Përse nuk vë dorë Zoti?

Pyetja “Përse nuk ndërhyn Zoti?” shtrohet gabuar. Sikur në vendin e gjykatësit është njeriu, dhe në vendin e të pandehurit qëndron Perëndia! Po të them sinqerisht se nuk ndodh kurrë që Zoti t’i lejojë vetes të qëndrojë në vendin e të akuzuarit.

Më kujtohet një ngjarje.Duke ecur në rrugë, pashë një burrë . Ai ankohej për gjendjen ekonomike, shtrenjtësinë e jetesës, për rrogën e ulët, sa më pa, më thirri: – Ah, ja dhe pastori. Eja pak këtu, të lutem, kështu vajta drejt tij. – Dëgjome tha, në rast se ekziston një Zot, dua që kur të vdes të ndodhem para tij dhe t’i them: Continue reading “Përse nuk vë dorë Zoti?”

U tallën me Zotin

Tërë ata që më shohin më përqeshin, zgjatin buzën dhe tundin kokën. Psalmi 22:7

Tallja ishte një përbërës i madh në brengën e Zotit tonë. Juda tradhtari e talli në kopsht me një përqafim të pasinqertë; kryepriftërinjtë dhe skribët e përqeshën me gjyqin e tyre të sajuar; Herodi nuk ia vuri veshin; dhe ushtarët e tallën, duke e trajtuar në mënyrë brutale; Pilati dhe rojat e tij e përqeshën; dhe ndërsa ai qëndroi i gozhduar në kryq çdo lloj talljesh të tmerrshme dhe përbuzjesh të shëmtuara iu hodhën.

Përqeshja është gjithmonë e rëndë për t’u duruar, por kur je në dhembje të fortë është kaq e pamëshirshme, kaq mizore, njësoj sikur të hedhin kripë brenda në plagë. Prandaj, përfytyro Shpëtimtarin të kryqëzuar, i munduar me ankth përtej çdo hamendjeje njerëzore, dhe më pas merre me mend turmën e përzier, të gjithë duke tundur me kërcënim kokat ose duke nxjerrë gjuhën në përçmimin më të hidhur ndaj një viktime të gjorë vajtuese!

O Jezus, “i përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit” si mund të vdesësh për njerëzit që të trajtuan kaq me ligësi? Përgjigja është kjo: Këtu ka dashuri të mrekullueshme, dashuri hyjnore, dhe dashuri përtej çdo mase.

Shkenca kërkon sekretin e jetës

Kërkuesit mjekësorë në shek. 21 nuk do të mbeten të kënaqur vetëm të mjekojnë sëmundjet – do të synojnë ta mundin edhe vetë vdekjen. Shkencëtarët sot janë afër kuptimit të mekanizmave biologjikë që na bëjnë të plakemi dhe vdesim.

Ata kanë gjetur tashmë disa nga genet që merren me vonimin e procesit të plakjes – tek kafshët e rritura në laborator. Një nga pionierët e inxhinierisë gjenetike njerëzore parashikon që brenda 30 vitesh, do të ketë një terapi me bazë gjenetike për shumicën e sëmundjeve.

Por ai gjithashtu u trembet rreziqeve afatgjata të punës së vet. Dr. W. French Anderson (profesor i biokimisë tek USC Keck School of Medicine) thotë: “Inxhinieria gjenetike njerëzore – revolucioni i katërt mjekësor -do të ndryshojë thellësisht praktikën e mjekësisë gjatë 30-40 vjetëve të ardhshëm.

Nëse përdoret me kujdes, ajo do të rrisë shëndetin dhe lumturinë njerëzore. Por nëse përdoret keq, inxhinieria gjenetike e njerëzve mund të rrezikojë gjithçka që ne vlerësojmë – duke përfshirë dhe atë se kush dhe çfarë jemi ne.” Zgjatja e jetës, shtrirja e rinisë, dhe mirëmbajtja e shëndetit janë ndër ëndrrat më të vjetra të njeriut.

Gjatë epokave, shumë kanë pohuar që kanë çelësin e pavdekshmërisë. E vetmja gjë që e kanë të përbashkët është se sot të gjithë kanë të vdekur. Feja na mëson që Perëndia bëri gjithësinë dhe i dha jetë njeriut. Ajo na mëson gjithashtu se si vdekja erdhi në botë. Është shkruar: “Të gjithë vdesin në Adamin…

Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan.” (1 Korintasit 15:22, Romakët 5:12) Bibla na tregon që ka “një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur” (Predikuesi 3:2).

Me fjalë të tjera, vdekja është e pashmangshme: “Të gjithë shkojnë në po atë vend; të gjithë vijnë nga pluhuri dhe kthehen në pluhur.” (Ecc 3:20). Jo vetëm kaq por edhe Isaku ka thënë me urtësi: “Ja unë jam plak dhe nuk e di në ç’ditë kam për të vdekur.” (Zanafilla 27:2) A beson ti vërtet që do të mundim procesin e plakjes? Nuk besoj se shumë prej jush e besojnë këtë.

Mund të përpiqemi për t’u mbajtur të shëndetshëm por nuk mundim dot vetë plakjen. Mund të luftojmë kundër sëmundjes, por vdekjen nuk e mundim dot. Vdekja ka pushtet mbi ne të gjithë. Eksiston vetëm një që ka pushtet mbi vdekjen. Ai quhet Zoti.

Brezat e shkuara kanë përjetuar hidhërimin e këtyre fjalëve: “Sepse paga e mëkatit është vdekja”; por mijëra të panumërt kanë zbuluar ngushëllimin që “dhurata e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë”. (Romakët 6:23) Bibla na mëson që Perëndia ka pushtet mbi vdekjen.

Ky pushtet është shfaqur nga biri i tij Jezu Krishti. Është shkruar, “Jezu Krishti e prishi vdekjen” (2 Timoteu 1:10). Ai vdiq por u ringjall sërish. Ai tha, “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta”. Ky është lajmi i mirë: Jezu Krishti mban sekretin e jetës. Sigurisht fjala e Tij është më e besueshme, dhe më e fuqishme, sesa fjala e shkencëtarëve më të zgjuar.

