Home Blog

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

0

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet me kostume të frikshme janë kthyer në modë në shumë vende, kjo na tregon më shumë për mendjelehtësinë e brezit tonë sesa na mëson ndonjë gjë lidhur me Halloween-in origjinal.

E vërteta e kësaj pune është që nuk ekziston vetëm një version i festës, sepse kemi të bëjmë, realisht, me një fenomen që ka qenë duke evoluar në shtetet perëndimore prej disa brezash. Gjithsesi, se si shkuam nga ‘festa e gjithë shenjtorëve’ (siç është përkthimi tamam i fjalës halloween) e përfunduam te ‘festa e errësirës’ hajde ta marrësh vesh!

Por në fakt, del që nuk është aq i vështirë shpjegimi i transformimit të Halloween-it, të paktën ai transformim që ndodhi gjatë 30-40 viteve të fundit, i cili e ka shkëputur përfundimisht festën nga rrënjët e saj të krishtera. Dirigjenti kryesor në këtë histori është Hollywood-i, ajo superfuqia e botës kulturore (sidomos gjatë shekullit të kaluar) që është treguar mjaft e zonja në magjepsjen e publikut.

Mirëpo, Hollywood-i ka gjetur ca bashkëpuntorë në radhët e kulturës shqiptare, duke përfshirë median dhe segmente të arsimit publik e privat, që e kanë përqafuar Halloween-in aq fort se thua që mezi kishin pritur që të vinte kjo ditë! Nuk duhen harruar tregtarët në këtë mes, sepse janë pikërisht ata që ju furnizojnë me kostume të gatshme për ‘zbukurimin’ e fëmijëve tuaj. Jo më vonë se dje hyra në një market në Tiranë ku vura re një shumëllojshmëri veshjesh të frikshme dhe sende shtrigash në shitje. Kur ia shpreha mospëlqimin tim shokut që kisha në krah, ai më korrigjoi me vëzhgimin që, “Nuk e kanë fajin këta jo…” duke e lënë të nënkuptuar përgjegjësinë e tjetërkujt, e sigurisht nuk e kishte fjalën për fëmijët.

Por ndërsa flasim për Halloween-in nuk mund të rrimë pa konstatuar që versioni i kësaj feste që praktikohet më shumë në SHBA nuk është ajo që shikoni në ekran. Sepse për pjesën dërrmuese të qyteteve amerikane, Halloween-i ngjan thjesht si karnavalet ku fëmijët vishen si personazhi i preferuar i përrallave apo me kostumin e ndonjë superheroi. Domethënë, s’ka fare konotacione djallëzore. Ajo që të bën përshtypje pra, është fakti që Shqipëria arrin të importojë vetëm versionin më të errët të kësaj feste. Çfarë do të thotë kjo për mentalitetin e shoqërisë sot?

Dikush shprehet se Shqipëria ka plot festa pa qenë nevoja të imitojë festat e vendeve të tjera. Deri diku e simpatizoj këtë opinion, por realiteti është që popujt gjithmonë kanë bërë shkëmbime idesh e zakonesh. Puna është të dimë çfarë ia vlen të zhdoganojmë e çfarë jo. Edhe pse në familjen time nuk e kemi festuar ndonjëherë Halloween-in, kjo nuk do të thotë që jam kundër atyre që duan të festojnë një version të Halloween-it që mbart një domethënie pozitive. Megjithatë, duket se versioni shqiptar i Halloween-it ngeli ai i horrorit dhe i shtrigave. Në këtë, nuk jeni vetëm, se duket që i njëjti shqetësim ka lindur edhe në vende të tjera. Prandaj ju rekomandoj një praktikë që është bërë e njohur në Angli, ku shumë kisha organizojnë një “Light Party” për fëmijët e lagjes natën e Halloween-it, domethënë një aktivitet që përfshin moshat e reja në lojëra të bukura, duke mos i lënë të bëhen pjesë e ambienteve të padëshirueshme. Ka edhe familje që organizojnë lojëra tavoline atë natë, po me të njëjtin qëllim pozitiv, ose shikojnë një film familjar së bashku. Ajo që është e qartë është se ka alternativa, kështu që në datën 31 tetor nuk je i detyruar të ndjekësh turmën në festimin e një Halloween-i tashmë të shtrembëruar plotësisht, nëse nuk do, kuptohet.

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

0
  1. Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?
  2. Shkenca nuk ka zbuluar asnjë forcë planetare që ndikon mbi fatin e individit. Sigurisht, përveç meteorit kur i bie në kokë!
  3. A e dini që astrologu i sotëm nuk i shikon konstelacionet në të njëjtin vend që i shikonin astrologët që sajuan horoskopin mijëra vjet më parë? Kësaj i thonë të shesësh mallin e ndenjur.
  4. Kur flasim për karakteristikat e një personi, e dimë që tiparet e trashëguara kanë më shumë peshë sesa gjithë planetet e universit.
  5. Shumë prej parashikimeve janë aq të përgjithshme sa duket që kemi të bëjme me një hile. Domethënë, zor të mos dalin!
  6. Shpikësit e horoskopit nuk zgjidhin dot hallet e tyre, e jo më të na ndreqin neve me këshillat e tyre.
  7. Edhe pse kanë lindur nga një nënë, nën shenjën e njëjtë të horoskopit, shumë binjakë përfundojnë në rrugë shumë të ndryshme në jetë. Po s’të bëri kjo të dyshosh, çfarë t’ju themi pastaj?
  8. Dielli ndriçon tokën, por fati i individit ndriçohet shumë më tepër nga prindërit, shkolla, shoqëria, sesa ndonjë rreze yjore.
  9. Me të njëjtën ditëlindje ka njerëz të mençur dhe injorantë. Atëherë, si qenka përcaktues për fatin e njeriut shenja nën të cilën ai ka lindur?
  10. Përvoja na tregon se fati i individit varet shumë më tepër nga zgjedhjet personale, përkushtimi i tij në punë, apo stili i tij i jetesës dhe aspak nga një konstelacion në qiell.
  11. Në fakt, rrjedha e ditës suaj ndikohet shumë më tepër nga moti (era, shiu, apo temperatura) sesa nga një forcë e mistershme që gjoja vjen prej yjeve.
  12. Kur Ai që krijoi gjithë qiellin nuk të paracaktoi fatin, por të ngarkoi me përgjegjësi personale për të zgjedhur të mirën e jo të keqen, qysh atëherë mendon se yjet që ndodhen miliarda vite larg udhërojnë fatin tënd?

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

0

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me dhunë, të tjerë me shantazh, por shumica vjedhin fshehurazi, me marifet. Ka vjedhës ordinerë, që vjedhin ç’u del para: rroba, biçikleta, telefona, xhepa. Ka vjedhës special që vjedhin me plan, duke piketuar me kujdes prenë e radhës. Ka që vjedhin në bashkëpunim, e të tjerë vjedhin gjithmonë solo.

Edhe pse kur e dëgjon fjalën hajdut, të vijnë në mendje format më flagrante të vjedhjes, mendoni pak mbi këto pyetje:

S’ka dyshim se menaxheri që nuk i jep hakun punëtorit i vjedh djersën, po ai që merr materialet e punës pa leje si quhet?

Ai që shet një mall me hile është vjedhës apo jo? Po blerësi që ia kthen mallin kompanisë, pasi e ka dëmtuar vetë, çfarë bën?

Nuk ngurrojmë t’i drejtojmë gishtin vajzës që paguan një bluzë ndërsa ka vënë një tjetër në çantë. Po llogaritari që magazinon mangët sasinë e furnizimit, çfarë quhet?

Mirë bujku që i skuq me marifet domatet, po ai që e shet një veturë pa treguar defeket e saj çfarë është?

Lë shije të hidhur ustai që merr lekët e nuk mbaron punën, po klienti që thotë se do t’i sjellë lekët më vonë, dhe s’i bie kurrë?

Dhe, a s’është vjedhës ai që merr para borxh, kur s’ka ndërmend t’i kthejë fare?

E dimë ç’emër t’i vëmë arkëtares që ngatërron kastile llogarinë, por po zyrtari që ekzagjeron shpenzimet e dietës, si quhet?

A s’është vjedhës ai që përdor uniformën e ligjit për të fituar lekë padrejtësisht? Patjetër! Po çfarë të themi për nëpunësin e shtetit që e ‘humb’ laptopin e punës se i duhet vajzës? Apo shefja e departamentit që përditëson pajisjet e zyrës e gjoja i hedh poshtë të vjetrat? Apo shefi që shton listën e punonjësve në mënyrë fiktive?

Mirë këta që vjedhin shtetin, po fshatari që vjel për vete ullinjtë e bashkëfshatarit? Apo komshiu që merr hua shkallën e nuk e kthen? Apo shoferi që naftën e makinës së punës e djeg në makinën e tij personale? Apo turistja që përlau peshqirin e hotelit kur iku? Si quhen këta?

Po për administratorin e fondit të bamirësisë që ngeli duke drekuar shtrenjtë, ç’mund të themi?

E të mos harrojmë atë që kalon në dorë me vetëdije sende të vjedhura. Ai nuk është pa faj. Rrënja thahet, nëse nuk vaditet. Kështu që nuk do të kishte kaq shumë vjedhje në botë, po të mos kishte kaq shumë blerës për mallin e vjedhur.

Arsyeja e zakonshme përse vidhet është lakmia. Lakmuesi, duke mos patur besim te Zoti, kërkon të plotësojë dëshirat e tij në mënyrë të paskrupullt. Dikush mund të presë që njerëz të vafër e të pashkollë të bien në vjedhje. Por çuditërisht, më shumë vjedhin ata që janë të kamur, madje edhe të shkolluar. Si shpjegohet? Sepse lakmia nuk është një mëkat që i ngjitet vetëm shtresës së vafër. Djalli di t’i tundojë njerëzit e të gjitha niveleve. Dhe po pati sukses me shtresën e lartë, ai i shndërron nga lakmues, në njerëz të babëzitur që kurrë nuk ngopen.

Disa nga justifikimet e vjedhjes janë qesharake:

“Të gjithë vjedhin” thonë.

“Po s’e mora unë, do ta marrë një tjetër”.

“Edhe mua më ka vjedhur tjetërkush, prandaj dhe vjedh” shpjegon.

Ose kjo: “Nuk quhet vjedhje, kur ia merr njeriut të keq”.

Apo e bukura, “Kjo vetëm e shtetit ishte”.

Përveç lakmisë, ka që vjedhin për të shitur mend apo për shkak të presionit shoqëror. Ka që vjedhin thjesht për inat. Por duhet pranuar që ka edhe njerëz që vjedhin nga dëshpërimi, se kanë rënë në lak. Ndoshta kanë borxhe. Ndoshta kanë një krizë shëndetësore në familje dhe u duhen lekë. Një shkak i tillë, nuk e justifikon vjedhjen, por e bën më të kuptueshme të paktën. Se mos mendoni që të gjitha vjedhjet janë njësoj në sytë e Perëndisë. 

Sigurisht që është ndryshe të përfitosh padrejtësisht nga ai që ka, dhe ndryshe t’ia marrësh të vafërit apo të shfrytëzosh fatkeqësinë e tjetrit për qëllime personale. Edhe pse Zoti është kundër vjedhjes në përgjithësi, Ligji i Perëndisë e dënon në mënyrë të veçantë atë që u vjedh atyre që s’kanë fuqi të kundërshtojnë. Këta rrezikojnë të marrin mallkimin e Zotit edhe në këtë botë edhe në atë tjetrën, nëse nuk heqin dorë nga rruga ku kanë hyrë. Sepse asnjë vjedhje nuk shpëton pa u vënë re nga ai që krijoi njeriun. Ç’kujtuat pra, se ai që krijoi syrin, nuk shikon?

E di që disa thonë që nuk besojnë te Zoti, e si rrjedhojë mendojnë që nuk ka një ditë gjykimi, por atëherë, më thoni dot përse ju bren ndërgjegja? Ndërsa, shumë të tjerë e gënjejnë veten me mendimin se mund të blejnë Zotin, ashtu sikurse kanë korruptuar mbrojtësit e ligjeve tokësore. Por është marrëzi të mendosh se me një bamirësi këtu e një bamirësi aty, do t’i hedhësh hi syve të Perëndisë.

Më të mashtruar akoma janë ata që shkojnë në vende të shenjta për të hedhur lekë, me mendimin se do t’u shkojë mbarë. Nëse polici i ndershëm ofendohet kur i ofrojnë rryshfete, ç’kujtoni se mendon Zoti i shenjtë për ta? Nuk e kuptojnë që s’po arrijnë gjë tjetër, veçse të grumbullojnë faj mbi faj?

Edhe ata që thonë se do të më falë Zot se është i mirë, e kanë ngatërruar Më të Madhin, me babagjyshin e Vitit të Ri. Po nuk u penduan, s’kanë gjë në vijë.

Bibla flet për parajsën jo me një tablo bosh. Por me imazhe të spikatura. Në faqet e fundit të librit të shenjtë parajsa zbulohet si një vend i bukur e i shenjtë, ku Zoti qëndron me popullin e tij. Aty s’ka dhimbje, as padrejtësi. Por thuhet qartë që në vendin e Zotit nuk hyn çdokush. E midis kategorive të njerëzve që nuk u lejohet të hyjnë në paqen e Perëndisë, janë pikërisht vjedhësit.

Bibla e thotë shqip: “Mos u gënjeni, vjedhësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë”.

