- Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?
- Shkenca nuk ka zbuluar asnjë forcë planetare që ndikon mbi fatin e individit. Sigurisht, përveç meteorit kur i bie në kokë!
- A e dini që astrologu i sotëm nuk i shikon konstelacionet në të njëjtin vend që i shikonin astrologët që sajuan horoskopin mijëra vjet më parë? Kësaj i thonë të shesësh mallin e ndenjur.
- Kur flasim për karakteristikat e një personi, e dimë që tiparet e trashëguara kanë më shumë peshë sesa gjithë planetet e universit.
- Shumë prej parashikimeve janë aq të përgjithshme sa duket që kemi të bëjme me një hile. Domethënë, zor të mos dalin!
- Shpikësit e horoskopit nuk zgjidhin dot hallet e tyre, e jo më të na ndreqin neve me këshillat e tyre.
- Edhe pse kanë lindur nga një nënë, nën shenjën e njëjtë të horoskopit, shumë binjakë përfundojnë në rrugë shumë të ndryshme në jetë. Po s’të bëri kjo të dyshosh, çfarë t’ju themi pastaj?
- Dielli ndriçon tokën, por fati i individit ndriçohet shumë më tepër nga prindërit, shkolla, shoqëria, sesa ndonjë rreze yjore.
- Me të njëjtën ditëlindje ka njerëz të mençur dhe injorantë. Atëherë, si qenka përcaktues për fatin e njeriut shenja nën të cilën ai ka lindur?
- Përvoja na tregon se fati i individit varet shumë më tepër nga zgjedhjet personale, përkushtimi i tij në punë, apo stili i tij i jetesës dhe aspak nga një konstelacion në qiell.
- Në fakt, rrjedha e ditës suaj ndikohet shumë më tepër nga moti (era, shiu, apo temperatura) sesa nga një forcë e mistershme që gjoja vjen prej yjeve.
- Kur Ai që krijoi gjithë qiellin nuk të paracaktoi fatin, por të ngarkoi me përgjegjësi personale për të zgjedhur të mirën e jo të keqen, qysh atëherë mendon se yjet që ndodhen miliarda vite larg udhërojnë fatin tënd?