HomeMesazhi 7Armiku i Krishtlindjes

Armiku i Krishtlindjes

Historia e mbretit ambicioz që kërkoi vdekjen e Jezusit

Arritjet e mbretit Herod ishin të shumta. Ai ishte një sundues i suksesshëm në kohë të vështira. Por sot, kur kujtohet emri i Herodit, nuk bëhet për asnjë prej arritjeve të tij. Jo, emri i Herodit mbahet mend për një arsye tjetër: ai udhëroi shfarosjen e foshnjave të Betlehemit në përpjekje për të vrarë fëmijën e shenjtë.

Kush ishte Herodi?
I lindur në një familje të lidhur fortë me politikën, Herodi ishte i destinuar për një jetë statusi dhe pushteti. Kur ishte 25 vjeç, u emërua guvernator i Galilesë, një pozitë e lartë për një të ri. Romakët shpresonin se Herodi mund të kontrollonte hebrenjtë që jetonin në atë zonë. Në vitin 40 para Krishtit, Senati romak e emëroi atë “Mbretin e Judenjve”.

Herodit i pëlqente t’u bënte përshtypje  të tjerëve. Ishte i aftë në të folur dhe kishte një aftësi të veçantë për të bërë për vete kundërshtarët e tij. Nga dhjetë martesat e tij, shumica ishin të orientuara nga prestigji dhe
të motivuara politikisht. Herodi ishte mizor. Ai ishte pjesë e një familjeje më të madhe politike, shumë prej të
cilëve ishin dinakë dhe gjakftohtë por asnjë nuk ia kaloi atij.

Për shembull, Herodi kishte një kunat 16 vjeçar i cili u përpoq të bënte emër dhe të fitonte pushtet pas kurrizit të tij. Herodit i duhej ta mbante nën kontroll. Një ditë, kur e gjithë familja po kënaqej duke notuar, Herodi, duke luajtur, ia mbajti kokën të riut nën ujë derisa e mbyti. Vite më vonë, gruaja e tij Mariamne, u përfshi në një puç të komplikuar që po kurdisej me shpresën që familja e saj të ngrihej në pushtet.

Por Herodi e përballoi mirë situatën dhe e hoqi qafe gruan. Herodi donte gjithçka. Dëshironte çdo gjë që kishte një Çezar romak. Ai ndërtoi disa  pallate dhe teatre, njëri prej të cilëve mund të mbante 4000 njerëz. Ai ndërtoi stadiume për aktivitete sportive dhe më i madhi prej tyre mund të mbante 10.000 tifozë. Ndërtoi gjithashtu edhe një tempull të ri në Jeruzalem dhe qytete të tëra me madhështi dhe i vuri emrat e eprorëve të tij. Por ai nuk kujtohet për asnjë nga këto gjëra. Ai kujtohet si armiku i krishtlindjes.

Ç’lidhje ka midis Herodit dhe Krishtit? 

Profetët thanë se Krishti do të lindte dhe do të ishte mbreti i hebrenjve, por në mendjen e Herodit, ishte ai vetë që duhet të ishte mbret i përjetshëm. Prandaj, kur iu dha lajmi se Krishti i premtuar kishte lindur, kishte kaq shumë frikë për humbjen e pushtetit të tij, sa ishte i vendosur ta vriste fëmijën e shenjtë. Ungjilli tregon se Herodi mori vesh për lindjen e Krishtit nga dijetarët.

I sëmurë nga lakmia për pushtet, ai nuk do të lejonte në asnjë mënyrë që dikush t’ia merrte fronin. Ai nuk e njihte Jezusin personalisht. Madje nuk ia dinte as emrin. Ai dinte vetëm që foshnja, Krishti i premtuar, kishte lindur në Betlehem. Kështu, që të ishte i sigurt se do ta vriste Jezusin, ai i vrau të gjitha foshnjat në qytet që ishin dy vjeç e poshtë.

Me gjithë masakrën, siç e dimë, ai nuk arriti ta vriste Jezusin. Nuk kaloi shumë kohë pas këtyre ngjarjve dhe Herodi u detyruar të lëshonte gjithçka që e lakmonte në ketë jetë sepse edhe atij i erdhi ora e vdekjes, për të shkuar në atë botë ku thuhet që njeriu merr shpërblimin e merituar për ato që ka bërë në këtë jetë.

Sa prej nesh janë si Herodi? 

Herodi nuk ishtë as i pari dhe as i fundit që ishte i fiksuar pas pushtetit, pasurisë, dhe pas vetes. Lakmia për pushtet dhe dëshira për të qënë në krye është një fenomen i njohur në shoqërinë e sotme. Ka plot përsona që janë të gatshëm si Herodi të sakrifikojnë të tjerët, përfshi familjen, për të arritur përmbushjen e dëshirave të tyre personale.

Ka edhe nga ata që bëjnë ç’të munden që ta mbajnë Zotin larg jetës së tyre, sepse mendojnë se në këtë mënyrë do të jenë vet zot të fatit të tyre. Mund të mos jenë aq ekstrem sa Herodi. Mund të mos bëjnë krime
aq të rënda, por përsëri janë të paepur që të mos e lejojnë Krishtin të zërë vendin që i takon në jetën e tyre.
Kjo botë mund të jetë e lumtur me Jezusin si foshnjë në një grazhd, por nuk është gati ta lejojë Krishtin të jetë mbret dhe Zot mbi dëshirat dhe mendimet e saj.

Shumë njerëz e mirëpresin Jezusin si birin e Davidit, por jo si Birin e Perëndisë. Kurdo që tregohet historia e
lindjes së Jezus Krishtit, kujtohet mohimi që Herodi i bëri foshnjës së shenjtë. Ai ishte armiku i Krishtlindjes. Por nëse ti refuzon Zotin dhe adhuron çdo gjë tjetër përveç atij që e meriton vërtetë lavdinë, çfarë mund të
thuhet për ty në fund?

Previous article
Next article

Most Popular

Recent Comments