Sado pak besim që ke te Zoti, kjo duhet të të bëjë të ndalësh, e të kontrollosh gjendjen tënde shpirtërore. Lejoi vetes të përballesh me pyetjen: A jam duke vjedhur sot? A kam vjedhur më parë? Se pse ndodh diçka e çuditshme kur flitet për vjedhjen... të shkon në mendje më kollaj jo çfarë ke vjedhur, por çfarë kanë vjedhur. Kjo nuk është shenjë e mirë. Ndërkohë duhet të shqetësohesh më shumë për mëkatin tënd sesa të të tjerëve.

Prandaj, ti që i vë gishtin tjetrit, nuk ke vjedhur vetë? E ti që justifikohesh dukë thënë që ke vjedhur vetëm pak, a nuk sheh se do të kishe vjedhur shumë më tepër, por të të jepej mundësia?

Ndërsa tani, si mund të bekojë Zoti jetën tënde, kur në shtëpi ke sende të vjedhura? E si mund t’i afroshesh Zotit, kur në xhepin tënd ke fitimin e pandershëm? E si mund të hysh në parajsë, kur shpirti yt është rënduar nga vjedhje? E si mund të thuash që të ka shpëtuar Jezus Krishti, kur je duke jetuar ende në mëkat?

A e kthen dot atë që ke vjedhur? Duke besuar te Zoti, kush e di çfarë mund të arrish të bësh. Ndoshta po të jepet një shans për t’i rregulluar gjërat që nuk duhet humbur.

Ndofta nuk je fajtor për vjedhjen. Ka edhe njerëz që nuk kanë vjedhur asnjëherë. Kjo është vërtet e admirueshme. Por mos vallë e ke zili atë që është pasuruar nëpërmjet vjedhjes? Mos ndoshta do të doje të këmbeje situatën tënde me atë të padrejtin? Me atë hajdutin? Por ai që e shet shpirtin për 5 pare të qelbura, si Juda Iskarioti, s’është për t’u patur zili.

Nga kjo botë nuk do të marrësh asnjë lek me vete. As edhe një. Faraoni u varros me thesare. Por ndërsa shpirti i tij shkoi në atë botë, thesaret ngelën në tokë dhe i morën të tjerët. Ti e di këtë. Përse shqetësohesh kaq shumë atëherë? Të takon të besosh te Zoti dhe të ecësh në rrugën e tij. Dhe nëse ai besim që ti përjeton është real, ti e di ku qëndron pasuria e vërtetë, e nuk do ta ndryshosh për asgjë në këtë botë. E nëse ka njerëz që e duan gjënë e vjedhur më shumë sesa e duan Zotin, më shumë sesa parajsën, kjo s’ka përse t’ju prishë mendjen juve.

Në një shoqëri normale, ai që vjedh do të përbuzej e do të shihej me turp. Por ne nuk jemi pjesë e një shoqërie normale. Megjithatë, kjo nuk e ndryshon të vërtetën e Perëndisë.

Qoftë Krishti pasuria juaj! Qoftë parajsa fati juaj! Por ta dini se në qiell nuk hyn asnjë hajdut.

NJË ZË NGA QIELLI

0

Këto ditët e para të shkollës, dëgjova një mësues që ankohej që i ngjirej zëri, se duke dashur të dëgjohej përmes maskës, po sforcohej në të folur. Edhe vajza ime më tregoi se i ështe acaruar fyti për të njëjtën arsye. Vetëm kur të ikën zëri, e kupton se sa e vyer është dhuntia e të folurit, apo jo?

Ndonëse asnjë prej nesh nuk ka lindur duke folur, dhe e mësuam gjatë rrugës, dihet që ky aparat fizik është stampuar me një “made in heaven”. Në fakt, kur shikon një fëmijë të sapolindur s’ta mbush syrin se do të jetë në gjendje një ditë të artikulojë mendime e ndjenja komplekse, por brenda atij trupi të vogël qëndron një nga gjërat më të sofistikuara që është krijuar ndonjëherë: zëri njerëzor. Potenciali i atij zëri është po aq i madh, sa duket për momentin aq i padobishëm, veçse për të shprehur nëpërmjet të qarat e thjeshta, atë zhurmën e pakënaqësisë që ndiejnë të gjitha bebet kur e gjejnë veten, papritur, të nxjerra jashtë rehatit ku kanë qëndruar për nëntë muaj, duke u përballur me një ndjenjë të re, që nuk e dinë si quhet tani, por në të ardhmen do ta përshkruajnë me fjalën ‘uri’.

Uria e bebes sa vjen e shtohet, jo vetëm për ushqim, por për t’u bërë pjesë e botës rreth tij. Diçka që fillon me të prekurit, e që shoqërohet shumë herët me një kureshtje të çuditshme për të përvetësuar komunikimin me zë me njerëzit përreth. Se si mëson fëmija të kuptojë jo vetëm fjalët, por edhe t’i interpretojë nuancat e tyre, e pastaj të fillojë t’i riprodhojë është një mister që i ka habitur vazhdimisht shkencëtarët. Duket që kemi të bëjmë jo vetëm me një kapacitet për të folur, por edhe me një instinkt që programohet te njeriu që në krye të herës.

Është e vërtetë që mbreti i xhunglës mund ta ketë ulërimën më të fuqishme, por tingujt e zërit njerëzor janë legjendarë. Brenda gojës përpunohet zhurma që del nga qafa e tij (relativisht e gjatë) duke prodhuar një zë që aftëson të folurit, po e po, por edhe na furnizon me të qeshurat, të qarat, të bërtiturat, pëshpëritjet e shumë mënyra të tjera e të shprehurit. Madje, aq i shkathët është zëri i njeriut, sa ai mund të imitojë gjithfarë tingujsh që lëshojnë edhe kafshët, duke përfshirë: gërhitjet, mjaullimat, lehjet, hungërimat, fryrjet e çjerrjet. Kumbimi i kafshëve mund të jetë mbreslënës, por brenda njeriut qëndron një simfoni e tërë.

Edhe pse e pagëzojmë ndonjë artist me emrin “bilbil” për shkak të zërit të embël që ai ka në të kënduar, e vërteta është që ka shumë këngëtarë që ia kalojnë edhe zogut me ëmbëlsinë e zërit të tyre. Kush është ai sytë e të cilit nuk janë mbushur me lot duke dëgjuar një solist të talentuar? Zëri i njeriut është një vegël muzikore e pashoqe.

Po duke u fokusuar mbi të folurin vini re që ka një përshtatje optimale midis aftësisë së njeriut në të shprehur dhe botës së tij të brendshme. Vendi dhe koha nuk na lejojnë të hulumtojmë shumë mbi këtë çështje, por mendoni pak se sa e thatë do të ishte e folura juaj pa gjithë ato intonacione, herë duke e holluar zërin, herë duke e trashur, tani duke folur më me shpejtësi, pastaj më ngadalë, duke alternuar edhe intensitetin, edhe ngrohtësinë sipas dëshirës, gjithçka që të lejon të pasqyrosh dhe të pasurosh shpirtin me tone që përcjellin, sipas rastit, dashurinë, zemërimin, habinë, frikën, gëzimin dhe mërzitjen.

Nuk është ekzagjerim të thuash që zëri yt është mahnitës – edhe nëse nuk shquhesh për talent në të folur! Mënyra si bashkëpunojnë diafragma e mushkëritë me laringun duke bërë që kordat vokale të vibrojnë, duke çuar te goja atë tingull që përpunohet pastaj nga një gjuhë që hedh valle lart e poshtë, duke u takuar herë me qiellzën e herë me dhëmbët, por që nuk ngelet vetëm në këto lëvizje, se edhe buzët duan të shfaqin aftësinë e tyre në këtë shfaqje orkestrale. A nuk është kjo e gjitha një bashkërenditje e mrekullueshme?

Që zëri ynë është një dhuratë qiellore, kush mund të dyshojë? Por sa ironi e trishtueshme, kur dhuntinë që na u dha për të shërbyer si urë për të shprehur botën tonë të brendshme, e shfrytëzojmë për ta mohuar Zërin që na krijoi.

Pyetjen tendencioze, “Përse Ai nuk më flet mua atëherë?” mund t’i përgjigjesha me një “Ai të flet, por ti nuk e dëgjon”, por nuk do ta bëjë këtë. Do tregohem pragmatik edhe do të rrëfej që as unë nuk e kam dëgjuar zërin e Perëndisë në atë mënyrë të drejtpërdrejtë që e nënkupton ky pyetjebërës, por kjo nuk më shqetëson, se as nuk pretendoj që Zëri i Parë duhet të plotësojë tekat e mia në këtë drejtim.

A do të thotë kjo që Zoti nuk ka folur ndonjëherë? Sigurisht që jo. Pse? Ai që ia fali zërin njeriut nuk ka zë?

Për vete, jam i bindur që Zoti ka folur disa herë gjatë historisë me një zë tepër të qartë. Disa nga ato raste kanë qenë kyçe për fatin e njerëzimit, siç është rasti kur foli në kopshtin e Edenit, apo dita që buçiste zëri i tij nga reja e lavdisë mbi malin Sinai në praninë e gjithë popullit hebre. Megjithatë, ia vlen të theksosh që edhe pse përjetimi i zërit hyjnor e trembi për vdekje popullin, prapë zemra e tyre ngeli mosbesuese. Por le të ngjitemi më mirë në atë malin tjetër ku foli Zoti, një vend që quhet mali i ullinjve, atje ku Biri i Perëndisë i predikoi turmave një mesazh sfidues por plot me hir. Populli ngeli gojëhapur. Ndonëse jetonin në një botë shumë fetare, pohuan me të drejtë që, “asnjë nuk flet si ky”.

Ndoshta ti do të doje të kishe qenë prezent dhe ta dëgjoje për vete Jezus Krishtin. Edhe pse kjo është diçka që nuk mund ta realizojmë, a e dini që shumë njerëz e kanë përjetuar zërin hyjnor përmes leximit të shkrimeve të shenjta? Prandaj, a je gati të marrësh pjesë në një eksperiment? E duke hapur Biblën te Ungjilli sipas Gjonit gjatë këtyre ditëve, e duke lexuar disa pjesë të saj, ME ZË, kush e di nëse nuk ke për të dëgjuar zërin qiellor nëpërmjet shqipërimit të fjalës së tij prej zërit tënd? Po të lutem të mos e nënvlerësosh si mundësi. Tek e fundit, çfarë ke për të humbur?

Ndërsa përsa i përket dëgjimit në mënyrë konkrete të zërit të Zotit, Jezusi tha që çdo njeri do ta dëgjojë zërin e tij një ditë. Janë me fat ata që do ta dëgjojnë zërin e shpëtimtarit kur ai t’i përshëndesë me fjalën, “Mirë se erdhe shërbëtor i mirë dhe besnik, hyr në gëzimin e Zotit tënd”. A do jesh ti midis tyre?

8 MËNYRA QË KEQPËRDORET EMRI I ZOTIT

0

Emri ka rëndësi. Edhe pse në kohët moderne nuk ka shumë formalitete në marrëdhëniet midis njerëzve, prapë se prapë, emri ka rëndësi. Sepse kur dikush ka merita të mëdha, a nuk themi që ai ‘fitoi nam’? Ndërsa lidhur me personin që s’ka ndonjë meritë a nuk thuhet: “S’ia kam dëgjuar as emrin”?

Emri nuk është thjesht një etiketë, por ai është diçka që përfaqëson gjithë vlerën apo dinjitetin e personit. Pikërisht, për këtë arsye njeriu kërkon të mbrojë emrin e tij. Po qe se unë shpif në adresë të dikujt me emër, më hedh në gjyq, apo jo?

Prandaj, nëse për njeriun emri ka rëndësi, ç’duhet të themi lidhur me emrin e Më të Madhit?! E po qe se ti ke merak emrin tënd, që je veçse një njeri vdekatar, merre me mend sa peshë të madhe ka emri i Zotit të përjetësisë, sepse ai emër përfaqëson karakterin dhe dinjitetin e personit më të madh.

Siç mund të pritej, Bibla flet me terma lartësues për emrin e Zotit. Psalmisti thotë: “Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin”. E në një vend tjetër thërret “I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij”.

Edhe pse Bibla nuk të lë të harrosh rëndësinë e emrit të Zotit, bota, shoqëria e media sikur kanë shpallur sezon gjuetie kundër atij emri. Por sado që jetojmë në një kohë të mbrapshtë si kjo, ligji i Perëndisë ngelet i pandryshuar:

“Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij”!

Porosia është e qartë, por për ta ilustruar më mirë, po ju kallëzoj disa nga mënyrat më të zakonshme që njerëzit e keqpërdorin emrin e Zotit…

E para. Kur e përdorin emrin e Zotit thjesht si pasthirrmë. Atje ku dje shpreheshin me frazat retorike “ah!, oh!, bah!” sot është bërë e modës të thonë “O Zot!” “O Perëndi!”apo të lëshojnë një “Pashë Zotin!”, kot së koti, pa e kaluar fare në mendje rëndësinë e atij emri. Kushedi sa njerëz sot janë fajtorë në këtë pikë!

E dyta. Më e turpshme akoma është kur e përfshijnë emrin e Zotit në biseda jo të shenjta. Njerëz të tillë, edhe përse e kanë emrin e Zotit në gojë, shpirtin e kanë të djallosur.

