Home Jehona 34 1912-ta dhe Ungjillorët

1912-ta dhe Ungjillorët

Gjashtë muaj pasi shqiponja dykrenore u ngrit më 28 Nëntor 1912 në një ballkon në Vlorë, Ismail Qemali ishte në Londër në Konferen­cën e Ambasadorëve. Në kohën kur ishte atje, ai shkoi për vizitë tek disa të krishterë ungjillorë anglezë ‘që t’i falënderonte për gjithë ndihmën që i kishin dhënë çështjes shqiptare’. Ata ishin ‘Shoqëria Biblike Britanike dhe e Huaj’.

Në 1912 Mid’hat Frashëri gjithashtu pohonte se ‘Shoqëria Biblike’ ishte bërë ‘e nderuar dhe e lavdëruar pothuajse nga të gjithë shqiptarët patriotë, qofshin myslimanë apo të krishterë.’ Por cilët ishin këta njerëz dhe çfarë kishin bërë ata për Shqipërinë që të meritonin lavdërim të tillë?

Pesë vjet më parë kishte ndodhur një nga ngjarjet më domethënëse në historinë shqiptare – Kongresi i Manastirit i 1908. Disa prej pjesëmarrësve më të rëndësishëm aty ishin besimtarë ungjillorë shqiptarë si Gjergj Qiriazi zëvendëspresidenti i shoqërisë ‘Bashkimi’, pastor Grigor Cilka dhe Parashqevi Qiriazi – e vetmja delegate grua.

Edhe para 1908-ës, ishin të krishterë ungjillorë të tjerë si Gjerasimi (vëllai i madh i Gjergjit), besimet dhe patriotizmi i të cilit u kombinuan për ta bërë një figurë me ndikim të madh në rizgjimin kombëtar shqiptar.

Pavarësisht se nuk është mjaft e njohur, të krishterët ungjillorë dhanë një kontribut vital ndaj Pavarësisë së Shqipërisë dhe ishin në zemër të lëvizjes patriotike për gjuhën shqipe. Për fat të keq ky kontribut u mohua gjatë komunizmit në Shqipëri dhe madje edhe sot shumë njerëz janë të paditur për pjesën që kanë luajtur ungjillorët në historinë shqiptare – shumë supozojnë në mënyrë të gabuar se ungjillorët erdhën për herë të parë në Shqipëri pas viteve 1990!

Më në fund, në 2011, komuniteti ungjillor u njoh zyrtarisht si një prej pesë komuniteteve fetare të Shqipërisë. Shumë historianë shqiptarë dinë për historinë e ungjillorëve në Shqipëri para Luftës së Dytë Botërore dhe kanë shkruar për ta, siç është historiani Xhevat Lloshi, por mes shqiptarëve sot, shumë njerëz nuk janë akoma në dijeni të kësaj historie të fshehur.Ungjillorët e marrin emrin e tyre prej ungjillit, lajmit të mirë të Jezus Krishtit.

Gjerasim Qiriazi

Familja Qiriazi është mjaft e mirënjohur tek shqiptarët. Madje gjatë komunizmit u bë një film i bazuar në jetët e tyre i quajtur ‘Më­sonjëtorja’ (ndonëse në të përdoren pseudonime). Ajo që shumë njerëz nuk e dinë është se familja Qiriazi ishin të krishterë ungjillorë shqiptarë.

Kontributi i i tyre ndaj pavarësisë së Shqipërisë ishte i madh përmes përpjekjeve të ty­­re për të dhënë mësim gjuhën shqipe. Por ata nuk ishin të motivuar për ta bërë këtë vetëm nga patriotizmi, por nga një dëshirë për t’i bërë shqiptarët të aftë të lexonin ungjillin në gjuhën e tyre amëtare.

Gjerasim Qiriazi u lind më 1858 pranë Ma­nastirit. Në 1873 ai pati kontakt me ungjillin kur dy misionarë amerikanë erdhën në Manastir dhe morën me qira shtëpinë në krah të prindërve të tij. Në fillim Gjerasimi i ri shkonte bashkë me djemtë e tjerë për të shqetësuar takimet, por filloi ta konsideronte seriozisht mesazhin.

