Home Jehona 25 A ka vërtet dallime midis nesh dhe majmunëve?

A ka vërtet dallime midis nesh dhe majmunëve?

Mos e merr seriozisht!

“Asnjë dallim thelbësor nuk i ndan njerëzit nga kafshët e tjera. Kështu filloi një kryeartikull për evolucionin në revistën e famshme TIME. Sa më shumë mendova për këtë deklaratë përgjithësuese, aq më shumë fillova ta simpatizoja atë . . .” Për shembull, si gjithë qeniet njerëzore, edhe majmunët kanë aftësi arsyetuese të zhvilluara mirë.

Vihet re në mënyrë të veçantë aftësia e tyre për të zhvilluar një argument, për të ndjekur një mendim në mënyrë të logjikshme, për të nxjerrë përfundime dhe për të krijuar hipoteza. Gjithashtu, si njerëzit, edhe majmunët kanë aftësi të dalluara gjuhësore. (Kuptohet se kjo është e ndërthurur me fuqitë e tyre arsyetuese.)

Fjalori i tyre është shumë i madh, gramatika e tyre është e ndërlikuar, dhe bisedat e tyre janë të thella dhe kuptimplota. Edhe aftësia e majmunëve për të shprehur gjuhën e tyre me shkrim është një provë tjetër e lidhjes së ngushtë midis tyre dhe njerëzve. Nga kjo anë, mua m’u bë qejfi kur pashë gjithë ata majmunë që i shkruanin revistës TIME në përgjigje të artikullit me titull ‘Si filloi njeriu’.

Në mënyrë të veçantë isha i interesuar për arsyetimin e një orangutangu që tha se majmunët kishin evoluar nga njerëzit, dhe jo anasjelltas.Si njerëzit, edhe majmunët kanë një prirje të fortë hetuese. Janë të çmuara kërkimet e tyre në fushat e astronomisë, matematikës, mjekësisë dhe fizikës. Për më tepër majmunët (ashtu si njerëzit) kanë shumë dëshirë të mësojnë kuptimin e jetës.

Kjo është arsyeja përse ata i kushtojnë shumë kohë filozofisë, teologjisë dhe etikës. Ndjenjat dhe praktikat fetare të të gjithë majmunëve mund të shpjegohen si pasoja të kërkimit të tyre intensiv dhe të pafundëm për të zbuluar kuptimin e jetës. Majmunët nuk merren vetëm me çështjet e origjinës por edhe me ato të fatit të tyre përfundimtar.

Prova më e mirë që unë mund të ofroj në mbështetje të këtij pohimi është thënia e një filozofi të njohur majmun i cili tha, “Jeta është si një banane, e shijshme, por që mbaron shpejt.” Gjithashtu, majmunët, ashtu si njerëzit, kanë një ndjenjë të mprehtë estetike. Ata admirojnë bukurinë dhe dëshirojnë fort të rrethojnë veten me të.

Kur një majmun kultivon në një kopsht, vë lule në një vaso, ose var një pikturë në mur, vallë, çfarë po bën veçse të shprehë dashurinë që ka për bukurinë? Përsëri, si njerëzit, edhe majmunët kanë një shtytje të fortë krijuese. Kjo shihet në poezinë, pikturat, vallet, dramat dhe muzikën e tyre.

Ajo shihet, ndonëse më pak, edhe tek fakti që ata mblidhen çdo javë në grupe për të krijuar punime dore si p.sh. për të thurur shporta, për të tjerrë lesh, për të thurur shami, dhe për të plotësuar albumet e fotografive. Ndjenja e humorit që gjendet tek të gjithë majmunët është një provë tjetër e lidhjes së ngushtë që ata kanë me njerëzit.

Ata kënaqen me gjërat qesharake dhe dashuria e tyre për një të qeshur të mirë duket qartë në ato shakatë e tyre të njohura prej majmunësh. Arsyetimi, gjuha, shqyrtimi, mrekullimi, dëshira, feja, morali, estetika, krijimtaria, fantazia, aspiratat dhe humori . . . cilësi të tilla jomateriale por themelore nuk janë aspak vetitë ekskluzive të njerëzve, siç shpresoj se kam treguar.

Prandaj, sipas fjalëve të thella të revistës TIME: “Asnjë dallim thelbësor nuk i ndan njerëzit nga kafshët e tjera.” Duke qenë kështu, të krishterët janë krejt të gabuar kur insistojnë se njerëzit dhe kafshët janë shumë të ndryshëm. Dhe duket qartë se ata e kanë gabim kur insistojnë se ky dallim del prej faktit që Perëndia na krijoi ne njerëzve sipas shëmbëlltyrës së tij.

Dhe në qoftë se ata kanë gabim ta thonë këtë, atëherë ata kanë gabim edhe kur insistojnë që Perëndia ka pretendime ndaj nesh. Për më tepër, nëse Perëndia nuk ka pretendime ndaj nesh, atëherë jemi të lirë – të lirë që të jemi kafshë si paraardhësit tanë në evolucion – të lirë që të jemi të poshtër si gjarpërinj, të pistë si derra, dhe të sillemi si gomarë.

A thashë unë “të lirë”? Sssss! Ykg, Ykg! IO, IO!

Nga Andrew Lansdown

Origjinali në anglisht u botua në revistën

Creation Ex Nihilo 17(4):45

Previous articleNga majmuni?
Next articlePërse s’më jep shenjë?

Most Popular

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

NJË ZË NGA QIELLI

Këto ditët e para të shkollës, dëgjova një mësues që ankohej që i ngjirej zëri, se duke dashur të dëgjohej përmes maskës,...

Recent Comments