E treta. E keqpërdorin kur e trajtojnë si një emër magjik. Nesë kërkon të përdorësh emrin e Zotit si një abrakadabra për të bërë vullnetin tënd realitet, po gabon rëndë. Emri i Zotit nuk është një shkop magjik. Kush e trajton në këtë mënyrë nuk e ka kuptuar kush është Zoti.

E katërta. Duke manipuluar. Duhet të kesh dëgjuar lypësin në rrugë që përdor emrin e Zotit në këtë mënyrë. Edhe pse është e drejta e tij të kërkojë lëmoshë, nuk është e drejtë që hedh grep me emrin e Zotit. Por mos kujtoni që ai është i vetmi që bën këtë gjë. Pak faltore janë ngritur për të marrë lekë kundrejt shpresës së rreme? E pak predikues enden nëpër botë duke premtuar mrekullira në emër të Zotit, por që nuk i realizojnë dot?

E pesta. Kur betohen kot. Ka persona që për fenë interesohen shumë rrallë, por kur e do puna e mbushin gojën dhjetra herë me betimin “Për Zotin!”. Të betohesh në emrin e Zotit për të bërë të besueshme atë që nuk duhej besuar është mëkat i padiskutueshëm. Për shkak të këtij abuzimi Jezus Krishti tha: “Mos bëni be as për qiellin e as për tokën por le të jetë po-ja juaj po dhe jo-ja juaj jo”. Mos vallë e ke lidhur ti emrin e Zotit sado pak me gënjeshtrën tënde? Nëse po, atëherë po e zhyt në baltë atë që është e shenjtë dhe e pastër.

E gjashta. E keqpërdorin emrin e Zotit kur lëshojnë mallkime në emër të tij. Përse? Sepse nuk ju takon juve të shpërdani mallkimet e Perëndisë. Thjesht, nuk e ke këtë kompetencë. Prandaj, bekoni më mirë, sepse për këtë ju jepet e drejta, por për sa i përket mallkimit, I Madhi e di vetë atë punë.

E shtata. Njeriu bie në faj kur e përdor emrin e Zotit për t’u hequr si besimtar në sytë e të tjerëve, ndërkohë që ai nuk është. I ngjashëm me këtë mëkat, është mënyra se si një besimtar i vërtetë kërkon të rrisë vlerën e tij në mënyrë artificiale në sytë e besimtarëve të tjerë duke përdor jo vetëm emrin e Zotit, por një gjuhë super shpirtërore për këtë qëllim, që është e njëjta gjë. A thua që ti je plotësisht i pafajshëm në këtë pikë?

E teta. Më keq akoma janë ata që profetizojnë e predikojnë mësime të rreme në emër të Zotit. Ky është mëkat i dyfishtë. Një person i tillë, jo vetëm që mashtron, por e lidh emrin e shenjtë me gënjeshtrën. A nuk është kjo një nga shkeljet më të rënda të porosisë “Mos e përdor kot emrin e Zotit”? Fajtorët duhet t’i përgjigjen Perëndisë për një mëkat të tillë. Nesë nuk pendohen, keq e kanë.

Përveçse ndalohet përdorimi i gabuar i emrit të Zotit në këto mënyra të drejtpërdrejta, a nuk gjendet brenda udhëresës hyjnore “Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit kot” një ndalesë mbi trajtimin jo të denjë të atyre gjërave që kanë lidhje me emrin e Zotit, siç është përdorimi i fjalëve të Biblës për qëllime jo serioze. Se i përdor për të bërë humor apo për debat koti, për të tallur apo për t’i tallur, si mund të thuash që je duke respektuar emrin e Zotit kur nuk respekton fjalën e tij? A nuk lidhet ngushtë nderi i emrit të dikujt me nderin që tregon ndaj fjalëve të tij?

Të dashur lexues, është koha të bëni një vetanalizë. A je duke u bërë armik i Perëndisë? Sepse kush e trajton lehtë emrin e Zotit, e përçmon atë. Prandaj, mos mendo që nuk ka gjë nëse e përdor kot emrin e Zotit. Mos mendo se kjo është e parëndësishme. Ligji i Zotit të ka paralajmëruar “se Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij”. Është një paralajmërim i formës së prerë. Prandaj përse kërkon të provokosh Zotin?

E mos mendoni që po flas vetëm për njerëzit që nuk vijnë në kishë. Duhet thënë që disa nga ata që shkojnë në kishë e përdorin më lehtë emrin e Zotit se ata që nuk vijnë. Unë njoh njerëz që nuk vijnë në kishë, por me emrin e Perëndisë nuk bëjnë shaka. E kur këta e nderojnë emrin e Zotit, si ka mundësi që ka besimtar me një standart me të ulët?

Ndoshta ti pyet, si duhet të veprohet kur një i afërm apo një koleg e përdor kot emrin e Zotit? Edhe pse nuk e ke obligim të korrigjosh tjetrin për çdo fjalë të gabuar që ai nxjerr nga goja, mund të gjesh momentin ta sfidosh për mënyrën se si e përdor kot emrin e Zotit. Një mënyrë e tillë mund të ishte duke i bërë një pyetje të tipit: “E ke bërë shok Zotin që e përdor emrin e tij ashtu?”

Në mbyllje: Ka njerëz që e kanë përdhosur emrin e Zotit kaq herë sa nuk numërohet. Mund të mendojnë që janë dikushi tani, por dita do të vijë kur do të trokasin te dera e Zotit, dhe ai do t’ju thotë: “Largohuni nga unë. Nuk ju njoh fare”.

Ndërsa ai që ka respekt e dashuri për emrin e Zotit le të ngushëllohet me faktin që emri i tij është shkruar në librin e jetës. Ai mund të mos ketë famë në këtë botë, por engjëjt e shqiptojnë emrin e tij në qiell. Nëqoftëse ti je i tillë, një ditë do të gjendesh mes asaj shoqërie engjëllore, ku emri i Zotit veçse adhurohet, e kurrkujt nuk i shkon në mendje ta përdori kot.

TË LUMTË DORA E VOGËL

0

Shpresojmë t’i shikojmë fëmijët së shpejti të ulur në bangat e shkollave, dhe ata nxënës që hyjnë në klasën e parë të mirëpriten nga një mësuese e dashur, e cila di t’i motivojë me ndonjë YLL në fletore ose me frazën e mirënjohur “Të lumtë dora e vogël!”
Pikërisht për atë ‘dorën e vogël’ po mendoja këto ditë. A nuk është dora një nga dhuratat më fantastike që Zoti i ka dhënë njeriut? Përveç të shkruarit, ka gjë që nuk e bën dora?
Ajo dorë të fërkon sytë në mëngjes, ajo të ngre nga krevati. Ajo dorë që të gatuan, ajo edhe të ushqen. E pasi të ka larë, e të ka veshur, ajo të hap derën që të dalësh nga shtëpia, e të pararend në çdo gjë që ti bën, duke dirigjuar kush e di sa shumë sende e paisje gjatë ditës tënde.
E njëjta dorë që kap pesha të rënda, kap dhe penën e artistit. E njëjta që nget biçikletën, nget dhe varkën. Ajo dorë që luan topin e volejbollit, luan për bukuri edhe në piano. E pavarësisht zanatit: kuzhinier, mekanik, zdrukthar apo kirurg; po se je i mirë në atë që bën, jo rastësisht lavdërohesh me fjalën identitike: “Dorartë!”
Dora thur, lan, mbledh, dhuron, merr, shtyn, tërheq, e shtrëngon. Sa e shkathët është dora e njeriut! Nuk është ekzagjerim të thuash që ajo e ndërtoi botën. Ajo dorë që mëson të shkruajë në klasën e parë mund të jetë në të vërtetë vegla më unike në univers, përveç dorës së Zotit kuptohet.
Për kuriozitet, në mos për ndonjë arsye tjetër, ia vlen ta dish që dora e majmunit nuk ka të krahasuar me dorën e njeriut. Gishtat e njeriut janë më fleksibël dhe kanë aftësi më precize sesa ato të majmunit, dhe dora në përgjithësi është në gjendje të rrotullohet më mirë sesa ajo e primatëve. Edhe fakti që gishti i madh i dorës është projektuar të qëndrojë përballë gishtave të tjerë është shumë e rëndësishme, ashtu sikurse gjatësia e tij në raport me gishtat e tjera e bën shumë të lehtë që maja e çdo gishti të përputhet në mënyrë të saktë me majën e gishtit të madh. Kjo e lejon dorën e njeriut të manipulojë sende të imëta me përpikmëri. Ka edhe detaje të tjera që i japin epërsi dorës së njeriut, por vetëm në një gjë nuk ia marrim majmunit: në aftësinë e dorës së tij për të mbërthyer degët e pemëve! E pikërisht për këtë iu dizenjuar dora “kushëririt”, apo jo?!
Pa dyshim që mund të përdoret dora për keq. Sepse ajo dorë që bën gjithë ato veprime fisnike mund të bëjë edhe të kundërtat. Por të mos shkojmë aty! Le të thellohemi më mirë mbi funksionet pozitive të dorës, ndërsa përsa i përket së mirës a së keqes, ajo është në dorën tënde…
Dora jo vetëm që punon gjithë ato punë të ndryshme, por edhe përshëndet, edhe flet. E imagjinon dot një shqiptar që nuk flet me duar? Po për prekjen e dorës së nënës çfarë ngelet për të mos thënë? Ndërkohë kush e di sa herë që të ka shpëtuar dora jote kur ishe duke rënë? Edhe, a nuk të ka ndihmuar dora ta shikosh rrugën kur je në errësirë? Patjetër që po! Mund të mos jua zërë dora për çdo gjë, por prapë, dorën e ke të bekuar.
Nëse ke lindur me një dorë je me fat. Nëse ke dy duar, je dyfish i bekuar. Prandaj, pse të mos marrësh një çast sonte t’i studiosh duart e tua? Mbylle telefonin dhe studioji pak. Mos të të duket ushtrim fëminor. Ktheje dorën para dhe mbrapa. Pse jo, t’i lëvizësh edhe gishtat! Pastaj, kur në shpirtin tënd të fillojë të gurgullojë ndjesia e mrekullimit për shkak të dorës tënde, puthe dorën po deshe se e meriton! Por në fillim, puthe Zotin me një lutje falenderimi.
Duke folur për dorën, s’mund të rri pa thënë një fjalë për dorën e më të mirit që ka jetuar ndonjëherë, Jezui nga Nazareti. Është më shumë sesa domethenëse mënyra se si dora e tij prekte me mirësi njerëzit e vuajtuar kudo që ai shkonte, duke i shëruar, duke i bekuar, duke i ngritur përsëri në këmbë. E pastaj, kur mendon se si përfunduan ato duar të shenjta… të shpuara me gozhda hekuri për fajet e botës, është mbresëlënëse. Nuk e dimë si shëmbëllejnë duart e Jezusit sot në qiell, por e dimë që ai vepron ende në tokë përmes dorës së atij, apo të saj, që jeton me frymën e Tij në jetën e vet.
E fundit fare: Mos e lini në dorë të fatit atë që Zoti ka vënë në dorën tuaj! Prandaj, qofshin duart e tua të arta! Qofshin të pastra nga fajet, por të pista prej punëve të mira.

EPO, SI TË DUASH

0

Nuk jam racional, sepse besoj në ekzistencën e botës frymërore.
Jam naiv, sepse besoj se ia vlen t’u bësh të mira të tjerëve.
Kam tendenca anti-shkencore, se them që na krijoi Zoti, e që nuk evoluam rastësisht.
Jam i prapambetur, se dua të mbroj moralin e familjes.
Bëhem i çuditshëm, se vendos raporte korrekte me gjininë e kundërt.
Jam budalla, sepse nuk përfitoj nga pozita që të bëj korrupsion. Madje jam i keq, sepse nuk e ndihmoj tjetrin të vjedhë.
Jam emocionalisht i dobët, sepse e ndiej nevojën të mbështem shpirtërisht diku.
Shikoj iluzione, se them që e drejta do të shpërblehet në fund edhe e padrejta dënohet nga Zoti.
Më kanë shplarë trutë, se mendoj se pas kësaj jete ka diçka tjetër.
Jam mendjemadh, se i shmang ato kafet ku dominojnë bisedat vulgare.
Vras mendjen kot, se shqetësohem për sjelljen time, mos i kam bërë dikujt keq.
Vuaj nga fiksime, sepse i lutem Zotit të më falë mëkatet.
Jam frikacak, se nuk shaj atë që më shan.
Jam intelekualisht i pafalshëm, se e marr seriozisht Biblën.
Harxhoj kohën kot, se shkoj në kishë.
Jam filozofikisht i paaftë, sepse nuk pranoj që çdo gjë është relative. Bile, kam paturpësinë të them që Jezus Krishti është i vërteti.
E me sa duket, kam mungesë tolerance, se nuk aprovoj gjithë fetë e tjera.

Ore, mik! Sa shumë që ke thënë për mua. E shikon që edhe unë s’po ta prish? Po t’i mbledh në një vend, për ta pasur më kollaj. Sot s’po bëj debat. Unë jam… si të duash ti. Si të duash ti, po të them! Por nëse mbarove me mua, ti kush je?

SHËN SOFIA

0

Dy fjalë. Një fjalë drejtuar atyre që do të shkojnë të falen te Hagia Sofia ditën e premte. Edhe një tjetër drejtuar atyre që kritikojnë ata që shkojnë të luten te Hagia Sophia….

