhe vidhte torta dhe karamele nga dyqanet.

Ishte pothuajse i pashkolluar; aq sa kjo ra në sy të shërbimeve sociale. Në moshën 12 vjeçare, i mitur, ai kaloi nën përgjegjësinë e shtetit. Kjo nuk e ndihmoi shumë. Në moshën 14 vjeç ai filloi punën e parë: në një minierë qymyrguri. Ai kishte filluar të pinte më parë në shtëpi, ndaj si të tjerët në familje ai u bë pijanec endacak dhe jetoi në një mjegull alkooli.

Në burg për herë të parë u fut në moshën 15- vjeçare, dhe pas kësaj kjo ndodhi rregullisht. Gjatë Luftës Botërore shkoi ushtar në batalionin e 19-të, dhe u kthye në shtëpi i helmuar me gaz dhe gjysmëqorr nga një sy. Ai filloi huqet e tij të vjetra. Alkoolizmi i tij ishte aq i skajshëm, sa mendja filloi t’i ikte dhe rrezikonte të bëhej një pacient i përhershëm i spitalit psikiatrik.

Kthesa Një natë, Arturi shkoi në një kishë që u shërbente të varfërve të qytetit për të marrë ushqime falas, por, së pari, u detyrua të dëgjonte predikimin. Duke vënë re gjashtë njerëz të veshur fisshëm afër kreut të sallës (që dalloheshin qartë nga shumica e të pranishmëve), ai pyeti burrin që i ishte ulur pranë, një kriminel i njohur: “Kush janë këta?”

“Mendoj se janë besimtarë të krishterë,” iu përgjigj ai.

Arturi tha: “E pra, shikojini ata dhe na shikoni ne. Unë do përpiqem të marr atë që kanë ata,” – dhe ra në gjunjë e u lut. Kjo nuk ishte ndonjë ngjarje e madhe në pamje të parë, por pas kësaj ai zbuloi se ishte në gjendje të hiqte dorë nga pija dhe tha: “Ndërsa rifitova vetërespektin, njerëzit u treguan më zemërmirë ndaj meje”. Kështu ai arriti të gjente dhe punë të qëndrueshme.

Disa muaj më vonë, në një kishë Baptiste, ai dëgjoi një predikues të quajtur John Ridley. Ridley kishte fituar nderin e Kryqit Ushtarak nga Lufta e Parë Botërore dhe ishte një predikues i zjarrtë. Ridley bërtiti: “Sikur të mund të bërtisja ‘PËRJETËSI’ nëpër rrugët e Sidneit!”.

Arturi duke kujtuar atë ditë, tha: “Ai përsëriti veten dhe vazhdoi të bërtiste ‘PËRJETËSI, PËRJETËSI’, dhe fjalët e tij po kumbonin në trurin tim kur dola nga kisha. Papritmas fillova të qaja dhe ndjeva një thirrje të fuqishme nga Zoti për të shkruar “PËRJETËSI”.

Në xhep kisha një copë shkumës, u përkula dhe e shkruajta. Është e çuditshme, se para se të shkruaja, mezi dija të shkruaja emrin tim. Unë isha pa arsim, nuk mund të kisha shkruar “PËRJETËSI”, edhe sikur të më jepeshin 100 stërlina. Por kjo fjalë doli pa gabime, me një shkrim të bukur të stilit të vjetër. Nuk e kuptoja dot, as sot nuk e kuptoj”. Arturi vdiq në moshën 83 vjeçare.

Trupin e tij ia la Universitetit të Sidneit, në mënyrë që çmimi i shitjes të jepej për bamirësi. Mbetjet e tij u varrosën më në fund në Varrezën Botany, më shumë se dy vjet më vonë. Disa njerëz sugjeruan që qyteti të vendoste një pllakë në kujtim të tij.

Disa thanë: “Më mirë se pllakat, paratë le t’i harxhojmë për shtigje të mira ku mund të ecet”. Por më në fund Arthur Stace e mori pllakën e tij. Kjo ndodhi dhjetë vjet pas vdekjes së tij, falë arkitektit të Sheshit Sidnei. Ai vendosi fjalën “PËRJETËSI” në alumin të derdhur, pranë ujëvarës së Sheshit Sidnei.

Gazeta “Sydney Morning Herald” shkroi: “Me gërma gati 21cm të larta është mesazhi i famshëm ‘PËRJETËSI’, shkruar me një stil të vjetër dhe të bukur. Ky predikim njëfjalësh, i punuar me alumin, shkëlqen. Nuk ka dallueshmëri të tepërt. Nuk ka paraqitje që të vret syrin.

Vetëm fjala e thjeshtë ‘PËRJETËSI’ ashtu siç do ta donte Arturi.” Në festimet e Vitit të Ri në Sidnei në vitin 2000 fjala PËRJETËSI u vendos me gërma 20-metërshe në strukturën më të dukshme të qytetit.

