Home Jashtë Kategorie A NDODHIN MREKULLI SOT?

A NDODHIN MREKULLI SOT?

Jeta është një mrekulli. Pa i marrë në konsideratë të gjitha llojet e gjërave që ekzistojnë në botë, mendo vetëm për ekzistencën tënde. Si është e mundur që nga një qelizë e vetme në mitrën e gruas u zhvillua trupi yt me gjithë aftësitë e tij? Nuk është aspak ekzagjerim të thuash që qenia jote është e mrekullueshme.

Megjithatë, kur pyes “A ndodhin mrekulli sot?” bëhet fjalë për një përkufizim më të ngushtë të fjalës sesa shembulli i lartpërmendur. I kam ndërmend ato ndodhi që janë në kundërshtim me rregullat normale të jetës. Nuk po flasim, pra, për mrekullitë e përditshme të ekzistencës, por për të mbinatyrshmen, dmth, raste kur hyjnorja ndërhyn në mënyrë të drejtpërdrejtë, dhe për të cilat s’mund të jepet asnjë shpjegim tjetër, përveç se të rrëfehet, “Ky është gishti i Perëndisë”!

Përpara se të merremi me pyetjen e madhe të mrekullive sot, është shumë e rëndësishme të bëjmë dallimin midis asaj që quhet providencë dhe mrekullisë. Providencat hyjnore ndodhin vazhdimisht. Janë ato situata ku personi qëllon të jetë në vendin e duhur në kohën e duhur. Providencë quhet kur të vjen një ndihmë në mënyrë krejt të paparashikueshme, e jo vetëm aq, por ndodh që ndihma përputhet me nevojën sikur të ishte e planifikuar, pavarësisht që nuk ishte, të paktën nga ana njerëzore. Mund të mendojmë edhe për ato raste kur në mënyrë të mistershme rrjedhin gjërat ashtu siç duhej, për të të mbrojtur nga një rrezik i madh. Në të tilla situata, me të drejtë pyesim: A nuk ishte dora e Zotit kjo? Se vërtetë duket që një dorë e padukshme orkestroi gjërat në prapaskenë.

Më lejoni t’ju jap një shembull konkret: Doktori i thotë të sëmurit që shanset për operacion të suksesshëm janë shumë të vogla, por pacienti në fjalë jo vetëm që e merr veten pas operacionit, por rikuperimi është aq i shpejtë sa habitet doktori duke rrëfeyer se ka ngjarë diçka gati e pamundur. Megjithatë, kësaj i thonë providencë e Zotit, sepse mrekulli do të quhej nëse do të shërohej i sëmuri papritur, pa u operuar fare, ashtu siç shëronte Jezusi, dmth, në mënyrë të menjëhershme.

Pra, ka shumë situata ku njeriu mund të thotë se ngjau diçka e mrekullueshme, por jo se ndodhi një mrekulli e atij lloji që lexojmë se bënte Krishti apo apostujt. Këto janë providenca hyjnore dhe ndonëse janë shumë të mirëpritura, është më mirë të mos i vëmë emrin mrekulli pa një arsye të fortë.

Jam i sigurt që shumë prej jush nuk keni asnjë hezitim të bini dakort që ndodhin providenca. Por për mrekullitë ç’mund të themi?

Së pari le të pohojmë që Zoti ka ndërhyrë në mënyrë të mbinatyrshme në botën tonë në të shkuarën. Bibla hedh dritë mbi disa nga mrekullitë më të mëdha që kanë ndodhur gjatë historisë. Ajo përshkruan në mënyrë të veçantë ato që u kryen në kohën e Moisiut, kur Zoti shpëtoi popullin e tij nga dora e Faraonit, si dhe mrekullitë që i shoqëruan gjatë rrugës së tyre për në tokën e premtuar.

Ndërsa në Dhiatën e Re, kemi bëmat e Jezus Krishtit. Është e qartë që Jezusi kreu shumë shenja, disa mbi natyrën dhe të shumtat në formën e shërimeve, përfshi hapjen e syve të atij që kishte lindur i verbër, një mrekulli që nxorri përgjigjen: “Që prej fillimit të botës nuk është dëgjuar që dikush t’ia ketë hapur sytë një të linduri të verbër”. E njëjta gjë mund të thuhet lidhur me daljen e Llazarit të gjallë nga varri, plot katër ditë pas varrimit të tij.