PËRSE DUHET TË SHKONI TË KRYENI RITIN TUAJ TË LUTJES PIKËRISHT ATY? A mendoni që do të jeni më afër Zotit po t’i luteni në atë vend sesa në vendet ku jeni lutur gjatë gjithë jetës suaj? Apo do të merrni një bekim më të madh se faljen e bëtë atje? Thua që vlerësohen më shumë lutjet që shqiptohen brenda asaj godine të vjetër? Mos vallë Hagia Sofia i ka gurët të shenjtë? Apo ndoshta ajo është ngritur mbi ndonjë tokë të shenjtë?

Më duhet të rrëfej që unë po dyshoj në sinqeritetin tuaj. Ndoshta e kam gabim, dhe e di që vetëm Zoti mund të shikojë brenda zemrës së njeriut, por ia vlen t’i bëni vetes disa pyetje ndërsa shkoni të bëni ritin tuaj fetar.

A i faleni vërtet Zotit apo adhuroni historinë tuaj, pushtetin tuaj, veten tuaj? A ka një frymë përulësie në lutjen tuaj, apo ju duket vetja më superiorë se njerëzit e tjerë? Dhe më duket me vend të pyesni veten nëse kërkoni sinqerisht vullnetin e Perëndisë apo thjesht realizimin e dëshirave tuaja tokësore.

PËRSE MËRZITENI KAQ SHUMË QË DISA NJERËZ DO TË KRYEJNË RITIN E TYRE TË LUTJES NË KËTË GODINË HISTORIKE? Juve, a ju dëmton kjo gjë? Ju prish punë? Dua të kuptoj nga se buron pezmatimi juaj? Vjen ngaqë jeni të zellshëm për laicitetin e muzeumit apo ju duket se po përdhoset ish-bazilika e krishterë? Se vetëkuptohet që këto janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Nëse bëni pjesë në grupin e parë, më bëni përshtypje me ato deklaratat tuaja sikur qenka sakrilegj që muzeumi të ketë funksion fetar. A nuk e dini që ngjani disi qesharakë me këto pretendime? Apo kujtoni që i vetmi kult që mund të ngrihet në Hagia Sofia është ai i historisë njerëzore? Mos harroni që kjo godinë u ndërtua për lavdinë e Zotit, jo të njeriut.

Po qe se bëni pjesë në grupin e dytë, di t’ju flas ndryshe. Si i krishteri të krishterit.

Edhe pse besimi ynë është feja më e madhe në botë, edhe pse ungjlli i Jezu Krishtit ka shkuar në të katër anët e botës, le të konstatojmë diçka të rendësishme që ka ngjarë gjatë shekujve që nuk mund të mohohet: Zoti ka lejuar që të gjitha qendrat më të hershme të krishterimit të gjymtohen. A keni menduar ndonjëherë pse?

Tempulli i Jeruzalemit u shkatërrua që në shekullin e parë, Roma u plaçkit nga barbarët disa herë në shekullin e pestë (përfshi disa nga kishat), e Konstandinopoja me katedralen e saj të famshme ra në dorë të osmanëve në vitin 1453.

Edhe sikur Krishti të mos kishte thënë hapur që “ky tempull do të shkatërrohet” vetë ngjarjet historike do të na kishin shtyrë të dyshonim për pasjen apo mospasjen e një tempulli fizik. Gjithsesi, të thuash që mësimi i Dhiatës së Re është i qartë në këtë pikë, nuk e përcjell mjaftueshëm frymën radikale të veprës së Krishtit, i cili hapi një rrugë të re drejt Perëndisë që nuk varet nga objekte tokësore.

Kush e di sa shokuese për dëgjuesit e tij judeas ishte deklarata, “Unë po ju them se këtu është një më i madh se tempulli”? Ndërsa nuk besoj se gjen sqarim më domethënës sesa ai që Jezusi i dha gruas samaritiane me fjalët, “ora ka ardhur që ata që adhurojnë Atin ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetë”.

Miq të krishterë, sado që jeni të apasionuar pas historisë edhe sado që simpatizoni vlerat kulturore të një godine madhështore si Hagia Sophia, nuk mund t’i lejoni këto ndjenja t’ju mjegullojnë gjykimin tuaj frymëror.

Ungjilli e bën të qartë që s’kemi nevojë për një tempull në tokë për t’u lidhur me Zotin, se besimi ynë nuk forcohet dhe as dobësohet për shkak të një godine. Ne adhurojmë një Zot të ringjallur që qëndron në qiell dhe e gjejmë veten në praninë e tij sa herë që mblidhemi me të tjerët për ta adhuruar.

Jo më kot Jezusi tha, “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati veçse nëpërmjet meje”. Kjo është siguria jonë. Ka një tempull që nuk është ndërtuar prej dorës së njeriut dhe lum ata që marrin pjesë në të.

Shumë komentues merren me aspektin politik të zhvillimeve lidhur me Shën Sofinë, ndërsa unë nuk e kam prekur fare këtë pjesë. Kam dashur të trajtoj vetëm anën shpirtërore të çështjes.

HOLOKAUSTI DHE BESA SHQIPTARE NË NJË MONUMENT

0

Shumë shtete mund të kenë memoriale për holokaustin, por shumë pak mund të ngrejnë monumente si ky i fundit që u përurua te parku i liqenit në Tiranë. Ai përbën kujtesën e një prej kapitujve më pozitivë të historisë së Shqipërisë, atë të mbrojtjes së çifutëve nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Mbishkrimi është në tre gjuhë, anglisht, hebraisht dhe shqip, dhe sqaron, “Kur Shqipëria u pushtua nga forcat gjermane populli shqiptar refuzoi t’u nënshtrohej kërkesave të pushtuesve për të kallëzuar dhe dorëzuar refugjatët hebrenj dhe mikpritësit e tyre vendas. Kodi i Besës u respektua dhe u mbrojtën të gjithë ata hebrenj që kërkuan ndihmë. Shqiptarët, të krishterë dhe myslimanë, duke rrezikuar jetën, mbrojtën dhe shpëtuan hebrenjtë”.
Shumë kush e di që Gjermania naziste orkestroi vrasjen e miliona hebrenjve, por pak njerëz e dinë që Shqipëria ishte i vetmi vend që nuk ia dorëzoi asnjë çifut fatit të keq. Jo vetëm që shumë familje shqiptare ndihmuan komunitetin ekzistues t’i fshiheshin rrezikut, por rreth 2000 hebrenj refugjatë u strehuan gjithashtu.
Kodi i mikpritjes nuk ishte shkaku i vetëm i mbrojtjes së hebrenjve. Ndonëse Adolf Eichmann, projektuesi për vrasjen masive të hebrenjve nëpër Europë, kishte përfshirë komunitetin hebre të Shqipërisë në llogaritë e tij shfarosëse, qeveria shqiptare e luftës nuk pranoi të bashkëpunonte për realizimin e këtij plani, duke shfaqur zgjuarsi me argumentin që ajo ishte një çështje e brendshme për Shqipërinë. Fakti është se qeveria dhe populli, u vunë në mbrojtje të hebrenjve së bashku, duke shfaqur vlera morale të larta që nuk i mësuan në shkollë por që u trashëguan brez pas brezi. Ishte koha kur shtëpia e shqiptarit ishte e Zotit dhe e mikut.
Në përurimin e monumentit kryeministri komentoi që, “Ne jemi i vetmi vend me më shumë Hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore”, ndërsa ambasadori izraelit, Noah Gendler, ndau këtë vlerësim: “Një shembull i shkëlqyeshëm nga një vend i vogël që nxjerr në pah vlerat humane, sakrificën dhe dashurinë… Do të ishte e mrekullueshme nëse më shumë kombe do ta mësonin këtë pjesë të Shqipërisë.”
Sot, te muzeu i Holokaustit në Izrael, gjenden emrat e 75 shqiptarëve të cilësuar me titullin “të drejtë” për ndihmën që dhanë për të shpëtuar hebrenjtë nga nazistët.
Edhe ambasadorja amerikane vlerësoi “besën” e shqiptarëve për të shpëtuar njerëz të pambrojtur, duke shtuar se ky memorial nuk është vetëm një përkujtim i së shkuarës por i shërben edhe të ardhmes dhe do të japë një shembull frymëzimi për të gjithë të tjerët.
Në pjesën fundore të monumentit shkruhet: “Kush shpëton një jetë, shpëton një botë e tërë”.

HEBRENJTË NË SHQIPËRI
Prania e hebrenjve në vendin tonë dëshmohet nga dokumentet historike dhe mbetjet arkeologjike. Ndonëse në vitet ’30 ndodheshin vetëm disa qindra hebrenj në Shqipëri, ky numër u shumëfishua prej prurjeve të reja që erdhën gjatë luftës, nga ata që kërkonin t’i largoheshin persekutimit në vendet e tjera të Europës. Shumica prej tyre u larguan pastaj në fund të luftës dhe ngelën kryesisht ata që ishin pjesë e komunitetit origjinal. Pas rrëzimit të sistemit komunist, shumë prej tyre emigruan për arsye ekonomike.

A NDODHIN MREKULLI SOT?

0

Jeta është një mrekulli. Pa i marrë në konsideratë të gjitha llojet e gjërave që ekzistojnë në botë, mendo vetëm për ekzistencën tënde. Si është e mundur që nga një qelizë e vetme në mitrën e gruas u zhvillua trupi yt me gjithë aftësitë e tij? Nuk është aspak ekzagjerim të thuash që qenia jote është e mrekullueshme.

Megjithatë, kur pyes “A ndodhin mrekulli sot?” bëhet fjalë për një përkufizim më të ngushtë të fjalës sesa shembulli i lartpërmendur. I kam ndërmend ato ndodhi që janë në kundërshtim me rregullat normale të jetës. Nuk po flasim, pra, për mrekullitë e përditshme të ekzistencës, por për të mbinatyrshmen, dmth, raste kur hyjnorja ndërhyn në mënyrë të drejtpërdrejtë, dhe për të cilat s’mund të jepet asnjë shpjegim tjetër, përveç se të rrëfehet, “Ky është gishti i Perëndisë”!

Përpara se të merremi me pyetjen e madhe të mrekullive sot, është shumë e rëndësishme të bëjmë dallimin midis asaj që quhet providencë dhe mrekullisë. Providencat hyjnore ndodhin vazhdimisht. Janë ato situata ku personi qëllon të jetë në vendin e duhur në kohën e duhur. Providencë quhet kur të vjen një ndihmë në mënyrë krejt të paparashikueshme, e jo vetëm aq, por ndodh që ndihma përputhet me nevojën sikur të ishte e planifikuar, pavarësisht që nuk ishte, të paktën nga ana njerëzore. Mund të mendojmë edhe për ato raste kur në mënyrë të mistershme rrjedhin gjërat ashtu siç duhej, për të të mbrojtur nga një rrezik i madh. Në të tilla situata, me të drejtë pyesim: A nuk ishte dora e Zotit kjo? Se vërtetë duket që një dorë e padukshme orkestroi gjërat në prapaskenë.

Më lejoni t’ju jap një shembull konkret: Doktori i thotë të sëmurit që shanset për operacion të suksesshëm janë shumë të vogla, por pacienti në fjalë jo vetëm që e merr veten pas operacionit, por rikuperimi është aq i shpejtë sa habitet doktori duke rrëfeyer se ka ngjarë diçka gati e pamundur. Megjithatë, kësaj i thonë providencë e Zotit, sepse mrekulli do të quhej nëse do të shërohej i sëmuri papritur, pa u operuar fare, ashtu siç shëronte Jezusi, dmth, në mënyrë të menjëhershme.

Pra, ka shumë situata ku njeriu mund të thotë se ngjau diçka e mrekullueshme, por jo se ndodhi një mrekulli e atij lloji që lexojmë se bënte Krishti apo apostujt. Këto janë providenca hyjnore dhe ndonëse janë shumë të mirëpritura, është më mirë të mos i vëmë emrin mrekulli pa një arsye të fortë.

Jam i sigurt që shumë prej jush nuk keni asnjë hezitim të bini dakort që ndodhin providenca. Por për mrekullitë ç’mund të themi?

Së pari le të pohojmë që Zoti ka ndërhyrë në mënyrë të mbinatyrshme në botën tonë në të shkuarën. Bibla hedh dritë mbi disa nga mrekullitë më të mëdha që kanë ndodhur gjatë historisë. Ajo përshkruan në mënyrë të veçantë ato që u kryen në kohën e Moisiut, kur Zoti shpëtoi popullin e tij nga dora e Faraonit, si dhe mrekullitë që i shoqëruan gjatë rrugës së tyre për në tokën e premtuar.

Ndërsa në Dhiatën e Re, kemi bëmat e Jezus Krishtit. Është e qartë që Jezusi kreu shumë shenja, disa mbi natyrën dhe të shumtat në formën e shërimeve, përfshi hapjen e syve të atij që kishte lindur i verbër, një mrekulli që nxorri përgjigjen: “Që prej fillimit të botës nuk është dëgjuar që dikush t’ia ketë hapur sytë një të linduri të verbër”. E njëjta gjë mund të thuhet lidhur me daljen e Llazarit të gjallë nga varri, plot katër ditë pas varrimit të tij.