Viti i Ri nënkupton shumë gjëra…

Viti i Ri nënkupton shumë gjëra për njerëz të ndryshëm. Për disa është një kohë për të harxhuar para, për të tjerë një kohë për të ngrënë dhe për të pirë dhe për të tjerë një kohë për të udhëtuar. Po për ju ç’nënkupton Viti i Ri? A do ta bëni Vitin e Ri . . .

Një Kohë Falënderimi

Viti i Ri është një kohë e mirë për të kujtuar gjërat e mira të këtij viti të kaluar. Është një rast i mirë për të falënderuar ata që janë treguar zemërmirë ndaj nesh ose kanë bërë ndonjë të mirë për ne. Ka disa njerëz të cilët nuk dinë të thonë “Faleminderit”. Mos jini një prej tyre. Madje mos harroni të falënderoni dhe Perëndinë. Në fund të fundit, të gjitha gjërat e mira vijnë prej tij.

Një Kohë Dhurimi

Viti i Ri është një rast i mirë për t’u dhënë të tjerëve. Është diçka e gëzueshme të japësh. Bëjeni Vitin e Ri të veçantë nëpërmjet dhuratave për të tjerët. Shumica e njerëzve u japin vetëm atyre nga të cilët marrin dhurata. Pse të mos i japësh diçka dikujt më pak të bekuar se ti?

Një Kohë Për Të Falur

Viti i Ri është një kohë e mirë për të falur të tjerët. Disa njerëz kalojnë nga viti në vit duke mbledhur urrejtje dhe hidhërim kundër atyre që u kanë bërë keq. Perëndia na tregon durim çdo ditë. Ai ishte gati të dërgonte Birin e tij në një botë të mëkatshme dhe të humbur për të na hapur një rrugë faljeje. Atëherë, a nuk do të falim ne të tjerët? Dhe a nuk do t’i kërkojmë Perëndisë të na i falë fajet tona?

Një Kohë Ndryshimi

Në Vitin e Ri ndodh që njerëzit të marrin vendime për të ndryshuar jetën e tyre. Eksperienca na tregon që nuk kemi shumë fuqi për të ndryshuar veten – e sidomos që të përmirësohemi! Pse ndodh kjo, që marrim vendime për Vitin e Ri por i shkelim brenda muajit të parë të vitit të ri?

Disa thonë që ty të mungon vullneti i fortë. Në fakt të gjithë njerëzve u mungon vullneti për të mbajtur të gjitha vendimet e marra, përveç atyre më të thjeshtave. Fjala e Perëndisë na thotë që nuk jemi në gjendje të bëjmë të mirën sepse jemi mëkatarë.

Në fakt, Bibla deklaron që ne kemi lindur të tillë. Natyrisht, këto ide nuk janë të pëlqyera nga shumë njerëz. Njerëzit preferojnë të besojnë që ne lindim të pafajshëm dhe madje të virtytshëm, dhe prishemi nga shoqëria, prindërit ose të rritur të tjerë, ndërsa rritemi.

Por, nëse mundohesh të bësh një jetë të ndershme, do të zbuloni që nuk ka “fuqi” në vullnetin tuaj. Vetëm nëpërmjet besimit në Jezus Krishtit ne mund të plotësojmë vullnetin e Perëndisë në jetën tonë.

Ai është burimi i të gjithë fuqisë.

Në vitin 2008 dy vite të rinj

Data 1 Janar është dita e parë e vitit në kalendarin gregorian (atë që përdorim në Shqipëri). Por nuk është Viti i Ri për të gjithë.

Viti i Ri kinez ndodh çdo vit, në një hënë të re, gjatë dimrit. Data e saktë mund të bjerë nga 21 Janari deri në 21 Shkurt. Çdo vit simbolizohet nga një prej dymbëdhjetë kafshëve dhe një prej pesë elementeve, ku kombinimet e kafshëve dhe elementeve (ose kërcejve) qarkullojnë çdo gjashtëdhjetë vjet.

Rosh Hashanah është Viti i Ri hebre. Është një festë që ndodh 163 ditë pas Pashkës.

Ndërkohë, në Indi besimtarët hindu festojnë Vitin e Ri menjëherë pas festës Divali.

Viti i Ri tajlandez festohet nga 13 Prilli deri në 15 Maj duke hedhur ujë.

Dhe Viti i Ri i Bengalit, i quajtur “Poila Baisakh”, festohet në një kohë të ngjashme (në 14 ose 15 Prill) si në Bangladesh ashtu dhe në Bengalin Perëndimor.

Mund të përmendnim edhe Vitin e Ri etiopas, Timkat, i cili festohet në 11 Shtator.

