Nga shtypi shqiptar për luftën kundër fesë

Qëndrimi armiqësor i pushtetit ndaj fesë arriti kulmin në vitin 1967. Pikërisht, në këtë periudhë institucionet fetare u mbyllën të gjitha, pa përjashtim, edhe u ndërpre çdo lloj veprimtarie, nën kërcënimin e arrestimit. Ky proces u shoqërua me një propagandë të fuqishme antifetare nga strukturat e Partisë, si dhe një fushatë të gjerë në shtyp.

Gazeta si: Zëri i Popullit, Zëri i Rinisë, Nëntori, dhe Mësuesi përmbanin herë pas here shkrime kundër fesë me qëllimin e vetëm, për ta demaskuar dhe paraqitur atë në sytë e popullit si një mashtrim, si një e keqe e madhe në zhvillimin e shoqërisë. Për këtë duhej zhdukur.

“ME SHPATEN E MPREHTE TE IDEOLOGJISE SE PARTISE KUNDER IDEOLOGJISE FETARE”

Këto fjalë, me gërma të mëdha, u shtypën në faqen e parë të gazetës Zëri i Popullit në datën 8 shkurt 1967, duke shënuar kështu përshkallëzimin e luftës kundër fesë në Shqipëri, luftë e cila ishte nisur kohë më parë por që tani do të arrinte kulmin. Lufta propagandistike kundër fesë u shtri veçanërisht në shkollë dhe në shtyp, që kontrolloheshin plotësisht nga pushteti i asaj kohe. Më poshtë vijojnë disa pjesë nga shtypi i kohës të cilat flasin qartë dhe përgjithësisht jepen pa koment.

“Fjalimin e shokut Enver Hoxha nuk do ta lëshoj nga dora, sepse ai do të ndriçojë rrugën tonë të vështirë por fisnike.”

Duke i zbatuar porositë e shokut Enver, unë dhe shoqjet e mia do të shkojmë në skajet më të largëta të malësive dhe aty do të luftojmë me ashpërsinë më të madhe zakonet prapanike e paragjykimet fetare….”

Zëri i Popullit, 12 shkurt ……………………….

“LUFTA KUNDËR FESË – ASPEKT I LUFTËS SË KLASAVE”

“Paragjykimet e zakonet fetare ruajnë farën e degjenerimit të njeriut dhe po nuk u luftuan me guxim, nuk mund të formohet njeriu i ri komunist, nuk mund të ecet drejt ndërtimit të plotë të socializmit. Masat punonjëse me të drejtë janë hedhur në sulm në frontin më të vështirë, në atë për të çrrënjosur nga zemrat dhe mendjet e njerëzve fenë…

Me besimtarin duhet punuar për ta bindur që të mos besojë, që të kuptojë në thelb se çfarë janë në të vërtetë botëkuptimi fetar, zakonet dhe bestytnitë fetare që i kanë hyrë në jetën e përditshme si një helm, t’i shpjegohet se ku dhe si çfaqet ky helm, në ç’forma dhe në ç’trajta kamuflohet dhe se si e pengon atë të marrë pjesë aktive në ndërtimin e socializmit.

Në këtë luftë, si rezultat i punës ateiste që ka bërë e bën partia, janë arritur suksese të mëdha. Për këtë dëshmon fakti që një pjesë e mirë e popullsisë është shkëputur nga feja…”

K.A Zëri i Popullit, 4 mars ……………………….

“KOTËSIA DHE DËMI I PARAGJYKIMEVE FETARE”

“…mbeturinat e besimeve, dogmave, kultet e ritet fetare, të cilat janë një pengesë për ndërtimin e shoqërisë sonë socialiste dhe transformimin socialist të ndërgjegjes së njerëzve. Historia e besimeve fetare nuk është gjë tjetër veçse errësimi i mendjes së njeriut…”

Zëri i Popullit, 18 mars ……………………….

Do të gjejmë “lumturinë tonë te partia … dhe jo tek feja e zoti”

B .S. Zëri i Popullit, 31 mars

“VENDIME REVOLUCIONARE QE ZHDUKIN NGA JETA JONE ZAKONET DHE PARAGJYKIMET REAKSIONARE”

“Feja i ka rrenjët të thella. Ne duhet të luftojmë në rradhë të parë në familjet tona, me të afërmit tanë, me pleqtë, në fushë kur punojmë e kudo që të bjerë rasti. Për këtë duhet të studiojmë sa më shumë libra ateiste shkencorë dhe materiale të partisë sonë.”

Zëri i Rinisë, 5 prill ……………………….

“AS NE FAMILJE FEJA”

“Çdo prind duhet të ndjejë përgjegjësi të thellë për edukimin komunist të fëmijës së tij jo vetëm ndaj djalit apo vajzës së vet por edhe përpara shoqërisë… Por në rast se tek ndonjë femijë vihen re p.sh. çfaqje të besimeve fetare, kjo padyshim reflekton dhe çkujdesjen e organizatave shoqërore ndaj atyre të rriturve, të cilat janë nën presionin e influencave idealiste fetare dhe këta ua transmetojnë fëmijëve të tyre…”

Zëri i Popullit, 9 prill ……………………….

“LETRA”

“I dashur shokut Enver Hoxha! Në çdo shkollë fillore, 8 vjeçare, 12 vjeçare… do të zhvillojmë një punë të madhe politike me masat kundër zakoneve prapanike dhe besime fetare. Gjatë pushimeve të verës do të kalojmë nga kooperativa në kooperativë … do të zhvillojmë një punë të gjerë propagandistike kundër ideologjisë fetare duke përhapur ndër masat popullore njohuritë ateiste shkencore.” Nga Mësuesit e Rrethit të Fierit.

Zëri i Popullit, 11 prill ……………………….

“JETËN TONË DO TA SHKRIJMË NË LUFTË KUNDËR BESIMEVE FETARE”

“I dashur shoku Enver! Fjalimi juaj, shoku Enver, qe për ne si drita e diellit, që sjell agimin e ditës, ai na hapi sytë e na freskoi mendjen, na çeli horizonte të gjera dhe na bëri që edhe ne të ndërmarrim një sërë aksionesh konkrete kundër besimeve fetare….

Ne ju japim fjalën e nderit, shoku Enver, se jetën tonë që na ka mbetur do ta shkrijmë në luftë kundër besimeve fetare, paragjykimeve e zakoneve prapanike.” Nga mbledhjet e 700 pleqve, plakave dhe ish besimtarëve të rrethit të Përmetit.

Zëri i Popullit, 26 mars ……………………….

“DEKLARATË E KOMITETIT QENDROR TË PPSH”

“Një luftë e madhe po bëhet në vendin tonë për të shpartalluar bestytnitë e paragjykimet fetare, gjithçka të papajtueshëm për jetën tonë socialiste. Komiteti Qendror i Partisë dhe këshilli i ministrave përshëndetin dhe përkrahin të gjitha këto inisiativa dhe u bëjnë thirrje gjithë popullit që të luftojnë me guxim për të zhvilluar akoma më tej këto lëvizje.”

Zëri i Popullit, 30 prill