E dimë madje, që mrekullitë e Jezusit nuk u penguan nga mosprania e tij fizike, sepse kur i dërgoi dishepujt për të predikuar në zonat përreth i dha pushtet që ata të kryenin shërime gjithashtu. Kjo vazhdoi pas ikjes së tij në qiell, sepse te Bibla (Veprat e Apostujve) lexojmë se si Fryma e Zotit vepronte përmes apostujve në vazhdimësi. Përpos shërimeve në emër të Jezusit, ka shumë ngjarje të tjera që i lidhin apostujt me të mbinatyrshmen, siç ishte engjëlli që liroi Pjetrin dhe Gjonin nga burgu, drita hyjnore që iu shfaq Palit në rrugën e Damaskut, goditja e Elimas magjistarit me verbërinë, e dridhja e tokës kur u lutën apostujt.

Mirëpo, çështja është, a kanë ndodhur shërime apo mrekulli të tjera pas kohës së apostujve?

Dikush pyet: Po çfarë thotë Bibla lidhur me këtë? Normalisht, Bibla nuk mund të hedhë shumë dritë mbi këtë temë, për arsyen e thjeshtë që Dhiata e Re u shkrua kur apostujt ishin akoma mes nesh. Megjithatë, ka disa pjesë të Shkrimit që na ndihmojnë, siç është ajo që shkruhet te Letra e Jakobit lidhur me lutjen për të sëmurin. Vini re që në vend të autorizohen besimtarët të bëjnë ndonjë shpallje për shërimin e të sëmurit, udhëzohen mbikëqyrësit e kishës t’i luten Zotit për të. Nënkuptimi është i qartë, që besimtarët nuk kanë kompetenca të kryejnë shërime vetë, por t’i kërkojnë Perëndisë ndërhyrjen e tij.

Me fjalë të tjera, mënyra që Zoti po vepronte përmes apostujve nuk duhet të merret shabllon si model për ne sot, se as në kohën e tyre ai nuk ishte modeli që iu transmetua kishës.

Gjithsesi, përsa i përket çështjes së mrekullive në përgjithësi, përveç dëshmisë së Biblës, jemi të detyruar t’i drejtohemi dokumenteve historike. Çfarë thonë njerëz të perëndishëm që kanë jetuar në brezat e shkuara? Cila është dëshmia e tyre?

Një ekzaminim i paanshëm në biografinë e besimit të krishterë zbulon që rastet e mrekullive kanë qenë të rralla. E them me përgjegjësi para Zotit këtë fjalë. Kanë qenë të rralla. E jo vetëm aq, por nuk ka uniformitet lidhur me kohën dhe vendet ku kanë ndodhur. Është një mister që ne nuk mund ta kuptojmë sado që përpiqemi.

E di që ka besimtarë që duan të besojnë që Zoti ka bërë mrekulli të shpeshta në historinë e kishës. Ashtu sikurse ka besimtarë që janë të bindur që pas periudhës së apostujve Zoti nuk bën më mrekulli derisa të kthehet Jezusi në ditën e fundit. Atyre të parëve, u them, nuk është e ndershme të veshim etërit e besimit me bëma që ata nuk i kanë pretenduar, ndërsa atyre të dytëve, u them, po të ishte në vullnetin e Perëndisë që ai të mos bënte asnjë mrekulli pas apostujve, a nuk do ta zbulonte këtë përmes Shkrimit të Shenjtë?

Këtu del zbuluar përqasja që kemi ndaj historisë së kishës, sepse duke parë mënyrën se si Zoti ka vepruar në kohët e mëparshme, secili predikues kërkon material të mbështesë tezën e tij lidhur me mënyrën se si Zoti do të veprojë sot. Por le të kemi kujdes. Le të jemi të sinqertë me provat historike në radhë të parë, e së dyti, le t’i druhemi gabimit kur bëhemi kompetent të shpallim çfarë do të bëjë apo nuk do të bëjë Zoti. Sepse lidhur me gjërat e shenjta, a nuk duhet të tregojmë përulje e të flasim me kujdes? Dhe nëse mendjet nuk i keni të qeta, si mund t’i keni të ndritura pastaj?

Unë e them hapur që nuk e di ku Zoti do të bëjë një mrekulli. Por e di që Zoti nuk vepron në ndonjë mënyrë që është në kundërshtim me karakterin e tij të shenjtë. E sigurisht që ne nuk mund ta detyrojmë të veprojë siç duam ne. Kësaj i thonë të provokosh Zotin.

Ndërsa lidhur ma ata që predikojnë ungjill të rremë, jam i sigurt që Zoti nuk bën asnjë mrekulli përmes atyre. As nuk bën mrekullira Zoti kur një i ashtuquajtur apostull del garant se po të vijë njerëzia në shfaqjen e tij, do shohë shërime. Më falni, por apostujt e vërtetë nuk flisnin me arrogancë të tillë. 

Edhe pse unë nuk e di ku e kur do të bëjë Zoti një mrekulli, nuk e përjashtoj aspak, por kam një merak të madh. Meraku im është se nuk dua të nxis shpresa të rreme te njerëzit e vuajtur që mund t’i ngatërroj në jetë, apo më keq.

Në fund të fundit, nëse kam parë, apo nëse nuk kam parë një mrekulli në botën fizike të tipit që bëri Jezusi kur ishte në tokë, sa e rëndëshishme është kjo gjë? Përderisa Zoti vazhdimisht po ndërhyn në mënyrë të mbinatyrshme në zemrat e njerëzve që dëgjojnë lajmin e mirë të Jezu Krishtit duke i dhënë paqe për sot edhe shpresë për të ardhmen, kjo është ajo që duhet të na gëzojë përmbi çdo gjë.

Në mbyllje, kam një pyetje për ju: A e keni vënë re, që në botën moderne, fjalës mrekulli i ka humbur shkëlqimi? Duke ia ngjitur këtë emër gjërave të kota, na tingëllon tashmë si fjalë reklame, si lajkë apo thjesht ekzagjerim. Edhe megjithëse po flas për botën, mund të isha duke folur për kishën. Sepse ekziston një rrezik i ngjashëm që ta zhvlerësojmë fjalën mrekulli duke e përdorur aty ku nuk duhet.

Shumë gjëra mund të quhen mrekulli, por nuk janë. Prandaj, ju bëj apel të mos ngatërroni providencat hyjnore me mrekullitë. Të mos zëvendësoni realitetin me dëshirën, as vullnetin e Perëndisë me vullnetin tuaj. Sepse të kesh kujdes nuk do të thotë që je mosbesues ndaj Zotit. E naiviteti nuk duhet marrë për virtyt.

Ju bëj thirrje të vini gjithçka në peshoren e fjalës së Perëndisë. Jo çdo gjë që shkëlqen është flori. Edhe jo çdo mrekulli është reale.

Veproftë dora e Zotit për mirë në jetën tuaj, dhe te të gjithë ata që besojnë sinqerisht në emrin e shpëtimtarit tonë, Jezus Krishtit.

“BESO, POR MOS BESO SHUMË”?!

0

Sa kollaj që zgjohen ndjenjat anti-fetare në Shqipëri! Mjafton të dalë në shtyp një lajm i kobshëm me konotacione religjioze dhe menjëherë fillon e derdhet vrer. Dalin në media këta që i japin vetes kompetencat edhe të prokurorit edhe të gjykatësit. Edhe pasi e gjejnë fajtorin që duan, e pushkatojnë me fjalë në sytë e publikut ndërsa i kërkojnë shtetit të rifillojë luftën kundër fesë.

Janë ca tipa, që nuk i intereson e vërteta, as durojnë sa të bëhet një hetim i mirëfilltë, por të krijojnë përshtypjen sikur gëzojnë që u ka ardhur rasti të shfryjnë mllefin kundër fesë, dhe ndoshta kundër Zotit.

Nuk dua të merrem me tragjedinë e tjetrit. Por në të njëjtën kohë, si mund të rrijë heshtur kur kakofonia e mediave mbyt zërin e arsyes dhe shpërndan lajme të rreme në adresë të besimit?

Kushdo që merr pjesë në një komunitet fetar në Shqipëri e di që duhet të përballet me paragjykime nga shoqëria, dhe ndonjëherë nga familja, ngaqë e merr seriozisht besimin e tij.

Ka disa që hiqen si liberalë, si tolerantë (edhe kur vjen fjala për veprime imorale janë vërtetë tolerantë) por kur bëhet fjala për Zotin sikur i zë alergjia dhe fillojnë të hidhen andej-këndej në biseda, ose shndërrohen krejt, e duke humbur kthjelltësinë flasin me gjuhën e diktatorit. Hajde pastaj të bësh një diskutim serioz me ta!

Nuk e dini që shumë prej figurave më të respektuara në historinë shqiptare kanë qenë fetarë? Pal Ëngjëlli ishte klerik. Marin Barleti prift katolik. Pjetër Budi ishte peshkop. Frang Bardhi ipeshkëv. Pjetër Bogdani gjithashtu peshkop. Për të vazhduar me rilindasit e të gjitha traditave që ishin përgjithësisht praktikantë të fesë. Qysh atëherë propagandohet akoma që feja qenka e dëmshme për shoqërinë shqiptare? Po të mos kishin pasur ndjenja fetare të sipërpërmendurit as që do kishin pasur ato ndjenja atdhedashëse kaq të forta!

Mirëpo, ekziston një mentalitet në vendin tonë që thotë “mos u merr shumë me fenë” ose “beso, por mos beso shumë”. Dhe ideja e këtyre këshillave, gjoja dashamirëse, është që ata që merren me fenë mund të humbasin mendjen dhe të bëhen një rrezik për veten. Kjo është një shpifje e tipit komunist. Është një e pavërtetë që është absurde dhe lehtësisht e kundërshtueshme.

Padyshim që ka individë në shoqëri, të cilët janë fatkeqësisht të dobët mendërisht dhe të prirur të keqkuptojnë jo vetëm mësimet e fesë, por çfarëdolloj mësimesh të tjera dhe të kalojnë në gabime të rënda. Të marrësh këta njerëz si shembuj të atyre që janë besimtarë duke thënë “shiko çfarë të bën besimi” është njësoj si t’u thuash njerëzve që nuk duhet të lahen në det se qenka mbytur një njeri në lumë.

Besimi te Zoti, është ndër ato gjëra pozitive që u jep shpresë njerëzve të përballin të sotmen. Janë me mijëra dhe mijëra njerëz (vetëm në Shqipëri flas) që në momentin e dëshpërimit (kur dhe mund ta kishin humbur fare) i janë lutur Zotit dhe kanë gjetur forca të reja për t’u ngritur dhe për të vazhduar jetën. Besimi i mirëfilltë pra, jo vetëm që nuk e shtyn njeriun drejt së keqes, por e largon prej saj.

Sigurisht që jo të gjitha sektet fetare janë për t’u admiruar. Por kaq e vështirë është të bëhet dallimi midis feve të ndryshme, midis organizatave të ndryshme në bazë të asaj që thonë ose bëjnë? Por që të ngrihet ajo media që përcjell nëpërmjet telenovelave skena vetëvrasëse çdo ditë, e të shpërndajë raportazhe sensacionale duke i akuzuar fetë në Shqipëri që po i mësojnë njerëzit t’i bëjnë dëm vetes është kulmi i hipokrizisë. Dhe po e njëjta media që i bombardon njerëzit me lajme të zeza 24 orë, të hidhet kundër fesë sepse predikon që pas kësaj jete ka shpresë për një tjetër, është e papranueshme.

SHTATË MËKATE QË E GJUNJËZUAN BOTËN

0

Koronavirusi. A është një gjykim nga Zoti? Të jeni të qartë, po të dojë Zoti, në dorë na ka. E Tija është toka, e Tija është fuqia. Nëse Zoti dëshiron të na ndëshkojë, kush i’a ndal dorën? E megjithatë, le të kemi kujdes në ato që themi, le të mos nxitojmë të themi se çfarë është apo nuk është gjykim prej Perëndisë. Mirë është ta nisim hetimin një herë, si të thuash, më afër shtëpisë… Sepse ekzistojnë shtatë mëkate që janë direkt fajtorë për pandeminë që ka zënë botën sot.

1. Fajin e ka grykësia!

Shumë njerëz kanë krijuar një ide të gabuar për kuzhinën e lindjes, sikur për shkak të vafërisë aty hahet çdo gjë. Në fakt, e kundërta është e vërtetë, sepse janë blerësit e kamur që adhurojnë ushqimet ekzotike. Duke harruar që njeriu duhet të hajë për të jetuar e jo të jetojë për të ngrënë, këta ecin me filozofinë që goja duhet t’i provojë të gjitha! E kanë bërë barkun e tyre perëndi, e kështu vunë dorë pikërisht mbi ato kafshë të egra që janë mbartëse të sëmundjeve siç është SARS-i dhe koronavirusi i ri. Ekzistojnë prova mjaft bindëse që këto viruse e kanë origjinën te lakuriqët e natës dhe gjurmët më të dukshme na çojnë te tregu i gjësë së gjallë në Wuhan…

Ndoshta ju duket gabim t’i tregojmë me gisht ata që kanë rrezikur shëndetin e miliona njerëzve për të kënaqur oreksin. Mua jo. Por ama, të mos harrojmë që këta s’janë të vetmit njerëz në botë që i shkaktojnë telashe të tjerëve, vetëm e vetëm për të kënaqur shijen personale. Filozofia “kështu më pëlqen” vazhdon t’i sjellë shoqërisë dëme të mëdha. Prandaj, si i përgjigjesh ti pyetjes: A ke shkelur mbi kurrizin e të tjerëve për të plotësuar dëshirat e tua personale? Apo e ke kthyer edhe ti kënaqësinë tënde personale në idhull? Sepse kur fillojmë t’i vëmë emrin mëkatit siç e meriton, le të mos harrojmë mëkatin tonë.