Burimet: BBC, AP, Daily Telegraph, Bibla.

“S’KA PERENDI TA MBYSE KETE ANIJE”

95 vjet pas mbytjes së Titanikut, ne pyesim: A ka ndonjë mësim për ne?

                                                                       TITANIKU

T itaniku, ishte anija më e madhe dhe më luksoze e kohës. Mes të tjerash, ajo ishte e pajisur me salla të mëdha për vallëzim, pishina, me restorante luksoze edhe dhoma private për banjo dielli. Madje, kjo anije kishte edhe ashensorë (gjë që ishte mbresëlënëse për vitin 1912). Titaniku u nis nga Hamptoni Jugor, Angli, për udhëtimin e tij të parë me destinacion New York, në prill të vitit 1912.

Disa nga pasagjerët ishin persona të famshëm në rang botëror, të tjerë ishin emigrantë të varfër që udhëtonin në klasin e tretë drejt botës së re. Mes pasagjerëve që udhëtonin në klasin e parë ishte Xhon Jakob Astor, një nga njerëzit më të pasur të botës. Pasuria e tij vlerësohej të ishte 150 milionë dollarë (në atë kohë).

Aty ishin: Major Arkibalt Butt, (këshilltari i Presidentit të Shteteve të Bashkuara), Benjamin Gugenheim, pronar i punimeve metalike, që zotëronte një vlerë prej 95 milionë dollarë, Isador Straus, tregëtari i famshëm i veshjeve, që zotëronte 50 milionë dollarë, Jay Bruce Ismay, pronar i Kompanisë Tregëtare Ndërkombëtare të Marinës. Edhe ky kishte një pasuri me vlerë 40 milionë dollarë.

Që në kohën e sotme, ata do të ishin miliarderë. Kapiteni i Titanikut, Smith, që kishte punuar për kompaninë detare White Star për më shumë se 30 vjet, ishte konsideruar si një nga komandantët më të aftë. Ekuipazhi kishte një besim aq madh në anijen e pajisur mirë, sa kur një nga pasagjerët dukej paksa i shqetësuar për sigurinë e tij, një anëtar i ekuipazhit u përgjigj:

“As Zoti nuk mund ta mbysë këtë anije”. “Mbylle! Mbylle!”

Të dielën, më 14 Prill 1912, punët po shkonin mirë ndërsa Titaniku lundronte nëpër det. Gjatë asaj dite Titanikut i mbërrin një mesazh duke e paralajmëruar për ajzberg gjatë rrugës. Në fakt, Kapiteni Smith merr pesë paralajmërime të tilla atë ditë.

Atij i tregohet në mesazhin e fundit vendi ku pritej të kishte ajzberg. Duke ndjekur procedurat e zakonshme një anije normale duhej të kishte zvogëluar shpejtësinë, por Titaniku, jo. “Titaniku nuk ishte anije që mbytej”. Rreth orës njëmbëdhjetë të darkës, një anije në afërsi të Titanikut, Californian, kishte dërguar një mesazh tjetër radiofonik që njoftonte për rrezikun e akujve.

Ajo kishte qënë plotësisht e bllokuar prej tyre. Operatori radiofonik i Titanikut u përgjigj me mesazhin “Mbylle! Mbylle!”. Me sa duket, paralajmërimet për akujt nuk e shqetësonin aspak. Ai, përgjegjësi i ekuipazhit dhe kapiteni nuk morën parasysh paralajmërimet, sepse ata vendosën gjithë besimin e tyre te Titaniku. Ata besuan sinqerisht se, anija e tyre ishte e pambytshme.

Titaniku, duke refuzuar t’ua vinte veshin gjithë mesazheve paralajmëruese të rrezikut që po afrohej, pas dyzetë minutash pësoi një përplasje të tmerrshme me një ajzberg gjigand. Dy orë e dyzetë minuta pas përplasjes, Titaniku, anija më e madhe e kohës dhe e reklamuar si ‘e pambytshme’, u mbyt duke shkaktuar humbjen prej 1517 pasagjerëve. Shumë njerëz sot mbajnë një qendrim të ngjashëm me atë të ekuipazhit të Titanikut!

Ata besojnë vetëm në veten e tyre dhe aftësitë e tyre, duke menduar se nuk kanë nevojë për Zotin. Shumë thonë se janë të pambytshëm. Ata besojnë se mund të jetojnë jetët e tyre krejt pa Zotin dhe nuk e dinë se prej atij varet gjithçka, përfshi këtu forcën dhe zgjuarsinë tonë.

Jeta është shumë e pasigurt I dashur lexues, mesazhi që po lexoni ju paralajmëron një ajzberg në një farë forme, si psh. sëmundje apo një aksident, do t’ju çojë një ditë drejt vdekjes. Prandaj, mos mendoni që jeni të pambytshëm. Merrni parasysh paralajmërimet e Zotit.

I dashur mik, mos veproni sikur ju kontrolloni jetën tuaj. Ju nuk dini se çfare mund t’ju sjell e nesërmja. Koha për të besuar te Zoti është tani. Nesër mund të jetë vonë. Nxjerrja e pretekseve për të refuzuar shpëtuesin është, në të vërtetë, njësoj si të mbash të njëjtin qendrim si operatori i radiomarrëses në bordin e Titanikut, që iu përgjigj sinjaleve të rrezikut që po afrohej me një:

‘’Mbylle!’’

Thënia e vjetër biblike është e vërtetë: “Unë kam thirrur dhe ju keni refuzuar. Unë kam zgjatur dorën time, dhe asnjë njeri nuk i kushtoi vëmendje”. A do t’i thoni edhe ju Zotit, “mbylle!”, ndërkohë që ai ju paralajmëron për mëkatin, vdekjen dhe gjykimin që do të vijë? Kini parasysh që vdekja nuk bën dallim. Mos krijoni idenë që ju jeni të pambytshëm.