Myslimanët festojnë Vitin e Ri në 1 Muharram. Duke qenë se kalendari mysliman mbështetet në 12 muaj hënorë të cilët përmbajnë rreth 354 ditë, data e kësaj feste është më e herët çdo vit në kalendarin shqiptar (gregorian).

Në vitin 2008 do të ketë dy Vite të Rinj myslimanë.

Historia e Këngës më të famshme të Krishtlindjes

Në qoftë se vizitoni një kishë gjatë krishtlindjeve ka shumë mundësi që do të dëgjoni këngën “Natë e Qetë” të kënduar nga besimtarët shqiptarë. Para 190 vjetësh kënga e krishtlindjeve “Stille Nacht! Heilige Nacht” u dëgjua për herë të parë në një kishë në një fshat të Austrisë. Atë prag krishtlindjeje lindi një këngë e cila do të çante rrugën duke hyrë në zemrat e njerëzve nëpër botë.

Tashmë e përkthyer në qindra gjuhë, ajo këndohet nga miliona njerëz çdo dhjetor, në kishat nga më të voglat, në katedralet e mëdha. Ajo është pa dyshim kënga më e famshme e krishtlindjes në botë. Fjalët gjermane për gjashtë strofat origjinale që ne e njohim si “Natë e Qetë, Natë e Shenjtë” u shkruan nga Joseph Mohr në 1816, kur ai ishte një prift i ri, i caktuar në një kishë në Mariapfarr të Austrisë.

Më 24 Dhjetor 1818 Joseph Mohr udhëtoi në shtëpinë e muzikantmësuesit Franz Gruber. Ai ia tregoi poemën shokut të tij dhe i kërkoi t’i shtonte një melodi dhe harmoni për kitarë, që të këndohej në shërbesën e mesnatës në kishë. Nuk dihet arsyeja që ai kishte për të dashur një këngë të re.

Disa hamendësojnë që organoja nuk punonte; të tjerët mendojnë që ndihmëspastori, i cili pëlqente tej mase muzikën e kitarës, donte thjesht një këngë të re për krishtlindje. Atë mbrëmje, ndërsa të dy burrat, të mbështetur nga kori, qëndruan në Kishën e Shën Nikollit dhe kënduan “Stille Nacht! Heilige Nacht!” për herë të parë, ata nuk mund të kishin imagjinuar ndikimin që vepra e tyre do të kishte në botë.

Një ndërtues dhe riparues mjeshtër i organove, udhëtoi në Oberndorf për të punuar me organon. Gjatë kohës që po punonte në kishë, ai siguroi një kopje të veprës dhe e mori me vete në shtëpi. Kështu, kënga filloi udhëtimin rreth botës. Joseph Bletzacher, këngatari i Operës së Oborrit Mbretëror nga Hanoveri, raportoi që në vitet 1840, kënga ishte tashmë e njohur në një pjesë të madhe të Gjermanisë.

“Në Berlin,” thotë ai, “ajo u popullorizua në mënyrë të veçantë nga Kori Mbretëror i Katedrales. Në fakt ajo u bë kënga e preferuar e krishtlindjes e Mbretit Frederik Uilliam IV të Prusisë, i cili kërkonte që Kori i Katedrales t’ia këndonte çdo vit gjatë sezonit të krishtlindjeve.” Kur kënga ishte bërë e famshme nëpër Evropë, krijimtari Joseph Mohr kishte vdekur dhe kompozitori ishte i panjohur.

Ndonëse Franz Gruber u shkroi autoriteteve muzikore në Berlin duke thënë që ai ishte kompozitori, melodia ishte supozuar në kohë të ndryshme se ishte vepër e Hajdenit, Moxartit ose Betovenit dhe këto mendime vazhduan të qarkullonin madje edhe në shek. XX. Polemika u shua vetëm para gjashtë vjetësh kur një kopje origjinale i këngës “Stille Nacht” në dorëshkrimin e Joseph Mohr u vërtetua.

Në cepin e saj, Mohr shkroi, “Melodie von Fr. Xav. Gruber.” Varri i priftit Joseph Mohr ndodhet në një pikë të vogël skijimi në Alpe, të quajtur Vagrain. Ai lindi në një familje të varfër në Salzburg në 1792 dhe vdiq i varfër në Vagrain në 1848, ku ai ishte caktuar si pastor i kishës.

Ai kishte dhuruar të gjitha përfitimet e tij që të përdoreshin për përkujdesjen e pleqve dhe për arsimin e fëmijëve në atë vend. Përkujtimi i tij nga qytetarët është Shkolla “Joseph Mohr” e ndodhur pak metra larg varrit të tij. Ndoshta kjo është pjesë e mrekullisë së këngës “Natë e Qetë.”