2. Fajin e ka fodullëku!

Në lindje, çështjen e statusit e kanë pikë të dobët. E mos mendo që mund të tregosh që je “dikushi” po nuk dite të qerasësh të tjerët! Dhe për të fituar pikë më shumë, duhet të blesh mishra të egra. Përse? Një arsye është se ato janë më të rrallat edhe normalisht më të shtrenjtat.

Por siç e dimë, na ka dalë një kleçkë e vogël. Ato kafshë të egra nuk kanë vetëm dhëmbë. Ato janë dhe mbartës të viruseve tepër të rrezikshme për njeriun. Imagjinoni tani, që e gjithë bota ra në krizë sepse dikush donte t’i shiste mend dikujt!

Sa mirë që këtej, nuk e kemi këtë lloj vesi që kanë këta! Edhe ne nuk vuajmë nga ato komplekse se si të dukemi mirë në sytë e të tjerëve. Nuk i harxhojmë paratë kot duke qerasur njëri-tjetrin. Sidomos në dasma jo. Dhe ku kemi nge të shesim mend neve?! Jemi të urtë. Kemi norma. Jemi me Zotin. Jemi më të civilizuar, apo jo?

Prit pak… mos vallë edhe ti i ke bërë qejfin vetes, ndërsa Perëndinë e ke harruar? Nëse po, çfarë po pret? Të erdhi rradha të hash bukën e përuljes. Apo nuk ke frikë Zotin?

3. Fajin e ka besëtytnia!

Nga kapërceu virusi te njeriu? Duke lënë mënjanë teoritë konspirative (që janë një virus në vetvete) shkenca dyshon për një kafshë mbartëse me emrin pangolini.

Pangolini është një kafshë e egër, por e urtë. Ai lëviz natën, është i këndshëm, nuk të sulmon, dhe kur e sulmojnë rrotullohet në vetvete duke shpresuar që luspat e tij do ta mbrojnë nga i keqi. Por del që i keqi është njeriu, që e gjuan pangolinin pikërisht për t’i marrë ato luspa. Kjo kafshë mbrohet me ligj, gjoja, por njeriu është i paskrupullt, dhe po e çon drejt zhdukjes. Shkaku? Besëtytnia. Sepse luspat e pangolinit janë një nga përbërësit kryesorë të shumë ilaçave popullore në mjekësinë tradicionale kineze.

A thashë mjekësinë tradicionale?! Mjekësi i thënshin! Mjekësia popullore kineze nuk është gjë veçse një mishmash gojëdhënash, supersticionesh, një grumbull llafollogjish, e një pseudoshkencë e pashoqe. Çudia më e madhe nuk është që lulëzon në vendet aziatike, por që edhe në botën perëndimore ajo ka fituar shumë ndjekës gjithashtu.

Nuk e keni idenë sesa i fortë është ndikimi i besëtytnisë në Kinë. Pavarësisht propagandës komuniste, që prej 70 vitesh kërkon t’i bëjë popullit shpërlarje truri me pikëpamjet shkenco-ateiste, një pjesë e madhe e shoqërisë vazhdon të ndjekë traditat popullore pagane. Sepse fati i popullit që s’beson te Zoti, nuk është të shkojë drejt civilizimit, por të përfundojë duke besuar në sajesa të shëmtuara.

Atëherë i kujt është faji? E ka fajin besëtytnia! Ne e taksëm për mirë, por besëtytnia na hëngri në pabesi! Kështu ndodh kur njerëzimi beson në djaj.

4. Fajin e ka lakmia!

Përse në tregun e Wuhan-it po shisnin kafshë të egra? Disa gjoja të mbrojtura me ligj. Përgjigja dihet. Se ishte fitimprurëse. E fitimi vinte jo vetëm nga mishi i këtyre kafshëve të egra, por akoma më shumë prej pjesëve të tjera të trupit që i duheshin patjetër dyqaneve të mjekësisë popullore, treg që kap një vlerë prej miliarda dollarësh!

Bibla godet në shenjë: “Lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave”

Çfarë e shtyu fshatarin të kapë gjërat e ndaluara prej të cilave ka dalë koronavirusi? E tregtari t’i shiste, e nënpunësi i shtetit të heshtte, e mjeku popullor t’i ngrohte duart? Një zinxhir i gjatë njerëzish të lidhur bashkë prej lakmisë. Por fitimi i tyre ka ardhur në dëm të të gjithë botës.

Do të thuash që këta nuk e dinin që kjo punë ishte me kaq zarar. Vërtet nuk e dinin?! Përse, mos është hera e parë që ndodh kjo? Por lakmia të verbon për të mos parë të keqen që i bën tjetrit, e vetëm do që të gllabëroje e të gllabërojë.

Por përpara se të zemërohesh shumë me tregtarin e Wuhan-it, shiko pak veten në pasqyrë. Dhe kujtoni çfarë tha Jezus Krishti: “Ai që është i pa mëkat, le të gjuaj i pari me gurë”. Kur flitet për lakminë, këtu ka vend për pendim nga të gjithë. Se gjurmët e lakmisë shkojnë në të gjithë botën.

Virusin do ta ndalojnë një ditë, por lakminë kush e ndalon? Kini kujdes nga koronavirusi! Por ruani veten me shumë nga lakmia! E para të rrezikon shëndetin. E dyta të merr shpirtin.

5. Fajin e ka papastërtia!

Parullën e larjes së duarve e morëm vesh të gjithë. Pastërtia në këto kohë mund të të shpëtojë jetën, ose jetën e atyre me të cilët je në kontakt. Madje papastërtia mund të jetë një nga shkaqet kryesore për fillimin e gjithë kësaj tragjedie të madhe…

I keni parë pamjet e tregjeve të mishit në disa nga vendet lindore? Se sa të papastra janë? E mënyra si i vendosin kafshët e të gjitha llojeve bashkë, ca të buta e ca të egra, e ca të gjalla e ca të therura? Kafazë të vendosur rrëmujë, njëri mbi tjetrin në ambiente që shpesh herë janë të mbushura me pisllëqe. Virologët kishin vite që thoshin që është një bombë biologjike me sahat. Fjalë që ranë në vesh të shurdhët!

Nuk është vetëm shkenca që nuk u dëgjua. S’ia vënë veshin fjalës së Perëndisë gjithashtu. Keni menduar ndonjëherë përse Ligji i Zotit ndalonte ngrënien e disa lloj kafshëve duke i quajtur ato të papastra? A nuk ishte për arsyen se ato lloj kafshësh të egra mund të jenë mbartëse të sëmundjeve? Por njeriut i duket vetja më i mençur se Bibla.

Edhe pse mund të mos e kemi të ndaluar ngrënien e disa lloje mishërash siç iu ndalua popullit të Izraelit, prapë se prapë duhet të kuptojmë që Ligji i Zotit na jep disa parime të pandryshueshme, siç është kujdesi që duhet të tregojmë kur merremi me kafshë të egra. Vlerat e pastërtisë janë vlera të përhershme, apo jo? I referohemi jo vetëm pastërtisë fizike, por edhe asaj shpirtërore. Shumë mirë që i pastroni duart, por shpirtin kush jua lan?

6. Fajin e ka gënjeshtra!

Në datën 30 dhjetor Dr. Li Wenliang, i postoi kolegëve një paralajmërim për shfaqjen e një virusi të ri të tipit SARS. Iniciativa e tij u shpërblye me një investigim policor. Mjeku në fjalë u akuzua për thyerje të ligjit, se gjoja kishte përhapur “informacione të rreme”, dhe nën kërcënimin e ndjekjes penale u detyrua të nënshkruante një dokument ku shprehej i penduar për çfarë kishte bërë e duke premtuar që nuk do të fliste më me të tjerët. Nuk ishte i vetmi. E dimë që të paktën tetë mjekë të tjerë u sanksionuan në këtë mënyrë.

Ligji i Zotit na porosit, “Mos bëni dëshmi të rreme”, por autoritetet në Wuhan çfare bënë? Jo vetëm që gënjyen por i detyruan edhe mjekët të gënjenin gjithashtu. Kësaj i thonë mëkat. Sa ndryshe do të ishte bota sot po të mos gënjenin njerëzit?

Kur më në fund autoritetet në Wuhan e pranuan që ishte shfaqur një virus i ri, menjëherë deklaruan që nuk kishte të dhëna që ajo ishte ngjitëse, dmth nga njeriu te njeriu. Mesazhi i tyre ishte ‘rrini të qetë se e kemi situatën nën kontroll’, të paktën deri në momentin që dominotë filluan të binin gjithandej. Sa ndryshe do të ishte bota po të besohej e vërteta? Qoftë edhe kur ajo është e pakëndshme.

Kë besoni ju? A jeni nga ata që e besoni të vërtetën apo gënjeshtrën? Kush është e vërteta sipas teje? A ka më të besuëshëm sesa Jezus Krishti? Apo mos vallë je nga ata që mendon se je vetë i vërteti?

7. Fajin e ka neglizhenca!

Jemi në vitin 2020. Jemi në mes të pademisë. Me gjithë përvojën tonë shkencore e mjekësore, e me gjithë eksperiencën që bota ka fituar përgjatë viteve duke luftuar viruse, si është e mundur që përfunduam në situatën ku jemi sot? Përse nuk u veprua më mirë? E përse s’u morën masat më shpejt? Cila është përgjigja? NEGLIZHENCA.

Pekini i mbyll sytë ndaj rrezikut. Shteti i atyshëm, në vend që të kufizonte shfrytëzimin e kafshëve të egra, e nxiti më shumë. Por në dritën e asaj që ndodhi me SARS-in në vitin 2003 (që filloi pikërisht në një treg për mishin e gjallë) dhe në dritën e kalimit të viruseve të tjera nga kafshët, duhet të kishin qenë më të vëmendshëm. Dhe nuk ishte vetëm Pekini që s’e pati mendjen. As drejtuesit e shteteve të tjera nuk i mbajtën sytë hapur. Kishte kohë që binte alarmi si për rrezikun, edhe për nevojën e një niveli më të lartë përgatitje ndaj tij. Por mbani mend porosinë e Biblës: “Ai, pra, që di të bëjë të mirën edhe nuk e bën, bën mëkat.”

Pasi të ketë kaluar kjo krizë, ndoshta kësaj radhe do të zëmë mend apo jo? Mos u tregoni naivë. Siç nuk mëson kollaj nga gabimet e tij njeriu, ashtu janë edhe shtetet, se ato veçse pasqyrojnë natyrën njerëzore. Aq më tepër kur është interesi në mes.

KONKLUZIONI

Kush pra, e ka fajin që bota po rrezikohet nga një virus i ri? Mos e fajësoni natyrën. Pse, natyra e ka fajin që dikush e vuri dorën atje ku nuk duhet?! Dhe kujdes para se të akuzosh Perëndinë. Përse? Zoti na tha që të luajmë me zjarrin?!

Ndërkohë, kemi parë që janë shtatë mëkate reale që na sollën në gjendjen ku jemi. I kemi rreshtuar njëra pas tjetrës. Ato janë: grykësia, fodullëku, bestytnia, lakmia, papastërtia, gënjeshtra dhe neglizhenca. Nëse je shok me ta, erdhi dita të mendohesh mirë. Kush i beson Zotit përqafon virtytet e tij dhe zbulon shkallën që të ngjit lart, deri në qiell. Por ai që e lidh fatin e tij me mëkatet e lartpërmendura, do të zbulojë që ato formojnë një shkallë gjithashtu. Por ajo është një shkallë që të çon poshtë e poshtë deri sa zbret në ferr.

E largoftë Zoti të keqen prej jush dhe ju sjelltë në rrugën e shpëtimit!

Përse e lejon Zoti?

0

Ndaj pyetjes: “Përse e lejon Zoti koronavirusin”?, sigurisht që ka përgjigje. Jeta nuk është diçka e pakuptimtë, as e rastësishme, siç thonë filozofët ateistë. E megjithëse nuk mund të dimë të gjitha misteret e jetës, fati i botës nuk është diçka krejt e panjohur.

Së pari, duhet të kuptoni që ai që bën pyetje të tilla, po troket mbi një derë të madhe. Ka që e kuptojnë këtë, por ka nga ata që turren aty ku engjëjt kanë frikë të shkelin.

Së dyti, duhet të dini që edhe pse kjo pyetje formulohet kollaj, përgjigja mund të mos përtypet dhe aq lehtë.

Tendenciozi

Na del përpara një që thotë me tendencë, “Përse Zoti…”

Ndoshta nuk e ka me të keq. Mbase do thjesht të ngacmojë bashkëfolësin për të parë nëse ai është në gjendje t’i përgjigjet pyetjes apo jo. Gjithsesi, kjo lloj e folure të krijon përshtypjen e një personi që nuk i druhet shumë Perëndisë. Madje, të pyeturit me tendencë për Zotin mund të jetë shenjë e arrogancës.

Arroganti kujton se mund t’i kërkojë llogari Zotit. I duket vetja një autoritet moral më i lartë se qielli. Duhet treguar kujdes me një tip të tillë, se duke iu përgjigjur akuzave të tij, merr përsipër të bësh avokatin e Zotit, gjë që s’na takon aspak.

