HomeMesazhi 1Zëri i Centurionit

Zëri i Centurionit

Unë jam një oficer romak. Nuk shërbej në vendin tim por në Izrael. Kam rreth 100 ushtar nën urdhërat e mia. Të jesh ushtar nuk është asnjëherë një punë e bukur, por ku do të ishim pa ushtri? Bëja këtë pyetje vetes. Shpata dhe heshta romake janë i vetmi themel për paqe në këtë botë. Ndoshta ndonjë ditë dikush do ta drejtojë botën pa ushtri.

Do të doja ta shihja atë që përpiqet ta bëjë këtë gjë. Nuk them se e pëlqej çdo gjë që më urdhërojnë të bëj. Por mësohesh. Mendoja se isha aq i fortë sa çdo ushtar tjetër. Deri atë ditë. Kishte filluar të agonte kur judenjtë sollën të burgosurin e tyre në sallën e gjyqit të guvernatorit, duke thirrur me zë të lartë Pilatin. Judenjtë e kishin mbaruar gjyqin e tyre prandaj kërkonin që guvernatori të aprovonte ekzekutimin për të. Guvernatori nuk ishte i bindur se Jezusi ishte fajtor për ndonjë krim të rëndë.

Por Pilati donte të qetësonte judenjtë, kështu që ai më tha ta fshikulloja nazareasin. Ushtarët e mi e fshikulluan atë, duke i hapur plagë të thella në kurriz, duke ia copëtuar mishin dhe, nëse keni parë ndonjëherë ndonjë kamzhik romak, nuk është nevoja ta përshkruaj. Por fshikullimi nuk mjaftonte për priftërinjtë. Ata kërkonin që ai të kryqëzohej.

Më në fund Pilati u dorëzua. Në fillim e çuam në oborr dhe mblodhëm gjithë batalionin. Ata e tallën Jezusin sepse kishte thënë se ishte mbreti i judenjve. Një prej tyre mori disa gjemba në anë të murit dhe bëri një kurorë. Për herë të parë në shumë vite, m’u ngjeth mishi kur ia vunë kurorën dhe ia shtynë në ballë. Ata e qëlluan, e pështynë, e tallën. E udhëhoqa skuadrën e ekzekutimit në kodrën jashtë qytetit.

Jezusi duhej të mbante kryqin e tij ashtu si çdo i dënuar tjetër. Ne e kryqëzuam atë me dy të tjerë që ishin dënuar. Disa nga kryepriftërinjtë ishin atje; një audiencë e pazakontë për një kryqëzim. Ata nuk kishin mbaruar së talluri. Ata thanë: “Nëse je me të vërtetë ai që pretendon se je, zbrit nga kryqi dhe shpëto veten”. Ushtarët e mi përqeshnin po ashtu. “Nëse je mbreti i Judenjve, shpëto veten”. Zakonisht edhe unë bashkohesha me ta.

Por në atë çast nuk mundesha. Ky njeri nuk ishte kriminel. Dhe ai nuk rënkoi dhe as nuk u lut për falje si të tjerët. Nuk kam parë asnjëherë ndonjë që të dijë si të vdesë. As mallkim, as zemërim, as frikë. Dua të them se të gjithë bëhen nervozë. Është e natyrshme. Por ai nuk e bëri. Nuk dua të them se ai nuk vuajti. Kushdo vuan. Por ndryshon mënyra se si ai vuajti. Të tjerët mallkojnë ose qajnë. Ata blasfemojnë perënditë e tyre. Kam parë kriminelët më të fortë të frikësohen.

Kur një njeri është në kryq ti zbulon se çfarë beson në të vërtetë ai. E kupton se kush është. Dhe ky ishte ndryshe. Në mesditë, errësira pushtoi vendin. Një lloj eklipsi mbuloi dritën e diellit. Shumë nga spektatorët e humbën durimin dhe u larguan. Por sigurisht që një roje ekzekutimi duhet të qëndrojë derisa të burgosurit të vdesin.

Ndërsa orët kalonin, mund të kuptoja se ky njeri po i afrohej vdekjes. U afrova dhe pashë. Ai ngriti sytë lart dhe tha: “Atë, në duart e tua e lë frymën time”. Dhe pastaj vdiq. Dua të them se ai e zgjodhi çastin. Vdekja nuk i ndodhi atij duke e tërhequr, duke e zënë papritur dhe ai nuk u përpoq t’i largohej. Ashtu si një njeri zgjedh veprimin tjetër, zgjedh një çast për të fjetur, për të ngrënë ose për të kënduar, ai vdiq. Me qëllim.

Askush nuk e ka atë pushtet mbi vdekjen. Ishte një çudi. E dëgjova veten tek thashë: “Me siguri që ky ishte njeri i drejtë”. Që atëherë nuk kam qenë i njëjti person. Nuk do të jem asnjëherë në gjendje të shoh një kryq në të njëjtën mënyrë përsëri. Nuk e prisja asnjëherë që një njeri në kryq të më ndryshonte kaq shumë. Ishte mënyra si vdiq. Nuk jam ushtari i ngurtë romak që isha dikur.

Kam parë vdekjen e një njeriu vërtet të drejtë. Tani nuk do të pushoj kurrë derisa të gjej se kush ishte ai.

E frymëzuar nga Ungjilli 

Previous article
Next article

Most Popular

Recent Comments