Fjalët rrodhën nga imagjinata e një pastori modest të sapokualifikuar. Muzika u kompozua nga një muzikant i cili nuk njihej jashtë fshatit të tij. Nuk ka patur ndonjë yll që të këndonte në interpretimin e saj të parë. Megjithatë, mesazhi i saj i fuqishëm i paqes qiellore ka kaluar të gjithë kufijtë dhe pengesat gjuhësore, duke pushtuar zemrat e njerëzve kudo.

Burim: Bill Egan, Historian i Krishtlindjeve, dhe përfaqësues i Organizatës Turistike Austriake

Natë E Qetë, Natë E Shenjtë

Natë e qetë, natë e shenjtë

Që u lind foshnjë e shenjtë

Rreth fëmijës o At qiellor

Ndriçon drita e yllit tënd

Fli i qetë o Krisht,

Fli i qetë o Krisht.

Natë e qetë, natë e shenjtë

Dhe barinjtë gjunjëzojnë

Para mbretit të qiellit mbi dhe.

Ylli i ndriçimit nga lindja vjen

Ditë e shenjtë po vjen,

Ditë e shenjtë po vjen.

Natë e qetë, natë e shenjtë

Ditë e re po ndriçon

Nga fytyra jote, o Krisht,

Vjen shpëtimi për botën lirisht,

Shpëtimtari u lind,

Shpëtimtari u lind.

Supriza e Krishtlindjes

Lufta e një doktori me ndërgjegjen e tij

Po merrja pjesë në darkën spitalore me rastin e krishtlindjeve, një rast ky që i ngjante një feste madhështore në kishë… një dritë e madhe blu në fund të dhomës u ndez shumë ngadalë, duke mbuluar pemën e krishtlindjes dalëngadalë me shkëlqim që vinte edhe bëhej gjithnjë e më të çelët, deri sa gati u ndez flakë çdo stoli.

Në anën tjetër të skenës një perde u hoq gradualisht dhe ne pamë tre muzikantë të rinj dhe të dashur, që të gjithë të veshur me rroba të bardha që xixëllonin. Ata luajtën shumë butësisht bashkë me organo, me një harpë, një violonçel dhe një violinë. Mua më ka pëlqyer gjithmonë harpa, dhe më pëlqen të shikoj hijeshinë e një njeriut që di t’i bjerë mirë.

U mahnita veçanërisht nga kjo harpiste e re. Ajo i binte jashtëzakonisht mirë, sikur ta donte. Gishtat e saj të hollë lëviznin shkathët nëpër tela, dhe ndërsa infermieret këndonin, fytyra e saj, e zbukuruar nga një sasi e madhe flokësh gështenjë, ishte kthyer lart sikur bota në atë çast të ishte një vend i mrekullueshëm dhe i shenjtë….

17 vjet më parë

Ishte shtruar një grua me një lindje të rrezikshme. Fëmija ishte pozitsionuar për një lindje podalike (d.m.th. këmbëposhtë). Gjëja më e vështirë për doktorin në rast të çdo lindjeje këmbëposhtë, është t’i mbajë duart larg deri sa forcat natyrore të nxjerrjes t’i kenë zgjeruar mirë strukturat e forta të nënës të cilat pengojnë ecurinë e lindjes.

Në këtë rast, unë prita me aq durim sa munda, duke i dërguar lajme të shpeshta familjes së emocionuar jashtë në korridor. Më në fund koha kishte ardhur, dhe hoqa një këmbë të vogël. Kapa tjetrën, por për ndonjë arsye që nuk e kuptoja, ajo nuk zbriste dot pranë këmbës së parë.

E hoqa përsëri, me butësi por me pak forcë, bashkë me një presion të lehtë mbi barkun nga lart, dhe trupi i bebit zbriti mjaft sa të vija re që ishte një vajzë e vogël – dhe atëherë, u habita dhe u shqetësova kur pashë që këmba tjetër nuk do të rrinte kurrë pranë këmbës së parë.

Vajzës i mungonte e gjithë kofsha nga vithet e deri tek gjuri, dhe ajo këmbë nuk mund të zbriste poshtë gjurit tjetër. Dhe një vajzë e vogël do ta pësonte këtë, një të metë të çuditshme që nuk e kisha parë kurrë më parë.

Lufta më e vështirë

Pastaj filloi lufta më e vështirë që kam patur brenda vetes. E dija se çfarë efekti të tmerrshëm do të bënte kjo e metë në sistemin nervor të nënës. Isha i sigurt që familja gati do ta varfëronte veten duke çuar fëmijën te çdo ortopedër i famshëm i botës, arritjet e të cilit mund t’i ofronin ndonjë pikë shprese.