Ai bleu një Dhjatë të Re të cilën e lexoi me kujdes. Kjo çoi në kthimin e tij në besim dhe ai u bë pjesë e kishës ungjillore atje në 1877. Shumë shpejt u bë e qartë që Gjerasimi kishte një dëshirë të fortë për të ndarë lajmin e mirë të Jezus Krishtit me të tjerët duke përfshirë edhe bashkëatdhetarët e tij. Në 1878 ai hyri në shkollën e misionit Samakov.

Gjerasimi u diplomua në 1882 duke lënë pas ‘një reputacion të shkëlqyer për dituri, aftësi, besnikëri, gjenialitet dhe devocion’. Pak më vonë ai filloi të shërbejë në një ki­shë bullgare, por kishte një dëshirë të zjarrtë t’u predikonte bashkëatdhetarëve të tij në gjuhën e tyre.

Ai kishte dëgjuar për Alexander Thompsonin dhe që ai kishte të njëjtën dëshirë për t’u sjellë shqiptarëve ungjillin. I shkroi atij duke i sugjeruar bashkëpunim. Gjerasimi ofroi të vizi­tonte të gjitha qy­tetet kry­­e­­sore dhe fshatrat e mëdha të Shqipërisë duke marrë ungjillin e botuar nga Shoqëria Biblike.

Me një koinçidencë të mrekullueshme, pikërisht në të njëjtën kohë, Thompsoni i kishte shkruar Gjerasimit saktësisht të njëjtin su­gje­rim! Letrat e tyre u kry­qëzuan rrugës! Pra bashkëpunimi nisi dhe me ‘gëzim e shpresë të madhe’ Gjerasimi, së bashku me një punëtor tjetër të Shoqërisë Biblike, Sevastides, u nis në turneun e tij të parë në trojet shqiptare.

Gjatë këtij turneu ai i përjetoi edhe kundërshtimin që autoritetet turke ngrenin ndaj përhapjes së gjuhës shqipe, por edhe dë­shirën e fortë që shumë nga njerëzit e tij të kishin fjalën e Perëndisë dhe lirinë nga sundimi turk. Në këtë turne të parë ai lexoi nga ungjilli në publik dhe shiti shumë nga përkthimet e Kristoforidhit si dhe librin e tij të Gramatikës Shqipe.

Për shumë shqiptarë kjo duhet të ketë qenë hera e parë që dëgjonin fjalën e Perëndisë të lexohej në gjuhën e tyre. Së bashku më bashkëpunëtorin e vet u burgos në Durrës, por u lirua menjëherë falë presionit nga ShBBH. Ata vazhduan për në Vlorë, Elbasan, Tiranë dhe Shkodër dhe falë presionit të ushtruar nga miqtë e tyre britanikë, autoritetet turke nuk mund të bënin asgjë për të ndaluar qarkullimin e lirë të librave shqip!

Ishte për këtë arsye që Ismail Qemali, Mid’hat Frashëri dhe shumë të tjerë ishin aq mirënjohës ndaj Shoqërisë Biblike. Në këtë kohë ungjijtë dhe Librat e tyre të Gramatikës ishin të vetmit libra shqip që autoritetet turke nuk mundën t’i ndalonin së qarkulluari mes shqiptarëve.

Kur e kuptuan plotësisht ‘kërcënimin serioz të interesave turke’ që ngritën këta të krishterë shqipfolës, turqit u përpoqën ta shtypnin këtë rrezik të ri te autoriteti i tyre suprem. Porta e Lartë e akuzoi Gjerasimin dhe Sevastidesin që gënjyen për arrestimin e tyre në Durrës. Si pasojë, Ambasadori britanik u dekurajua nga mbështetja e punës së Shoqërisë.

“Unë sapo kisha filluar të punoja për njerëzit e mi, dhe ditë pas dite dëshira për të predikuar Fjalët e Jetës tek ata po rritej… Zemra nuk më digjej as për pasuri e as për ndonjë gjë tjetër të kënaqshme për mishin. Kisha vetëm një gjë në mendje – përhapjen e dritës mes bashkatdhetarëve të mi.”