Tallësi

Më keq akoma është tallësi. Specialiteti i tij është të flasë me kunj. Duke qenë se i mungon sinqeriteti, pyetjen e bën thjesht për të të futur në lojë. Me një person të tillë, s’ia vlen të merresh. Tallësit nuk i detyrohemi shpjegime. I shkon për shtat porosia e Krishtit, i cili tha: “Mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave”.

Qëndrimi i tij përbuzës reflekton zemrën e tij të mbyllur. Ai beson te vetja e jo te Zoti. Ngaqë i duket vetja më i zgjuar nga gjithë të tjerët, as teologu më i madh nuk i jep dot mësim.

Tipi tipik

Njeriu tipik ka një farë besimi. Ndofta s’merr pjesë në një komunitet fetar, por e di që ka një Zot përmbi veten. Normalisht, ky është një njeri që e ka mendjen te puna e vet, shikon hallet e tij dhe në jetën e përditshme nuk i kushton rëndësi çështjeve, siç është fati i tokës apo i shpirtit të tij. Ndërsa tani që bota po kthehet kokëposhtë, mendja e tij nuk ka se si të mos trazohet. Ai shikon rreth e rrotull, dhe i shtangur nga gjithçka që po sheh, i ngre sytë lart dhe thotë: “O Zot, çfarë po ndodh kështu”?

Ithtari

Jo shumë ndryshe është reagimi i pyetjebërësit të katërt. Ky është një person që ka një besim më të kultivuar. Është një njeri që e lexon Biblën. I lutet Zotit. Ndoshta frekuenton një vend kulti. Mirëpo, besimi i tij ka qenë deri më sot, si të thuash, diçka më shumë personale. Ka marrë formën e një bindjeje, që përderisa ai është një njeri me norma, Zoti do ta bekojë punën e tij, familjen e tij, edhe jeta do të ketë një rrjedhë deri diku të parashikueshme. Por edhe ky besimtar e gjen veten në këtë kohë të jashtëzakonshme, duke u shqetësuar e duke pyetur, “Çfarë po bëhet”? Madje, mund të futet në dilemë, se nuk po arrin të kuptojë planin e Zotit.

Pikërisht, për këto dy kategori të fundit njerëzish, dua të them disa fjalë. Nuk e di sa do t’u vlejnë, por dua që ata të kuptojnë çfarë thotë Bibla për botën tonë dhe për kohën që jetojmë.

Në Shkrimet e Shenjta, thuhet: “E dimë se deri tani mbarë krijesa psherëtin bashkë dhe ndodhet bashkë në dhimbjet e lindjes…” dhe po aty thuhet që krijesa pret “të çlirohet nga skllavëria e prishjes”.

Duke marrë shkas nga këto fjalë, dua t’ju them dy të vërteta:

E para e punës, duhet të dini që epidemitë nuk janë diçka e re. Përkundrazi, ato kanë qenë të pranishme përgjatë gjithë historisë. Sipas parashkimit të vetë Krishtit, bota do të përjetojë herë pas here jo vetëm murtajë, por shumë disfata të ndryshme derisa ai të kthehet. Pikërisht ashtu ka ndodhur.

Gjatë shekullit të kaluar ka pasur epidemi që kanë marrë me miliona jetë. Epidemia më e madhe dhe më vdekjeprurëse ka qenë gripi spanjoll i vitit 1918. Ai fshiu diku te 70/80 milion njerëz nga bota. Është një shifër e frikshme. Por ka pasur edhe shumë epidemi të tjera, siç ka qenë malaria në Shqipëri.

Mirëpo, pa dalë ky virus i ri në skenë, shumica e shteteve të botës (në sajë të zhvillimeve të mjekësisë) kishin harruar se ç’do të thotë të luftosh me sëmundjet ngjitëse. Si rrjedhojë, njerëzit kishin krijuar një siguri të tepruar në aftësitë e shkencëtarëve për t’i mbrojtur nga e keqja. Ndërsa koronavirusi i ri, përveç jetëve që ka prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë, goditi rëndë këtë vetëbesim, duke shkaktuar jo vetëm frikë por (për shkak të amplifikimit mediatik) histerinë kolektive.

Ky vëzhgim na çon te e vërteta e dytë:

Duhet të dini që Zoti nuk na ka dhënë ndonjë premtim që nuk do të sëmuremi. Nëpërmjet vdekjes së Jezus Krishtit kemi faljen e mëkateve dhe nëpërmjet ringjalljes së tij, kemi marrë një shpresë të gjallë, por nuk jemi të përjashtuar nga sëmundjet që janë pjesë e kësaj bote që vuan mallkimin e prishjes. Keni dëgjuar që Jezusi shëroi shumë njerëz kur ishte në tokë. Por nuk e di nëse keni menduar se çfarë i ndodhi atyre më mbrapa. A nuk erdhi dita që u sëmurën përsëri dhe vdiqën? Patjetër që po.

Do thuash që “e di që njeriu sëmuret, por kjo është ndryshe se është masive”. Tani, pa dashur të flas me nënvlerësim për vuajtjen e atyre që janë prekur nga epidemia, ka edhe shumë sëmundje të tjera në këtë botë që kanë shkaktuar edhe do të marrin më tepër jetë njerëzish sesa do të shkaktojë COVID-19. Kanceri dhe sëmundjet e zemrës janë vetëm dy shembuj konkretë.

E them këtë jo për të qenë i pandjeshëm, por për të thënë një të vërtetë të pamohueshme që e keni ditur, por që po ju bëhet më e prekshme këto ditë për shkak të kësaj epidemie: Jeta në tokë është kalimtare.

Duke u përballuar me faktin që jeta është e brishtë dhe që bota është e pasigurt, detyrohesh të pyesësh se ku e ke vënë besimin. Këto janë situata që të bërtasin: “Ku e ke shpresën ti”?

Siç ndodhi me Titanikun po na ndodh edhe neve. Thanë që ajo ishte e pambytshme. Kryelartësia shkoi deri aty sa thoshin “S’ka perëndi ta mbysë këtë anije!”. Por ajo që ishte më madhështore dhe që u konsiderua më e sigurta, u përplas papritur me një akullnajë gjigante dhe u fundos. Disa nga njerëzit më të pasur e humbën jetën atë ditë. Por edhe të tjerë që ishin të varfër e të panjohur. Deti i ftohtë nuk bëri dallim. Dallim bëri vetëm Zoti, i cili mori shpirtrat e tyre, dhe duke i ndarë, i dërgoi në një nga dy vendet.

Herët a vonë, del lakuriq mburrja e atij njeriut që jeton duke shpresuar vetëm në këtë botë. Kur gjithçka që ka njeriu mund të merret kaq shpejt, dhe kur shëndeti i qindra mijëra njerëzve mund të humbasë kaq papritur, a nuk e dëgjon borinë e fortë që të thotë “ki kujdes shpirtin tënd”? A nuk e ndien se ke nevojë të kërkosh Zotin?

Jeta është dhuratë e Perëndisë. Dhe shëndeti gjithashtu. Nuk na i ka borxh Zoti një numër të caktuar ditësh. Ndërsa ne i kemi borxh Zotit të përdorim ditët tona në tokë për mirë dhe jo për keq.

Bibla e shenjtë na qorton, “Ju që thoni: ‘Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, dhe do të rrijmë aty një vit, dhe do të tregtojmë dhe do të fitojmë’, ndërsa nuk dini për të nesërmen. Sepse ç’është jeta, është avull që duket për pak kohë, dhe pastaj humbet. Në vend që të thoni, ‘Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë ne do të bëjmë këtë gjë’, ju përkundrazi, mburreni në veten tuaj dhe bëheni arrogantë”!

Të dashur miq, është marrëzi që njeriu jeton pa menduar për Perëndinë. Nëse ti i përket kësaj kategorie, a nuk do të pendohesh nga një qëndrim prej indiferenti ndaj atij që të dha jetën? E sot e tutje, përse të mos jetosh me një frymë tjetër më të mirë? Sepse vetëm me shpresën e Perëndisë mund të përballosh ngritjet dhe uljet e kësaj jete. E jo vetëm aq, por duke ecur në rrugën e Zotit, do të dish se ku po shkon.

Dhe ju që jeni besimtarë, mos u bëni më pjesë e bisedave spekulative dhe të kota rreth situatës që është krijuar. Shumë po e humbasin jetën, shumë të tjerë po e humbasin punën, ndërsa ju, mos e humbni mendjen. Flisni me urtësi fjalën e Zotit. E duke u bërë shembull i mirë për të tjerët, ndoshta Zoti do t’ju përdori në këto ditë të vështira, për të drejtuar një shpirt të humbur te Shpëtimtari.

Familja është e shenjtë!

0

Krizat politike janë më të përfolurat, më të diskutuarat dhe zënë më shumë faqe në shtyp, por kriza e familjes është ajo që po shkatërron më shumë jetë dhe po lë pasoja më të pakapërcyeshme për njerëzit. Probleme të tilla si droga, imoraliteti, bixhozi, dhe sjellje të tjera shkatërruese kanë kohë që po gërryejnë themelet e shoqërisë. E kush mund të llogarisë dëmin që vjen nga ndarjet, rebelimet ose sherret e vazhdueshme që plasin brenda gjirit të familjes? Kjo pra, është kriza moderne. Është prishja e familjes që po nxitet nga humbja e moralit në shoqëri.
Sado i sikletshëm që mund të ketë qënë kalimi nga një shoqëri totalitare në atë që ka një shkallë të gjerë lirie, nuk mund të pretendojmë që fajin e kanë vetëm sistemet. Dikush i’a vë gishtin perëndimit të shthurur, por perëndimi ka shumë gjëra të mira që ne nuk i kemi marrë. Pse zgjodhëm të merrnim të këqijat?
Po përballemi përditë e më shumë me të rinj që janë të dhunshëm në familje, të rebeluar në shkollë, e të vrazhdë në shoqëri. Nga pikëpamja morale shoqëria jonë është në gjendje kaotike. Është koha të pyesim çfarë lloj njerëzish jemi bërë?
Ndonëse janë shtuar hapësirat për të përmirësuar veten, pak njerëz po i shfrytëzojnë. Kemi arritur në një situatë të tillë ku e keqja quhet e mirë dhe e mira quhet e keqe, ku imoraliteti ka nisur të kthehet në moral, dhe gënjeshtra shitet si e vërtetë.
Kur bisedat e përditshme dominohen nga tema vulgare dhe të kota, dhe niveli i kulturës ka rënë aq shumë sa po lëmë njerëz të fëlliqur të hynë në shtëpitë tona përmes ekranit dhe të tallen me ne ndërsa rrimë ulur me fëmijët duke bërë sehir, ç’do të thuash më?
Duket sikur jemi të pafuqishëm për të ndaluar rrjedhjen e gjërave. Madje dhe Bibla thotë: “Kur themelet janë shkatërruar, çfarë mund të bëjë i drejti?” Në këtë situatë, sociologët jo vetëm që s’japin dot përgjigje, por disa prej tyre janë bërë pjesë e problemit, po të marrim për bazë deklaratat dhe këshillat e tyre imorale.
Njeriu idealist nis të dëshpërohet. Padyshim që duhet të reagojmë. Në të kundërt, s’kemi bërë gjë tjetër vetëm se kemi pranuar fatin që do të shkojmë hap pas hapi drejt greminës. Por çfarë mund të bësh? Është e qartë që individi nuk mund të ndryshojë shoqërinë, madje ai e ka mjaft të vështirë të ndryshojë veten e tij, edhe sikur të dojë ta bëjë.
Dikush thotë që edukata familjare është faktori kyç, por sa forcë ka edukata familjare nëse ajo nuk përfshin besimin përbrenda saj? Në fund të fundit ku bazohet morali nëse ai nuk ndërtohet mbi faktin që njeriu u krijuar nga Zoti, i cili caktoi disa norma të pandryshueshme për të?
Kemi një fije shpresë. Në shoqërinë tonë, shumica pranon që jeta është një dhuratë që vjen prej Perëndisë. Kjo është diçka pozitive. Por që kjo bindje të ndikojë në mënyrë konkrete te ne ai duhet të kultivohet. Dhe rrugët që zhvillohet besimi në Zotin janë të ditura. Midis tyre do të doja të rekomandoja një praktikë të përbotshme, siç është lutja familjare para vaktit të drekës apo darkës. Dhe leximi i disa vargjeve të Biblës çdo ditë. Pas krizës së pandemisë, njerëzit kanë shansin të shkojnë në një kishë apo të gjejnë një bashkësi të mirë ku e gjithë familja mund të pasurohet shpirtërisht.
Më duket se për shumë prej nesh është vonë të kuptojmë këto gjëra, megjithatë përse t’i lëmë fëmijët tanë të bëhen viktima të një bote të pamoralshme e të prishur? Kriza e vlerave na ka përfshirë në vorbullën e saj dhe përmasat sa vijnë dhe rriten. E kush është aq i zoti sa të dalë prej kësaj e keqe pa ndihmën e Zotit?

KONSPIRACION!

0

A e dini që ka një konspiracion të madh? Që ekziston një komplot me përmasa botërore që prek jetën tënde? Bota është e mbushur me intriga, e dimë nga përvoja. Dhe kur keni hasur intriga në marrëdhëniet tuaja personale, nuk është e vështirë të imagjinosh që ka të tilla veprime në nivelet më të larta të biznesit apo të pushtetit. Në fakt, aty ku ka njerëz, ka dhe intriga.