Bibla mëson: “Njeriut i është caktuar të vdesë një herë, por pas kësaj vjen gjykimi”. Bibla është një radio hyjnore që ju lajmëron për rrezikun që po afrohet. Ju lutem, mos mbani qëndrimin e anëtarëve të Titanikut, të cilët po mendonin se anija ishte e pambytshme, dhe nuk morën parasysh sinjalet për ajzbergun që po vinte.

Ne se ju refuzoni shpëtimin në Jezu Krishtin, ju do të vdisni në mëkatet tuaja, dhe zemërimi i Zotit do të vijë mbi shpirtin tuaj. “O Zot! O Zot!” Një grua që shpëtoi nga mbytja e Titanikut e përshkroi fundin tragjik me këto fjalë:

“Ndërsa anija madhështore ngrihej nga uji; pra, në momentin që ajo do të fundosej përfundimisht, edhe mëgjithëse ishte natë, dalloheshin me dhjetra njerëz, tek binin nga anija në ato ujëra të akullta. Për disa çaste të tmerrshme, pas fundosjes së anijes, nga goja e atyre burrave dhe grave të shkreta, u dëgjua një klithmë dëshpëruese.

Një nga një, thirrjet e tyre pushuan, derisa dëgjohej vetëm një zë i fundit. Në agoni të plotë ai thërriste nga shpirti, “O Zot! O Zot!”. Zëri i tij sa vinte dhe pakësohej. Pastaj ra një heshtje e tillë, si hija e vdekjes.” “O Zot! O Zot!” thirri ai burrë në çastet e fundit.

I dashur mik, kur të vijë fundi, mund të mos kesh më kohë të pajtohesh me Perëndinë. Të këshilloj ta mendosh me kujdes këtë punë tani. Mos e ler shpirtin tënd pas dore. Vitet ikin shpejt. Mos u tall më me Zotin.

Copëza

Vdekja e Stalinit

Sipas Svetlanës, ndërsa lëngonte për vdekja në shtrat, i sfilitur prej halucinacioneve tmerruese, Stalin papritmas u ngrit dhe rrinte ulur në shtrat, shtrëngoi grushtin drejt qiellit, ra përsëri mbi jastëkun e tij, dhe vdiq. Ironia e pabesueshme e gjithë jetës së tij, është se dikur Jozef Stalini ka qënë duke u përgatitur për shërbesën fetare në një shkollë kishtare. Me të ardhur në një moshë pak më të madh, ai u shkëput në mënyrë vendimtare nga besimi në Perëndinë.

Malkolm Muggeridge, letrar anglez.

“Me forcat tona”

Dikur mendonim se politika do të ndryshonte faqen e shoqërisë. Ishte pikërisht kjo ajo që do ta ndreqte botën – edukimi, kultura, shkenca. Jo feja apo Bibla, por njohuria dhe shkenca.

Parulla jonë ishte “Me Forcat Tona”. Me forcat tona do të krijonim një botë më të mirë. Me forcat tona do të krijonim një botë të përsosur. Por ku jemi tani? Si është realiteti? E vërteta është se përpjekjet tona kanë dështuar plotësisht. Përse po rrëzohet shoqëria përpara syve tanë?

Nga lind ligësia dhe korrupsioni, narkomania dhe alkoolizmi, imoraliteti dhe prishja e familjes? Cili është shpjegimi? Vallë a nuk janë këto simptomat e një sëmundjeje në ndërgjegjen e një populli?

Le ta theksojmë se nuk është çështja ekonomike apo politike; nuk është problem i nivelit të ulët arsimor as i mungesës se arritjeve në fushën shkencore, as edhe problem i shkaktuar nga rrethanat e këqija në të cilin ndodhet njeriu. Para së gjithash, problemi i njeriut është problemi i shpirtit.

Dr. M.Lloyd Jones, mjek dhe predikues.

Zanafilla e së keqes

Unë kam harxhuar gati pesëdhjetë vjet në punë duke studiuar historinë e Revolucionit tonë. Gjatë këtij procesi, kam lexuar me qindra libra, kam mbledhur qindra dëshmi personale, dhe tashmë kam dhënë si kontribut tetë vëllime të miat në përpjekje për të pastruar plehrat që i ka lënë ajo përmbytje e madhe shoqërore.

Por po të më pyesnin sot për shkakun kryesor të revolucionit shkatërrimtar që ka gëlltitur afro gjashtëdhjetë milionë nga populli ynë, nuk mund të shprehesha më saktësisht sesa të përsërisja që: “Njerëzit kanë harruar Zotin; ja përse e gjithë kjo ka ndodhur.”’

Aleksander Solzenicin, disidenti i famshëm rus.

Zbulim i papritur

Në vitin tim të njëzeteshtatë, ndërsa udhëtoja në metron e Leningradit, më pushtoi një dëshpërimi aq i madh saqë jeta duket që ndaloi menjëherë, duke shpartalluar krejtësisht të ardhmen, le pastaj ndonjë farë kuptimi. Befas, krejt vetiu, mu shfaq një frazë: pa Perëndinë jeta nuk ka kuptim. Duke e përseritur, iu ngjita frazës sikur të ishte një shkallë lëvizëse, dola nga metroja, e në dritën e Perëndisë vazhdova të jetoj. Besimi është e vetmja e vërtetë dhe më e rralla e dhuratave.

Andrei Bitovi, shkrimtar rus në periudhën komuniste.

Çfarë është Krishtërimi?

Krishtërimi është një fe e bazuar në mësimet dhe mrekullitë e Jezusit. Fjala “krisht” do të thotë i vajosuri. Jezusi është i vajosuri nga Perëndia, i cili erdhi në këtë botë, përmbushi ligjet dhe profecitë e Dhjatës së Vjetër, vdiq në kryq dhe u ngrit fizikisht nga të vdekurit tre ditë me pas.