Mbi të gjitha, pashë këtë vajzë të vogël të ulur, të trishtuar dhe vetëm, ndërsa vajzat e tjera qeshnin, kërcenin, vraponin dhe luanin – dhe atëherë kuptova papritmas që diçka do të shmangte çdo brengë veç njërës, dhe kjo diçka ishte brenda mundësive të mia. Një nga dhjetë bebet që lindin këmbëposhtë vdesin gjatë lindjes* sepse nuk nxirret mjaft shpejt, dhe tani – sikur të mos nxitoja!

Sikur ta ndaloja pak dorën, sikur ta lëvizja pak më ngadalë. Normalisht nuk do të ishte një lindje e lehtë. Askush në botë nuk do ta dinte të vërtetën. Nëna, pas tronditjes së parë të hidhërimit, ndoshta do të gëzohej se kishte humbur një fëmijë me një të metë të tillë të trishtueshme. Për një-dy vjet, ajo do të provonte përsëri dhe ky fat tragjik nuk do të përsëritej më kurrë.

‘Mos ua sillni këtë vuajtje,’ më tha zëri i vogël nga brenda. ‘Kjo bebe nuk ka marrë kurrë frymë – mos e lër të marrë frymë kurrë. Sido që të vijë puna, ti ndoshta s’ke për ta nxjerrë brenda afatit. Mos u nxito. Mos u sjell atyre këtë gjë të tmerrshme. Po sikur të të brejë pak ndërgjegjja; a nuk mund ta durosh më mirë se ata? Mbase do të të vrasë ndërgjegjja më keq nëse e nxjerr bebin brenda afatit.’

Çdo sy, i ngulitur tek unë

I bëra shenjë infermieres për peshqirin e ngrohtë dhe të sterilizuar që rri gjithmonë gati për mua për rastet e lindjeve këmbëposhtë, që ta mbështjell rreth trupit të bebit me qëllim që ajri i ftohtë i botës së jashtme të mos shkaktojë shtrirjen e shpejtë të gjoksit të bebit, duke shkaktuar kështu thithjen e mukozës ose të lëngut me pasoja fatale.

Por kësaj radhe, peshqiri do të përdorej vetëm për të fshehur nga infermieret që më ndihmonin, atë që vetëm sytë e mi kishin parë. Duke ndier në dorë atë këmbë të vogël dhe të mjerë, më përshkoi një brengë hidhërimi për të ardhmen e bebit, dhe vendimi im u bë. Hodha një shikim nga sahati.

Tre nga shtatë-tetë minutat e caktuara kishin ikur. Çdo sy në dhomë ishte ngulitur tek unë dhe ndieja tensionin në gatishmërinë e tyre për të bërë menjëherë çdo gjë që do t’u kërkoja, ndonëse ishin krejt të padijshëm për atë që po ndieja. Shpresoj se ata nuk mund të zbulonin tensionin e luftës sime në atë çast.

Këto infermiere më kishin parë të arrija me sukses lindjen e dhjetra bebeve ‘këmbëposhtë’, po madje më kishin parë edhe të dështoja. Tani do të më shihnin të dështoja përsëri. Për herën e parë në jetën time në mjekësi po flakja qëllimisht atë që më kishin mësuar si të drejtë, për diçka që isha i sigurt se ishte më e mirë.

E futa dorën poshtë peshqirit për të ndier rrahjet e litarit të bebes, një tregues ky i pagabueshëm i gjendjes së saj. Edhe dy-tre minuta të tjera dhe koha do të mjaftonte. Që të dukesha sikur po bëja diçka, e zbrita bebin pak më poshtë që t’i ndaja krahët, dhe ndërsa bëra këtë, këmba e vogël rozë e krahut të mirë doli nga peshqiri që e mbronte dhe shtyu mirë dorën time që po lëvizte ngadalë, në atë dorë pra, së cilës i ishte kushtuar siguria e nënës dhe bebes.

Trupi i bebit lëvizi papritmas dhe me vrull, me një ndjenjë të vërtetë force, jete dhe energjie. Kjo ishte më shumë nga ç’mund të duroja. Nuk e bëra dot atë që kisha menduar. E nxorra beben me gjithë këmbën e vogël të mjerë. Të nesërmen i thashë famijes dhe me një të ngecur në zërin tim i thashë edhe nënës për të metën. Çdo parashikimi im i zi u realizua. Nëna u shtrua në spital për disa muaj.

E pashë disa herë dhe ajo dukej si një hije e asaj gruaje që kishte qenë më parë. Dëgjova hera-herës për ta në mënyrë të tërthortë. Ata kishin shkuar në Roçester të Minesotës, në Çikago dhe në Boston. Më në fund, humba krejtësisht kontaktet me ta. Fajësova veten time sepse nuk u tregova i fortë. . .

