Arrestuar ditën e Krishtlindjes

0
125

Ishte dita e festës kur policia erdhi në shtëpinë e Josefit dhe e arrestuan. Arrestimi dhe burgosja e tij erdhi thjeshtë për shkak të besimit të tij në Jezus Krishtin në një shtet që nuk lejon që një njeri të ndryshojë fenë e tij në një besim tjetër.

Josef Nadarkani është një drejtues i kishës në veri të Iranit. Ai është i martuar me dy fëmijë, dhe familja e tij është persekutuar prej vitesh për besimin e tyre në Krishtin. Arrestimi i parë i Josefit erdhi sepse ai foli për besimin e tij me njerëz të tjerë. Arrestimi i dytë erdhi sepse nuk donte që fëmijët e tij (atëhere në moshën 8 dhe 6 vjeç) t’i nënshtrohëshin mësimit të detyruar të besimit musliman në shkollën shtetërore.

Autoritetet reaguan duke ngrituar akuza të reja ndaj Josefit për apostazi. Gjatë burgosjes, i bënë presione të vazhdueshme për të hequr dorë nga besimi në Krishtin dhe kthimi në fenë tradicionale. Përdorën medikamente për këtë qëllim si dhe e kërcënuan familjen e tij duke e burgosur edhe gruan.

Pasi e arrestuan për herë të tretë, i thanë që djemtë e tij do të merreshin dhe do t’ua kalonin në kujdes të një familje muslimane nëse nuk ndryshonte bindjen. Gruaja e tij u çua në gjyq dhe duke mos e lënë të përfaqësohej nga një avokat e dënuan me burgim të përjetshëm gjoja për apostazi gjithashtu.

Pasi u apelua çështja e saj me ndihmën e një avokati, u la e lirë. Pak muaj më vonë, u kalua për gjykim edhe çështja e Josefit ku e dënuan “me vdekje” për apostazi. Dënimi nuk ishte i ligjshëm, pasi kodi penal i Iranit nuk e lejon dënimin me vdekje për ndërrimin e fesë, por juristët bazuan vendimin e tyre mbi deklarimet e autoriteteve fetare në vend.

Një avokat musliman i njohur për punën e tij për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e mori përsipër përfaqësimin e Josefit. Si rrjedhojë, edhe ndaj avokatit u ngritën akuza që gjoja ky po vepronte kundër interesave të shtetit.

Pas një kalvari të gjatë apelimesh të vazhdueshme, Josefin e lanë të lirë. Në korrik të vitit 2018 u arrestua përsëri dhe duket se edhe këtë vit familja e Josefit do të kalojë festën e krishtlindjes pa praninë e tij.