Ai kreu shumë mrekulli që u regjistruan në ungjijtë nga dëshmitarë okularë. Në natyrën e tij ai është sa hyjnor aq edhe njerëzor. Prandaj është i denjë për ta adhuruar dhe për t’iu lutur. Krishtërimi mëson se ekziston vetëm një Perëndi, se Perëndia bëri universin, Tokën dhe krijoi Adamin dhe Evën.

Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së tij. Kjo nuk do të thotë se Perëndia ka një trup prej mishi dhe kockash. ‘Shëmbëlltyrë’ do të thotë ngjashmëri me Perëndinë në karakter, arsyetim, aftësinë për të krijuar etj.. Për shkak se jemi bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, çdo njeri është i denjë për t’u respektuar dhe nderuar. Për më tepër, kjo do të thotë se nuk u zhvilluam nga proçese të rastësishme përgjatë miliona viteve.

Perëndia krijoi Adamin dhe Evën dhe i vendosi në kopshtin e Edenit. Ai u dha atyre lirinë të zgjidhnin mes së mirës dhe së keqes. Ata zgjodhën të mëkatonin. Të mëkatosh do të thotë të bësh atë që është në kundërshtim me natyrën dhe vullnetin e Perëndisë.

Për shembull, Perëndia nuk mund të gënjejë; prandaj gënjeshtra është mëkat. Mëkati i mosbindjes ndaj Perëndisë që kryen Adami dhe Eva bëri që ata të dëboheshin nga kopshti i Edenit dhe po ashtu të vuanin efektin e vdekjes. Si rezultat i mëkatit të tyre, fëmijët e tyre dhe të gjithë ne, trashëguam një natyrë mëkatare. Me fjalë të tjera, pasardhësit tanë nuk janë të përsosur në natyrë.

Konkretisht, ne nuk kemi pse t’u mësojmë fëmijëve të jenë egoistë. Ata e dinë atë nga natyra. Krishtërimi mëson se Perëndia është Trini (Atë, Bir dhe Frymë e Shenjtë, jo tre Perëndi), se Jezus Krishti është personi i dytë i Trinitetit, se Jezusi vdiq në kryq dhe u ngrit nga të vdekurit fizikisht, se gjithë njerëzit janë nën gjykimin e drejtë të Perëndisë, sepse të gjithë njerëzit kanë mëkatuar kundër Perëndisë.

Ai mëson se Jezusi është rruga e vetme për t’u shpëtuar nga gjykimi i Perëndisë që do të vijë dhe se shpëtimi merret me anë të besimit në veprën e Krishtit në kryq dhe jo me anë të ndonjë gjëje që mund të bëjmë për të kënaqur Perëndinë. Ndërsa pjesa më e madhe e feve në botë mësojnë se duhet të bëjmë vepra të mira për të merituar një vend në qiell, krishterimi mëson se kemi nevojë për dikë që të na shpëtojë nga mëkati.

Kjo do të thotë se nuk jemi të drejtë para Perëndisë me anë të forcave tona. Përkundrazi, shpallemi të drejtë para Perëndisë me anë të besimit në vdekjen e Krishtit në kryq. Krishtërimi mëson se një person që beson në Jezus Krishtin do të përjetojë një ndryshim brenda vetes: “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat janë bërë të reja” (2 Kor. 5:17).

Kjo do të thotë se Fryma e Perëndisë hyn në jetën e atij personi dhe ata kanë dëshira të reja për të kënaqur më shumë Perëndinë se veten e tyre. Kjo është një nga provat e besimit të vërtetë në Krishtin.

Prandaj, përgjigjja më e mirë për pyetjen “Çfarë është Krishtërimi?” është të thuash se është një besim personal në Perëndinë e vërtetë përmes personit të Jezus Krishtit nëpërmjet të cilit na janë falur mëkatet dhe i shpëtojmë gjykimit të drejtë të Perëndisë. N.K

Vitrinë Libri

“A Mund Të Jetojë Njeriu Pa Perëndinë”

Ravi Zakarias shtron në këtë libër pyetjen më të madhe të kohës sonë: “A mund të jetojë njeriu pa Perëndinë?”. Ai i nxjerr sheshit kontradiktat e të metat e ateizmit dhe mbron fort botëkuptimin teist në përgjithësi dhe atë të krishterë në veçanti. Etja për kuptim në çdo brez, as shuhet dhe as dëbohet, prandaj autori merr përsipër t’i përgjigjet edhe pyetjes që çdonjeri me mend duhet t’i bëjë vetes:

Cili është kuptimi i jetës sime? Logjika e fortë, dhe mënyra koherente e trajtimit të këtyre çështjeve, nuk ka si mos të të lënë përshtypje dhe e bëjnë këtë libër të rekomandueshëm për këdo. Ravi shkruan për librin e tij: “Mendja është një vlerë tepër e madhe për t’u harxhuar kot, sepse ajo është qendra e komandimit që drejton çdo jetë individuale.

Është dëshira ime që me anë të shpërfaqjes së këtyre ideve gjithsecili prej nesh të njohë më të madhen nga gjithë mendjet, pra Perëndinë vetë, ekzistenca apo mosekzistenca e të cilit është thelbësore për përkufizimin e çdo gjëje tjetër.”

Disa citime nga libri: Pa dyshim, vetëm injoranca apo paragjykimi e quan pozitën teiste të painformuar apo të mangët nga ana intelektuale. Kështu, në kërkimin tonë për moralin dhe lumturinë jashtë Perëndisë, ne i kemi humbur në fakt të tria – Perëndinë, moralin, edhe lumturinë.

Një nga refrenet më të zakonshme që dëgjojmë prej atyre që kanë arritur kulmin e suksesit është ai që bën fjalë për zbrazëtinë që ende i fanitet jetës së tyre, pavarësisht nga gjithë suksesi. Xhek Higins-it, shkrimtar i njohur që ka fituar çmime, ka thënë se e vetmja gjë di tani në këtë pikë të lartë të karrierës së tij të cilën do të dëshironte ta ditur që kur ishte i vogël, është kjo

: “Kur arrin në majë, atje nuk ka asgjë”.