Rikthehemi në koncertin e krishtlindjes

Kur mbaroi programi i shkurtër, prita për të përgëzuar kryeinfermieren për efektet e pazakonta që kishte porositur. Dhe ndërsa rrija ulur vetëm më erdhi duke vrapuar një grua që nuk e njihja. Ajo erdhi tek unë me krahë hapur. ‘Oh, e patë apo jo?’ më tha. ‘Duhet ta kishit njohur beben tuaj. Ajo që i binte harpës ishte vajza ime dhe ju pashë duke e shikuar atë.

A nuk ju kujtohet ajo vajzë e vogël e cila lindi vetëm me një këmbë të mirë, para 17 vjetësh? Ne provuam çdo gjë tjetër në fillim, por tani ajo ka një këmbë të tërë artificiale nga ai krah – kurse ju nuk do ta dinit kurrë apo jo?’ ‘Ajo mund të ecë tani, por ç’është më e mira, gjatë gjithë atyre viteve kur nuk ecte dot, ajo mësoi të përdorte duart në mënyrë të mrekullueshme.

Ajo do të bëhet një nga harpistët e mëdhenj të botës. Ajo do të hyjë sivjet në shkollë të lartë, në moshën 17 vjeçe. Ajo është e gjithë jeta ime, dhe tani është shumë e lumtur. . . dhe ja ku është!’ Ndërsa po bisedonim, kjo vajzë e re dhe e ëmbël na ishte afruar qetësisht, me sy që regëtinin, dhe tani ajo qëndronte pranë meje.

‘Ky është doktori yt i parë, e dashur, doktori ynë,’ i tha e ëma. Po i dridhej zëri. E pashë duke u çuar mbrapa, bashkë me mua, përmes të gjitha viteve të dhimbjes së zemrës, deri te dita kur i thashë se me çfarë duhej të përballej. ‘Ai ishte i pari që më tregoi për ty. Ai të solli tek unë.’

Natë e qetë

Si i rrëmbyer e mora fëmijën nëpër krahë. Përtej supit të saj të ngrohtë dhe të ri, pashë sahatin e zvarritur të maternitetit 17 vjet më parë, dhe përjetova përsëri ato çaste të tmerrshme kur jeta e saj ishte në dorën time, kur kisha vendosur ta vrisja foshnjën me qëllim. E mbajta pak larg meje dhe e vështrova.

‘Ti s’ke për ta ditur kurrë e dashur,’ i thashë, ‘ti s’ke për ta ditur kurrë, as ti as ndonjë njeri tjetër në mbarë botën, se ç’kuptim ka patur kjo natë për mua. Të lutem, kthehu te harpa jote dhe luaj ‘Natë e Qetë’ vetëm për mua. Mbi supe kam një barrë që nuk e ka parë njeri, një barrë që vetëm ti mund ta heqësh.’

Nëna e saj u ul pranë meje ndërsa e bija luajti. Mbase ajo e dinte se çfarë i rëndonte mendjes sime. Dhe ndërsa tingujt e fundit të këngës ‘Natë e Qetë, Natë e Shenjtë’ u venitën përsëri, besoj se gjeta zgjidhjen dhe ngushëllimin që kisha pritur për një kohë kaq të gjatë.

Historia e Dr. Frederic Loomis, një doktor nga Kalifornia. E botuar me leje nga gazeta Evangelicals Now, në Angli. *Këto ngjarje kanë ndodhur në pjesën e parë të shek. XX. Që atëherë mjekësia ka ecur përpara dhe normalisht sot një lindje të tillë do të bëhej me anë te një operacioni.

Në fillim ishte Fjala…

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij, dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë. Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve. Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.

Qe një njeri i dërguar nga Perëndia; emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar për dritën, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij; ai nuk ishte drita, por u dërgua për të dëshmuar për dritën. Ai (fjala) ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë.

Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu. Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan, por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij, të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.

Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë. Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: “Ky është ai, për të cilin thashë: “Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje”.

Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir. Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit.

Bibla

E veçanta e Krishtit

Budizmi mbështetet në mësimet e Budës, islamizmi në mësimet e Muhamedit, konfucianizmi në mësimet e Konfucit, marksizmi në mësimet e Marksit. Ndërkohë, krishterimi nuk mbështetet në ato që mësoi Jezusi por më tepër në atë se kush është Jezusi dhe çfarë kreu ai.

 

Natyrisht, ajo që mësoi Jezusi është shumë e rëndësishme. Askush nuk ka folur ose mësuar ndonjëherë si Jezusi, por në analizë të fundit, vlera e asaj që tha ai varej nga çështja se kush ishte ai dhe ajo çfarë bëri ai. Disa përpiqen ta vendosin Krishtin midis udhëheqësve të mëdhenj fetarë të historisë, si një ndër shumë të tjerë, por kjo është groteske dhe absurde. Natyra unike e Krishtit është aq e madhe saqë, askush nuk mund të krahasohet me të në asnjë mënyrë.

