Home Jehona 38 Bibla sipas Hollivudit

Bibla sipas Hollivudit

Kinematë botërore po shfaqin filmin artistik “Son of God” (Biri i Perëndisë) një dramatizim i ri i historisë së ungjillit. Që kur Hollivudi prodhoi filmin e tij të parë për jetën e Krishtit në vitin 1927 (me emrin “Mbret i Mbretërve”) janë zhvilluar debate të forta rreth portretizimit të kësaj figure të shenjtë. Kjo nuk ka penguar prodhimin e dhjetra filmave artistike për jetën e atij personi që mund të konsiderohet më i veçanti në histori.

Filmi i ri “Biri i Perëndisë” është fryt i serisë së dokumentareve 10 orëshe “Bibla” e prodhuar nga History Channel në Shetet e Bashkuara të Amerikës. Filmi, pra, është në një farë mënyre redaktimi i skenave më të pëlqyera të kësaj serie televizive. Studio “Fox” në reklamën e tyre pretendojnë që shfaqje e këtij filmi në kinema është një ngjarje e madhe mediatike, dhe e quajnë përjetimin e filmit “bindës, të fuqishëm, dhe frymëzues”.

Studio “Fox” na siguron gjithashtu që filmi është “xhiruar në lokalitete ekzotike, aktorët kanë dhënë përformanca të fuqishme, efektet speciale janë rrezatuëse dhe muzika orkestrale (që e shoqëron filmin) është e pasur.” Kritikët e filmit nuk janë aq të sigurtë. Është vrejtur që bashkëbisedimet midis “Jezusit” dhe personazheve të tjera janë të cekta, si nga përmbajtja ashtu edhe nga cilësia e aktrimit.

Kritikët nuk kanë pëlqyer faktin që janë përzgjedhur fragmentet më të thjeshta të ungjillt, ato që nuk kërkojnë shpjegime, ndërkohë që ngjarjet më të komplikuara dhe më ngacmuese janë lënë në harresë. Jezusi i këtij filmi, pra, lidh disa miqësi, bë disa mrekulli, dhe pastaj kryqezohet nga disa njerëz që janë të inatosur me të.

Por Jezusi i Biblës është një figurë më komplekse sesa kaq. Ai shoqërohet me njerëz mëkatar, me gra famkeqe, me lebrozë, dhe me ata që konsideroheshin tradhtar nga fetarët e asaj kohe. Jezusi gjithashtu predikoi një mesazh që sfidonte thellë ndjeksit e tij. Ai u tha të ndihmonin të varfërit, të burgosurit, dhe të sakrifikonin gjerat materiale për të mirën etë tjerëve. Ai provokoi drejtuesit e popullit, e humbi durimin me ata që shisnin në tempull, madje e lavdëroi samaritanin e urryer në sytë e judenjve.

Më problematike për besimtarët e krishterë është fakti që ky film devijon shpesh nga historia e Jezusit siç e kemi të regjistruar në faqet e Biblës. Lexuesi i rregullt i Biblës nuk ka si të mos vërë re rastet kur skenografisti e modifikon historinë origjinale. Marrim, për shembull, ngatërresën që është bërë me skenën e filmit kur Pjetri merr thirrjen për të qënë dishepull i Jezusit.

Ungjilli tregon që Pjetri nuk ishte vetëm me Jezusin në varkë kur mrekullisht u kap një sasi e madhe peshqish, dhe që ky në fakt nuk ishte aspak momenti që Pjetri u thirr si dishepull i Jezusit. E vërteta është se ky ishte një moment reflektimi për Pjetrin, sepse thirrjen e kishte marrë që më përpara.

Ngatërresa të tilla janë të shumta. Është normale për besimtarët të pyesin se përse regjisorët bejnë ndryshime të tilla. Është vështirë të besojmë që ata nuk e kanë kuptuar tekstin origjinal të Biblës. Të bën të mendosh se atyre u duket se janë kompetent të përmirësojnë tekstin e ungjillit duke e ndryshuar ate. Diçka që është komentuar pozitivisht nga disa kritikë është rëndësia që i jepet ringjalljes së Jezusit në këtë film. Edhe pse ringjallja është një element kyç në historinë e Krishtit, filmat e tjerë shpesh e kanë menjanuar, apo trajtuar në mënyrë të përshpejtuar.

Mëgjithatë, duhet theksuar që Hollivudi ka prodhuar një film për jetën e Jezusit që është shumë i cekët dhe që tjetërson shumë detaje. Kritika e fundit që i bëhet këtij filmi është të pyesim se ku shkoi mesazhi i shpëtimit që është aq thelbësor në veprën e Jezus Krishtit? Regjisorët dhe autorët e filmit i kishin të gjitha mundësitë të përcillnin domethënien e jetës dhe vdekjes së Krishtit, por nuk e realizuan.

Edhe pse një besimtar që e shikon këtë film mund të preket prej saj, kjo ka të bejë më shumë me faktin se ai e di tashmë domethënien e saj që po shfaqet para syve të tij. Në rastin e jobesimtarit, dyshohet nëse ai mund të kuptojë rëndësinë e veprës së Jezusit vetëm me shikimin e këtij filmi.

Pyetje si: “Përse lindi Biri i Perendisë në tokë?” “Përse vdiq Krishti në kryq?” “Si na shpëton Jezusi?” janë lënë mënjanë, ndofta nga meraku se kufizohet tregu i filmit. Dhe ai mesazh që jepet është i pjesshëm. Personazhi i Jezusit na flet gjatë filmit, “Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta,” por nuk e dëgjojmë të thotë “askush nuk vjen te Ati përveçse nëpërmjet meje”.

Sigurisht që nuk pritet që filmi të trajtojë çdo aspekt të jetës së Jezusit, por të paktën një film i tillë duhet të nxirre në dritë pjesët më thelbësore të saj. Si shumë filma të tjera për Jezus Krishtin, edhe ky film ndalet te udhëkryqi ku duhet të zgjedh midis rrugës së dëfrimit të shikuesit apo informimit të drejt të tij.

Unë mendoj se është zgjedhur ajo e para. Si do të reagojë publiku ndaj filmit? Shenjat e para janë që një pjesë e publikut, kryesisht pjesa fetare, janë të kënaqur me një film që paraqet Jezusin në stilin modern. Ndofta kjo na mëson diçka më shumë për publikun sesa për vlerën e filmit.

Most Popular

NUK TË GËNJEN SYRI

S’të gënjen syri, jo Brenda pak sekondash syri thith gjithë ato imazhe. Si të jesh duke ecur në krah...

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

Recent Comments