Ndërsa kohët e fundit, për shkak të pandemisë (apo për shkak të masave që janë marrë për të përballuar përhapjen e koronavirusit), po qarkullojnë lajme të shumta që në prapaskenë po veprojnë forca të errëta në dëm të njerëzimit. Bëhet fjalë për intriga kaq të mëdha, sa ato formojnë një konspiracion mbarëbotëror.

Këtu lind pyetja: A ka vërtet një elitë botërore që kërkon të imponojë vullnetin e saj mbi njerëzimin?

Së pari, duhet pohuar që ka pasur tentativa reale në të shkuarën për të imponuar një rend botëror, siç ishte fashizmi, siç ishte marksizmi. Dihet që këto ishin lëvizje ideologjike që synuan marrjen e pushtetit dhe ia arritën qëllimit në një numër të madh shtetesh, duke shkaktuar jo pak luftëra e viktima.

Por duhet të konstatojmë që bota nuk ka vetëm një elitë. Ka ‘elita’, e thënë në shumës. Dhe elitat e botës nuk janë homogjene. Ka rivalitet të theskuar midis tyre, pa qenë e nevojshme të harxhojmë kohën duke i krahasuar agjendat e tyre, që shpeshherë janë totalisht kontradiktore me njëra tjetrën.

Por ngelet për të pyetur përsëri: Mos ndoshta ka një forcë të fshehtë që është akoma më e lartë sesa këto elita?

Po ju them hapur, që gjurmët për një komplot njerëzor në një rang botëror, nuk janë aspak bindëse. Por vini re që ju thashë, ‘gjurmët e një komploti njerëzor’. Sepse mund t’ju them me siguri që ka një komplot, botëror madje, por ai ekziston në një nivel krejt tjetër.

Këtu duhet urtësi. Sepse ato gjëra që janë të fshehta për syrin njerëzor, nuk i fshihen syrit hyjnor. Pavarësisht nëse i pranoni ose jo, Bibla na zbulon disa të vërteta të domosdoshme për të kuptuar çfarë po ndodh në botën tonë. Në Shkrimet e Shenjta, thuhet:

“Sepse ne nuk luftojmë kundër njerëzve prej mishi e gjaku, por kundër autoriteteve, kundër pushteteve, kundër sunduesve të kësaj bote të errët, kundër shpirtrave të këqij në botën frymërore”.

Kjo është e vërteta e Perëndisë.

Këta që kërkojnë për një konspiracion mbarëbotëror, po e kërkojnë në vendin e gabuar e te personat e gabuar, ndaj nuk arrijnë të zënë në faj keqbërësin e vërtetë.

Miq! Panorama biblike na sqaron shumë gjëra. Në radhë të parë na ndihmon të kuptojmë që bota ka një dimension frymëror. Kjo shpjegon përse ata që dyshojnë për një komplot në nivele më të larta kanë mbledhur vetëm disa pjesë të puzzle-it, por nuk i përshtasin dot me njëra-tjetrën. Sepse kemi të bëjmë, në fund të fundit, me një konspiracion djallëzor.

Kur flasim për prapaskenën e botës, domethënë për ekzistencën e forcave frymërore, hasim menjëherë dy reagime krejt të gabuara.

Reagimi i parë vjen prej atyre njerëzve që kanë një bindje që gjithçka që ekziston përbëhet vetëm nga ato gjëra që janë të dukshme dhe që mund të shpjegohen me ligjet e natyrës. Madje, atyre u duket qesharake të flasësh për ekzistencën e frymërave, qoftë të djajve apo të engjëjve. Ata nuk besojnë në ekzistencën e botës shpirtërore. E quajnë absurditet. I kanë mbyllur sytë në këtë drejtim. Por është gabim të përjashtosh realitete frymërore, pa i marrë në konsideratë evidencat për personifikimin e së mirës dhe të së keqes. Kësaj i thonë ta paragjykosh çështjen. Besoj që i Ligu është më se i kënaqur, kur njerëzit mohojnë ekzistencën e tij. Se kështu i ka punët më të lehta për t’i mbuluar gjurmët.

Vjen pastaj një reagim tjetër, i gabuar gjithashtu, por plotësisht ndryshe nga reagimi i mësipërm. Ka një grup njerëzish që reagojnë ndaj idesë se ka një botë shpirtërore në mënyrë krejt të ekzagjeruar. Janë persona që kanë një imagjinatë të shfrenuar dhe fillojnë të shikojnë djajtë kudo. Këta posedojnë një lloj supersticioziteti që feja e mirëfilltë nuk e pranon. Me keqardhje duhet thënë që njoh edhe besimtarë që bien pre e një mentaliteti të tillë të gabuar. Ata kanë hyrë në një udhë pa krye, ku në vend qe të besojnë fort Zotin e të jetojnë me kurajo e shpresë në të, më shumë kanë frikë nga armiku. Por Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie. Ndërsa i Ligu, kërkon se si t’i futë njerëzit në grackën e frikës së pafundme, për t’i mbajtur mendjet e tyre larg shpëtimit.

Fjala që ne “nuk luftojmë kundër mishit e gjakut, por … kundër shpirtrave të këqij në sferën frymëore”, nuk u shkrua për të na trembur, por për të na qartësuar se çfarë po ndodh në këtë botë, madje edhe në rrethin tonë personal.

Apostulli Pal, një shërbëtor i denjë i Perëndisë, ai që i hartoi këto fjalë, nuk po thoshte që ne nuk kemi konflikte me njerëzit. Përkundrazi, ai sapo kishte përshkruar gjithë ato lloje të konflikteve që përjetojmë, si në shoqëri, në punë dhe në gjirin e familjes. Pasi përshkruan këto, ai kërkonte të vinte në dukje një të vërtetë të vyer: që ne nuk kemi probleme në marrëdhëniet njerëzore thjesht sepse nuk dimë të merremi vesh, por sepse në prapaskenë vepron një forcë e ligë që kërkon të amplifikojë pikërisht ato mosmarrëveshje.

Shpjegimi që: “Nuk luftojmë kundër mishit e gjakut, por … kundër shpirtrave të këqij” u dha për të na bërë syçelët, që të mos i lëmë hapësirë djallit të na shfrytëzojë duke na armiqësuar me njëri-tjetrin.

Atëherë, cila duhet të jetë reagimi ynë? Është e qartë dhe e thjeshtë: Të vëmë besimin te Zoti e të kërkojmë forcën e tij në jetën tonë. Nuk duhet të çuditemi me marifetet që përdor i ligu. Duhet të çuditemi me veten tonë, që harrojmë se jemi pjesë e luftës shpirtërore edhe që e lejojmë armikun të na pushtojë mendjet tona me frikë e shqetësime të ndryshme, në vend që të shkojmë te Krishti, i cili është burimi i paqes, dashurisë dhe durimit.

I kthehemi konspiracionit të madh. Kjo e vërtetë që “Nuk luftojmë kundër mishit e gjakut..” vlen për të kuptuar gjithçka që po ndodh më gjerësisht në botë.

Por një paralajmërim: Kini kujdes nga gjykimi i cekët! Ashtu sikur Zoti nuk është në anën e një kombi, e një shteti, apo s’është palë e një organizate politike apo institucioni fetar të veçantë, as djalli nuk bën shumë dallim. I ligu mban anën e tij, dhe të askujt tjetër. Nuk i shërben askujt, por i përdor të gjitha për të prodhuar sa më shumë ligësi dhe mosbesim ndaj Zotit.

Strategjia e tij është e njohur: ‘përça e sundo’. A ka dy anë të një konflikti? I ligu luan të dy anët kundër njëra-tjetrës. Ka tre ose katër palë të përfshirë në një mosmarrëveshje? Përsëri i ligu i luan të gjithë kundër të gjithëve. Ai është mjeshtër për këtë. Dhe veçse kërkon të përçojë te njeriu një frymë rebelimi, një frymë urrejtje, një frymë smire, një frymë lakmie, një frymë pangopësie, një frymë mendjemadhësie… me një fjalë, një frymë të ndyrë e një frymë djallëzore.

Për të arritur këtë sa më kollaj, ai kërkon të ndikojë sa më shumë në botën mediatike, në qarqet intelektuale, në partitë politike, dhe në institucionet e ndryshme, qofshin ato shtetërore apo joshtetërore. Këto të gjitha mund të jenë të ngritura për qëllime fisnike, por i ligu kërkon t’i rrëmbejë nga brenda për qëllimet e veta. Ky është konspiracioni botëror!

Prandaj, jo më kot, Bibla thotë: “Sepse ne nuk luftojmë kundër njerëzve prej mishi e gjaku, por… kundër sunduesve të kësaj bote të errët, kundër shpirtrave të këqij në botën frymërore”.

Kjo nuk është e gjitha. Sepse te njeriu mëkatar i ligu gjen një bashkëpunëtor të gatshëm. E merr kalanë nga brenda, duke përdorur pasionet e ulta të njerëzve për t’i çuar atje ku do ai. Fakti që njeriu është i pavetëdijshëm që po e vënë në lojë është pjesë e suksesit të Satanit.

Nuk e shikon që Bibla ka të drejtë? Nuk e shikon natyrën e vërtetë të problemeve në këtë botë?

Madje, edhe idenë e konspiracionit botëror (e përfolur kaq shumë gjatë ditëve të fundit) i ligu e përdor për qëllimet e veta, për të nxitur frikë e urrejtje. Sepse ai hedh tym, e dëshiron të krijojë sa më shumë rrëmujë, në mënyrë që të mos kuptohet kush është armiku ynë i vërtetë.

Taktika e tij quhet “Hedh gurin, fsheh dorën” dhe ai është mjeshtër në manipulimin e njerëzve. Ai përdor mijëra gojë të liga për të hedhur në qarkullim qindra gënjeshtra. Kur njeriu e lë mënjanë dritën e Fjalës së Perëndisë, s’është për t’u habitur që i ligu ia bën mendjen errësirë.

Ka një komplot me përmasa botërore! Por nuk është ajo që mendojnë njerëzit në përgjithësi. Është një luftë shpirtërore midis së mirës dhe së keqes.

Thua që i intereson djallit se kush e zë karrigen e kush jo? Atij i intereson vetëm të prishë njerëzit sa më shumë, për t’i përdorur pastaj në luftën kundër njëri-tjetrit, e kundër Zotit, duke i helmuar sa më shumë mendjen, duke ndotur sa më shumë ndërgjegjen, e duke vjedhur besimin e shpresën; të ligësojë sa më shumë shpirtra.

Ka një konspiracion të madh! Është i vjetër sa njerëzimi. Që kur gjarpri e futi në grackë njeriun e parë duke ia mbushur mendjen që të mos i vinte veshin fjalës së Zotit, por të dëgjonte zërin e tij mashtrues.

Ka një konspiracion të madh! Dashur pa dashur, secili prej jush është përfshirë në të. Sepse ky komplot me përmasa botërore, ka ndikim në çdo vend. Luhet për fatin e miliona shpirtrave. Luhet edhe për fatin e shpirtit tënd dhe të atyre që janë të dashur për ty. A të ka vënë në lojë i ligu? A të ka mashtruar? A je i sigurtë që jo?

Ka një konspiracion të madh! Një komplot që ka pasoja serioze. Mos jini të paditur, e mos ndiqni mite për një organizatë njerëzore, të fshehtë në paskenë. Jo! Nënshtrojuni Perëndisë, ndërsa djallin kundërshtojeni!

Ka një konspiracion të madh! Prandaj përqafoni planin e shpëtimit që u zbulua në Jezus Krishtin. Sepse ti nuk je pjesë e një eksperimenti, siç thonë disa. Je rob i Zotit, por i kapur peng prej mëkatit. A nuk ka ardhur koha të çlirohesh, të të hapen sytë e t’ia drejtosh lutjen tënde Krishtit?

Fjala e Perëndisë sot është kjo: “nuk luftojmë kundër mishit e gjakut, por kundër… shpirtrave të këqij në botën frymërore”.

Në anën e kujt je? Gjithë ndasitë e tjera midis njerëzve janë vetëm për të na ngatërruar. Çështja është kjo: A je me Zotin?

O mik, mos më thuaj, ‘jemi të gjithë me Zotin’. Sepse s’është e vërtetë. Shumë e kanë shitur shpirtin e tyre, e sot janë bërë duar, dhe këmbë, edhe gojë e të ligut.

A nuk e dini përse erdhi Krishti në botë? Për të luftuar Satanin. E për të prishur konspiracionin e tij. Prandaj bota nuk sundohet më prej paganizmit të mbrapshtë djallëzor si dikur.

Gjarpri mund ta ketë shpuar Jezusin në dorë e në këmbë, por Krishti i dha atij një goditje në kokë. Sepse plani i Perëndisë ishte më i lartë sesa ai i djallit. Jezusi i fshiu mëkatet e botës me gjakun e tij dhe u ngjall fitimtar. Por lufta nuk ka mbaruar ende. Djalli kërkon përsëri të fitojë terren sa më shumë me marifetet e tij të shumëllojshme. Kohën e ka të kufizuar dhe fundin të sigurt, por nuk po diskutojmë fatin e tij. Po diskutohet fati yt.

Ka një konspiracion të madh! Shumë janë të mashtruar, të tjere janë mashtrues, por Krishti i ka dhënë një rrugëdalje kujtdo që pendohet, duke e shpëtuar prej mashtrimit të mëkatit.