Ardhja e tij e parashikuar

Fakti i profecive të plotësuara është një karakteristikë unike e jetës së Krishtit. Ardhja e Jezu Krishtit u profetizua me shumë hollësi në lidhje me prejardhjen, natyrën dhe vendlindjen e tij, vendin ku do të ringjallej, karrierën dhe qëllimin e tij, mënyrën dhe natyrën specifike të vdekjes së tij, ringjalljen e tij, si dhe shumë profeci të tjera të përmbushura. Dhe të gjitha këto profeci u bënë qindra vjet para lindjes ose ardhjes së tij të parë.

Lindja e tij – e pashoqe

Lindja e Krishtit qëndron e pashoqe në histori. Nëpërmjet veprës së mrekullueshme të Frymës së Shenjtë, Perëndia vuri një fëmijë të shenjtë në mitrën e një virgjëreshe në formë embrionike.

Si pasojë e kësaj lindjeje unike, Krishti arriti të anashkalonte mallkimin e mëkatit. Prandaj ai, si askush tjetër, ishte i kualifikuar si njeriu i pamëkatshëm që të shkonte në kryq për të vdekur si Qengji i Perëndisë, si dhe të mbretëronte mbi fronin e atit të tij, Mbretit David.

Personi i tij – i pashoq

Bibla deklaron që Jezu Krishti është njëkohësisht njeri dhe hyjnor. Si Fjala e Perëndisë ai krijoi të gjitha gjërat (Gjoni 1:1; Kolosianët 1:16). Si njeri ai ishte pa mëkat dhe erdhi si zëvendësi i pamëkat për të vdekur në vendin tonë.

Ai është dhurata e patregueshme dhe e pahulumtueshme e Perëndisë për botën. Ai është Personi më unik i universit. Asnjë udhëheqës tjetër fetar nuk ka bërë ndonjëherë një pretendim të tillë sepse askush tjetër nuk mund ta mbështeste këtë pretendim me jetën e vet.

Jeta e tij – e pashoqe

Jeta e tij është pa paralel nga bukuria, gjerësia, karakteri, dhe efekti. Askush nuk ka folur ndonjëherë si Jezu Krishti, apo bëri gjërat që bëri ai, ose pretendoi gjërat që pretendoi ai. Duke marrë parasysh fjalët dhe veprat e fuqishme të Krishtit, si dhe faktin që njerëzit e cilësuan si një njeri të përsosur dhe të pamëkat, pretendimet e tij nuk mund të refuzohen.

Nëse njerëzit duan të jenë të ndershëm përballë evidencave historike, ata nuk mund të refuzojnë pretendimet e Krishtit sikur të ishin pretendimet e një të çmenduri ose ta hedhin poshtë si mashtrues. Skeptikët e sotëm përpiqen të shpjegojnë mrekullitë dhe pretendimet e tij thjesht duke iu referuar karakterit të jetës së tij.

Por ata e bëjnë këtë thjesht, për shkak të paragjykimit të tyre kundër dritës dhe kundër gjërave të mbinatyrshme, jo për shkak se mungojnë evidenca të mirëfillta historike.

Vdekja e tij – e pashoqe

Edhe vdekja e tij është unike, jo sepse ai u kryqëzua, por sepse u parashikua në profecinë e Psalmit 22 shumë kohë para se të shpikej vdekja nëpërmjet kryqëzimit: “një grup keqbërësish më rri rrotull; më kanë shpuar duart dhe këmbët”.

Së dyti, ajo është unike për shkak të mënyrës se si vdiq ai, duke treguar karakterin e tij të pamëkat dhe të shenjtë.

Dhe së treti, për shkak të mrekullive që ndodhën në kohën e vdekjes së tij—errësira, tërmeti, dhe hapja e varreve. Pasi pa Krishtin mbi kryq dhe ngjarjet e asaj dite, centurioni romak që kishte parë qindra të vdisnin mbi kryq tha, “ky ishte vërtet Biri i Perëndisë.”

Ringjallja e tij – e pakrahasueshme

Ringjallja e Jezusit ishte prova përfundimtare për të treguar vërtetësinë e dëshmisë së tij. Provat e saj nuk mund të anashkalohen lehtë përveç duke mbyllur sytë ndaj dritës së historisë.

“Merry Christmas and a Happy New Year”

Historia e kartolinave për festat e fundvitit

Kartolinat e krishtlindjes janë përdorur për herë të parë në Angli para 150 vjetësh. Shkak për këto kartolina u bë fakti që një zotëri anglez i quajtur sër Henri Koll nuk gjente kohë të shkruante me shkrim dore letra urimi për festën. Si zgjidhje, në vitin 1843, ai porositi një artist të pikturonte një kartolinë e cila më pas u shumëfishua.

