HomeJehona 34120 Vjetori i Vëllazërisë Ungjillore

120 Vjetori i Vëllazërisë Ungjillore

Në 14 nëntor 1892, Gjerasim Qiriazi me një grup atdhetarësh themeluan Vë­llazërinë Ungjillore. Presidenti i shoqatës ishte Gjerasimi dhe sekretari Thanas Sinën. Ndër elementët që përqafuan këto ide bënin pjesë Sevasti e Gjergj Qiriazi, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Fanka Efthimi si dhe zyrtarë, tregëtarë, edhe zanat­çinj.

Veprimtarë të da­lluar ishin edhe Grigor Cilka e Herakli Bogdani. (1. Dhimitër Dishnica: Motrat Qiriazi f.39) Ata synonin botimin e letërsisë shqipe, çeljen e shkollave shqipe dhe përhapjen e un­gjillit ndaj gjithë popullit shqiptar. Më 1908 Ungjillorët morën pjesë aktivisht në organizimin dhe punimet e Kongresit të Manastirit.

Sevasti Qiriazi, motra e Gjerasimit dhe pa­triotja e shquar, la këtë kujtesë: “E dinim që në krye se kjo barrë që kemi marrë përsipër është e vështirë, se do durim të madh dhe mburojë të fortë; po malli për kombin na bëri të mos kujtojmë asgjë nga të gjitha pengimet dhe kundërshtirat që mund të vijnë e të na lodhin në këtë punë.”

Kredoja e veprimtarisë ungjillore ishte: Miq për Perëndinë, Dritë për popullin, Uratë për mëmëdhenë! Dr. Femi Cakolli, studiuesi i gjuhës shqi­pe dhe drejtues i kishës ungjillore në Prishtinë komenton mbi punën e ungjillorëve të asaj kohe: “Ata guxuan të predikojnë, të luten dhe të këndojnë shqip.

Guxuan të hapin shkolla në shqip. Guxuan të shkruanin dhe të botonin shqip. Guxuan të hapin kishë shqip. Kështu u ofrua fryma dhe gjaku i atyre intelektualëve shqiptarë për ta bërë alfabetin shqip.” Historia pra, e ungjillorëve të parë në Shqipëri, është historia e atyre që dhanë jetën për Un­gjillin dhe për kombin tonë.

Nje­rëz të përkushtuar që ecën me këmbë qytet me qytet e fshat me fshat për të çuar ungjillin edhe abetare e gramatika. Njerëz që shkrinë pasuritë e tyre për të hapur shkolla, për të botuar abetare e literaturë. Njerëz që nuk kursyen asgjë e madje sakrifikuan shëndetin e tyre e vdiqën në lulen e rinisë sepse kishin ëndërra për të cilat nuk kishin frikë të vdisnin.

Kur lexon historitë e tyre të bejnë përshtypje: burgosjet, rrahjet, tentativat për atentate, marrjet peng nga kaçakë, presione nga qevëria lokale turke për të mbyllur shkollat, mallkimët, çkishërimet, pengimi i fëmijeve për të shkuar në shkollat shqipe, konfiskimi i librave, djegja e dyqaneve, shtypshkrojave, bastisja e shtëpive e përsëri ata rezistuan, luteshin për armiqtë dhe çuan deri në fund misionin që kishin marrë përsipër.

Ata kanë lënë pas një trashëgimi të pasur që na frymëzon jo vetëm ne por gjithë shqiptarët. Kapitull i Ri Me ardhjen e demokracisë në vitin 1992, Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë u rithemelua. Presidenti i parë u zgjodh Ligor Çina, një ndër besimtarët ungjillorë që i mbijetuan diktaturës.

Në vitin 2010 u nënshkruar një marrëveshje mes Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare dhe qeverisë, sipas të cilit ai njihet tashmë si një komunitet fetar zyrtar. Sot, Komuniteti Ungjillor është shtrirë përmes kishave të veta në çdo qytet të Shqipërisë dhe vazhdon të japë kontributin e tij në jetën shpirtërore të Shqiptarëve edhe në çdo fushë të jetës së vendit.

Ky kontribut duket në hapje shkollash, kopshtesh, kursesh profesionale, shtëpi fëmijesh, azile, qendra shëndetësore e klinika, projekte sociale për fëmijë, të varfër, pensionistë, edhe të burgosur. Të krishterët ungjillorë i gjen në çdo fushë të jetës së vendit.

Ata besojnë se mesazhi i Ungjillit mund të transformojë pozitivisht jetën e një individi, të një familjeje, të një komuniteti dhe të krejt shqiptarëve.

“Dashuria ndaj Perëndisë dhe ndaj të afërmve duhet të jetë mësimi i parë dhe i pastajmë për foshnjat. Të stërviten për të bërë mirë te të varfërit dhe të nevojshmit, të thellohet në zemrat e tyre dëshira për t’i bërë mirë kombit dhe gëzimi tyre të jetë kur ta shohim kombin të lulëzuar në çdo punë të mirë dhe të afërmin duke vajtur mbarë.”

                                                                                                                                                       Sevasti Qiriazi

“Do punonj për mëmëdhenë,

Gjithë jetën sa të rronj,

Do të zgjonj dhe ata që flenë,

Kështu jetën do mbaronj.”

Gjerasim Qiriazi (vjersha “Detyrat e Mëmëdhetarit të Vërtetë”)

Previous article
Next article

Most Popular

Recent Comments