Sait Pasha, në mënyrë të fshehtë dha urdhër për t’i vonuar qëllimisht librat e Shoqërisë në një pikë doganore, në mënyrë që të pengonte shpërndarjen e tyre ndërkohë që ishte ndaluar botimi i mëtejshëm i ungjijve në Toskërisht. Gjatë kësaj kohe, Gjerasimi qëndroi në Stamboll ku studioi gegërisht me Kristoforidhin dhe filloi të shkruante letërsi në shqip duke përfshirë edhe himne të krishtera.

Çdo të djelë mbante shërbesa adhurimi në shqip. Këtu Gjerasimi shprehu për herë të parë idenë e tij për të hapur shkolla ku shqiptarët mund të mësonin të lexonin gjuhën e tyre që të mund të kuptonin ungjillin. Por mbi këtë, dëshira e tij e ngutshme ishte të gjente një mënyrë për t’u kthyer në Shqipëri dhe të predikonte ungjillin në gjuhën e nënës.

Naim Frashëri në atë kohë ishte duke punuar në zyrën e Censurës nën Ministrinë e Arsimit dhe ishte në gjendje të ndihmonte. Mesa duket ishte falë ndikimit të tij që ndalimi mbi shkrimet shqipe të kthehej mbrapsht. Gjerasimi atëherë u kthye me një ngarkesë me ungjij në Manastir ku vazhdoi të predikojë te bashkëatdhetarët e tij.

Ai u mirëprit dhe për herë të parë në Manastir filluan shërbesat e kishës në gjuhën shqipe. Shumë shprehën dëshirën për të mësuar si të lexonin dhe të shkruanin në shqip dhe së shpejti u desh të porositeshin më shumë Bibla në shqip nga Stambolli. Skënder Luarasi shkroi një biografi të Gjerasimit gjatë komunizmit e cila për fat të keq u censurua dhe u shtrembërua rëndë nga autoritetet.

Megjithatë, çuditërisht, mbeti paragrafi i mëposhtëm i cili shënon se si e perceptonin fëmijët Gjerasimin: “Fëmijët në lagje shpesh i afroheshin. Gjerasimi mbyllte librin e tij, i përqafonte dhe niste bisedën me ta për gjëra të afërta për zemrat e tyre. ‘Ai flet si Krishti!’, tha një nga vogëlushët.

Shumë prej këtyre që vinin nga shtëpi shqiptare, ku flitej shqip, të djelave shkonin te salla e misionit protestant kur mësonin se do të predikonte Gjerasimi, që ata ta dëgjonin atë ‘të fliste si Krishti.’ Fatkeqësisht, kundërshtimi prej armiqve të gjuhës shqipe po merrte një formë ogurzezë.

Autoritetet greke, që i kishin sytë tek tokat të cilat i pretendonin të tyret, ishin kaq të shqetësuar për të shtypur identitetin shqiptar, sa që e ulën veten derisa ta shtypnin fjalën e Perëndisë në gjuhën shqipe.

Ndërsa Gjerasimi ishte në një udhëtim të lodhshëm për në Korçë, karrocieri papritur e ngadalësoi shpejtësinë në grykën e Laithizës. Disa minuta më vonë një bandë kaçakësh u shfaq, të udhëhequr nga krimineli famëkeq Shahin Matraku. E gjitha dukej e planifikuar.

I rraskapitur dhe i uritur, ata e merrnin me vete zvarrë rreth maleve duke pritur për lajmin e shpërblimit, të cilën Gjerasimi kishte shpjeguar se nuk do të vinte pasi familja e tij ishte e varfër. Në këtë situatë të dëshpëruar mendimet e tij të trazuara janë regjistruar në vetë fjalët e tij.

Ato janë prekëse dhe zbulojnë motivin e tij në jetë:

“Mendimet e mia ishin: ‘Cili do të jetë rezultati i kësaj?’ Arrita në përfundimin se nuk dilja i gjallë nga kjo. Jo vetëm që s’kisha asnjë para, por ishte dimër dhe një sëmundje do ishte e mjaftueshme për të më dhënë fund në male, pa një vend për të pushuar dhe në duart e kaçakëve.