Kështu që, sër Henri kishte kartolina të mjaftueshme jo vetëm për t’i dërguar miqve të tij por edhe për të shitur. Kartolina e parë e krishtlindjes u pikturua me disa skena dashamirësie në të cilën ndihmoheshin të varfërit. Ndërsa skena kryesore paraqiste një familje të gezuar duke u përqafuar në diten e festës.

Urimi që u shkruajt mbi kartolinën e parë të krishtlindjes ishte: “A Merry Christmas and a Happy New Year to You” (Gëzuar Krishtlindjen dhe një Vit të mbarë). Është interesante fakti që sër Henri nuk prodhoi kartolina të tjera vitin pasues, megjithatë veprimi i tij nxiti shumë të tjerë të bënin një gjë të tillë dhe shitja e kartolinave u përhap shumë shpejt.

30 vjet më vonë, në vitin 1875 një emigrant gjerman në Sh.B.A i quajtur Luis Prang hapi një shtypshkronjë të vogël me një investim prej vetëm 250 dollarësh, dhe botoi aty linjën e parë të kartolinave të krishtlindjes. Krijimet e tij të para tregonin lule dhe zogj. Më vonë ai shtypi kartolina me skena bore, bredh, dhe femijë duke luajtur pranë oxhakut me lodra.

Deri në vitin 1881 ai arriti një sukses shumë të madh duke shitur mbi 5 milion kartolina krishtlindjesh në vit. Vitet e fundit është shënuar një rënie në numrin e kartolinave që dërgohen për krishtlindje. Arsyeja për këtë është përhapja e formave moderne të komunikimit dhe dërgimi i kartolinave elektronike më anë të postës elektronike ose internetit.

Megjithatë numri i kartolinave të dërguara çdo vit mbetet mjaft i lartë. Përafërsisht u dërguan 1.9 miliard kartolina vetëm në Sh.B.A gjatë vitit të kaluar. Prandaj nuk ka të ngjarë që kartolina e krishtlindjes të dalë së shpejti nga përdorimi si një mjet urimi!

Sikur Jezusi të mos kishte lindur

Sikur Jezusi të mos kishte lindur, bota sot do të ishte një vend krejt i ndryshëm. Mjekësia e sotme u themelua nga ndjekësit e Jezusit. Po ashtu edhe krijimi i spitaleve. Shumica e universiteteve të mëdha të botës u nisën nga të krishterët. Madje krishterimi i hapi rrugën shkencës së sotme.

Sikur Jezusi të mos kishte lindur, skllavëria nuk do të ishte anuluar dhe shumë kultura barbare dhe të prapambetura nuk do të ishin qytetëruar. Arsimi i masave dhe anulimi i skllavërisë u frymëzuan gjithashtu nga mësimi i Krishtit për vlerën e njeriut.

Sikur Jezusi të mos kishte lindur gratë nuk do të ishin çliruar, mijëra shoqata bamirësie nuk do të ishin themeluar, dhe standarde më të larta drejtësie nuk do të ishin pranuar në shoqërinë evropiane dhe perëndimore.

Sikur Jezusi të mos kishte lindur, shumë nga gjuhët e botës nuk do të ishin kodifikuar dhe shprehur me shkrim, artet dhe muzika nuk do të kishin arritur standardet e larta të Rilindjes dhe Amerika nuk do të ishte zbuluar nga Kolombi.

Sikur Jezusi të mos kishte lindur, jetë të panumërta nuk do të ishin transformuar nga gjendja e thyer dhe e pashpresë, në anëtarë të vlefshëm të shoqërisë.

Sikur Jezusi të mos kishte lindur, njeriu do të kishte mbetur në errësinën e mëkatit dhe injorancës. Lindja e Jezusit i ka sjellë transformim dhe të mira të pallogaritshme ekzistencës sonë fizike dhe shpirtërore.

Ai është Drita e Botës.

Nevoja jonë më e madhe

Po të kishte qenë shkolla nevoja jonë më e madhe, Perëndia do të kishte dërguar një arsimtar.

Po të kishte qenë teknologjia nevoja jonë më e madhe, Perëndia do të kishte dërguar një shkencëtar.

Po të kishte qenë paraja nevoja jonë më e madhe, Perëndia do të kishte dërguar një ekonomist.

Po të kishte qenë kënaqësia nevoja jonë më e madhe, Perëndia do të kishte dërguar një zbavitës.

Por nevoja jonë më e madhe ishte falja,

Prandaj Perëndia na dërgoi një Shpëtimtar.

Anonim