E dimë madje, që mrekullitë e Jezusit nuk u penguan nga mosprania e tij fizike, sepse kur i dërgoi dishepujt për të predikuar në zonat përreth i dha pushtet që ata të kryenin shërime gjithashtu. Kjo vazhdoi pas ikjes së tij në qiell, sepse te Bibla (Veprat e Apostujve) lexojmë se si Fryma e Zotit vepronte përmes apostujve në vazhdimësi. Përpos shërimeve në emër të Jezusit, ka shumë ngjarje të tjera që i lidhin apostujt me të mbinatyrshmen, siç ishte engjëlli që liroi Pjetrin dhe Gjonin nga burgu, drita hyjnore që iu shfaq Palit në rrugën e Damaskut, goditja e Elimas magjistarit me verbërinë, e dridhja e tokës kur u lutën apostujt.

Mirëpo, çështja është, a kanë ndodhur shërime apo mrekulli të tjera pas kohës së apostujve?

Dikush pyet: Po çfarë thotë Bibla lidhur me këtë? Normalisht, Bibla nuk mund të hedhë shumë dritë mbi këtë temë, për arsyen e thjeshtë që Dhiata e Re u shkrua kur apostujt ishin akoma mes nesh. Megjithatë, ka disa pjesë të Shkrimit që na ndihmojnë, siç është ajo që shkruhet te Letra e Jakobit lidhur me lutjen për të sëmurin. Vini re që në vend të autorizohen besimtarët të bëjnë ndonjë shpallje për shërimin e të sëmurit, udhëzohen mbikëqyrësit e kishës t’i luten Zotit për të. Nënkuptimi është i qartë, që besimtarët nuk kanë kompetenca të kryejnë shërime vetë, por t’i kërkojnë Perëndisë ndërhyrjen e tij.

Me fjalë të tjera, mënyra që Zoti po vepronte përmes apostujve nuk duhet të merret shabllon si model për ne sot, se as në kohën e tyre ai nuk ishte modeli që iu transmetua kishës.

Gjithsesi, përsa i përket çështjes së mrekullive në përgjithësi, përveç dëshmisë së Biblës, jemi të detyruar t’i drejtohemi dokumenteve historike. Çfarë thonë njerëz të perëndishëm që kanë jetuar në brezat e shkuara? Cila është dëshmia e tyre?

Një ekzaminim i paanshëm në biografinë e besimit të krishterë zbulon që rastet e mrekullive kanë qenë të rralla. E them me përgjegjësi para Zotit këtë fjalë. Kanë qenë të rralla. E jo vetëm aq, por nuk ka uniformitet lidhur me kohën dhe vendet ku kanë ndodhur. Është një mister që ne nuk mund ta kuptojmë sado që përpiqemi.

E di që ka besimtarë që duan të besojnë që Zoti ka bërë mrekulli të shpeshta në historinë e kishës. Ashtu sikurse ka besimtarë që janë të bindur që pas periudhës së apostujve Zoti nuk bën më mrekulli derisa të kthehet Jezusi në ditën e fundit. Atyre të parëve, u them, nuk është e ndershme të veshim etërit e besimit me bëma që ata nuk i kanë pretenduar, ndërsa atyre të dytëve, u them, po të ishte në vullnetin e Perëndisë që ai të mos bënte asnjë mrekulli pas apostujve, a nuk do ta zbulonte këtë përmes Shkrimit të Shenjtë?

Këtu del zbuluar përqasja që kemi ndaj historisë së kishës, sepse duke parë mënyrën se si Zoti ka vepruar në kohët e mëparshme, secili predikues kërkon material të mbështesë tezën e tij lidhur me mënyrën se si Zoti do të veprojë sot. Por le të kemi kujdes. Le të jemi të sinqertë me provat historike në radhë të parë, e së dyti, le t’i druhemi gabimit kur bëhemi kompetent të shpallim çfarë do të bëjë apo nuk do të bëjë Zoti. Sepse lidhur me gjërat e shenjta, a nuk duhet të tregojmë përulje e të flasim me kujdes? Dhe nëse mendjet nuk i keni të qeta, si mund t’i keni të ndritura pastaj?

