10 PASOJAT E KUMARIT

0
9

1. Kumari të bën dembel Shumë prej tyre që luajnë kumar varin shpresat e tyre te fati. Ata që ndjekin fatin nuk e kanë mendjen te puna. Dhe fati rrallë herë gjendet në sallën e basteve.

2. Kumari është si droga Fillon si diçka zbavitëse por s’kalon shumë kohë dhe mikrobi futet brenda. Është fatkeq ai që fiton te loja e parë. Mendja e tij gënjehet se mund të jetë gjithmonë fitues dhe pastaj nuk mund të ndalet. Por i ngjashëm është fati i atij që humbet që në fillim. Ka shumë të ngjarë që ai të vazhdojë në lojë për të rifituar paratë e humbura. Përfundimi është i njëjtë.

3. Kumari nuk të pasuron Nëqoftëse nuk heq dorë nga kumari, ai të lë fukara. Kush fitoi që nuk i humbi përsëri? Po fitove sot, do humbasësh nesër.

4. Kumari të shkakton stres Ankthi i vazhdueshëm i lojës se do fitosh apo do humbasësh është i dëmshëm. Si mund të thuash që po zbavitesh kur po i humbet paratë? Kush gjeti qetësi te kumari?

5. Kumari të bën të pa sjellshëm Kam parë shumë njerëz të transformuar nga lojërat e fatit. Ata janë bërë njerëz më të vrazhdë. Janë bërë më pak të dashur. Nuk mendojnë më për të tjerët.

6. Kumari të largon mëndjen nga puna Ngaqë ai po shpreson që fati do t’i buzë- qeshë në lojëra, nuk pret më ndonjë të mirë nga puna.

7. Kumari të prish familjen Nëqoftëse bëhet kronike fiksimi pas lojës, është e vështirë të heqësh dorë pa prishur familjen më parë. Kush e di sa familje të ndara ka në Shqipëri për shkak të kumarit.

8. Kumari kënaq vetëm për pak Eksitimi zgjat pak por në fund jo vetëm xhepi por edhe shpirti është bosh.

9. Kumari i hap derën krimit Njerëz që nuk kanë vjedhur ndonjëherë janë bërë hajdutë dhe mashtrues parash për të vazhduar lojën. Borxhi i kumarit çon shumë persona në krime.

10. Kumari është një ves i keq Është e ngjashme me një sëmundje. Po nuk u kurua ai përparon duke shkaktuar një gjendje të rënduar që mund të shkatërrojë jetën. Cila grua do një burrë që është i dhënë pas lojërave të fatit? Çfarë shembull u jep fëmijëve ai prind që kalon kohën në kazino? Kush u bë më fisnik duke shkuar pas kumarit?