A mundet të jetojë njeriu pa Perëndinë? Sigurisht që mundet, në kuptim fizik. A mundet të jetojë pa Perëndinë në mënyrë të arsyeshme?

Përgjigja ndaj kësaj është, “Jo!”, sepse njeri i tillë është i detyruar te mohojë një ligj moral, të braktisë shpresën, të humbasë kuptimin, dhe të rrezikojë për të mos pasur rimëkëmbje nëse e ka gabim….

Jashtë Krishtit nuk ka ligj, nuk ka shpresë, dhe nuk ka kuptim.

– SHKURT –

Rrugë pa kryer

Dëshpërimi kthehet për të më tunduar…. Bota duket e shëmtuar, e keqe, dhe pa shpresë. Ja, kjo është britma e dëshpërimit e një plaku i cili do të vdesë në dëshpërim! Zhan-Pol Sartri, ateist dhe filozof shumë i njohur (duke folur një muaj para vdekjes). ……………………….

Formula e Paskalit

Në zemrën e çdo njeriu gjendet një boshllëk me trajtë Perëndie, i cili nuk mund të mbushet nga asnjë gjë e krijuar, por vetëm nga Perëndia, Krijuesi, i cili njihet përmes Jezu Krishtit. Blejz Paskali, matematikan francez. ……………………….

A ekziston Perëndia?

Disa thonë se është e pamundur të vërtetosh ekzistencën e Perëndisë. Por nëse kjo është e vërtetë, nga e dinë ata? A ka ndonjë provë që të vërtetojë se është e pamundur të vërtetosh ekzistencën e Perëndisë?

John Blanchard, shkrimtar dhe teolog anglez.

“Jam Ateist!”

Një student i ri dhe i shkathët më mbërtheu dhe me bindje dhe me pasion më foli për çështjet e filozofisë dhe të fesë duke arritur në kulmin e argumentit të tij me deklaratën: ‘Unë jam një ateist!’

E pyeta: “A je i sigurt për këtë që thua?”

“Jam plotësisht i bindur. E kam menduar mirë. E kam parë nga çdo këndvështrim. Dhe me bindje mund të them se ‘Nuk ka Zot’.”

Dhe biseda vazhdoi kështu:

“Atëherë a mund të kem nderin të të jap dorën?”

“Me patjetër mund të më japësh dorën, por s’ke përse e quan nder.”

“Por është. S’e ke idenë se sa i gëzuar jam. Në qoftë se më jep dorën do ta mbaj mend këtë ditë për gjithë jetën time.”

“Pse e thua këtë?”

“Sepse je njeriu më i veçantë dhe më i jashtëzakonshëm që kam takuar ndonjëherë.”

“Kjo po bëhet qesharake. Unë jam veçse një person ordiner që është i bindur se nuk ka Zot. Pse të duket kjo kaq e jashtëzakonshme?”

“Përse? Sepse unë kurrë deri sot s’kisha takuar një njeri që të ketë jetuar gjatë gjithë historisë, dhe të ketë shkuar në çdo anë të universit, edhe që ka arritur të mësojë të gjitha gjërat që mund të mësojë njeriu. Dhe…”

“… Por dale, ende s’ke takuar një të tillë.”

“Atëherë, më ler të të bëj disa pyetje: Në qoftë se ti s’ke jetuar gjatë gjithë historisë, a nuk pranon mundësinë që Perëndia t’i jetë shfaqur njeriut në kohën para se të lindësh ti? Dhe në qoftë se s’ke shkuar në çdo anë të universit, a nuk thua që është e mundur që Perëndia të ekzistojë por në një vend që ti s’ke vajtur ende? Dhe duke qenë se ti pranove që nuk di gjithçka, a nuk thua që mund të ketë prova per ekzistencën e Perëndisë që nuk janë në njohurinë tënde akoma?”

Djali i uli sytë, mendoi për një çast, dhe pastaj foli më qetë: “E shoh se ku po del…”

Nga libri Does God Believe in Atheists

“Kam frikë se mos më diktojnë”

Letër nga e kaluara na shkruan një gjimnaziste

Viti 1967. Jam një nxënëse në shkollën e mesme, Naim Frashëri, në Durrës. u bënë disa javë që organizohen mbledhje nëpër gjithë klasat e shkollës, ku flitet kundër “ideologjisë fetare dhe zakonevë prapanike” (siç e quajnë). E shikoj që kanë të drejtë të flasin kundër disa zakoneve dhe besëtynive që s’janë të mira.

Por nuk ndalen këtu. Po flasin edhe kundër vetë Zotit. Në shkollën tonë është mobilizuar rinia për të sulmuar kishat dhe xhamitë në qytetin tonë. Nuk dua të marr pjesë, por si të bëj që të mos përfshihem? Po kritikohen haptas nga mësuesit, dhe nga shokët e klasës, ata të rinj që shprehin ndonjë mendim në mbrojtje të besimit ose që dyshohet se janë praktikantë të ndonjë feje.

Fletë-rrufetë nëpër muret e klasave nuk mungojnë. Thonë se të gjithë duhet të jenë aktiv në këtë luftë, asnjeri nuk duhet të rrijë indiferent. Por unë kam frikë. Babai më ka mësuar që Zoti krijoi botën dhe ishte Ai që vendosi njeriun në tokë. Por në shkollë na mësojnë ndryshe. Na thonë se s’ka Zot dhe që jeta ka ardhur në tokë vetvetiu.

Por si mund të jetë e vërtetë kjo? A mund të krijohen gjërat vetë? Unë nuk besoj. Duhet të ketë një krijues. Unë ndiej që ka një Zot. Por unë kam frikë. Kam frikë se mos më diktojnë… N.Q.