Unë e them hapur që nuk e di ku Zoti do të bëjë një mrekulli. Por e di që Zoti nuk vepron në ndonjë mënyrë që është në kundërshtim me karakterin e tij të shenjtë. E sigurisht që ne nuk mund ta detyrojmë të veprojë siç duam ne. Kësaj i thonë të provokosh Zotin.

Ndërsa lidhur ma ata që predikojnë ungjill të rremë, jam i sigurt që Zoti nuk bën asnjë mrekulli përmes atyre. As nuk bën mrekullira Zoti kur një i ashtuquajtur apostull del garant se po të vijë njerëzia në shfaqjen e tij, do shohë shërime. Më falni, por apostujt e vërtetë nuk flisnin me arrogancë të tillë. 

Edhe pse unë nuk e di ku e kur do të bëjë Zoti një mrekulli, nuk e përjashtoj aspak, por kam një merak të madh. Meraku im është se nuk dua të nxis shpresa të rreme te njerëzit e vuajtur që mund t’i ngatërroj në jetë, apo më keq.

Në fund të fundit, nëse kam parë, apo nëse nuk kam parë një mrekulli në botën fizike të tipit që bëri Jezusi kur ishte në tokë, sa e rëndëshishme është kjo gjë? Përderisa Zoti vazhdimisht po ndërhyn në mënyrë të mbinatyrshme në zemrat e njerëzve që dëgjojnë lajmin e mirë të Jezu Krishtit duke i dhënë paqe për sot edhe shpresë për të ardhmen, kjo është ajo që duhet të na gëzojë përmbi çdo gjë.

Në mbyllje, kam një pyetje për ju: A e keni vënë re, që në botën moderne, fjalës mrekulli i ka humbur shkëlqimi? Duke ia ngjitur këtë emër gjërave të kota, na tingëllon tashmë si fjalë reklame, si lajkë apo thjesht ekzagjerim. Edhe megjithëse po flas për botën, mund të isha duke folur për kishën. Sepse ekziston një rrezik i ngjashëm që ta zhvlerësojmë fjalën mrekulli duke e përdorur aty ku nuk duhet.

Shumë gjëra mund të quhen mrekulli, por nuk janë. Prandaj, ju bëj apel të mos ngatërroni providencat hyjnore me mrekullitë. Të mos zëvendësoni realitetin me dëshirën, as vullnetin e Perëndisë me vullnetin tuaj. Sepse të kesh kujdes nuk do të thotë që je mosbesues ndaj Zotit. E naiviteti nuk duhet marrë për virtyt.

Ju bëj thirrje të vini gjithçka në peshoren e fjalës së Perëndisë. Jo çdo gjë që shkëlqen është flori. Edhe jo çdo mrekulli është reale.

Veproftë dora e Zotit për mirë në jetën tuaj, dhe te të gjithë ata që besojnë sinqerisht në emrin e shpëtimtarit tonë, Jezus Krishtit.

Most Popular

8 MËNYRA QË KEQPËRDORET EMRI I ZOTIT

Emri ka rëndësi. Edhe pse në kohët moderne nuk ka shumë formalitete në marrëdhëniet midis njerëzve, prapë se prapë, emri ka rëndësi....

TË LUMTË DORA E VOGËL

Shpresojmë t’i shikojmë fëmijët së shpejti të ulur në bangat e shkollave, dhe ata nxënës që hyjnë në klasën e parë të...

EPO, SI TË DUASH

Nuk jam racional, sepse besoj në ekzistencën e botës frymërore.Jam naiv, sepse besoj se ia vlen t'u bësh të mira të tjerëve.Kam...

SHËN SOFIA

Dy fjalë. Një fjalë drejtuar atyre që do të shkojnë të falen te Hagia Sofia ditën e premte. Edhe një tjetër...

Recent Comments