U pikëllova jo aq shumë për jetën time, sesa për punën time. Sapo kisha filluar të punoja për njerëzit e mi, dhe ditë për ditë dëshira ime për të predikuar Fjalët e Jetës tek ata po rritej… Zemra nuk më digjej as për pasuri as për ndonjë gjë tjetër të kënaqshme për mishin.Kisha vetëm një gjë në mendje – përhapjen e dritës tek atdhetarët e mi. 

Pse duhet Perëndia atëherë të më harrojë? Ndërsa e shqetësoja mendjen time me këto mendime, pashë në largësi një lule të bukur që kishte shpuar rreth dy centimetra dëborë dhe ngrihej gati një gisht mbi të. Kur pashë lulen, qëndrova dhe e këqyra… 

Thashë: ‘Nëse Perëndia kujdeset për këtë lule, e cila s’është asgjë në sytë e njerëzve këtu në dëborë dhe i dhuron asaj bukuri,sa më shumë do të kujdeset Ai për ata që i besojnë Atij?’ M’u kujtuan fjalët e ungjillit: ‘Vini re si rriten zambakët e fushës: ata nuk lodhen dhe nuk tjerrin; dhe unë, pra, po ju them se Salomoni vetë, me gjithë lavdinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë nga ata.

Tani nëse Perëndia e vesh kështu barin e fushës, që sot është dhe nesër hidhet në furrë, vallë nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, njerëz besimpakë?’ (Mateu 6:28-30). Këto fjalë i kuptova më mirë. Ishte një mësim i çmuar për mua. Mora zemër.”

Pas gjashtë muajsh të hidhur në robëri, më në fund u sigurua lirimi i Gjerasimit, por shëndeti i tij nuk e mori asnjëherë veten dhe besohet se ka shkaktuar vdekjen e tij të parakohshme.

Pas lirimit të tij, në vend që të hiqte dorë nga puna, vendosmëria e Gjerasimit për të përhapur ungjillin vetëm sa u rrit për arsye se besonte që ishte e vetmja kurë e sigurtë për mjerimin shoqëror të popullit të tij. Gjatë katër viteve në vazhdim ai udhëtoi shumë kudo në Shqipëri duke predikuar ungjillin në shqip.

Ai formoi Vëllazërinë ungjillore dhe së bashku me motrën e vet, Sevasti Qiriazi, hapi Shkollën e Parë Shqipe të Vashave në 1891. Mësueset në shkollë përbëheshin nga motrat e tij Sevastia dhe Parashqevia, Fanka Efthimi dhe Polikseni Luarasi. Ekzistenca e shkollës e tërboi klerin grek të qytetit i cili mesa duket, në 1893 dërgoi një person për të vrarë Gjerasimin. (Kjo skenë është portretizuar gjithashtu në filmin ‘Mësonjëtorja’).

Vrasësi kishte pirë që të gjente guxim, por fatmirësisht s’e realizoi dot vrasjen pasi ishte i dehur! Më vonë atë vit, pjesërisht për shkak të shëndetit të rënë që kishte patur që nga koha kur ishte marrë peng, dhe pjesërisht nga stresi që jeta e tij ishte vazhdimisht nën kërcënim, Gjerasim Qiriazi ra i sëmurë dhe vdiq në 2 Janar 1894, në moshën 35 vjeçare.

Është shënuar se pavarësisht vuajtjeve të tij, në shtratin e tij të vdekjes ai mbeti plot me ngushëllim, me gëzim në Zotin dhe ndjeu guxim të ri për t’u folur drejtpërdrejt dhe me ngut vizitorëve të tij për shpëtimin e madh – kuptohet në gjuhën shqipe.

Poema e tij e mëposhtme përmbledh veprën e jetës së tij:

Do punonj për mëmëdhenë

Gjith jetën sa të rronj

Do të zgjonj dhe ata që flenë

Kështu jetën do mbaronj

 

 

O vëllezër shqiptarë

Merrni sot udhën’ e mbarë

Punën tuaj mos harron

i Kohë shkon dhe prapë s’vjen.

Most Popular

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

NJË ZË NGA QIELLI

Këto ditët e para të shkollës, dëgjova një mësues që ankohej që i ngjirej zëri, se duke dashur të dëgjohej përmes maskës,...

Recent Comments