Home Jehona 29 10 Arsye Të Mira Për Të Shkuar Në Kishë

10 Arsye Të Mira Për Të Shkuar Në Kishë

Një ditë të diel, një shoqja ime ishte duke zbritur nga shkallët e shtëpisë për të shkuar në kishë. Atje në rrugë takoi fqinjën që e përshëndeti me pyetjen: “Ku po shkon?” Ajo u përgjigj: “Në kishë”. Komshija i tha shoqes sime: “Përse vete atje? Të japin gjë?” me skepticizmin më të madh.

Sa do të doja të kisha qënë atje në atë moment për t’i treguar atij personi arsye të shumta përse ia vlen të shkosh në kishë të dielave. Kundrejt sakrificës së vogël të kohës është një nga aktivitetet shoqërore dhe shpirtërore më të vlefshme për njeriun. Nëqoftëse s’ke shkuar në kishë ndonjëherë të ftoj ta marrësh në konsideratë për arsyet që po ju paraqes këtu:

1. Shoqëria

Njeriu është një qenie shoqërore. Ai ka nevojë për njerëz të tjerë. Kur Zoti e krijoi njeriun e parë, Adamin, ai tha që: “nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm”. Njerëzit që shkojnë në kishë nuk janë të përkryer, por në kishë gjen njerëz që janë të gatshëm t’i ofrojnë shoqëri të sinqertë çdokujt.

Ku tjetër, përveç bashkësisë së kishës, mund t’i gjesh njerëz të mbledhur nga shtresa kaq të ndryshme shoqërore, me një përzierje të të gjitha grupmoshave, dhe shpesh me kombësi të ndryshme gjithashtu?

2. Shëndeti

Sipas dhjetra studimëve shkencore frekuentimi i kishës është mirë për shëndetin. Studimet tregojnë që, mesatarisht, njerëzit që shkojnë në kishë kanë tension gjaku më të ulët, vuajnë më pak nga stresi, kanë imunitet më të lartë ndaj sëmundjes, përballojne katostrofat më mirë, shërohen më shpejte pas operacioneve dhe gëzojnë jetëgjatësi më të madhe.

3. Faleminderit

Përse njerëzit ankohen kaq shumë dhe shumë pak janë të kënaqur? Përse lakmojnë kaq shumë dhe nuk ndiejnë më tepër gëzim për ato gjëra që i kanë? Kjo vjen ngaqë njerëzit duhet të jenë më mirënjohës ndaj Zotit. Është e mirë që ti të shkosh përpara Perëndisë, të paktën një herë në javë, dhe t’i thuash: “Faleminderit!”.

4. Falje

Përse të vesh në kishë? Sepse ke nevojë për falje. Dhe në kishë do të dëgjosh për të vetmin që ka fuqi të falë mëkatet. Kjo është një nga arsyet më të forta që duhet të shkosh në kishë. Krishti vjen për të na çliruar nga mëkati. Prandaj ai vdiq në kryq. Për të fituar lirimin dhe faljen tonë. Ai vjen në mes nesh më shumë për të dhuruar se sa për të marrë. Pasi ke kaluar nje javë duke luftuar me mëkatin, sa mirë që mund të vesh në kishë të dielën dhe të pastrohesh nga çdo gjë e keqe.

5. Adhurim

Këngët e kishës janë disa nga këngët më të bukura që janë shkruar. Muzika e kishës ka frymëzuar njerëzit gjatë gjithë historisë. Për adhurimi nuk ka të bëjë vetëm me këngën dhe muzikën. Ngaqë njeriu ka një botë shpirtërore, është e pashmangshme që ai do të adhurojë dikë apo diçka.

Ose do të adhurojë Perëndinë, krijuesin e tij, ose do të adhurojë dikë apo diçka më pak të denjë: pasurinë, partinë, punën, këngëtarët, vetveten. Është fisnike të adhurosh Zotin dhe ti duhet të kuptosh që për këtë jemi krijuar, t’i japim lavdi Perëndisë.

6. Lutja

Ka fuqi në lutje. Sidomos kur populli i Zotit lutet së bashku. Jezusi ka premtuar, “Në qoftë se dy prej jush bien në ujdi mbi tokë të kërkojnë diçka, kjo do t’u jepet atyre nga Ati im në qiell.” (Mateu 18:19). Ata njerëz për të cilën askush nuk lutet janë më të vërtetë më të varfër shpirtërisht, sepse është e mrekullueshme kur rrethohesh nga njerëz të Perëndisë që lutën për ty.

7. Fëmijët

Fëmija që rritet në kontakt me kishën ka gjasa të dalë një njeri më i kompletuar në jetë dhe të jetë më pak i prirur ndaj veseve të shumta që ka shoqëria sot. Shumë prindër po vuajnë me adoleshentë të pakontrollueshëm. Mos prit t’ju ndodhi juve. Nëse i doni fëmijët tuaj (dhe e marr me mend që i doni) nuk bën keq ti shoqërosh për në kishë.

8. Krishti

Përfytyro që Jezus Krishti viziton qytetin tënd. A nuk ke dëshirë të vesh ta takosh? Bashkësia është ky vend. Jezusi premtoi se aty ku dy ose tre njerëz bashkohen në emrin e tij, ai do të gjendej në mes tyre. Ndonëse është e drejtë të themi që Zoti është kudo, ai është i pranishëm në mënyrë të veçantë kur e adhurojmë në bashkësi. Jezusi i quajti besimtarët trupi im. Kështu që pyetja, “ku mund ta gjej Jezusin sot?” merr përgjigjen: aty ku janë besimtarët e tij.

9. Fjala

Asnjëherë tjetër nuk kemi qenë të rrethuar nga kaq shumë zëra me fjalë kontradiktore. Jeta është konfuze ndërsa ne mundohemi të kuptojmë rrugën që duhet të ndjekim. Kjo të jep një arsye tjetër të vesh në kishë. Sepse atje do të dëgjosh zërin e Perëndisë nëpërmjet këngëve, lutjeve dhe Shkrimeve të Shenjta. Zoti i flet popullit të tij në mënyrë kolek­tive dhe individuale. Zëri i tij të drejton në rrugë të mirë, të forcon, të jep kurajo, të qetëson, të korrigjon. Sa keq kur i lutemi Zotit për ndihmë por nuk shkojmë në vendin ku Zoti na flet.

10. Egoizëm

Nuk duhet të vesh në kishë me mendimin vetëm të marrësh. Kisha është vendi ku duhet edhe të japësh. Nuk po flas vetëm për ofertën e kishës. Po flas për detyrimin që kemi të duam njëri-tjetrin. Jezusi na urdhëroi: “Po ju jap një urdhërim te ri; ta doni njëri-tjetrin, sikurse unë ju kam dashur ju, ashtu edhe ju ta doni njëritjetrin, prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi”.

Apostulli Pal thotë të njejtën gjë, “le t’u bëjmë të mirën të gjithëve”.

Nga Gjon Toma, bari i kishës ungjillore

Most Popular

NUK TË GËNJEN SYRI

S’të gënjen syri, jo Brenda pak sekondash syri thith gjithë ato imazhe. Si të jesh duke ecur në krah...

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

Recent Comments