REFLEKTIM

Luftova kundër Zotit

Çfarë marrëzie! Çmenduri! U bëmë ne të mohojmë Zotin? U bëmë ne të hedhim poshtë atë që na krijoi! A e mohon njeriu babanë e tij? Apo e mohon nënën? Por, ne mohuam Bërësin tonë. A thua se e vramë Zotin? Ç’kujton, se e krijuam ne Zotin dhe se ne mund ta zhdukim atë? Ç’jemi ne? Apo na duket vetja më të lartë nga Perëndia, më të fortë, apo më të zgjuar?

Si mendon? A e formuam ne botën dhe qiellin? A ishim ne që shpalosëm yjet në qiell? Apo e vendosëm ne jetën në tokë? Sa turp! Çfarë mosmirënjohjeje! Duke quajtur veten të urtë u bëmë të marrë. Si mund të shpërfillësh Perëndinë? Pyesni veten: Nga burojnë të mirat që kemi? Kush na e fali fuqinë, zgjuarsinë? Kush t’i dhuroi sytë, gojën? Kush i formoi ato?

Kësaj i thonë “Ai me bukë e ne me gurë”. Grindemi e zihemi me njeri-tjetrin dhe tani duam të luftojmë me bërësin tonë. Me kë do të luftosh? Kundër kujt do të qëllosh? Plumbat nuk arrijnë dot aq lart. Mos harro që, vjen koha dhe plumbat kthehen prapë poshtë, pastaj mbi kokën e kujt do të bien? Por më thuaj: çfarë i ndodh shërbëtorit që e ngre krye kundër mbretit?

Dhe çfarë i ndodh ushtarit në qoftë se qëllon mbi komandantin e tij? Apo, qenit që kafshon dorën e të zotit…? Ne nuk i bëjmë dëm Zotit. Nuk i shkaktojmë dot plagë Perëndisë. Por jemi të vetë-plagosur. Të këqiat ia bëmë vetëm vetes tonë, dhe atyre që do të jenë aq të marrë, sa të na ndjekin në këtë rrugë. U bëmë ne të mohojomë Zotin! E kush? Ne!

Ne që jemi krijuar prej Atij. U bëmë ne të mohojmë të përjetshmin! E kush? Ne, që jemi veçse disa kalimtarë në këtë botë. Se ç’na u duk vetja! I hapëm gropën vetes. Dhe si do t’ia bëjmë tani për të dalë prej këndej? A thua do të ketë shpëtim për ne? A ka rrugë për t’u kthyer mbrapa? I lutem Zotit që ta gjejmë… B.SH

Zëri i 67-ës

Nga shtypi shqiptar për luftën kundër fesë

Qëndrimi armiqësor i pushtetit ndaj fesë arriti kulmin në vitin 1967. Pikërisht, në këtë periudhë institucionet fetare u mbyllën të gjitha, pa përjashtim, edhe u ndërpre çdo lloj veprimtarie, nën kërcënimin e arrestimit. Ky proces u shoqërua me një propagandë të fuqishme antifetare nga strukturat e Partisë, si dhe një fushatë të gjerë në shtyp.

Gazeta si: Zëri i Popullit, Zëri i Rinisë, Nëntori, dhe Mësuesi përmbanin herë pas here shkrime kundër fesë me qëllimin e vetëm, për ta demaskuar dhe paraqitur atë në sytë e popullit si një mashtrim, si një e keqe e madhe në zhvillimin e shoqërisë. Për këtë duhej zhdukur.

“ME SHPATEN E MPREHTE TE IDEOLOGJISE SE PARTISE KUNDER IDEOLOGJISE FETARE”

Këto fjalë, me gërma të mëdha, u shtypën në faqen e parë të gazetës Zëri i Popullit në datën 8 shkurt 1967, duke shënuar kështu përshkallëzimin e luftës kundër fesë në Shqipëri, luftë e cila ishte nisur kohë më parë por që tani do të arrinte kulmin. Lufta propagandistike kundër fesë u shtri veçanërisht në shkollë dhe në shtyp, që kontrolloheshin plotësisht nga pushteti i asaj kohe. Më poshtë vijojnë disa pjesë nga shtypi i kohës të cilat flasin qartë dhe përgjithësisht jepen pa koment.

“Fjalimin e shokut Enver Hoxha nuk do ta lëshoj nga dora, sepse ai do të ndriçojë rrugën tonë të vështirë por fisnike.”

Duke i zbatuar porositë e shokut Enver, unë dhe shoqjet e mia do të shkojmë në skajet më të largëta të malësive dhe aty do të luftojmë me ashpërsinë më të madhe zakonet prapanike e paragjykimet fetare….”

Zëri i Popullit, 12 shkurt ……………………….

“LUFTA KUNDËR FESË – ASPEKT I LUFTËS SË KLASAVE”

“Paragjykimet e zakonet fetare ruajnë farën e degjenerimit të njeriut dhe po nuk u luftuan me guxim, nuk mund të formohet njeriu i ri komunist, nuk mund të ecet drejt ndërtimit të plotë të socializmit. Masat punonjëse me të drejtë janë hedhur në sulm në frontin më të vështirë, në atë për të çrrënjosur nga zemrat dhe mendjet e njerëzve fenë…

Me besimtarin duhet punuar për ta bindur që të mos besojë, që të kuptojë në thelb se çfarë janë në të vërtetë botëkuptimi fetar, zakonet dhe bestytnitë fetare që i kanë hyrë në jetën e përditshme si një helm, t’i shpjegohet se ku dhe si çfaqet ky helm, në ç’forma dhe në ç’trajta kamuflohet dhe se si e pengon atë të marrë pjesë aktive në ndërtimin e socializmit.

Në këtë luftë, si rezultat i punës ateiste që ka bërë e bën partia, janë arritur suksese të mëdha. Për këtë dëshmon fakti që një pjesë e mirë e popullsisë është shkëputur nga feja…”

K.A Zëri i Popullit, 4 mars ……………………….

