Home Mesazhi 10 A po shndërrohet ambientalizmi në një fe të re?

A po shndërrohet ambientalizmi në një fe të re?

Shpëtimi i Njeriut Planetit

Në lajme, intervistohet një grup nxënësish që flasin gjithë ankth për të ardhmen e planetit. Janë të shqetësuar në veçanti për ngrohjen globale dhe ndryshimet klimatike. Informohemi në reportazh, që shkollat kudo po e trajtojnë këtë temë me urgjencë…

Dikur shqetësimi më i madh i shoqërisë ishte gjendja e njeriut. Komunizmi
predikonte se situata e tij do të përmirësohej me anë të arsimit masiv dhe punës së
përbashkët. Krishtërimi ndërkohë, edhe pse ka vlerësuar gjithmonë punën dhe
arsimin, predikonte se njeriu ka nevojë për një ndryshim nga brenda.

Por nëse gjatë
shekullit të XX-të, zhvillohej me pasion debati se kush do ta shpëtonte njeriun,
Marksi apo Krishti, tani është spostuar debati në një drejtim të ri, nga shpëtimi i
njeriut te shpëtimi i planetit.

Edhe pse të gjithë biem dakord që ndotja e botës nuk është aspak e dëshirueshme dhe ka nevojë të informohet publiku për lidhjet e mundshme midis ngrohjes globale dhe aktivitetit njerëzor, ekzagjërimet e lobit ambientalist dhe mënyra që ata luajnë me ndjenjat delikate të të rinjve nuk mund të shkojë pa u komentuar.

Unë nuk flas dot me kompetencë për klimatologjinë, por si çdo vëzhgues i paanshëm jam në gjendje të konstatoj propagandën e papërgjegjshme që bëhet sot, si dhe jam i kualifikuar të flas për ndikimin e kësaj në gjendjen shpirtërore, sidomos te të rinjtë. Gjatë 50 vitëve të fundit, janë publikuar në mënyrë të vazhdueshme paralajmërime për katastrofa klimatike që nuk janë realizuar as edhe një herë.

Problemi lidhet pjesërisht me shtypin dhe faqet mediatike që amplifikojnë lajme të këtij lloji. Por them vetëm pjesërisht, sepse në fakt shumë prej deklarimeve më sensacionale kanë dalë prej gojës së shkencëtarëve me famë, fjala e të cilëve trajtohet sikur të ishin profetë të pagabueshëm.

Këta studiues që pretendojnë se i dinë të gjitha do bënin mirë të tregonin më shumë përulje dhe më pak siguri në prononcimet e tyre. A është ekzagjerim të themi që kjo fushatë po merr karakteristikat e një lëvizje fetare? Mjafton të shikosh protestat e fundit që janë zhvilluar në vende të ndryshme të botës për të kuptuar se kemi të bëjmë me një fenomen kulturor, jo thjesht një lobim.

Ndonëse ka plot ambientalistë që sillen me përgjegjshmëri, numri i atyre që shfaqin një zell fetar për kauzën e shpëtimit të planetit sa vjen dhe rritet. Ata nuk po predikojnë kundër mëkateve si vjedhje apo tradhëtia bashkëshortore. Sepse mëkati i madh i kohës sonë nuk është të ndotësh shpirtin por planetin.

Militantët jeshilë, kanë dogma të pandryshueshme tamam si feja. Këta besojnë që janë të vetmit që kanë të drejtë, dhe nuk lejojnë kundërshtime ndaj teorive të tyre. Madje kur dikush nga rradhët e veta fillon e shpreh disa mendime “ndryshe” ai dënohet si heretik.

Shkrimet e ambientalistëve më në zë trajtohen sikur të ishin Bibla. Si çdo lëvizje tjetër fetare, atyre nuk i mungon priftëria në formën e drejtuesve të tipit guru që i vendosin në piedestal. Flasim për planetin, “Mother Earth” me superlative.

Në disa raste, respekti i tyre për botën natyrale kalon në diçka tjetër. E bëjnë perëndi natyrën. E gjitha kjo bëhet problematike kur imponohet mbi shoqërinë dhe sidomos kur vendosen këto dogma në librat shkollore apo i transmetojnë pa moderim në hapësirat mediatike.

A nuk e dini se në shumë shkolla gjen mësues që janë të apasionuar për këtë çështje dhe që po ndikojnë fuqishëm te brezi i ri pa u konsultuar me askënd? Nuk është çudi që psikologët po raportojnë që rastet e adoleshentëve që po vuajnë nga depresioni, ose kanë probleme me ankthin, është në rritje.

E përse të mos dëshpërohet rinia kur u thuhet se e ardhmja e tyre është e pashpresë? E pse të mos zemërohen kur u thuhet se pas 5 vitesh prishja e klimës do të jetë e pakthyshme? “Na duket se do të humbasim çdo gjë” pohon një aktivist 17 vjeçar që thotë se e ka të vështirë t’i kushtojë vëmendje studimeve.

I nxis arsimtarët dhe gazetarët të kenë kujdes e të mos futin njerëzit në panik kot. Të mos i trembin të rinjtë me diçka që mund të mos ndodhë.

Fundi i Botës?
Brezi im u rrit nën hijen e armëve bërthamore. Në rininë time i druheshim përplasjes midis perëndimit dhe lindjes në luftën e tretë botërore. E dinim se te njeriu nuk mund të kesh besim, dhe fare mirë mund të plaste një luftë që do të shuante jetën tonë në tokë.

Frika ishte reale, por besimi në Zotin ishte një ngushëllim i fuqishëm për mua. Unë u rrita me shpresën që Krishti na ka hapur rrugën për një jetë më të mirë që nuk e gjen në këtë tokë.

Rinia e sotme po rritet me shqetësime të reja, jo më pak dramatike se ato të një lufte botërore, në formën e shkretimit të tokës për shkak të ndryshimeve klimatike. Pavarsisht nëse ky rrezik është real apo jo, të rinjtë kanë nevojë të gjejnë një shpresë që i ndihmon të kapërcejnë frikën.

Në fund të fundit, kjo jetë është kalimtare për të gjithë njerëzit. Botës do t’i vijë fundi një ditë. Por në mesazhin e zymtë të ambientalizmit radikal nuk ka shpresë,në fjalën e Krishtit po.
“Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë”- tha Jezus Krishti.

Greta Thunberg
16 vjeçarja që është kthyer në ikonën e
ambjentalizmit radikal.

Most Popular

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

NJË ZË NGA QIELLI

Këto ditët e para të shkollës, dëgjova një mësues që ankohej që i ngjirej zëri, se duke dashur të dëgjohej përmes maskës,...

Recent Comments