“KOTËSIA DHE DËMI I PARAGJYKIMEVE FETARE”

“…mbeturinat e besimeve, dogmave, kultet e ritet fetare, të cilat janë një pengesë për ndërtimin e shoqërisë sonë socialiste dhe transformimin socialist të ndërgjegjes së njerëzve. Historia e besimeve fetare nuk është gjë tjetër veçse errësimi i mendjes së njeriut…”

Zëri i Popullit, 18 mars ……………………….

Do të gjejmë “lumturinë tonë te partia … dhe jo tek feja e zoti”

B .S. Zëri i Popullit, 31 mars

“VENDIME REVOLUCIONARE QE ZHDUKIN NGA JETA JONE ZAKONET DHE PARAGJYKIMET REAKSIONARE”

“Feja i ka rrenjët të thella. Ne duhet të luftojmë në rradhë të parë në familjet tona, me të afërmit tanë, me pleqtë, në fushë kur punojmë e kudo që të bjerë rasti. Për këtë duhet të studiojmë sa më shumë libra ateiste shkencorë dhe materiale të partisë sonë.”

Zëri i Rinisë, 5 prill ……………………….

“AS NE FAMILJE FEJA”

“Çdo prind duhet të ndjejë përgjegjësi të thellë për edukimin komunist të fëmijës së tij jo vetëm ndaj djalit apo vajzës së vet por edhe përpara shoqërisë… Por në rast se tek ndonjë femijë vihen re p.sh. çfaqje të besimeve fetare, kjo padyshim reflekton dhe çkujdesjen e organizatave shoqërore ndaj atyre të rriturve, të cilat janë nën presionin e influencave idealiste fetare dhe këta ua transmetojnë fëmijëve të tyre…”

Zëri i Popullit, 9 prill ……………………….

“LETRA”

“I dashur shokut Enver Hoxha! Në çdo shkollë fillore, 8 vjeçare, 12 vjeçare… do të zhvillojmë një punë të madhe politike me masat kundër zakoneve prapanike dhe besime fetare. Gjatë pushimeve të verës do të kalojmë nga kooperativa në kooperativë … do të zhvillojmë një punë të gjerë propagandistike kundër ideologjisë fetare duke përhapur ndër masat popullore njohuritë ateiste shkencore.” Nga Mësuesit e Rrethit të Fierit.

Zëri i Popullit, 11 prill ……………………….

“JETËN TONË DO TA SHKRIJMË NË LUFTË KUNDËR BESIMEVE FETARE”

“I dashur shoku Enver! Fjalimi juaj, shoku Enver, qe për ne si drita e diellit, që sjell agimin e ditës, ai na hapi sytë e na freskoi mendjen, na çeli horizonte të gjera dhe na bëri që edhe ne të ndërmarrim një sërë aksionesh konkrete kundër besimeve fetare….

Ne ju japim fjalën e nderit, shoku Enver, se jetën tonë që na ka mbetur do ta shkrijmë në luftë kundër besimeve fetare, paragjykimeve e zakoneve prapanike.” Nga mbledhjet e 700 pleqve, plakave dhe ish besimtarëve të rrethit të Përmetit.

Zëri i Popullit, 26 mars ……………………….

“DEKLARATË E KOMITETIT QENDROR TË PPSH”

“Një luftë e madhe po bëhet në vendin tonë për të shpartalluar bestytnitë e paragjykimet fetare, gjithçka të papajtueshëm për jetën tonë socialiste. Komiteti Qendror i Partisë dhe këshilli i ministrave përshëndetin dhe përkrahin të gjitha këto inisiativa dhe u bëjnë thirrje gjithë popullit që të luftojnë me guxim për të zhvilluar akoma më tej këto lëvizje.”

Zëri i Popullit, 30 prill

1967-2007

Para 40 vjetësh Shqipëria u shpall “shteti i parë ateist në botë”

Kanë kaluar 40 vjet nga viti i kobshëm 1967, kur Shqipëria u shpall me krenari shteti i parë ateist në botë. Në atë kohë u organizua një fushatë e madhe kundër çdo lloj besimi dhe u mbyllën të gjitha institucionet fetare në vend. Në vijën e parë të luftës kundër fesë u vu rinia, e cila u përgatit me shumë merak nga komunistët shqiptarë për kryrjen e kësaj detyre të veçantë.

Pastaj në nëntor të vitit 1967 regjimi nxori dekretin famëkeq nr.4337 me titull “Mbi shfuqizimin e disa dekreteve” i cili ndalonte të gjitha ritet fetare dhe parashikonte dënime të rënda për të gjithë shkelësit. Ngjarjet e vitit 1967 nuk ishin të papritura. Në realitet, lufta kundër fesë kishte filluar që kur erdhi në pushtet Partia e Punës, ndërsa ajo që ndodhi në vitin famëkeq ishte kulmi i një fushate të planifikuar mirë.

Komunistët e toleruan pjesërisht besimin fetar në Shqipëri për aq kohë sa pushteti i tyre ishte i pakonsoliduar dhe ndjenjat fetare të popullit ishin akoma të forta. Por, pas 20 vjet propagande ateiste, dhe rritje e një brezi të ri të edukuar në shkollë me frymën marksiste, ndezja e Revolucionit Kulturor në Kinë ishte shenja që kishte ardhur koha për një goditje më të madhe ndaj fesë edhe në Shqipëri.

Gjithçka e përgatitur Udhëheqja komuniste mati pulsin për mbylljen totale të fesë gjatë vitit 1966. Filloi mobilizimi i rinisë për të bërë propagandë kundër besimit fetar në zonat rurale. Një fushatë e tillë u zhvillua në fshatrat e Fierit, e organizuar nga mësuesit e shkollës. Të rinj të disa rretheve, të nxitur nga drejtuesit e Partisë, ishin hedhur në luftë për prishjen e ndërtesave të kultit.

Pas Kongresit V të Partisë së Punës, në nëntor të vitit 1966, punët filluan të merrnin një drejtim më të hapur. Ky kongres e cilësoi luftën kundër fesë si një aspekt me rëndësi në zhvillimin e luftës së klasave. Enver Hoxha në fjalimin e tij kishte thënë: “Luftë klase është… lufta kundër ideologjisë fetare, paragjykimeve, besëtytnive e zakoneve prapanike”.

Pikërisht ky fjalim citohet si burim frymëzimi në gazetat dhe botimet propagandistike gjatë muajve të ardhshëm. Në datën 8 shkurt, të vitit 1967, “Zëri i Popullit” botoi në faqen e parë, me gërma të mëdha shtypi këto fjalë:“Me Shpatën e Mprehtë të Ideologjisë së Partisë Kundër Ideologjisë Fetare”. Në këtë artikull, u lavdëruan në mënyrë të veçantë nxënësit dhe pedagogët e shkollës Naim Frashëri, në Durrës, për “inisiativën revolucionare”, sepse ishin hedhur në luftë kundër fesë.

Artikulli vijon: “…në këtë shkollë po zhvillohet një aksion i rëndësishëm ideologjik… në një fletë-rrufe të të gjithë shkollës flitet për zotimet dhe punën që kanë bërë klasat e ndryshme, aty kritikohen të rinj e të reja si dhe ato klasa që nuk janë aktivizuar si duhet në këtë lëvizje dhe kërkohet që ato të japin përgjigje për qendrimet e tyre”. Duke qënë se ky lajm botohej në gazetën kryesore të vendit (ZiP ishte Organ i Komitetit Qendror të P.P.SH) jepej kështu sinjali për ndezjen e flakëve në të gjitha shkollat e vendit.

Zgjerohet lufta Si rezultat i mobilizimit të popullit kundër fesë, të udhëhequr sigurisht nga komunistët në çdo rreth, brenda një kohe të shkurtër u mbyllën institucionet fetare. Me përjashtim të ndonjë xhamie apo kishe me vlera arkitektonike apo historike, kishat, xhamitë, teqetë e tyrbet në të gjithë vendin u shndërruan në kinema, salla sportive, barrestorante dhe magazina.

Duhet sqaruar se këto veprime kundër fesë, dhe dhunimi i ndërgjegjës së besimtarëve shqiptar, ishin që të gjitha të paligjshme. Në nëntor të 1967-ës regjimi nxori dekretin famëkeq nr.4337 me titull “Mbi shfuqizimin e disa dekreteve”. Ai anuloi menjëherë një sërë dekretesh të viteve 1949-1951, të cilat legalizonin kartat e rishikuara të komuniteteve fetare.

Gjithashtu ndalonte të gjitha ritet fetare dhe parashikonte dënime të rënda për të gjithë shkelësit. Mirëpo ky dekret doli vetëm pasi të ishte kryer fushata kundër fesë. Sikur të mos mjaftonte kjo për të treguar paligjshmërinë e këtij sulmi ndaj ndjenjave të shumë shqiptarëve, vihet re që dekreti i ri (ai që nxori jashtë ligjit ushtrimin e fesë) del plotësisht në kontradiktë me kushtetutën (kap.III, neni 18), që ende u garantonte të gjithë qytetarëve lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë!

Si t’ia vëmë emrin kësaj pune? Nga këndvështrimi i sotëm është e vështirë të besosh atë që ndodhi në Shqipëri në ato vite. Faktikisht, janë të rrallë ata njerëz që flasin për këto ngjarje, ose që tregojnë për përfshirjen e tyre në aksione kundër fesë. Megjithatë, kjo nuk e ndryshon realitetin se ajo ndodhi më të vërtëtë. Por çfarë shpjegimi t’i japim kësaj?

Vendi këtu nuk lejon të hymë në një analizë të hollë e të gjatë për shkaqet e kësaj historie të dhimbshme, por më i vlefshëm mund të jetë reagimi yt personal për këtë çështje. Tani, të paktën, le t’ia vëmë emrin e duhur kësaj historie të turpshme: U krye një shkelje kundër ligjit shqiptar. U krye një faj kundër ndjenjave fetare të popullit. Dhe u krye një mëkat të madh kundër Zotit.

Megjithëse kanë kaluar 40 vjet nga ngjarjet famëkeqe të asaj kohe, mbetet për të pyetur: A i kemi duart të pastra nga kjo punë? Ata që janë me moshë mbi 50 vjeç duhet të bëjnë një vetë analizë. Ata që janë më të rinj e kanë kollaj të tregojnë me gisht më të moshuarit, ndërkohë që edhe ata duhet t’i bëjnë pyetjen vetes së tyre: “A jam unë në luftë me Zotin?” Ndofta ti nuk e mohove Zotin në ‘67-ën, as në ’77-ën.

Dhe ke të drejtë kur thua: “Unë nuk kisha lindur atëherë!”. Por mendo pak si ke ecur në vitin ’87, apo në vitin ’97? Dhe si je duke ecur tani në 2007-ën? Nuk dyshoj që lexuesi s’po merr pjesë në fushata për mbylljen e kishave, por, ka edhe shumë mënyra të tjera për t’ia kundërvënë Perëndisë. A i shmangesh ti atyre? Ekziston një fjalë e urtë ku thuhet: “Ata që nuk mësojnë nga historia, janë të destinuar ta përsërisin”.

    Na rroftë viti 1967!

Në vend të Perëndisë, Partia.

Në vend të Frymës së Shenjtë, frymën e Revolucionit Komunist.

Në vend të adhurimit të hynisë, “Lavdi Marksizëm-Leninizmit”.

Në vend të Biblës, veprat e shumta të shokut Enver Hoxha.

Në vend të ligjeve të Zotit, dekretet e Komitetit Qendror.

Në vend të klerit, sekretarët e Partisë.

Në vend të besimtarit, njeriu i ri socialist

Në vend të parajsës, lumturia socialiste

Në vend të së vërtetës . . .

Në vend të shpëtimit, humbja.

Në vend të dritës, errësira.

Në vend të njeriut të ri, shpirtra të dërrmuar.